Ministria e Lumturisë Kombëtare

Shqiptarët ende nuk e kanë të qartë se cili ka qenë e duhej të ishte objektivi i tranzicionit nga sistemi totalitar. Ku duhej e ku duhet shkuar? Paria e Tiranës ka këmbëngulur e po këmbëngul me një insistencë të habitshme se objektivi 'konsensual' e 'mbarëshqiptar' është e do të jetë integrimi në strukturat euroatlantike, çkado që përmbledh ky koncept hibrid, por i dobishëm.

Shkurt e shqip, mbasi SHBA-ja na futi në NATO, kjo po përkthehet në arritjen e anëtarësimit të shtetit shqiptar në Bashkimin Europian me të drejta të plota. Ky ka qenë objektivi i gjithë qeverive të mbas 1990-ës.

Ky është edhe objektivi i koalicionit të parisë së Tiranës që synon të formojë qeverinë edhe kësaj here. Politikanët sillen sikur hyrja në Europë do të na i zgjidhë të gjitha punët dhe atëherë do të bëhemi si gjithë të tjerët, normalë e europianë të lumtur.

E kështu, Ministria jonë e Lumturisë Kombëtare e ka emrin Ministria e Integrimit Europian. Ia vlen të thuhet se ndoshta zëri më i qartë e më skeptik për shanset e për mundësitë e integrimit ka qenë ai i Prof. Ermelinda Meksit, ish-ministre e Integrimit, në një shkrim të botuar disa vite më parë tek "SHEKULLI". Po kështu, edhe disa pjesëtarë të tjerë të parisë së Tiranës kanë treguar realizëm në analizat e tyre për këtë problem, duke vënë në dukje se jemi aq larg integrimit sa mund të thuhet se ky objektiv nuk është i mbërritshëm edhe për një kohë të gjatë.

Mirëpo, paria e Tiranës ka ngulmuar të ecë në këtë rrugë dhe e ka kthyer integrimin në objektivin e vetëm e të pazëvendësueshëm të politikës shtetërore e kombëtare. I gjithë riorganizimi shoqëror dhe i sistemeve të tjera gjatë tranzicionit është vënë në funksion të këtij objektivi.

Por, edhe pse kanë kaluar disa vjet nga këto përpjekje të bujshme të parisë, realiteti është se shteti shqiptar është më larg se kurrë arritjes së këtij objektivi të lumturisë kombëtare. Edhe pse tash do të kemi qeverinë e integrimit, duket se dështimi i saj do të jetë i garantuar.

Çka është më e keqja, çdo qeveri që do të formohet nuk do të ketë as fuqinë politike, as ndërtimin institucional, as burimet e strukturat ekonomike, as kohën e nevojshme, as dëshirën e sinqertë, as mbështetjen popullore, por edhe as mirëkuptimin e shteteve që vendosin në BE për të bërë ato ndryshime që mund krijojnë kushtet për futjen e shtetit shqiptar në Bashkimin Europian. Po ashtu, zgjidhja që shqiptarët kanë bërë është që të lidhen me SHBA-në e jo me BE-në.

Mbi të gjitha, shteti shqiptar vazhdon të mbetet peng i çështjes kombëtare shqiptare, problemit më të mprehtë politik e ende të pazgjidhur në Ballkan. Ia vlen të përmenden shkurtimisht se si duket se na shohin e na trajtojnë ne 'familja' jonë europiane.

Për BE-në, sistemi politik në shtetin shqiptar është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të garantojë kontrollin e hekurt të liderit të radhës. Zgjedhjet kuvendore ishin një dështim i thellë politik dhe me pasoja të pallogaritshme edhe për integrimin e shtetit shqiptar në BE.

Vetëm paria e Tiranës beson se sistemi politik në shtetin shqiptar është demokratik dhe se qeveritë që dalin prej atyre zgjedhjeve janë legjitime. Duket se BE-ja, që është e interesuar për stabilitet, do ta kapërdijë edhe këtë farsë elektorale. Por, do ta bëjë të qartë se ky është një dështim tjetër, shumë i rëndë, që na largon edhe më shumë nga objektivi i integrimit në BE.

Në nivelin institucional, BE-ja e ka bërë të qartë se shteti shqiptar është një shtet i kapur nga interesat e veçanta ekonomike e qartësisht kriminale në të gjitha nivelet. Arrestimi i hajdutëve të xhepave dhe vrasësve ordinerë, nuk e fsheh realitetin e një shteti të kontrolluar nga oligarkët e parisë së Tiranës. Aq më keq, realiteti është i tillë që strukturat institucionale dhe shtetërore janë të kapura e të kontrolluara prej krimit të organizuar.

Paria e Tiranës i ka forcuar strukturat institucionale, por vetëm deri në atë nivel që të mbrojnë interesat e tyre. Tash, pengesa për hyrjen në BE na thuhet se janë pasaportat biometrike. Pra, fajin pse ne nuk hyjmë në BE e paskan shqiptarët që nuk pajisen me këto pasaporta e jo paria e Tiranës, që dështoi për ta bërë shtetin shqiptar si gjithë Europa.

Në lidhje me zhvillimin e sistemit të duhur ekonomik, shteti shqiptar nuk ka se çfarë të tregojë si dëshmi të afrimit me strukturat ekonomike të BE.

Vendi prodhon shumë pak, konsumon shumë mallra importi, mbahet me një ekonomi joformale, të kriminalizuar, që varet nga emigrantët dhe nga aktivitetet e jashtëligjshme dhe ku zyrtarët e individët e lidhur me to pasurohen si në përralla.

BE-ja e sheh me shqetësim të thellë rikthimin e skafeve, sistemin ndërkombëtar të trafikut njerëzor e të drogave dhe influencën që kanë klanet e shumta kriminale mbi politikanët shqiptarë në të gjitha nivelet, si një vend ku edhe qentë e rrugës dehen me hashish e marijuanë (a.k.a as cannabis sativa, shqip 'kërpi').

Kriza e thellë që e ka përfshirë shtetin e ekonominë shqiptare, dhe që u fsheh me kujdes gjatë fushatës zgjedhore, ka dalë qartësisht në sipërfaqe. Arka e shtetit është bosh, emigrantët nuk dërgojnë aq ndihma sa dikur, linjat e kreditit janë tharë, buxheti është rrudhur shumë dhe varfëria për shtresat të gjera të popullit ka mbërritur në ekstrem.

Në lidhje me mbështetjen popullore, shqiptarët kanë synimin që të marrin një vizë për diku në BE, të ikin në jetën e mundimshme të emigrantit, sepse nuk gjejnë shpresë në vendin e tyre. Për to, hyrja në BE është mundësia e ikjes nga shteti shqiptar dhe e gjetjes së një pune që të lejon të hash një kafshatë bukë me nder.

Mirëpo si shqiptarët, ashtu edhe BE-ja janë krejtësisht të qartë se kanë shumë pak gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin. Urrejtja e racizmi kundër shqiptarëve janë të dukshme gjithkund në vendet e BE-së.

Europa nuk po i integron një milion shqiptarë që jetojnë brenda në Europë, si në Greqi etj., tash 20 vjet, pse duhet të pritet që do të merret me tre milionë të tjerë që kanë shtetin e tyre, por që nuk sillen si duhet? Po ashtu, vetëdija se Europa nuk na do ne shqiptarëve, duket se është e ngulitur thellë dhe qartësisht e prekshme edhe në shtetin shqiptar.

Mbas vizitës së Presidentit Bush, duket se BE-ja e interpretoi shpërthimin e shqiptarëve dhe të ndjenjës së tyre pro-amerikane si shprehje të mbështetjes së madhe popullore për lidhjen shumë të fortë, strategjike e formale që ekziston midis shtetit shqiptar dhe SHBA-së.

Mbi të gjitha, BE-ja i sheh shqiptarët me dyshim, si krijesa të një sistemi hibrid, që, kur janë në vendin e tyre, duhet të bëjnë si paria, e sillen si paria, dhe kjo do të thotë se askush nuk e respekton ligjin, shtetin, vlerat e identitetin europian.

Po ashtu, Europa nuk beson se paria e Tiranës ka dëshirën e sinqertë që ta integrojë shtetin shqiptar në BE. E vetmja rrugë që oligarkia e Tiranës mund të pasurohet e të ruajë pozitat që ka, është duke e mbajtur shtetin shqiptar në një gjendje të tillë.

Hyrja në Europë për to është një problem i madh, se mandej do të ketë detyrime e struktura të tjera që disi do t'i mbajnë nën fre dhe kjo nuk i intereson parisë së Tiranës. Mandej, paria e Tiranës e ka mbërritur Europën.

Ato i kanë pasaportat diplomatike të shërbimit, i kanë vilat e apartamentet, investimet e fëmijës, spitalet e mjekët e tyre, hotelet e vendet e argëtimit, në Europë e tjerakah. Kështu si janë, paria e Tiranës janë shumë mirë, hallet janë të popullit.

Por, problemi më i madh që sheh BE-ja është problemi i çështjes kombëtare shqiptare. Kjo çështje e pazgjidhur politike do të jetë në qendër të vëmendjes së BE-së. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë nuk ka përfunduar ende, stabiliteti i Maqedonisë nuk është siguruar, fati i Bosnjës nuk është vendosur dhe të gjitha zgjidhjet varen nga rruga që do të marrë çështja kombëtare shqiptare që prek edhe Malin e Zi e Serbinë.

Ky është një problem që as është zgjidhur si duhet e, po të vazhdojnë të ndiqen politikat e deritashme, duket se do të mund ta marrë zgjidhjen e duhur. Pa u zgjidhur çështja e bashkimit, nuk vjen në fjalë çështja e integrimit europian.

Mirëpo, duhet ruajtur gjendja e status quo-së dhe imazhi se BE-ja ka interes për shqiptarët që të hyjnë në Europë. Problemi për BE-në është se, nëse shqiptarët binden se integrimi në Europë është një premtim i parealizueshëm, atëherë zgjidhja e vetme që shqiptarët do të kenë, do të jetë që të drejtohen nga vetvetja dhe të kërkojnë bashkimin kombëtar e shtetin e tyre kombëtar. Mirëpo kjo prish shumë ekuilibra dhe BE-ja as nuk ka pasur e as nuk ka interes që kjo çështje të zgjidhet si duhet. Në këtë pikë, BE-ja dhe paria e Tiranës pajtohen bashkë.

Edhe pse të dyja palët e dinë se nuk do të ketë integrim në Europë për shtetin shqiptar, as sot e as mot, prapë luhet një sharadë tragjikomike. Kështu bëhen aplikime, nënshkruhen marrëveshje, organizohen tryeza dhe takime pa fund, por objektivi i tranzicionit dhe i arritjes së lumturisë kombëtare është e do të jetë gjithnjë i pambërritshëm si ylberi edhe me këtë qeverinë e pritshme të integrimit.

5 Komente

Nuk e di per kopjim, por qe ky nuk sjell gje te re, kete e them me siguri. Shkrimet e tij jane te parashikueshme se per cfare flasin ende pa i lexuar: dy ekstremet pa peshe elektorale dhe pa asnje lloj ndikimi ne shoqerine tone, kombetaristet e ketij tipi dhe bolsheviket, bashkohen ne ca vajtime te stisura (me nje qellim ne mendje sigurisht).

1. Integrimi ne Europen e Bashkuar do te ndodhe ne nje kohe relativisht te shkurter, ndoshta fundi i ketij mandati. Shqiperia do te beje ato qe duhet te beje dhe do te trokase ne porten e BE-se, pastaj vendimi eshte i tyre dhe qe varet nga shume gjera te brendshme te BE.

Edhe per Naton keshtu thonin para 4 vitesh, qe eshte nje enderr qe zor se mund te behet realitet ne kohen kur u be, por ja qe ne sot jemi anetar te NATOs.

2. Ky diskursi i Shinasiut ka nje zbythje qe ja ben vete populli shqiptar. Klasa politike apo "Paria e Tiranes" sic i pelqen Shinasiut, eshte me legjitime dhe me e perkrahur ne popull se kurre me pare. Pjesemarrja ne zgjedhjet e pergjithshme '09 eshte pjesemarrja me e larte ne 12 vite dhe dy partite kryesore kane pasur rritje te perkrahjes elektorale, qe nese diskursi i Shinasiut do te ishte i vertete duhet te ndodhte e kunderta.

Vete shoqeria shqiptare e shikon projektin e Shqiperise ne Europe, qe pikesepari do te thote Shqiperi me standarde europiane, te realizueshme nga njerezit qe i kane votebesuar dhe organizimet politike aktuale.

Kete Shinasiu ose ndonje tjeter mund ta kundershtojne vetem me teori konspirative apo dicka te ngjashme.

P.S. Kryenece, bash origjinalin e kesaj e ka Orwell ne novelen e tij ku dhe ka futur ne perdorim keto ministrite e Bollekut, Lumturise etj.

Sakte e shkoqur! Keshtu sic eshte, Shqiperia mbetet nje vend shegertesh ne te cilin vetem padronet (oligarkia) jane "qytetare" te botes, e te paret nuk jane qytetare as ne vendin e tyre.

"Në lidhje me mbështetjen popullore, shqiptarët kanë synimin që të marrin një vizë për diku në BE, të ikin në jetën e mundimshme të emigrantit, sepse nuk gjejnë shpresë në vendin e tyre. Për to, hyrja në BE është mundësia e ikjes nga shteti shqiptar dhe e gjetjes së një pune që të lejon të hash një kafshatë bukë me nder."

 

 

eshte mese normale qe Be nuk deshiron liberalizimin e vizave per shqipetaret: kjo eshte fare e thjeshte...ata e provuan me rrumunet, sapo i hapen rruget europa u mbush me rrumune...shqiptaret he per he s'kane cte mire tu ofrojne vendeve te BE, perpos gjerave dhe trafiqeve ilegale kuptohet... 

jemi nje vend i varfer, qe tenton te zgjidhe telashet e shtepise se tij tek shtepia e komshiut...por momentalisht komshiu ka telashe vete dhe sdon te baje barren e telasheve tona... thjesht NUK NA DUAN sepse NE NUK DUAM VETEN TONE, nuk mund te pretendojme te zgjidhim hallet tona duke u bere emigrante...ne kete menyre ne thjesht i largojme hallet por nuk i zgjidhim...

Shqiperia si ne rastin e liberalizimit te vizave, aq me pak ne anetaresimin e plote ne BE, nuk do te kete ndonje emigrim problematik per vendet e BE, si Rumania apo Polonia. Se pari per shkak se ne jemi 4.2 milion dhe Rumania eshte 21 milion dhe me shume se 1 milion shqiptare jane aktualisht ne vendet e perendimit.

Vetem nje pakice e 3 milione e me shume shqiptareve qe jane ne Shqiperi do te perdore liberalizimin per te emigruar per pune, shumica do ta kene me te lehte per te udhetuar tek te afermit e tyre, per vizita, studime etj.

Trafiqet ilegale nuk jane me problem. Te gjitha trafiqet jane ne nivele te paperfillshme dhe kjo ne cdo rrethane nuk eshte argument pasi trafikantet dhe kriminelet nuk e kane problem marrjen e vizave, problem e kane qytetaret shqiptare qe zbatojne ligjin.

Informohuni pak per vendin anetar te BE Bullgarine, korrupsioni dhe krimi i organizuar ne nivele teper te larta ka detyruar BEne te pezulloje ndihmat financiare per te.

Ti mer Leone ke problem me shqiptaret dhe s'eshte here e para qe brockullis te tilla gjera per Shqiperine qe me vjen cudi si e di gjuhen e saj, ne cfare rrethanash e ke mesuar.

Megjithe realizmin qe Serbia eshte nje vend me i zhvilluar se ne dhe kjo gje nuk lidhet me tranzicionin por qe shtrihet shume me perpara, qe ne kohen e komunizmit ku ne ishim te izoluar ne nje bunker stalinist dhe Jugosllavia ishte krejt ndryshe, nje getizim i Shqiperise, Kosoves dhe Bosnjes nuk i duhet askujt.

Speaker une nuk kam problem me gjakun tim por disa gjera qe jane te verteta i di....

1) nese perdorim meritokracine a e meriton Shqiperia, me gjithe zhvillimet qe ka arritur, te kete nje liberalizim vizash me BE? ose ose siç deshirojne disa, te hyje ne BE???

Une them JO, dhe kjo jo nuk vjen aspak sepse shqiptaret jane nje vend mysliman(siç ngulmojne disa dashakeqes...), por thejsht sepse NE nuk kemi arritur ate zhvillim teknologjik, ekonomik dhe kulturor qe kane vendet e BE, perfshi ketu rumanine apo bullgarine....

mos harro se sot per sot NE s'kemi arritur akoma te bejme ne keto 20 vjet zgjedhje te ndershme(leqe nderin kemi 20 vjet qe e kemi humbur....)

mos harro se akoma sot te vritet ne mes te tiranes pa pike problemi nje person me atentat gati mafjoz dhe ne shqiperi duket nje gje krejt normale, ne fund te fundit njerezit vriten akoma per nje gervishje makine....hiqet nje jete njerezore pa piken e meshires vetem per nje grevishje makine...!!!!eshte per te qare...

mos harro qe jemi i vetmi vend qe kemi nje aparat burokratik parazitar dhe qe per me teper funksionon keq dhe kur funksionon nuk funksion nga pagimi i taksave tona por nga dalja e lekeve ne forme ryshfeti nag xhepat tane qofte dhe per nje leternjoftim... mos harro se perveç tiranes, dhe nje apo dy te tjera,  qytet e tjera te shqiperise s'kane akoma zhvillim  e qyteteve moderne ose historike europjane, ne shume qytetet tona mungojne mjetet e argetimit qofte kinemate,teatrot, operat fushat e futbollit, tenisit...dhe te tjera e te tjera mjete argetimi ku te rinjte tane te zhvillohen, keto qytete numerohen me gishta(tirane durres korce shkoder dhe ndoshta vlore....), per gjithe qytete e tjera jane kafenete, bilardot dhe  sallat e kompjuterave te hapura me bollek....

 

2)nese liberalizohen vizat a dote kete ikje ne mase nga shqiperia?

une them po, do te kete ikje ne mase sado vendi eshte i vogel, por siç shkruajta dhe me lart nuk zgjidhen hallet ne shtepine e komshiut...

do te kete ikje ne mase se ne shqiperi mungojne vendet e punes dhe kushtet minimale te punes...jap nje shembull te thejshte shume nga ata qe bejne kamerieret ne shqiperi s'kane as dhe nje dite pushimi ne jave si ne gjithe vendet e BE...por sa jane ata qe punojne tek privati dhe skane dite pushimi....???me mijera...

mos harro qe akoma shumica e shqipetareve enderron te iki jashte shtetit per nje jete me te mire, siç dikur ke enderruar ti dhe une, sepse ne vendin e tyre nuk shohin nje te ardhme dhe kjo mbas 20 vjet pseudo-demokraci eshte e trishte...

dhe ajo qe thua ti qe shume duan thejsht te shkojne te shikojne te afermit kjo eshte pjeserisht e vertete....sepse kjo shumica mund te jene prinderit e femijeve jo daja halla xhaxhai kusheria kusheriri apo komshiu i lagjes....

 askush nuk don nje getizim te shqiperise...por jane vete shqipetaret me zgjidhjet dhe zgjedhjet e tyre qe getizojne vetveten....

 

mos harro qe ne nuk jemi as si Maqedonia, qe shume thone qe s'eshte shtet...ne nuk arrijme akoma sot ti japim uje e drita 24 ore gjithe vendit tone...nuk kemi nje infrastrukture rrugore as si ajo e maqedonise....

ti thua ndoshta qe nuk eshte faji yne por nese ne shqiperi kur flitet per miting atehere te vjen ne mendje berisha ose rama

ne europe kur flitet per miting flitet per ata njerez qe ngrene koken per problemet e ndryshme te jetes, probleme ne drejtesi, probleme me kostot e jetes, rritjen e rroges...dmth njerezit ngrihen per problemet real te tyre jo sespe i ngrihet politikaneve dhe populli u shkon mbrapa si tek NE...

jo une nuk e kam me shiqiperine, me vendin tim...por nje gje e di qe shqiperia ka nevoje per ndryshime rrenjesore nga maja piramides deri poshte...

 

dhe per fat te keq...jemi akoma larg nga dyert e BE-se.....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).