Melodia vazhdon të jetë e njëjtë

Nga

Rodger Potocki, Transitions Online

 

Ndërsa isha në Tiranë në fillim të këtij muaji, pata një ndjesi të një déjà vu-je.

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit paraqisnin të njëjtat ngjashmëri me ato të fillimvitit në Moldavi, në të cilat isha dëshmitar e për të cilat kam shkruar.

Dukej pak a shumë sikur iPod im ishte stakuar tek e njëjta këngë.

Ndërsa ka pasur disa ndryshime, paralelet mes të dy garave nxjerrin në pah një miks problemesh që vazhdojnë të dëmtojnë zgjedhjet në Evropën Juglindore.

Ndërsa në Moldavi, Partia Komuniste në pushtet sfidohej nga opozita liberale, në garën shqiptare bëhej fjalë për stabilitetin përballë ndryshimit.

Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, që ka qeverisur vendin që prej vitit 1992 deri në vitin 1997, e që erdhi sërish në pushtet në vitin 2005, premtonte se do ishte një faktor stabiliteti, shumë i nevojshëm për integrimin e vendit në BE.

Drejtuesi i Partisë Socialiste dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, bënte thirrje për një “politikë të re për ndryshim”. Është pak a shumë siç thotë dhe një blogger, “regjimi i vjetër” kundër “gjakut të ri”.

Megjithatë, edhe konservatorët e Berishës e njohin fuqinë e mesazhit të Obamës dhe e kanë quajtur koalicionin zgjedhor “Aleanca për Ndryshim” dhe kanë adoptuar sloganin “Shqipëria po ndryshon”, edhe pse kjo nuk po ndodh.

Njësoj si në zgjedhjet e 5 prillit në Moldavi, zgjedhjet e qershorit shiheshin si një test për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Të dyja vendet kanë një histori të gjatë zgjedhjesh problematike. Kësaj here drejtuesit e secilës parti qeverisëse i reklamuan zgjedhjet si më të mirat që ka zhvilluar ndonjëherë vendi i tyre.

Raportet e medieve perëndimore për zgjedhjet ishin përgjithësisht inkurajuese.

Vlerësimet e para për të dy vendet nga vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë ishin pozitive, pasi dita e zgjedhjeve kaloi pa probleme.

 

 

DUKE U PËRMIRËSUAR KOHË PAS KOHE

 

Për Shqipërinë zgjedhjet e qershorit u vlerësuan nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga vëzhguesit vendas si një hap i rëndësishëm përpara. Deklarata paraprake e OSBE theksonte një progres të dukshëm dhe një atmosferë të përmirësuar. Një raport nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendas, i përbërë nga gjashtë organizata kryesore joqeveritare, i quajti këto zgjedhje një arritje për politikën e shoqërinë shqiptare, në krahasim me ato të vitit 2005 e 2007.

Progresi u theksua dhe në rastin e Moldavisë, ku deklarata paraprake e OSBE thoshte se zgjedhjet e prillit kishin plotësuar shumë standarde ndërkombëtare.

Por ajo çka u vlerësua kryesisht ishte vetë dita e zgjedhjeve - periudha para dhe pas zgjedhjeve u provua si më problematikja.

Kjo nuk është dhe aq e papritur për personalitetet që kanë vëzhguar zgjedhjet.

Ndërsa prejardhjet dhe ideologjitë e tyre mund të jenë të kundërta, burrat e fortë të secilit shtet, Berisha i Shqipërisë dhe Vladimir Voronin i Moldavisë, janë një prerje. Të dy kanë qenë figura dominante të tranzicioneve të vendeve të tyre që pas revolucioneve të vitit 1989-1991. Të dy i kanë mbajtur me forcë e kanë drejtuar partitë e tyre në shkretëtirë, pasi kanë humbur zgjedhjet, e ia kanë dalë të rikthehen në pushtet. Dhe të dy duket se nuk kanë asnjë pikë dëshirë të dorëzojnë sërish pushtetin.

Doktori i Mirë (Berisha është kardiolog) dhe Komradi përdorën të njëjtat metoda për të siguruar se viti 2009 nuk do të sillte ndryshim në status quo-në e tyre politike.

Kjo nuk do të thotë që opozita në të dy vendet nuk bëri lojëra të ndyra, por të jesh jashtë pushtetit thjesht ke shumë më pak akses në mjetet e nevojshme për ta bërë këtë.

 

 

MBAHU SALI!

 

Në të kaluarën, drejtuesit e këtyre partive, më të mëdhatë në vendet e tyre, kanë vuajtur nga partitë e vogla dhe kërkesat e tyre.

Ndërsa Partia Komuniste e Voronin dominon politikën e Moldavisë, fuqia e saj është sfiduar nga koalicionet e opozitës. Në vitin 2008, qeveria amendoi Kodin Zgjedhor për të rritur pragun elektoral për përfaqësuesit e partive në parlament dhe ndaloi koalicionet parazgjedhore. Këto ndryshime u panë me shqetësim nga OSBE dhe Këshilli i Evropës, për shkak se kufizojnë pluralizmin.

Në Shqipëri, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste janë peshat e rënda, por sipas sistemit proporcional, 10 parti të vogla arritën të futen në parlament në vitin 2005 dhe kufizuan efektivitetin e qeverisjes duke kërkuar favore në nivele të larta.

Në një duet të pazakontë, Berisha dhe Rama, përmes një Kodi të ri Elektoral në fund të vitit 2008, prezantuan sistemin e ri proporcional rajonal, që synonte uljen e manipulimeve dhe mund të ishte më eficient.

Por vëzhguesit theksuan se sistemi i ri favorizonte partitë e mëdha dhe u jepte fuqi të mëdha drejtuesve të këtyre partive.

Në nëntor, 10 politikanë hynë në një grevë urie për të demonstruar kundërshtimet e tyre ndaj këtyre ndryshimeve. Një sondazh paraelektoral nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve arriti në përfundimin se 82 për qind e qytetarëve nuk e kuptonin ligjin e ri. Në zgjedhjet e kësaj vere, vetëm katër parti të vogla ia dolën të fitojnë një total prej shtatë mandatesh. Disa ditë pas zgjedhjeve partitë e vogla kërkonin që ligji zgjedhor të ndryshohej.

Raporti i OSBE theksonte se Kodi Elektoral duhet përmirësuar dhe duhet të jetë në përputhje me angazhimet e OSBE dhe me standardet e Këshillit të Evropës.

Ndryshimet në Kod u kthyen në bumerang, duke sjellë një situatë ngërçi.

Partia Komuniste e Voronin mori 60 mandate, një më pak se numri i nevojshëm për të formuar qeverinë ose për t’u zgjedhur president.

Pa aleatë të vegjël, që nuk mundën të hyjnë në parlament, komunistët nuk mundën të marrin ndonjë person nga opozita, duke sjellë kështu zgjedhje të parakohshme.

Fillimisht, koalicionet e Berishës dhe të Ramës dukej se ishin në situatë barazimi me nga 70 mandate secili, një më pak se numri që duhet për të formuar qeverinë. Por në fund Berisha ia doli që të bindë Lëvizjen Socialiste për Integrim me katër deputetët e saj që të kalojnë në aleancën e djathtë. LSI më parë ishte shkëputur nga socialistët e Ramës dhe drejtohet nga Ilir Meta, një rival i Ramës, që për ironi është një nga deputetët grevistë që ka protestuar për Kodin e ri e që tani është kurorëzuesi i fituesit.

Pavarësisht një vendimi më të qartë se në Moldavi, ligji ka prodhuar një qeveri më pak të qëndrueshme me një mazhorancë shumë të ngushtë.

Ndërsa i ka kushtuar Ramës zgjedhjet, ligji ka reduktuar parashikimet e Berishës për të gjetur dy të tretat e votave që duhen për të bërë reforma.

 

 

KUSH JENI JU?

 

Gjatë zgjedhjeve të kaluara, të dyja, Shqipëria dhe Moldavia, kanë pasur probleme me regjistrin e votuesve dhe me identifikimin. Pjesë e sfidës është se një e treta e qytetarëve në secilin vend jetojnë ose punojnë jashtë.

Për të zgjidhur këtë problem qeveria shqiptare, në bazë të rekomandimeve të OSBE, nisi krijimin e një regjistri elektronik të qytetarëve dhe lëshoi kartat biometrike të identitetit. Kodi i ri Zgjedhor parashikonte që për të votuar duhej një kartë identiteti ose një pasaportë. Ndërsa regjistri u përdor për të prodhuar lista votuesish, përpjekjet për të pastruar parregullsitë u penguan nga probleme të supozuara ligjore dhe teknike.

Kartat e identitetit nuk filluan të shpërndaheshin deri në janar dhe problemet teknike dhe administrative sollën një ngadalësim të procesit, ndryshe nga sa pritej.

Opozita politike dhe grupet e pavarura pretendojnë se qeveria e ka zvarritur procesin e lëshimit të kartave në zonat e Partisë Socialiste, ndërsa e ka përshpejtuar atë për mbështetësit e saj. OSBE ka konfirmuar disa nga këto pretendime.

Nuk ka të dhëna solide për sa i përket parregullsive në listat e votuesve ose për ata që nuk arritën të marrin një kartë identiteti, por një numër domethënës votuesish u privuan nga kjo e drejtë.

Situata ishte dhe më e keqe në Moldavi, ku qeveria nuk arriti të krijonte një regjistër elektronik, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga OSBE.

Padyshim atje ka pasur probleme serioze me listat e votuesve. Pas zgjedhjeve të kontestuara të prillit, opozita politike dhe shoqëria civile synuan të verifikojnë listat, por procesi u bllokua përmes një padie në gjykatë nga Partia Komuniste, me arsyen se ka shqetësime për sa i përket privatësisë së votuesve.

Tre anëtarë antikonformistë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se ka pasur probleme me listat e votuesve. Raporti i ndërmjetëm paszgjedhor i OSBE konfirmoi problemet me listat dhe raste të besueshme të manipulimit me votat.

 

 

ZHDUKJA E KUFIJVE

 

Berisha dhe Voronin janë mjeshtër të përdorimit të makinës qeveritare për të përfituar partitë e tyre.

Që prej vitit 2003, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas kanë kritikuar administratën e Voronin për abuzime të shumta me pushtetin përpara zgjedhjeve, përshi këtu arrestime dhe kërcënime të kandidatëve dhe përdorimin e burimeve administrative për qëllime elektorale.

Raporti final i OSBE për zgjedhjet e prillit thekson hetimet kriminale dhe ato për evazion, të nisura ndaj liderëve të opozitës dhe aktivistëve të saj, arrestimin dhe largimin nga vendi të këshilltarëve të huaj të një partie opozitare dhe përdorimin e policisë për të dëmtuar kandidatët dhe votuesit.

Berisha luan të njëjtën melodi. Vëzhguesit mund të gjejnë shumë pak kufij mes shtetit dhe aktiviteteve partiake. Vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se qeveria në mënyrë të vazhdueshme përdori aktivitetet zyrtare për qëllime elektorale, duke zhdukur ndarjen mes aktiviteteve të shtetit dhe fushatës.

OSBE gjithashtu tha se ka raporte të besueshme të punonjësve të sektorit publik dhe nxënësve e studentëve që janë detyruar të marrin pjesë me forcë në aktivitetet elektorale.

Si një kasetë e prishur, ministritë transmetuan spote të prodhuara me fonde publike se si qeveria po ua bënte jetën më të mirë qytetarëve.

Dy histori që dëgjova të japin siç duhet shijen e “fushatës shtetërore” në Shqipëri.

E para, e cila për OSBE është e besueshme, përfshin një drejtor shkolle në Tiranë që kërcënoi mësuesit se do i pushonte nga puna, nëse nuk votonin për partinë në pushtet. Për të provuar se ata kishin votuar në mënyrë ‘korrekte’, ai insistonte që ata të fotografonin votën e tyre.

E dyta lidhet me shqetësimin për shkatërrimin e posterave elektoralë të opozitës.

Ndërsa është një praktikë normale që të grisen apo të hiqen posterat e partisë tjetër, autoritetet lokale në veri (zona mbështetëse të PD), shkuan më tej, kur shkatërruan vetë billboard-et e marra me qira. E kotë të thuhet se pronari nuk ishte i interesuar që të mbante më reklama politike. Gjërat ishin krejt ndryshe në Moldavi. Në rrugë atje pashë postera të Partisë Komuniste të varur dhe në linjat e transmetimit të energjisë. Mjaftueshëm lart sa për të mos inkurajuar vandalët, mund të imagjinohet se ato janë vendosur vetëm nga specialistët e makinat e shtetit.

 

 

LUAJE SËRISH, VLADIMIR

 

Favorizimi i qeverisë ishte veçanërisht i dukshëm përmes keqpërdorimit të transmetuesve publikë. Në Moldavi, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas gjetën se televizioni publik, Moldova 1, dhe radio publike i kushtuan një hapësirë mbulimi krejt disproporcionale në favor të Voronin dhe të ministrave të tij.

Monitoruesit e medias të OSBE gjetën se: “transmetuesit publikë shkrinë në një të vetme mbulimin e aktiviteteve zyrtare dhe fushatës zgjedhore.” Disa transmetues kryesorë privatë, në pronësi të figurave pranë qeverisë, gjithashtu nuk ia dolën të ofrojnë mbulim të paanshëm.

Ndërsa media private në Shqipëri është më e zhvilluar dhe transmetuesi publik është më pak i ndikuar, gjërat nuk duken dhe aq ndryshe. Një raport vjetor për të drejtat e njeriut i Departamentit të Shtetit kritikon përdorimin e medias për qëllime politike.

Vëzhguesit e medieve të OSBE gjetën favorizime si për sa i përket cilësisë ashtu dhe sasisë.

Transmetuesi publik, TVSH, i kushtoi gati dy herë më shumë mbulim partisë në pushtet sesa sfidantit të tij kryesor.

Vëzhguesit e medias nga shoqëria civile gjetën se në mars dhe në prill, televizioni shtetëror i kushtoi më shumë se gjysmën e lajmeve qeverisë e për më tepër njëzet për qind shkoi për PD dhe aleatët e saj.

Shumica e mbulimit ishte pozitiv. Partia Socialiste dhe bashkia e Tiranës, që kontrollohet nga opozita, mori vetëm 21 për qind mbulim, kryesisht negativ.

Në të dyja vendet, trupat e ngritura për të vëzhguar mbulimin e medieve gjatë fushatës treguan mungesë të dukshme pavarësie nga interesat partiakë. Për shkak se Moldavia dhe Shqipëria janë ndër vendet më të varfra në Evropë, media private vazhdon të jetë krejt vulnerabël ndaj influencave politike.

 

 

MË BESO

 

Problemet në të dyja vendet nuk u kufizuan vetëm në periudhën zgjedhore. Zhvillimet paszgjedhore zbuluan të tjera shkelje në lidhje me angazhimet ndërkombëtare. Në të dyja rastet, OSBE lëshoi raporte të mëpasme që ishin dukshëm më kritike se deklaratat e ditës zgjedhore.

Numërimi i votave ishte po aq i diskutueshëm sa American Idol. Thashetheme, vonesa, mungesë besimi për sa i përket procesit të votimit, këto provokuan tensione dhe nxorën mijëra moldavë në rrugë pas zgjedhjeve të prillit. Për të ulur këto protesta, Gjykata Kushtetuese urdhëroi një rinumërim.

Ndërsa pati disa ndryshime të vogla që nuk prekën rezultatin zgjedhor, opozita pretendoi se rinumërimi ishte thjesht një diversion për të tërhequr vëmendjen nga problemet me listat e zgjedhësve.

Raporti i ndërmjetëm paszgjedhor i OSBE e nxori në pah këtë çështje.

Për shkak të afërsisë në garë, procesi i numërimit në Shqipëri ishte akoma në problematik. Deklarata paraprake e OSBE theksonte se vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve të qershorit do të varej në mënyrë të ndjeshme nga mënyra se si do të numërohen votat.

Raporti i ndërmjetëm paszgjedhor ishte tepër kritik me procesin e tejzgjatur të numërimit. OSBE e vlerësoi si të keq ose shumë të keq procesin e numërimit në një të tretën e qendrave të numërimit.

Në më shumë se një të tretën pati ndërhyrje të partive politike në proces. Në shumë qendra pati tension dhe protesta gjatë numërimit. Një muaj pas zgjedhjeve, numërimi ende nuk është finalizuar për shkak të përplasjeve për kutitë e panumëruara.

Si në Moldavi, procesi paszgjedhor u pengua nga një Komision Qendror Zgjedhor tejet i politizuar dhe i ndarë. Shtyrjet provokuan tensione politike në disa rajone ku rezultatet ishin shumë të ngushta, si në Fier dhe në Tiranë, ku pati madje dhe një shpërthim përpara parlamentit.

Konfliktet paszgjedhore në të dyja vendet detyruan BE të apelojë për dialog konstruktiv.

 

 

PËRBALLË MUZIKËS

 

Pavarësisht thirrjeve për ndryshim, elektorati në të dyja vendet mbeti me ata që njihte.

Në Moldavi, komunistët fituan pothuajse gjysmën e votave. Në Shqipëri, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste fituan më shumë se 80 për qind të votave dhe 133 nga 140 mandate.

Por suksesi në votime nuk siguroi për asnjë vend proces zgjedhor të përmirësuar ndjeshëm. Problemet që lidhen me zgjedhjet vazhdojnë të bllokojnë këto vende që të afrohen me Evropën. Disa ekspertë kanë cituar problemet me zgjedhjet si një arsye pse Shqipëria nuk plotësoi kriteret e BE për të përfituar lëvizje pa viza.

Procesi në fakt ishte shumë pak më i mirë në Shqipëri se në Moldavi.

Ndërsa shoqëritë në të dyja vendet vazhdojnë të jenë thellësisht të polarizuara, shqiptarët nuk reaguan ndaj zgjedhjeve me protesta apo me dhunë.

Kjo edhe për shkak të gabimeve të fushatës nga ana e Ramës, që bëri që shumë shqiptarë të besojnë se ai kishte humbur një palë zgjedhje të fitueshme, sesa të besojnë se zgjedhjet i ishin vjedhur. Gjithashtu, diferencat e pakta në programet mes të dyja partive kryesore në Shqipëri - të dyja e quajnë anëtarësimin në BE prioritet - ulën ndjeshëm emocionet e mbështetësve të Ramës.

Faktorët e jashtëm luajtën gjithashtu rol. Ndërsa të dyja vendet kanë një trashëgimi komuniste, Shqipëria u shkëput nga Moska në vitin 1961, 30 vjet përpara se Moldavia të fitonte pavarësinë nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Si anëtare e re e NATO-s dhe aplikante për në BE, Shqipëria ka më shumë motive për të provuar që të përmbushë standardet euroatlantike. Në kontrast me këtë, Moldavia mbetet e ngujuar mes Lindjes dhe Perëndimit.

Ndërsa Voronin pretendon se po ndjek një kurs drejt Brukselit, vendi ka lidhje shumë të forta me Moskën. Kremlini ka interesa shumë të forta për të bllokuar integrimin euroatlantik të Kishinjaut.

Në ditët që pasuan zgjedhjet, shumë të rinj protestuan, jo vetëm për manipulimet zgjedhore, por edhe se katër vite më shumë me komunistët do të thonë izolim i mëtejshëm ndaj Evropës. Ndryshe nga Moldavia, zgjedhjet shqiptare nuk u influencuan nga realpolitika, paratë apo nostalgjia ruse.

Siç ka theksuar OSBE, publiku shqiptar dhe ai moldav kanë humbur besimin në procesin zgjedhor. Në secilin vend më shumë se gjysma e qytetarëve nuk besonin se zgjedhjet e vitit 2009 do të ishin të lira dhe të ndershme. Në Kishinjau u informova se manipulimi i zgjedhjeve ishte një traditë moldave. Ndërsa në Tiranë një aktivist i të drejtave të njeriut më tha: “Do të kemi manipulime, por nuk di se të çfarë lloji”.

Për të përmirësuar besimin te zgjedhjet, duhet bërë më shumë progres duke reformuar ligjet zgjedhore, siguruar besueshmërinë e regjistrit të votuesve e duke pasur mbulim të balancuar mediatik, duke reduktuar ndërhyrjen e qeverisë e duke përmirësuar procesin e numërimit.

Zgjedhjet nuk duhet të shihen si një betejë e tipit “kush fiton, merr gjithçka”. Në të dy vendet, nëpunësit civilë, e jo zyrtarët e partive, duhet të mbikëqyrin zgjedhjet.

 

* Rodger Potocki është drejtori për Evropën dhe Euroazinë në organizatën e njohur amerikane Mbështetje Kombëtare për Demokracinë. Ai ishte në prill gjatë zgjedhjeve në Moldavi dhe në Shqipëri në zgjedhjet e qershorit. MKD është një nga donatorët që mbështet edukimin jopartizan për zgjedhjet dhe programet monitoruese në të dyja vendet.

2 Komente

  • Zgjedhjet nuk duhet të shihen si një betejë e tipit “kush fiton, merr gjithçka”. Në të dy vendet, nëpunësit civilë, e jo zyrtarët e partive, duhet të mbikëqyrin zgjedhjet.

Po, vetem se ne shqiperi dhe ne Moldavi sistemi politik eshte i mbrthyer qysh ne rrez nga myshku korruptiv i cili nuk lejon fushe per romantizem/.

Ps. Ne shqiperi eshte bere tradite tashme, qe c'do proteste, duhet te perfundoje ne gjake, ku do ta zbrazi te gjithe ate municjone qe kane grabitur populli.... 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).