Mail Ling

Miq !

Si adhuruese besnike e letërsisë gjermane, mendova të sillja sot për ju një tregim të shkëlqyer me titull ; "Mail Ling", është shkëputur nga antologjia e tregimtarëve gjermanë, një antologji voluminoze prej 490- faqesh të cilën do ia rekomandoja gjithkujt që pëlqen letërsinë e mirë...

Është një tregim i shkurtër me një stil mahnitës e gërvishtës njekohësisht.

Lexim të këndshëm!

 
**********************************
 

Titulli: Mai Ling
Botuar në vitin 1984
Autori: Gerhard Poltz, Lindur ne 1942, në Mynih
Përkthyer nga Ardian Klosi

 

Zoti Grundwirmer dhe Mai Ling janë ulur në një qoshk me kanape të firmës Kruger.

Grundwirmer; Pa thuaj pak mirëdita, Mai Ling. Mirë dita. Hë bravo. Tri javë kam që e kam marrë. E quajnë Mai Ling, me letra në të vërtetë e quajnë tani Grundwirmer, ka marrë mbiemrin tim. Domethënë Mai Grundwirmer, mbiemri i vajzërisë Ling. - E bleva per 2758 marka, vura edhe diçka sipër për rrugen nga aeroporti i Bankokut këtu. Ma sollën deri tek shtëpia. Në fakt është me leverdi kur e di që vjen nga provinca. Se në Bankok sot nuk blen dot më, as amerikanët nuk blejnë. Është kthyer e gjitha në tregëti, nuk gjen pa sëmundje. Po të shtoja edhe 500 marka  e kisha marrë vietnameze, nga ato që vijnë më të forta në trup, nuk di kështu thonë të paktën, ca kështu ca ashtu. Po shikojeni vetë, nuk është keq, pse jo ? Jam shumë i kënaqur. Është  e pastër xixë, nuk fëlliq, në të vërtetë aziatiket  në përgjithsi janë të pastra, nuk fëlliqin. – Apo jo, Mai, si thua ti, jemi të kënaqur hë ? hahaha... Kuptohet ne fillim sa të mësohej kishte ca vështirësi. Po të flasim si kuzhinë, unë kinezët nuk i dua, se ne hamë ndryshe, me lugë, pirunj e thika. Ia thash qysh në fillim. Mail Ling kishte shkopinjtë, nuk dua t’i shoh më, i mblodha tufë dhe i hodha në zjarr. Lashë nja dy copë sa për të luajtur "Mikado". Ajo lojë më pëlqen. Po kjo që thoni ju lakohet, përshtatet, të vjen sipas qejfit. Mmm, ne krevat lëre, e dini vetë ju si janë aziatiket, me nam. Papo pastër, llamburit, pasqyrë dhoma. Nuk ndihet fare, kur dëgjon ndonjë zhurmë thua; miu, se nuk dëgjohet as këmba kur ecën, a thua se fluturon mbi dysheme. Kur erdhi ishte ca e verdhë në çehre, po kështu janë në përgjithsi aziatiket; të verdha. Ia bëra të gjitha vaksinat. Se e dini si është me sendet e importuara, janë shumë të rreptë sot. Para se ta sillnin më thanë se është 1 metër e 49 e gjatë. Por kur erdhi na doli 3 centimetra më shumë. Se kujtoja se mund të na ndihmonte një kushërira ime, Ani, ajo ka një krevat fëmijësh mirëpo s’qe gjë, n’a duhej shtrat për të. Ja që ka njeriu shpenzime të tilla në këto raste, jo po taksia nga aeroporti ne shtëpi, jo po zyra e gjendjes civile, jo çertifikatat shëndetësore, jo po taksat e pasaportizimit, se pastaj do marrë edhe nënshtetësinë gjermane. Të gjitha futen në llogari. Po e them këtu që ta dëgjojnë të gjithë të interesuarit, të mendohen mirë përpara se të porosisin, se duhet t’i shkundin xhepat paq me gjithë ato shpenzime që do t’u bien mbi kokë. Sa për vete prapëseprapë jam i kënaqur megjithëse e morra si mall pakice. Edhe muajin e mjaltit e kalova për bukuri, nuk e prisja aq mirë. Po ç’ekzotikë ! Nuk e kanë më kot namin aziatiket, prandaj është rritur edhe kërkesa ne rrethet e gjera të popullsisë. Shikoni pak, shikoni këtu. - Mai Ling, me sill pak cigaret, janë atje matanë...

- Nuk kupton dhe aq mirë, cigare dhe shkrepëse dua, i ke mbi tryezë.. M’i sill pak këtu, cigare.. Mai Ling, më sill cigare.

Mai Ling çohet në këmbë dhe sjell cigaret dhe shkrepëset.

Kisha dikur një qen ujk të madh se kishte qejf fare ujin, por po t’i hidhje një shkop në liqen hidhej turr brenda.

Mai Ling, cigare, bravo, bravo ! E shikoni ? Punë durimi, se koha ecën ndryshe te këta, me pak durim dhe njëçikë psikologji praktike, të gjitha shkojnë vaj.

 

10 Komente

E frikshme natyrshmeria e te pershkruarit si send a si kafshe shtepiake! Me kujton Hesse-n ne gjakftohtesine e te shkruarit.

Pikerisht !  Por mendoj se kjo gjakftohtesi eshte ne funksion te asaj qe ka dashur te percjell autori tek lexuesit... sa me gjakftohte pershkrimi aq me i forte reagimi i lexuesit...

 

Prurje e zgjuar Flok. Falemnderit. 

flm, e kam sjelle per ty, peshkun fluturues dhe te tjere te emigruar hershem nga shqiperia qe nuk kane mundesi te bien ne kontakt me kete letersi...

 

nice.

e hidhur shume, po aq sa dhe e vertete.

Kam degjuar me veshet e mi, histori per femrat e tajlandes nga njerez qe kane qene atje.

shesin veten kaq tmerresisht lire, per nje cope buke ose me pak smiley ende sot, se tregimi qenka shkruar ne vitet '80.

Eshte e vertete se shiten lire, bile shtepite publike aty jane si kerpurdhat mbas shiut. Por nga ana tjeter edhe vete popullsia aty (ndoshta e ndikuar edhe nga feja budiste) jane shume tolerante ndaj ketij fenomeni si te ishte dicka shume normale. Ne nje bisede qe ngacmova me nje djale tajlandez me tha qe nuk do ta kishte problem te martohej me nje femer qe me pare kishte punuar ne nje shtepi publike me kusht qe te mos e ushtroje me kete zanat.

Sidoqofte nese ne Paris shkohet edhe per te vizituar kullen Eifel, nese shkon ne Tajlande nuk ka kuptim nese nuk ben nje vizite te pakten nje here ne nje shtepi publike. Nese zgjedh nje vajze qe nuk di gjuhe te huaj paguan vetem 20 dollare.

 Krynece, te falenderoj per perpjekjen. Stili ne veten e dyte eshte interesant dhe provokativ, por zakonisht keto lloj stilesh sjellin vepra propagandistike dhe ky me duket nje nga ato. Personalisht, e vetmja letersi e aangazhuar qe me shijonte ishte ajo anti-komuniste, dhe sic mund ta marresh lehte me mend, per aresye fare specifike. Pastaj gjithmone kam qene per ate llojin e sterholluar te letersise ku ngjarjet koha dhe personazhet perdoren thjesht per te materializuar nje ide. P.sh. nga letersia gjermane me ka pelqyer pa mase "Me syrin e nje kllouni" e Boel dhe nje tregim i mrekullueshem i titulluar "Heshtjet e zotit Murke" qe nuk e di kush e ka shkruar. Gjithashtu mjaft pershtypje kur e kam lexuar me ka bere "Aleksanderplatz".

Megjithate te falenderoj perseriper prurjen.

Nga Heinrich Boll, ne ate antologji eshte perfshire : "Jo vetem per kershendella" eshte i mrekullueshem, por paksa i gjate dhe nuk mund ta sjell dot ketu...

Eshte edhe nje tregim tjeter qe me ka lene shume pershtypje: "Fundi i botes", kete ndoshta do ta sjell ndonje dite...

p.s

pf, te kuptohemi, kur  kam shkruar qe nuk jeni ne kontakt me kete letersi, kam patur parasysh qe ne ato kohe perkthimet ishin shume te cunguara...

 

 Kryenece, askush qe e pelqente letersine nuk mbahej me perkthimet. A e ke pyetur ndonjehere veten se pse brezi i 40 vjecareve tiranas dine te gjithe nje apo dy gjuhe te huaja. Televizioni bente te veten, por edhe radio po ashtu. radio 3 p.sh ka pasur nje emision ne 11:00 PM te shtunave qe ka vazhduar vite te tera ku lexoheshin ajka e tregimeve te shkurtra te letersise boterore.

Gjithashtu ka pasur nje trafik vertet te madh librash te huaj, italisht pak, anglisht me shume dhe frengjisht pa fund. Kur profesoret shqiptare u lejuan te shkonin te jepnin mesim ne Universitetin e Prishtines, filluan te sillnin qe andej edhe perkthime kosovare. Gjuha ishte skandal, por kush pyeste. Me kujtohet qe andej nga 80-81 nje shok i yni, pas ca "tratativave" kishte gjetur me te drejte per te mbajtur per nje jave librin "100 vjet vetmi". U hodh rradha me short, dhe per nje jave librin e lexuan 9 veta. Kohe heroike!

Ky eshte thjesht nje skec i komikut dhe regjisorit bavarez Gerhard Polt. Per ata qe dine gjermanisht mund te shohin ne youtube variante te ndryshme te inskenimit. Nese eshte kjo letersi e mirefillte apo jo, mbetet ceshtje ekspertesh. Eshte thjesht nje gjetje e viteve 70 qe luan ne menyre komike me njeren nga fytyrat e racizmit ne familje. Emri i personazhit eshte kinez, aktoret qe e kane luajtur kane qene pergjithsisht japoneze dhe gruaja eshte nga tajlanda, qe mbahet per dominim/posesivitet te grave mbi burrat.

nuk besoj se eshte ajka e letersise gjermane, per gjithe ata qe e njohin ate sadopak ne orgjinal.

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).