Meidani: Lidershipi i PS, përgjegjësi për rezultatin në zgjedhje

Ish-presidenti Meidani në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” shprehet se humbja e së majtës në këto zgjedhje është përgjegjësi direkte e lidershipit të PS-së, i cili me një bindje gati të verbër propagandonte fitoren e zgjedhjeve i vetëm pa LSI-në. Ish-kreu i shtetit, në lidhje me dorëheqjen apo jo të kryetarit socialist, Edi Rama, pas rezultatit humbës të zgjedhjeve, shprehet se, pas kësaj faze duhet të nxirren përgjegjësitë individuale dhe kolektive me veprime dinjitoze, të moralshme dhe të bazuara në statutin e PS-së. Pas kësaj humbjeje, ai kërkon krijimin e federatës së majtë, e cila mund të çojë dhe në shkrirjen e të gjitha partive të majta, duke pranuar dhe legalizuar fraksionet në parti. Rexhep Meidani e sheh kalimin e LSI-së në koalicion me të djathtët, si një fenomen që ndodh normalisht në vendet evropiane.
Zoti Meidani, rezultati i zgjedhjeve pothuaj është qartësuar duke nxjerrë fitues koalicionin e djathtë “Aleanca e ndryshimit”. Cilat mendoni se janë arsyet e kësaj humbjeje të së majtës shqiptare për herë të dytë pas 2005?
Në kushte normale, do të më duhej të prisja vendimin përfundimtar të KQZ-së, pas zgjidhjes së plotë të të gjitha ankesave në Kolegjin Zgjedhor, për të dhënë gjykimin tim apo për të komentuar përgjegjësitë politike përkatëse. Por, sapo i kthyer nga jashtë, po ndesh papritur në një situatë që duket e precipituar para kohe. Ndryshe nuk kuptohet kjo urgjencë “kushtetore”! Natyrisht, oferta e shpejtë, nga njëra anë, dhe ngutja e një përgjigjeje fare të pakushtëzuar, nga njëra tjetër, dëshmon që z. Berisha është një lojtar jo vetëm befasues, por dhe shumë më i mirë në kalkulim “ethesh njerëzore” dhe “timing”-un politik!... 
Për sa i përket rezultatit, përveç mjaft mangësive infrastrukturore e huqeve të vjetra të procesit zgjedhor­(të lidhura me komisionet zgjedhore partizane dhe, mbi të gjitha, me ato të numërimit të votave) dhe kodit zgjedhor aktual të propozuar e mbështetur tërësisht nga PS-ja, shkaku themelor i këtij rezultati mbetet çarja e fortë majtas. Pa dyshim, për të, përgjegjësinë më të madhe e ka lidershipi i PS-së, i cili besonte dhe propagandonte fitimin e këtyre zgjedhjeve pa LSI-në. Bile, duke tentuar gjatë të gjithë fushatës politike edhe për ta “anihiluar” atë parti. Kjo bindje gati e verbër, ndoshta, ka ardhur edhe në sajë të sondazheve të brendshme brenda partisë, të organizuara nga angazhime servile e prurje të “politikës së re” brenda saj! Edhe LSI-ja, pavarësisht ç’deklarohet këto ditë, siç lexohej në tërësi nga sjellja politike, por dhe për mjaft arsye legjitime e pakënaqësi të tjera kolektive e individuale, nuk e ka pasur të sinqertë bashkëpunimin me PS-në. Përfshirë këtu dhe thirrjen e fundit për gjoja kohezion, disa ditë para zgjedhjeve!...
Në këtë rezultat, koalicioni i PS-së rezulton humbës apo mendoni se si e majtë qëndrojmë në numrat e 70 me 70 të mandateve të këtij parlamenti?
E ç’rëndësi ka kjo tani?! Pranimi i fundit i ofertës qeveritare nga një pjesë e kryesisë së LSI-së, sidomos para shpalljes së rezultatit zyrtar përfundimtar, bile pa as më të voglin kushtëzim kryeministror, aq më tepër me një ngutje, në gjykimin tim, politikisht të dëmshme për perspektivën afatgjatë të LSI-së në krahun e majtë, i ka bërë këto numra pa ndikime të mëtejshme në rrafshin konkret politik. Të paktën në këtë fazë...
Në këtë situatë në të cilën ndodhet PS-ja, kryetari i saj, Edi Rama, duhet të japë dorëheqjen dhe në cilën formë, kur dimë se edhe në 2005, megjithëse e majta kishte marrë mbi 100 mijë vota më shumë, Nano dha dorëheqje të parevokueshme, pas humbjes në zgjedhje?
 Fillimisht, vlen të mbyllet i gjithë procesi zgjedhor dhe, mbi të gjitha, të luftohet me çdo mënyrë e mjet demokratik për çdo votë të dhënë nga elektorati shqiptar, qoftë i majtë, qoftë i djathtë, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë më tej me këto “marifete” partiake. Më saktë, me kuti të mbushura me fletë votimi të llojit njëqind-përqind-ësh, me hajdutllëqe individuale e vjedhje elektorale kutish, ku “në njërën llogore janë ata që votojnë dhe mënyra sesi ata votojnë, dhe në llogoren tjetër ata që numërojnë dhe sesi ata numërojnë”. Natyrisht, më tej nuk mund të shmangen dot formulimet e duhura, ku kohët e foljeve duhet të vendosen vetëm në të tashmen e në të ardhmen. Dhe, mbi të gjitha, pavarësisht “mbështetjeve elektronike”, “lotëve” servile, etj., duhet vazhduar më tej për të konkretizuar përgjegjësitë individuale e kolektive me veprime dinjitoze, të ushqyera nga moraliteti politik dhe të bazuara nga legjitimiteti statutor...  
Cila mendoni se do të jetë e ardhmja e së majtës pas këtyre zgjedhjeve, kur Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Erion Veliaj kanë mbetur jashtë parlamentit? Si mendoni se duhet riformatuar ajo?
    Këtu qëndron, jo pak, dhe problemi i projeksionit politik, ku G99 nuk dukej se ishte e përfshirë në pjesën jashtë-parlamentare, të paktën sipas sondazheve. Por, në vetvete, ky ishte dhe thelbi i oreksit të shpalosur nga “politika e re” në këta muajt e fundit. Akoma më shumë, i konstatuar ai gjatë fushatës konkrete zgjedhore. Hajde de ndaj LSI-së, si parti e një koalicioni tjetër politik, por, ama, dukej fare jo luajale kjo sjellje e pamençur ndaj vetë aleatëve të koalicionit. Të ideuar nga ndonjë drejtues i PS-së, nuk përjashtohen dhe manovrime e “akrobacia” të tjera elektorale ndaj këtyre partive të mësipërme.
Parë me këtë sy, duhet të kuptohet që fillimisht është e domosdoshme të pastrohet PS-ja nga ide të tilla, jo vetëm megalomane, por dhe me përmbajtje “shfrytëzuese”. Dhe më tej vlen të fillojë një punë e programuar me një platformë konkrete për ndërtimin e konfederatës apo të federatës së majtë. Pse jo, për të përfshirë aty, në një kohë të dytë, dhe bashkimin e të gjitha njësive përbërëse të këtij organizimi në një parti të vetme. Pa dyshim, duke i legalizuar fraksionet e ardhura apo të reja, bile duke i mbështetur e ushqyer ato, pavarësisht origjinave të tyre.
Mua, personalisht, do të më pëlqente një rrugë e tillë. Bile, më duket plotësisht e mundshme dhe në kushte opozite, ndryshe nga rruga e ndjekur për rikthimin e fundit të partisë së Pollo-s apo e një pjese të PAD-së, disa vite më parë, tek PD-ja.
Dje kemi një pranim të ftesës së Ilir Metës ndaj Sali Berishës për një bashkëqeverisje PD-LSI. Në kontekstin e tezës së hedhur dhe nga kryesocialisti Rama për bashkim “përtej të majtës dhe të djathtës”, është i motivuar ky bashkim?
Këtë çështje unë e preka më sipër. Natyrisht, nga kjo histori fiton politikisht vetëm PD-ja, pavarësisht justifikimit e pretendimit të z. Berisha për një kontribut konkret të lidershipit të LSI-së në procesin e integrimit evropian. Në fund të fundit, ashtu ja do hesapi! Për LSI-në, në një këndvështrim të tillë, në një periudhë të parë, duket sikur ky bashkim do ta favorizojë atë, veçanërisht në marrjen e vetes pas reduktimit të përfaqësimit parlamentar në katër deputetë të kësaj force, rregullimin e disa njerëzve në punë apo konsolidimin e saj nga pikëpamja organizative-strukturore. Por, më tej, kjo parti do të ketë, pa dyshim, “pay back”-un e vet elektoral, pse jo dhe të analizës politike. Bile, në shumë aspekte, të krijohet, që në fillim, një përshtypje se në një qeverisje katërvjeçare me PD-në, kjo parti mund të humbasë tërësisht rolin e saj, dikur tepër të pritshëm në krahun e majtë. Ndoshta, më tepër dhe se kaq!...
Dua të shtoj, më së fundi, se pavarësisht këtyre mendimeve, diku kritike, diku dashamirëse, gjëra të ngjashme, që duken si të reja në jetën tonë politike-parlamentare, janë fare normale në botën evropiane që po përpiqemi të “imitojmë”. Ato janë pjesë përbërëse të gjetjeve partiake dhe mbarëvajtjeve politike-ekonomike, në shërbim të qytetarëve...
Cili është sipas jush diferenca mes dy koalicioneve, atij të PD-së dhe të PS-së në këto zgjedhje, ku njëri rezultoi fitues dhe tjetri humbës?
Në thelb, ka humbur ai nivel standardi që kërkohej dhe mirëpritej nga qytetarët. Pavarësisht ç’deklaron politika! Po ashtu, kanë humbur pretendimet e fryra të çdo pale, sidomos të lidershipeve përkatëse, të sloganeve të emetuara me strumbullar ndryshimin, pa harruar këtu dhe “politikën e re” të dy palëve të lidhur me votim-numërimin, me korrektësinë e tij ende tepër problematik. Është tronditur jo pak besimi i qytetarit votues, sidomos kur tjetër thuhet në mitingje e takime elektorale, tjetër gatuhet në “kuzhinat klanore”... 
Nga ana tjetër, të mos harrojmë se vetë kodi zgjedhor (i propaganduar me shumë pompë e zell nga dy partitë kryesore), i ka ngushtuar apo “balancuar”, siç dhe pritej, diferencat midis dy kampeve politike. Dhe, ndërkohë, që koalicioni i PD-së e çoi me “modesti” deri në maksimum numrin e partive të vogla, koalicioni i PS-së ishte më “mendjemadh”, më pak tolerant e deri asfiksues në aleancat e veta. Dhe, mbi të gjitha, të dy këto parti kryesore eliminuan mjaft aleatë klasikë, të domosdoshëm në ekuilibrat politikë aktualë. Sikur ta kishin bërë me fjalë më parë! Kjo, edhe pse, ndoshta, ka ngazëllyer ndonjë ndërkombëtar, mund të prodhojë, kohë pas kohe, në Shqipëri ngërçe të mëdha demokratike. Prandaj, për mendimin tim, kjo është dhe fitim-humbja tjetër e madhe e këtyre votimeve...

2 Komente

Kur mbytet anija,minjte e braktisin te paret,kurse ekuipazhi i fundit.

Bile, në shumë aspekte, të krijohet, që në fillim, një përshtypje se në një qeverisje katërvjeçare me PD-në, kjo parti mund të humbasë tërësisht rolin e saj, dikur tepër të pritshëm në krahun e majtë. Ndoshta, më tepër dhe se kaq!...
 

Me kenaqin keta teoricientet,  student shembullor marksist. Dialektizem e materializem. Meqe ra fjala, si perfundoi ajo puna e gjygjit per ca prona ku shoku Mejdani ishte pale e interesuar.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).