Masterat, Kule: MASH na diskriminon

Akuza e rektorit të UT-së: Po favorizon universitetet private. U miraton programet e të gjitha cikleve

Universiteti i Tiranës, më i madhi institucion i arsimit të lartë publik në vend, është në kolaps, për shkak të Ministrisë së Arsimit. Ndaj dhe viti i ri akademik 2009-2010 për Universitetin e Tiranës rrezikon të mos fillojë në muajin tetor. Një gjë e tillë mund të ndodhë në rast se nuk do të miratohen masterat e nivelit të dytë, por edhe të gjitha programet për doktoraturat. Në këtë mënyrë auditorët nuk do të presin studentët për startimin e vitit të ri akademik. Kjo është deklarata e rektorit të UT-së, Dhori Kule, i cili ka fajësuar direkt Ministrinë e Arsimit, që nuk po zbaton në kohë bazën ligjore dhe procesi është bllokuar që nga muaji korrik i vitit të kaluar.

"Ciklet e tjera të studimeve, të domosdoshme në Universitetin e Tiranës janë në një situatë kolapsi. Është për të ardhur keq që Universiteti i Tiranës me vendimmarrjen e tij në senat dhe përcjelljen që ka bërë në Ministrinë e Arsimit ka propozuar mastera të nivelit të parë, mastera të nivelit të dytë, diploma të nivelit të dytë dhe doktoratura dhe shifrat janë në një situatë jashtëzakonisht problematike që domosdoshmërisht gjatë kësaj periudhe derisa të fillojë viti akademik të kenë kaluar në procedura ligjore se ndryshe UT nuk fillon dot vitin akademik", thekson Kule.

Rektori i UT, Dhori Kule, kritikon Ministrinë e Arsimit, e cila favorizon institucionet e arsimit të lartë jopublik, duke ua miratuar programet e të gjitha cikleve. "Ka universitete të tjera të cilat sapo kanë përfunduar ciklin e parë të studimit dhe u janë miratuar ciklet e treta. Ka një politikë diskriminuese ndaj UT", u shpreh më tej Kule.

Një vit më parë, masterat e nivelit të dytë u miratuan vetëm për një fakultet të UT-së, ndërkohë që numërohen tetë fakultete dhe mijëra studentë që presin të ndjekin studimet pasuniversitare. Aktualisht, në rektoratin e Universitetit të Tiranës vazhdojnë të qëndrojnë që prej dy vitesh aplikimet si për mastera të nivelit të dytë, ashtu edhe për doktoratura nga persona të interesuar, të cilët kanë kryer edhe pagesat për këto regjistrime, por pa mundur që t‘u nënshtrohen studimeve.

Ministria e Arsimit është institucioni që miraton kurrikulën dhe standardet e masterave dhe doktoraturave që përgatiten dhe propozohen si nga universitetet publike ashtu edhe nga ato private. Në fund procedurat mbyllen kur ky material dorëzohet pranë Këshillit të Ministrave që jep edhe aprovimin final për çeljen e këtyre niveleve të studimit.

Përpjekja e parë për miratimin e masterave të UT-së dështoi pas pretendimit të Ministrisë së Arsimit se ato nuk ishin rinovuar. Më pas, një seri vonesash nga ana e të dyja palëve bëri që për të dytin vit me radhë këto programe studimi të mos mund të merrnin konfirmimin zyrtar duke lënë me qindra të interesuar në pritje. Një pjesë e këtyre të fundit në nevojë për kryerjen sa më shpejt të këtyre cikleve studimore kanë gjetur si zgjidhje universitetet e huaja ose ato private në vend. Këta të fundit diku më shumë e diku më pak kanë mundur që të marrin aprovimin zyrtar për nivelet e studimit pasuniversitar

1 Komente

me keto ritme qe po ecen bizinesi arismor, z. kule eshte ne kohe te hap universitetin e tij  privat , fundja keta studente sot trungje ngrihen dhe trungje ulen, keta te privatit sidomos jane te lym dhe me gelqere kunder krimbit, vaj me medet per ne dhe eliten tone.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).