LSI, Xhufi: negociatat me Berishën, të nxituara

Kundërshtimi i marrëveshjes Meta- Berisha i ka kushtuar shtrenjtë nënkryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ai tregoi dje, për herë të parë pas kaq ditësh në Konventën e partisë se, ka pasur kërcënime për shkak të qëndrimit të tij. “Kam marrë ca mesazhe, edhe kërcënuese për jetën që vijnë nga ana jonë. Unë dua të them se as blihem dhe as shitem. Këto mesazhe vijnë era raki me gjizë”, - është shprehur Xhufi, në sallën e Konventës, ku nuk kanë munguar edhe reagimet nga salla.

“Jam nga ata që nuk më duket bashkëpunimi me kryeministrin Berisha një tragjedi. Kam qenë shumë vite jashtë shtetit dhe njoh bashkëjetesa të tilla. Por, për rastin tonë, mendoj se u dogjën kohët, sepse kishim lënë që bashkëpunimin me koalicionet ta diskutonim pasi të kishim ankimimet për zgjedhjet dhe të dilte rezultati përfundimtar”, - sqaroi nënkryetari i LSI-së në kohën kur transmetimi televiziv ishte ndërprerë pikërisht në momentin kur ai filloi të fliste.

“Ne kemi një axhendë tonën afatgjatë. Ne e kemi thënë që në çdo rezultat zgjedhor, LSI-ja do të bëhej katalizator i së majtës. Mendoj se ka dhe mënyra të tjera që të mbështesim qeverinë, por jo të përfshihemi në të”, - deklaroi ai. “Mund të votojmë qeverinë dhe ligjet e saj, por jo të përfshiheshim në qeverinë Berisha. Të paktën të kishim pritur që në selinë tonë të vinin partnerët e mëdhenj, ambasadori amerikan, ai i OSBE-së, i BE-së etj., që të na kërkonin këtë bashkëpunim me qeverinë e djathtë”, - propozoi Xhufi, që ka qëndruar tepër serioz dhe pa duartrokitur në podiumin e Konventës. Por, para tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta kishte shprehur një sërë argumentesh që e detyruan atë të merrte vendimin për bashkëpunim me PD-në dhe jo me Edi Ramën.

Madje, për kreun e PS-së, Meta derdhi një lumë akuzash dhe sulmesh. Meta akuzoi Ramën se ka dashur të zhdukë LSI-në në bashkëpunim me Berishën kur bëri Kodin Zgjedhor, ndërsa përmendi një sërë argumentesh të tjera, që sipas tij e detyrojnë të marrë këtë vendim. “Ilir Meta, interesave të këtij mafiozi nuk mund t’i shërbejë dhe nuk e lidh më asgjë me të”, - u shpreh me tone të larta Meta, në Konventë. “Duhet ta ketë të qartë se vetëm largimi i tij nga jeta politike mund të rivendosë edhe marrëdhëniet, edhe shoqërore e personale, pas kësaj masakre elektorale që organizoi kundër votës tuaj dhe kundër votës së të majtës shqiptare”, - ju drejtua ai Ramës, nga salla e Konventës së LSI-së. “Të bashkohemi ne me atë që edhe PSD-ja edhe PDS-ja, të gjithë e akuzojnë që i kishte aleatë dhe u vodhi votat!? Çfarë morali ka këtu! Ne do të ecim përpara, sepse nuk jemi krijuar ne për të qenë as bishti i PS-së, e aq më tepër i lidershipit aktual të saj”, - deklaroi kreu i LSI-së.

Por, pasi ka dëgjuar të gjithë, edhe mbështetësit e vendimit për koalicion me Berishën, edhe dy kundërshtarët e vetëm në këtë konventë, ky forum ka vendosur që të mandatojë kryetarin Ilir Meta të negociojë me Sali Berishën për postet që kjo parti do marrë në kabinetin qeveritar. Edhe në rezolutën e miratuar në fund është argumentuar se kjo është zgjidhja për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për të mos e çuar në destabilitet.

2 Komente

Veprimet e Metës të lënë përshtypjen, se ai mezi e kishte pritur, që të merrte ofertën nga Berisha për bashkëqeverisje. Tha menjëherë 'Po', si të kishte frikë, se mos ndërronte mendje Berisha. Një takticien i mirë vepron ndryshe (ose, ndoshta në prapaskenë, mund të ketë ndodhur dicka, që ne nuk e dim&eumlsmiley...

Keto mesazhe vijne era raki me gjize.

per ke e ka ky se spo mar vesh gje une?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).