Ne Mashkullore, jo vetëm te rrapi

Gurët e bardhë të Gjirokastrës janë ngrohur paq. Një re e hollë avujsh duket që poshtë, që nga rruga që të shpie në lagjet e reja të qytetit. Kalimtarët janë rralluar. Të gjithë shpejtojnë për në shtëpi. Ca nga vapa dhe ca ngaqë gazetat kanë shkruar se kjo e sivjetmja qenka jo vetëm vapë, por për më tepër, edhe "afrikane", njësoj sikur të qe ndonjë epidemi e padëgjuar, gjirokastritët u janë larguar rrugëve të tyre të gurta me një shpejtësi marramendëse. Vetëm andej nga darka rrugë e sokakë do të mbushen sërish plot.

Në sheshin e vjetër të qytetit, para Qafës së Pazarit, monumenti i bronztë i Çerçiz Topullit duket sikur e sfidon të nxehtët me qëndrimin shpërfillës që e pat fiksuar dikur Odhise Paskali. Para "Çeços" - sikurse e thërrasin gjysmë me përkëdheli gjirokastritët - disa taksistë presin më kot në vapë që ndokush t‘ua ketë nevojën. Të vetmet qenie, që duket sikur gëzojnë në këtë vapë mes gurësh, janë gjinkallat. Me siguri e ndjejnë veten në mbretërinë e tyre. Kënga e ngjirur del nga çdo skutë, nga cepa çatish të rrëzuara, nga mure të vjetër, nga copa bahçesh të mbetura nga kohë që nuk mbahen mend. Aq sa na lejon dielli i fortë "përshëndetemi" edhe ne një copë herë me Çerçizin më të njohur të Gjirokastrës. Jemi nisur pikërisht në vendin që, 101 vjet më parë i dha atij lavdinë për në Mashkullorë. Kush e di nëse Çerçiz Topulli po të mos kishte vendosur të qëndronte një natë në shtëpinë e mikut të tij të ngushtë Zeman Mashkullora, do të ishte po aq i famshëm sa ai që kemi përballë në bronz dhe që e ndeshim në çdo libër historie. Tani rrimë e mendohemi, a të shkojmë tani, në pisk të vapës, apo ta shtyjmë ca nisjen? "Edhe vetë Çeçua nuk do të kishte dalë në këtë vapë", mundohet të bëjë shaka njëri prej nesh, duke fshirë djersët që i kanë zënë sytë. Edhe në mos qoftë shaka e goditur, është një këshillë fort e mirë. Kështu që vendosim që më parë të takojmë miqtë e kolegët tanë dhe udhëtimin ta shtyjmë kur të bjerë pak i nxehti.

Takimet e gazetarëve në Gjirokastër bëhen "te Dushua" një lloj "Bar West" i dikurshëm i Tiranës. Petrit Beqiri është një burrë që e mendon fjalën. Gazetar e operator televiziv me një barrë përvojë, atij ia kishim dëgjuar zërin që në Tiranë, por nuk e dinim se "Peçua" - kështu e thërrasin miqtë e afërt - ishte nga Mashkullora. Petriti nis të kujtojë ngadalë copëza nga fëmijëria e tij. Ka ikur shumë i ri nga fshati, që sapo mbaroi gjimnazin e Gjirokastrës, por mbetet i lidhur deri në palcë me të. "Ah, ai fshat - psherëtin Peçua me sytë diku larg andej nga është Mashkullora - që fëmijë kemi punuar në arë. Me dorën time kam hedhur farë, ndërsa babai punonte tokën me parmendë. Puna është fjala e tyre e parë. Mbaj mend njëherë, ishim fare fëmijë unë dhe të tjerët. Babai na zgjonte që më tre të natës. Na dërgonte të mblidhnim fiq të egër lart e poshtë. Ne kishim plot fiq në bahçen tonë dhe nuk e kuptonim se çfarë na duheshin fiqtë e tjerë. Na dukej si një punë krejt e kotë. Tani që jam rritur dhe babai nuk jeton më, tani që jam vetë prind, e kuptoj fare mirë se ç‘do të thotë të detyrohesh të nxjerrësh në punë fëmijët e tu të vegjël. Me këtë akt, nga i cili ne ankoheshim deri vonë, babai donte të na thoshte se nuk ka në jetë gjë më të shenjtë nga puna. Kështu janë shumica e mashkulloritëve, punëtorë të mëdhenj e bujq të mirë, nga kjo ndryshojnë në radhë të parë prej të tjerëve. Petriti është dakord që të shkojmë në Mashkullorë në të rënë të vapës. "Ja ku është, fare afër", bën me dorë ai edhe një herë në drejtim të fshatit të tij.

Te rrapi

Eshtë pasdite. Vapa nuk zhurit më aq rëndë. Dhjetë kilometrat që ndajnë Gjirokastrën nga Mashkullora i kalojmë pa ndaluar. Nuk na duket se kemi udhëtuar drejt ndonjë fshati. Më shumë na duket sikur jemi në një lagje të jashtme të Gjirokastrës. Në Gjirokastër të gjithë kishin vënë buzën në gaz kur kishin dëgjuar se pasditen do ta kalonim mes mashkulloritëve. "Ah, po te rrapi", kishte qenë reagimi i menjëhershëm. Rrapi që ngrihet në qendër të Mashkullorës ishte bërë i njohur, sepse Enver Hoxha vetë, në vizitat e tij të pakta, kishte ndaluar poshtë tij dhe kishte mbajtur një qëndrim patetik e patriotik për një ngjarje që kishte ndodhur 70 vjet para vizitës së tij të parë dhe të fundit në Mashkullorë. Asokohe Hoxha kishte kujtuar "Luftën e Mashkullorës" një betejë që zgjati thuajse një ditë të tërë ku u përball çeta e Çerçiz Topullit me "koshadhet" osmane. Me kalendarin e sotëm beteja u zhvillua më 18 mars 1908, me kalendarin "allaturka" i bie të ketë qenë data 5 mars. Në këtë luftë u vra Hajredin Tremishti dhe shumë ushtarë osmanë. Mbeti i vrarë edhe një spiun shqiptar që i kishte sjellë ushtarët deri në Mashkullorë. Historinë e luftës e ka përshkruar gjerë e gjatë Mihal Grameno, shok armësh dhe bindjesh me Çerçiz Topullin.  Një figurë mashkullorite shfaqet shpesh në kujtimet e tij. Ky quhej Zeman Mashkullora. Grameno e trajton këtë si një fshatar të urtë, të pashkolluar, të fuqishëm, por gjithnjë të qeshur dhe të prirur që t‘u bënte mirë të tjerëve. "Na mbante edhe në krahë kur nuk kishim si kalonim përroin dhe nganjëherë na bënte edhe masazh kur ishim të lodhur", thotë Grameno. Zemani i urtë duhet të ketë një lloj "factotum", i pazëvendësueshëm për grupin e vogël që shkonte jetën e malit. Por nganjëherë edhe më i miri hap telashe. Grameno rrëfen një "hata" që u ka ndodhur në një manastir në Dropull. Këtu bënte roje një lazaratas me emrin Çelo. Ky ishte xhandar. Detyra e tij ishte që të ruante manastirin nga hajdutët. Çerçizi dhe të tjerët e bindin shpejt xhandarin se asnjë e keqe nuk do t‘i vinte prej tyre. Por marrëveshja prishet shpejt kur "Çeçua" nis të marrë nishan në mes të natës. Xhandari, i frikësuar për vendin e tij të punës, nevrikoset shpejt dhe nis të shajë "kapedanin". Puna shkon deri atje sa të dy shkëmbejnë sharje të rënda, nga ato që dikur të merrnin kokën. Çerçizi vë dorën në kobure, por ende pa e nxjerrë atë shikon Çelon të shtrirë përdhe duke rënkuar. Zemani i zellshëm ia kishte kaluar shefit. I kishte rrasur fort nën ije thikën Çelos së ngratë. Puna mund të shkonte keq, sepse nëse vazhdonte armiqësia, atëherë fisi Topulli binte në gjak me lazaratasit trima të Çelos. Sikur të mos ishte Mihal Grameno, që mjekoi xhandarin e ngratë dhe i uli të dyja palët në tryezë, nuk dihej se si do t‘i kishte vajtur filli kësaj historie. Gjithsesi xhandari Çelo "i hëngri" dy muaj burg pse i kishte lënë komitët të lirë.

Në anë të shtëpisë së dikurshme të kulturës lexojmë një shënim plot virtyte që Grameno pat shënuar për Zemanin. Rrapi është po aty, në hyrje të xhamisë së sotme, shkollës së dikurshme. Edhe ai sot bën pjesë në "mbretërinë e gjinkallave". Disa fëmijë lozin poshtë tij. Ne mundohemi ta përfytyrojmë se si mund të ketë qenë pema e madhe para më shumë se njëqind vjetësh, por nuk arrijmë ta kthejmë as më të madhe e as më të vogël. Ka ca gjëra që nuk ndryshojnë me vite, a shekuj.

Në qendër të fshatit, vetëm pak metra larg rrapit, është monumenti i bronztë që i kushtohet grupit të Çerçizit dhe luftës së marsit 1908. Moda e luleve artificiale ka mbërritur edhe këtu. Një tufë lule plastike duket si pa kuptim mbi portretet burrërore dhe të ngurtësuara të Çerçizit e njerëzve të tij. Në një lokal të vogël në anë të monumentit, dy fshatarë kanë kohë që debatojnë me zjarr. Fjalët më të përdorshme të debatit janë: toka ime, kanali, kufiri, kaq e aq hektarë, kaq metri katrore. Duket sheshit se kemi të bëjmë me një punë të ngatërruar prone. Heronjve tanë të bronztë nuk u lëviz asnjë qerpik, ndërsa "të rinjve të sotëm" as që u shkojnë sytë tek ai kujtim mbi njëqind e ca vjeçar.

Nga fshati në Los Angelos

Nën hijen e rrapit të njohur të Mashkullorës takojmë Siri Ahmetin, vendas i moshuar. Xha Siriu ka një jetë fort të trazuar. Fare i ri ka lënë fshatin për të shkuar në Tiranë. "Asokohe ndërtohej Kombinati i Tekstileve - na thotë dhe gjendej punë kollaj - atje u njoha edhe me gruan time dhe kështu nisëm jetën tonë. Mora edhe shtëpi në Laprakë dhe kështu thashë se do të bëja një jetë normale. Por nuk qe e thënë. Dikush u bë ziliqar në fshat, unë po e kisha ca biografi në "e prishur", dhe kështu që u detyrova të kthehem këtu më 1969. Punova në kooperativë si gjithë të tjerët derisa dhjetë vjet më vonë më kurdisën një gjyq për agjitacion e propagandë. Me thënë të drejtën, mbase është turp, por deri asokohe unë as që e dija se ç‘donte të thoshte fjala ‘agjitacion‘. Më mbajtën në hetuesi në Gjirokastër dhe më dënuan tre vjet e gjysmë. Provat u sajuan. Pa imagjinoni pak, edhe një vepër të Enverit, që e kishin shkarravitur fëmijët, si çdo libër që gjenin, ma quajtën si provë të armiqësisë sime. Burgun e kalova në Spaç, më shumë nën tokë".

Xha Siriu ka një version të tijin për fatkeqësitë që e zënë njeriun: "Kur u dënova unë, më parë m‘u mbyt vëllai elektricist, fare i ri në Virua, me një vajzë fare të vogël që e la jetime. Kështu u bënë dy fatkeqësi njëherësh. Kur vijnë, vijnë ato more djema. Pastaj e liga, shpifja, intriga, zilia, kanë qenë e do të jenë ngaherë. A nuk po ndodhin edhe sot?".

Nga Mashkullora në Los Angelos. Kjo ka qenë rruga e gjatë që ka bërë xha Siriu dhe e shoqja. Atje ka përfunduar djali më i vogël që iku nga Shqipëria që më 1990. "Ishte bukur shumë, po kur nuk e di gjuhën ç‘e do - thotë mashkulloriti i vjetër - atje ishte plot lule. Një ditë djali donte të na çonte në mal me ‘axhensor‘. Unë donja po nuk pranoi plaka. Mbeta pa vajtur në malin e Kalifornisë. Megjithatë, nuk ka si vendi yt. Tani këtu ndjehem mirë. Kam vuajtur, është e vërtetë, edhe nga ndonjë bashkëfshatar, por gjithsesi nuk paska si vendi yt".

Ka nisur të ngryset. Na duhet të shpejtojmë ca. Ndahemi me plakun e mirë dhe ecim për pak kohë mes shtëpive mashkullorite. Jemi në Beqiraj, lagja e Petritit, shokut tonë.

Nënë Sanua afër kishës
Mbase mund të jetë i vetmi vend në Shqipëri ku kisha është fare në mes të një lagjeje myslimane. Mashkullora banohet nga banorë të të dy besimeve, myslimanë e ortodoksë. Sapo ka rënë muzgu dhe rreth e rrotull kishës ndizen dritat. Vetëm në pak minuta jemi në shtëpinë atërore të Petritit. Një plakë e imët mbush sytë me lot kur na sheh në derë. Një gërshet i hollë del nga shamia që i shtrëngon fl okët. Ne dëgjojmë vazhdimisht fjalët: O biro, o biro! Eshtë nënë Sanua 82-vjeçare, e ëma e Petritit. Ajo nuk di se si t‘i gëzohet djalit që i ka ardhur në derë. "Kam katër vjet pa e parë - na thotë - kam qenë në Athinë me djalin e vogël. Atje u mërzita shumë. Burg e shkuar burgut. Fëmijët venin në punët e tyre kurse unë si kërcure mbyllur brenda. Më dukej vetja si në burg. Kisha ca mbesa që më shëtisnin nganjëherë, por ç‘e do. Unë doja të rrija këtu në shtëpinë time, me njerëzit e mi. Kur më thanë se do të vij këndej se ç‘më hyri një merak. Mos u ka ndodhur ndonjë gjë djemve, mendova në fillim. Tani jam mirë, jam në vendin tim. Le të vdes. Kam dalë nga burgu. Nënë Sanua ka pasur një jetë të vështirë. E ëma e ka lënë jetime që kur ishte 6-muajshe. Asokohe një grip i rëndë goditi krejt Shqipërinë, tre vetë vdiqën vetëm në familjen e nënë Sanos. Pastaj jetimja i kaloi me radhë të tëra, luftën, zinë e bukës, punën e rëndë në kooperativë, sakrifi cat për të shkolluar fëmijët dhe më në fund edhe kurbetin, "burgun" sikurse e quan ajo. Ka rënë nata. Zhurmat e fëmijëve janë shuar. Dritat shumëngjyrëshe të kishës na duken edhe më të hareshme teksa ndahemi me nënë Sanon dhe miqtë e tjerë në lagjen myslimane.

Edhe një herë puna

Në të dalë të fshatit ndalojmë në anë të një shtëpie të madhe. Këtu jeton Zihni Dadaj, më i njohuri në këto anë për punimin e drurit. Në fshat na kishin folur shumë për këtë njeri që i kishte bërë thuajse të gjitha, nga çoban, murator, mekanik deri tek usta i drugdhendjes. Prisnim të na dilte përpara një burrë i fuqishëm dhe çuditemi kur na fton të hyjmë brenda një plak i imët me duart që i dridhen vazhdimisht. Xha Zihniu është 74 vjeç, është i njohur në të tërë zonën si punëtor i madh. Pasioni i tij i dytë ka qenë gjuetia. Për t‘i kujtuar kohën që punonte e pyesim se sa orë rrinte në punë. "16 orë e më shumë - na përgjigjet pa u menduar fare - dhe kjo ka vazhduar për tërë jetën deri sa u sëmura". Në këtë moment mësojmë se xha Zihniu vuan prej kohësh nga Parkinsoni, një sëmundje që nuk e lë më të merret me dashurinë e tij më të madhe, punën. Nga kjo i vjen edhe ajo dridhja e duarve që na kishte bërë përshtypje në fi llim. Me moshë është bërë disi fatalist. "Tetori i 1976 duhet të ketë qenë muaj i mallkuar - na thotë - në atë kohë ndodhën tre ngjarje me radhë. Na vdiq një komshi këtu pranë, më vdiq vjehrri dhe unë vetë desh humba jetën në një aksident në gjueti. Një shoku im më kujtoi për derr të egër dhe më zbrazi çiften. Akoma i kam disa fishekë në trup. Mezi kam shpëtuar. Po më duket se sëmundja m‘u shfaq shumë më vonë. Bashkë me një shokun tim kishim bërë një kope me nja 300 krerë, mirëpo nuk po na shiteshin. Kështu që vendosëm të rrinim në stan. Atje kam mërdhirë shumë. Që prej asaj kohe nuk kam qenë mirë deri sa zuri kjo sëmundje. Jetë e lodhshme more djema, ne nuk kemi pasur rrugë tjetër". Deri në xhade na shoqëron djali i xha Zihniut. Poshtë në fushë ai ka një aktivitet shumë të suksesshëm mobilierie. Fjala "punë" është ajo që ndahet me ne e fundit nga Mashkullora, që me sigurisht nuk është vetëm ajo "e Rrapit".

Mihal Grameno: Në betejë me Çerçizin

Korçari Mihal Grameno kishte jetuar 20 vjet larg vendit të tij, në Bukuresht. Fati e solli që pikërisht në Rumani të njihej me vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli nga Gjirokastra. Këta, me porosi të "Komitetit të Manastirit", kishin krijuar një çetë të armatosur që do të niste luftën kundër pushtimit osman. Në 1907 Grameno dhe njerëzit e Çerçiz Topullit u nisën nga Brindizi me një anije ulqinake dhe zbarkuan në bregun e Himarës. Kështu nisi udha që do të çonte në betejën e famshme të Mashkullorës të marsit 1908. Çerçiz Topulli u pushkatua nga malazezët në Shkodër në 1915. Ishte vetëm 35 vjeç dhe i kishte mbijetuar dhjetra betejave dhe atentateve. Grameno vdiq në 1931 nga shkaqe natyrale. Ç‘ka do të lexoni më poshtë janë marrë nga kujtimet e tij me titull "Kryengritja Shqiptare".

Ishte e martë mbrëma, duke u gdhirë emërkurë, 5 mars 1908, kur ramë të flemë të qetuar që s‘ka gjësendi. Edhe me të vërtetë gjithë natën, as ndonjë shenjë nuk kishim kuptuar se ishim të gjurmuar, po kur ngrihet Çerçizi hedh sytë në dritare edhe thotë:

Mihal, eja shih: djem shkolle janë, a njerëz? Vështronj po nuk zgjidheshin mirë, kurse Çerçizi, me të hedhur dylbinë, bërtet, o burrani shokë, se na rrethojti ushtëria!

Në këtë fjalë, ngrihen të tmerruar gjithë shokët edhe me vrap rrëmbyen trajstat, gunat, armët edhe ca të mbathur e ca të xbathur u rrëxuam në katua e që atje, duke kapërxyer një mur, duallmë përjashta. Atje, pamë që ishim në rrezik të math po të delnim në shesh. Prandaj muarmë një përrua të thellë shumë, plot me shkëmbinj edhe plot me ujë. Në krye ushtëria nuk vërejti aspak, meqenëse ata drejtoheshin tek shtëpia, edhe kësisoj do të mos ishim goditur, po të mos u bërtiste një tradhëtor edhe t‘u tregonte rrugën tonë. Ky bukurosh tradhëtor, na kishte mësuar siç duket, se me të vajtur në Gjirokastër sa që kishte arrirë ushtëria edhe i lajëmron për neve, kështu që me vrap i dërguan, nën komandë të oficerit Nexhadin edhe të një tjatri.

Kur shkonim me nxitim, në përrua, përnjëherësh dëgjojmë buçimin e trumbetës edhe me vrap zunë plumbat të na shkojnë përmbi krye duke fëshëllitur! Ah! Ishte një moment që nuk mund ta tregonj dot! Zëri i trumbetës, të cilin e dëgjonim për të parën herë kur urdhëronte zjarr, na tmerrojti më tepër se ishte zë i tmerrshëm, një zë që na ngrinte leshrat përpjetë se, me të vërtetë, ishte zëri i vdekjes!...

Ushtarët, duke u rrëzuar që përpjetë, na e prenë udhën edhe do të na kishin vrarë që të gjithëve, po të mos ishin Çerçizi me Asllanin, të cilët, më të shpejtë nga këmbët, nxitonin edhe muntnë të zenë një haur të rrëzuar, ku vetëm gurët kishin mbetur. Që atje me vrap u hapnë zjarr ushtarëve, duke shtrirë dy prej tyre, kështu që ua prenë hovin e sulmin edhe kësisoj muntmë të arrimë edhe neve gjer atje.

Vërtet arrimë, por për fat të zi, jo të gjithë. Haredin Tremishti ra dy pash lark meje për nder të Shqipërisë edhe të lirisë! Një plumb i armikut i kishte shpuar kryet tej-përtej, edhe shpirti i fluturojti në qiell! I rashë më këmbë që të ngrihet, po ay nuk lëvizi. I hodha sytë që ta shoh, për të fundit herë, edhe pashë që një bukuri prej ëngjëlli i kishte rënë mbi fytyrë e zbritur prej qiellit! Psherëtita edhe ngrita sytë në qiell, duke iu lutur Perëndisë ta ketë në prehje shpirtin e Hajredinit, të atij djaloshi trim, guximtar edhe të urtë, që ra dëshmor, duke derdhur gjakun e tij për lirinë e Shqipërisë. Kur arriva unë ne shokët edhe më pyesin për Haredinin, të gjithë u pikëlluan edhe derdhë lotë për gjëmën e madhe që na kish gjetur. Po Çerçizi e mblodhi veten edhe thotë të rronjë Shqipëria se edhe neve, gjithë si Haredini do të vritemi, po o burrani shokë, të zemë vende që të luftojmë burrërisht. U rregulluam duke marrë ballin Çerçizi, Zemani edhe Myftari, unë me Asllanin muarmë anën për t‘u mprojtur krahët nga armiku.

Më orën 7 zuri lufta e rregullshme edhe e reptë. Ushtëria ishte përhapur edhe na kish rethuar nga gjithë anët, edhe që andej na lëftonte. Nuk dua të shtonj, po përkundrazi të pakësonj, numrin e ushtërisë që përbëneshe prej më tepër se 150 shpirt, kurse neve nuk ishim, siç dihet, pesë shpirt. Përveç kësaj nuk duhet harruar që neve bënim ekonomi të madhe në fishekët, se gjithnjë Çerçizi bërtiste: mos harxhoni, o shokë, fishekët më kot.

Plumbat na vinin si breshëri, po neve qëndronim si ca statute, në vëndet tona, edhe u përgjigjeshim me plumba, po duke qëlluar edhe me këngë kombëtare. Ah! Edhe sot e sjell nër mënt tmerrin e math që kam ndjerë, kur pashë Çerçizin që t‘i derdhet gjak prej ballit, edhe i verdhë si dylli i them me dëshpërim: E ç‘na bëre, more derëzi, që na preve krahët? Pse nuk dëgjon këshillat e mia, po të gënjyen turqit gjer të plagosnë? Vrapova t‘i jap ndihmën e duhur, kur Çerçizi duke fshirë gjakun më thotë: mos u dëshpro Muhal, se nuk jam plagosur, por një cifl ë, prej guri, më goditi edhe me zëmërim qëlloi ushtarin që e kish qëlluar edhe e shtriri përdhe.

Çerçizi qëllon kaqë mirë, sa të rrallë besonj se ndodhen të këtillë qëllonjës. Një ushtar, i cili kishte zënë një vënt të fortë, e vravi edhe ky mbeti i mbërthyer vëndit. Po Çerçizi e pandehte të gjallë, prandaj sa herë që vërtiteshe e qëllonte, kështu që e kishte shpuar me radhë 16 herë në krahëror! Kësisoj, luftuam gjer në orën 2 pas dreke, kur dëgjojmë trumbetën të buçasë. Gjer në atë kohë ishin vrarë 8 ushtarë edhe buçimi i trumbetës ishte shënja që të mblidhen ushtarët. Neve pandehmë që do të shkonin, edhe u gëzuam, po oficerët i mblodhnë që t‘u japin të tjera urdhëra, se pa shkuar as 5 sekonda nisi, në buçim të trumbetës, një luftë kaqë e rreptë, sa nuk tregonet. Plumbat na vinin si rrëke, si breshëri edhe të pareshtura, kaq dendur sa nuk muntnim tëzbrazim dot një pushkë.

Më orën 5, vjen mytesarifi nga Gjirokastra, i rrethuar me zyrtarët e ushtrisë, doktorë edhe farmacistë për t‘u dhënë ndihmë të plagosurvet. Prapa tyre ardhi tjetër ushtëri e përzjerë me xhandarë, për të çkëmbyer ushtarët e parë, të cilët, të dërmuar mga lufta e nga shiu edhe duke lënë 10 shokë të vrarë, shkuan pa ndonjë rregull për në fshat.

Mytesarifin, zyrtarët dhe ushtarët mund t‘i qëllonim edhe t‘i vrisnim shumë më lehtë nga ata, meqënëse vinin drejt neve, po nuk qëlluam duke pandehur që pësimi i të parëvet do t‘u bëheshe mësim, mirëpo ushtarët, pa një pa dy, zunë vende në repat edhe na hapnë zjarr. Të shtrënguar atëhere, u përgjigjmë edhe neve me zjarr, po më përpara i këshilluam që të mos luftonin. Mjerisht këshillat tona nuk i dëgjuan edhe luftuam gjersa u ngrys, duke lënë këta tre të vrarë. Të këtillë mori fund lufta e Mashkullorës me 5 të Marsit 1908. Midis të pafajshmëvet edhe të mjerëvet ushtarë, që u vranë e mbetnë lark atdheut të tyre, u vra edhe i fëlliquri tradhëtor, duke marrë prej Çerçizit një plumb në ballë për çpagimin e tradhëtisë.
 

2 Komente

Tani e mesova se si ka vdekur Cerciz Topulli. Edhe per helmimin e Ismail Qemalit vone kam mesuar e lexuar dicka. S'e di pse, asokohe, kur flitej per heronjte nuk e permendnin vdekjen e tyre, dhe asnjehere s'e kam kuptuar pse, ndoshta nga ideja e ruajtjes gjalle te kujtimit, por prape eshte pak e cuditshme... Shkrimet e Baxhakut eshte e kote ta perseris jane te mahnitshme. Gjithe te tjeret qe perpiqen ta imitojne, se fundmi, jane kopje here mire, here keq te tij.

figuren e cercizit e kane shtremberuar njecike koherat e komunizmit, ose me sakte: thjeshtuar...

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).