Muzetë e braktisur të Shqipërisë

A janë të denjë të futen në guidat turistike muzetë e Shqipërisë? Përgjigja e specialistit Frederik Stamati, është një "jo" e prerë dhe konfirmon që gjendja është katastrofike. Ministrat e Kulturës ose mohojnë problemin ose gënjejnë për të shmangur përgjegjësitë.

Sot, problemi më i madh në muzeumet e Shqipërisë është trashëgimia e objekteve që ata disponojnë. Ka disa parametra që duhen zbatuar në mënyrë që të ndërpritet shkatarrimi i objekteve. Ata ndërthuren dhe bëhen kompleksë. Janë teknikë dhe subjektivë. Nuk është këtu rasti për të analizuar faktorët veçan.

Po themi që në fillim të shkrimit dhe pa patur asnjë shans justifikimi, se gjendja në muzeumet e Shqipërisë është tepër e rëndë, madje shpesh herë katastrofike.

Kemi dëgjuar ministra që e mohojnë problemin; ata ose nuk janë të informuar, por si zor, se në postin e kryetarit të Shoqatës së Restauruesve Shqiptarë i kam vënë në dijeni disa herë, ose rrejnë për të shmangur përgjegjësitë.

Kështu ata venë në gjumë qeverinë, bllokojnë financimet në këtë fushë dhe i bëjnë trashëgimisë kulturore një dëm të pariparueshëm.

Le t'i analizojmë problemet sipas specifikës që kanë.
Muzeumet, së bashku me fondet duhet të funksionojnë si makina vigane ku ndërpritet shkatarrimi i objekteve.

Këto "makina vigane" kanë sistemet e rregullimit automatik të lagështisë relative në ata parametra ku ndërpritet korrozioni i metaleve, ku ndërpritet hidroliza, ku ndërpritet zhvillimi i myqeve, ku kufizohet bashkëveprimi i kristaleve me ujin për të krijuar struktura dërrmuese, etj.

Këto "makina vigane" kanë sistemet e rregullimit automatik të temperaturës në ata parametra ku minimizohen reaksionet kimike, ku nuk zhvillohen myqet dhe insektet.

Këto "makina vigane" kanë sistemin e pastrimit të ajrit nga pluhurat dhe bloza, në mënyrë që ata të mos ndyjnë, apo të veprojnë si zmerilë: por kjo është më e vogla, se pluhurat thithin lagështinë dhe ndotësat atmosferikë dhe ia përcjellin objektit, duke aktivizuar reaksionet kimike. Këto "makina vigane" kanë, kur është e nevojshme, sistemet e përthithjes së ndotësave atmosferikë, në mënyrë që ata të mos veprojnë kimikisht me objektet.

Më thoni ju lutem: në cilin muzeum, apo në cilën galeri artesh të Shqipërisë janë instaluar të tilla makineri? Edhe në Muzeun Historik Kombëtar, ku u vendosën me një funksionim të pjesshëm, sot nuk funksionojnë, se një herë nuk ka lekë për karburant, një herë tjetër nuk ka lekë për energji elektrike dhe për mirëmbajtjen e kondicionerëve, një herë tjetër...

Pra që këtu çështja e ndërprerjes së dekompozimit të objekteve është e kompromentuar. Nuk mund të kemi trashëgimi.
Problemi i dytë qëndron me atë që njerëzit e njohin me termin "restaurim", por që në të vërtetë sot konsiderohet si konservim.

Ndërhyrjet për të realizuar konservimin kryhen në laboratorë të specializuar në fushën e trajtimit muzeal, ku punojnë shkencëtarët e konservimit, të aftë për të përballuar këtë punë nga ana e përgatitjes universitare dhe pasuniversitare dhe nga ana psikologjike. Në këta laboratorë realizohen dy detyra:

Studime të ndryshme
Studime të njohjes së përbërjes kimike të objektit, sepse rruga e ndërhyrjes shpëtuese është në vartësi të përbërjes kimike; studime për transformimet minerale, sepse në këtë mënyrë dimë rrugën se si prishet objekti dhe dimë se si ta ndërpresim këtë transformim; studime për stadin e shpërbërjes së molekulave, që të dimë se ku është gjendja; studime të veprimeve biodegraduese që të dimë se si të ndërhyjmë për të ndaluar këtë aktivitet gjallesash mbi objekte; studime të teknologjisë së prodhimit, në të gjitha aspektet, sepse historia e zhvillimit të teknikës, apo mjeshtërive, nxirren nga puna e këtyre laboratorëve, nga puna e vetë atyre, apo në bashkëpunim me laboratorë të tjerë, sepse është tepër e kushtueshme.

Po nga këto analiza dalin të dhëna për vendprodhimin e objekteve, pra origjinën e tyre, rrugët tregtare, etj.


Trajtimi i objekteve

Trajtimi përmbledh ndërhyrjet laboratorike, thuajse tërësisht kimike, për të ndërprerë dekompozimin e të gjitha natyrave. Të thuash se p.sh. lahen objektet, apo ngjiten, do të thotë ta degjenerosh konservimin në nivel diletanti.

Ndërhyrja është një proces me përgjegjësi të madhe, pra që duhet të dish shumë, sepse ndryshe mund ta shkatarrosh një objekt, ose mund ta dëmtosh objektin më tepër se çfarë e ka dëmtuar toka për 2000 vjet!

Puna konservuese realizohet në laboratorë të profilizuar dhe nga punonjës me përgatitje speciale. Nuk mund ta bëjë kushdo dhe në çfarëdolloj laboratori. Problemi është i komplikuar.

Epoka e punës së mjeshtrave me objektet e trashëgimisë kulturore ka pesëdhjetë vjetë që ka marrë fund. Personeli i specialistëve, kimistë, ose ka një përgatitje speciale tre-katër vjeçare mbas përfundimit të universitetit për kimi, pra shikoni se sa serioze që është, një universitet i dytë, ose kalon në përgatitjen që në fillim në universitetet 5-6-vjeçarë të restaurimit.

Përjashto punën e pamjaftueshme që bëhet në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në asnjë muzeum të Shqipërisë nuk kryhet konservimi laboratorik. E pra, nuk mund të kemi trashëgimi të objekteve.

Problemi i tretë konceptohet në qëndrimin që mbajnë punonjësit e muzeumeve ndaj objekteve. Punonjësi i muzeut duhet të dijë se çfarë e dëmton objektin, në mënyrë që të mos bëjë padashje veprime të gabuara.

Po, duhet të jetë i specializuar në këtë drejtim! Unë jam dëshmitar i zhvleftësimit të punës së laboratorit vetëm në sajë të veprimeve teknikisht të papërgjegjshme të punonjësve të muzeut. Edhe ta kapësh një objekt, duhet të dish se si ta kapësh, deri këtu është çështja. Lëre pastaj se si duhet të mirëmbahet, ekspozohet, etj. Është një teknologji më vete!

A kemi në Shqipëri punonjës të muzeumeve të trajnuar në kurse, apo shkolla speciale në këtë drejtim? Meqë këtu nuk kemi shkolla të tilla, sa punonjës të muzeumeve janë çuar jashtë shtetit për të parë se si manipulohen objektet?

Në këtë pikë çështja komplikohet më shumë dhe rëndohet nga qëndrimi që mban politika ndaj muzeumeve. Drejtori konsiderohet gabimisht si person politik. Drejtori i muzeut është specialist i fushës. Nuk është rastësi që drejtorët bëjnë dëmet më të mëdha në muzeume.

Jam munduar shumë herë t'u shpjegoj drejtorëve të emëruar rishtas teknologjinë e konservimit muzeal, pra se cilat janë problemet dhe se si duhet të punojnë ata, që të sigurohet trashëgimia.

Sa arrija ndonjë rezultat, kur drejtorin e ndërronte politika dhe e filloja përsëri punën nga e para, pastaj prapë nga e para, derisa u binda se ishte e kotë. Kam takuar drejtorë të ndershëm muzeumesh që e kanë thënë hapur se në atë post i ka vendosur politika, por se nuk janë për atë punë.

Si mund të vendoset një drejtor i paformuar në një pozicion teknik? Është njëlloj sikur të emërosh shef të kardiokirurgjisë ta zëmë një ekonomist. E si mund të vejë ajo punë? Kam takuar edhe punonjës të muzeumeve që u mbushen sytë me lot kur tregojnë hallet që kanë. Pra rezulton se shtetit shqiptar i mungon strategjia e plotë për shpëtimin e vlerave materiale të kulturës kombëtare.

Le ta analizojmë çështjen në dy këndvështrime të tjera.

Organizimi. Muzeumet dhe fondet muzeale në Shqipëri janë në tre vartësi të ndryshme: disa nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, disa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe disa nga bashkitë e rretheve. Hajde e futi në një emërues të përbashkët teknik!

Dikur vareshin nga një ministri. Pastaj u arsyetua që muzeumet e rretheve të vareshin nga pushteti vendor. Të krijohet përshtypja se Ministria e Kulturës i hoqi qafe muzeumet, e shpëtoi prej tyre. Kjo barrë u mbeti bashkive, të cilave me problemet që kanë, as që u bie në mend për muzeumet, ndryshe nuk ka se si shpjegohet se si janë katandisur shumë prej tyre.

Ah po, bashkitë kujtohen kur duan të emërojnë ndonjë militant. Ndokush mund të arsyetojë se edhe në Evropë ka muzeume që varen nga bashkitë. Po mor zotëri, apo zonjë, por ata janë atje, e ne jemi këtu. Nuk bëhemi si Evropa po të imitojmë organizimin e saj, që i përket një tjetër stadi zhvillimi, por le të zhvillohemi edhe ne, e pastaj, kur të arrijmë parametrat evropianë, i organizojmë muzeumet si ata. Shkoni e shikoni ju lutem se si kanë katandisur muzeumet në vartësi të bashkive!

Këtu duhet përmendur edhe një çështje tjetër e rëndësishme. Ka një ministri që mbulon kulturën. Po t'u ngresh specialistëve problemet e muzeumeve të rretheve të shpjegojnë se ata muzeume varen nga bashkitë dhe se ministria nuk përgjigjet për ta. E koklavitur kjo punë!

Trashëgimia e objekteve muzealë kërkon një strategji të shumëmenduar ku marrin pjesë shumë faktorë. Për thjeshtëzim të analizës, po i ndajmë në dy: mbrojtja ligjore nga vjedhjet dhe mbrojtja nga "vjedhja" që u bën natyra me ligjet e saj të shkatarrimit.

Lidhur me ruajtjen e objekteve nga vjedhjet, ligji është vërtet shumë i mirë dhe nuk mund të kritikohet. Por kjo është vetëm gjysma, se gjysma tjetër i takon shkatarrimit kimik, biologjik dhe mekanik.

A është në gjendje ministria që të hartojë strategji për konservimin e objekteve? Jo! Këtë paaftësi e ka treguar me vepra dhe kjo që në hartimin e ligjeve për trashëgiminë. Ka një mangësi serioze në organizimin e punës për trashëgiminë në ministri.

Atje punojnë specialistë të fushave të ndryshme, si historianë, juristë, ekonomistë, natyrisht të gjithë të nevojshëm, por asnjë specialist i konservimit muzeal. Konservimi në muzeume është botë dhe shkencë më vete dhe nuk mund të përceptohet nga ata që nuk janë specialistë të fushës.

Asnjë nënvleftësim për ata punonjës dhe asnjë keqkuptim! Ata nuk e dinë konservimin dhe nuk mund të ndërtojnë politika për konservimin muzeal.

Pra ministria nuk ndërton dot politika për trashëgiminë e objekteve, prandaj edhe kemi këtë gjendje që kemi në muzeume, për faqe të zezë! I kam shpjeguar një ish ministri për domosdoshmërinë e emërimit në ministrinë përkatëse të një kimisti të aftë, i cili duhet të punojë disa vjet në laborator me objektet, që të dijë se çfarë kërkon teknikisht trashëgimia, çfarë kostoje ka, ku duhet aplikuar dhe çfarë kostoje ka riparimi i shkaktuar nga neglizhenca.

A mund ta quajmë neglizhencë organizimin e çalë që ka ministria në këtë drejtim?

Jo shumë kohë më parë kur një gazetë kritikoi një muze etnografik për disa të meta që pa, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpejtoi të "tregojë muskujt e ministrisë", duke marrë si shembull Muzeun Etnografik të Krujës.

E njoh gjendjen në atë muze, e di përkushtimin e punonjësve ndaj muzeut, por ministria duke na paraqitur si shembull për muskuj Muzeun Etnografik të Krujës, tregoi se nuk di asgjë për problemet muzeale dhe kështu, e thënë popullorçe, këtë çështje e ka ngrënë dreqi!

Le të përmendim edhe një herë ligjin për muzetë, Nr. 9386, dt. 04.05.2005. Neni 9, "Financimi i muzeve publikë", pika 1 thotë: "Muzetë publikë financohen nga Buxheti i Shtetit, miratuar nga organet përkatëse, që i kanë në vartësi këta muze, duke i dhënë fonde për:.... ç. pajisjet për kontrollin e temperaturave të mjedisit të muzeve për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve muzeore."

Kushdo që është specialist dhe lexon këtë pikë, e kupton menjëherë se ky ligj, të paktën kjo pjesë, është hartuar nga jo kompetentë. Aty përmendet financimi i termometrit, që kushton 100, apo 500 lekë dhe jo financimi i rregullimit të mikroklimës, që është primare në konservim.

Ligji nuk përcakton se si duhet të funksionojnë muzetë dhe magazinat që të mos prishen objektet, se çfarë kualifikimi duhet të ketë personeli, se si duhet ngritur një muze që të plotësojë kushtet e konservimit, se si duhet organizuar një sallë muzeu, jo vetëm nga paraqitja, por nga parametrat e ruajtjes.

Prandaj edhe ne kemi një organizim sallash, apo muze etnografikë të tipit "Muze në natyrë", prandaj p.sh. në Muzeun Historik Kombëtar po ndërtohet muzeu etnografik dhe nuk është dhënë asnjë lek për restaurimin e objekteve që do të ekspozohen.

Asnjë drejtor muzeumi nuk mund të përgjgjet se pse i dëmton mola tekstilet, se pse po i bien copë objektet arkeologjike, etj. Boll t'i kesh në inventar dhe puna është në rregull. Nuk shprehet asgjëkundi në ligj që shteti duhet të përgjigjet penalisht për prishjen e objekteve.

Prandaj edhe ndodh kështu siç ndodh. Prandaj edhe e titulluam këtë shkrim "Muzeumet e braktisur të Shqipërisë".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).