Lanksch: Ditët kur mësoja shqipen me Martin Camajn

Sot, në 84-vjetorin e lindjes së pedagogut, mikut dhe shkrimtarit nga i cili njohu më së pari poezinë shqipe, përkthyesi gjerman, Hans-Joachim Lanksch, kujton kohët kur ai, një djalosh i ri, rrekej të mësonte gjuhën shqipe

 

Sot, mësuesi i tij i shqipes do të mbushte 84 vjeç. Atëherë, një i ri i etur të përvetësonte gjuhë të huaja, Hans-Joachim Lanksch takohet me Martin Camajn. Ai do ta udhëhiqte jo vetëm në terrene gjuhësore, por edhe letrare. Atëherë kur mund të lexonte mirë shqip, Camaj, tashmë pedagog dhe mik i tij, e tërhoqi edhe si shkrimtar. Lanksch njihet për publikun shqiptar si përkthyes i poezive të tij në gjermanisht. Azem Shkreli, Ali Podrimja, Kasëm Trebeshina janë të tjerë shkrimtarë shqiptarë, të cilët ai i ka përcjellë te publiku gjerman. Misioni i tij vazhdon edhe sot, ndonëse thekson vështirësitë e botimit të letërsisë shqiptare në vendet gjermanishtfolëse. Në intervistën e mëposhtme, Lanksch tregon qasjen dhe interesat e tij për krijimet poetike të ditëve të sotme.

Zoti Lanksch, si ka qenë kontakti i parë me gjuhën shqipe?

Kontakti i parë me shqipen ka kenë metoda e gjuhës shqipe (varianti geg) e Martin Camajt, "Lehrbuch der albanischen Sprache". Mbas afro shtatë leksionesh vendosa që kjo gjuhë nuk mund të mësohet dhe e ndërprita mësimin e saj. Mirëpo, nuk më la rehat problemi i gjuhës së "pamësueshme", sidomos mbasi në gjimnaz i kisha bâ ballë mësimit të nji gjuhe jo indeuropiane (hebraishtja biblike). Mbas nji kohe zuna me mësue me metodën e shkëlqyeshme për mësimin autodidaktik të gjuhës së njisueme, "Gjuha shqipe 1-3" të L. Radovickës, Z. Karapicit dhe A. Tomës, dhe studioja tekste në shqipen standarde me Martin Camajn. Kur kisha kontakte të para me shqiptarët e Kosovës, nuk i merrja vesh fare dhe ata s‘më kuptonin mue, kështu që prof. Camaj nisi me lexue me mue proza popullore të mbledhuna prej Anton Çetës. Mësimin e shqipes e rrumbullaksoja me manualin e shqipes për tre variantet e saj (gegnishtja, gjuha standarde dhe arbnishtja), "Albanian Grammar" prej Martin Camajt.

Më tregoni pak për fjalët e para që nisët të mësonit...

Metoda e Martin Camajt nuk filloi me fjali të tipit "Agroni është mësues. Teuta është mësuese...", por me nji prozë popullore, "Ujku dhe poçari", ku më bani përshtypje fjala e parë, "ujku", me kenë se ajo duket fort ekzotike ndërsa lidhet etimologjikisht me fjalët e gjuhëve sllave për "ujk": volk, vlk, vuk etj.

Ju keni qenë nxënës i Martin Camajt. Si do ta vlerësonit si njeri dhe si shkrimtar?

Nga nji anë ka kenë njeri fort punëtor me disiplinë të madhe. Përveç ligjëratave dhe leksioneve n‘universitet merrej me punë hulumtuese linguistike. Krahas me punën shkencore merrej me veprimtari të gjanë krijuese në disa gjini letrare. Njikohësisht, Martin Camaj ka kenë njeri jashtëzakonisht i butë dhe i mirë. E ndihmonte çdokê dhe pa marrë para sysh nëse ishte profesor a punëtor krahu. Ishte ndihmëtar deri në vetëmohim. Për sejcilin student kishte nji program të posaçëm, simbas nevojave të sejcilit, kështu që jepte mâ shumë orë se sa paguhej prej universitetit. Si shkrimtar, Martin Camaj asht klasiku i poezisë moderne në shqipet. Po të mos shtihej në harresë, por po të botohej e përkthehej sa e meriton, ai kish me kenë ambasadori mâ i mirë i poezisë shqipe në botën e jashtme.

Nën ndikimin e tij ju flisni sot një shqipe gegërishte. Ndjeheni i privilegjuar për këtë?

Nuk më pëlqen shprehja "i privilegjuem". Në kjoftë se pranojmë këtë term, mund të them që ndjehem i privilegjuem sepse e kisha mësues dhe mik Martin Camajn. Përveç kësaj, "privilegjin" e të folunit gegnisht e ndaj me dy të tretat e njerëzve të thjeshtë të viseve shqipfolëse që s‘e flasin fare gjuhën "të-të-të" siç e quajti Martin Camaj "gjuhën e njësuar".

Keni udhëtuar në Kosovë e Shqipëri. Ende student ju kishit krijuar një imazh tuajin për botën shqiptare. U përmbys ai kur i prekët nga afër këto vende?

Kontaktin e parë me botën shqiptare e kisha si student i sllavistikës, para se me u njohë me gjuhën shqipe. Mora pjesë në nji seminar veror në Novi Sad të Serbisë. Gjatë nji ekskursioni në Kosovë, nji mbramje u shëtita dhe hyra në nji bahçe të madhe me muzikë të mrekullueshme cigane, shumë mysafirë, kamerierë. Mbas nji kohe doli se nuk isha në nji restorant, por në nji festë të madhe private për kremtimin e synetit. Më ftuen si mysafir nderi në odën e mjeshtërve, ku më pritën me njerëzillëk të madh e mikpritje fantastike mjeshtërit mâ me nam të qytetit. Rrinim bashkë gjithë natën deri n‘orën shtatë të mëngjesit. Tanë kohën, për shkakun tim që s‘dija as edhe nji fjalë shqipe, ata flisnin vetëm serbisht. Kështu krijova nji imazh për botën shqiptare para se me ndie legjendat serbe për "shiptari" ("shiptarët janë të egër, dinë vetëm me pi e me therë me thikë&quotsmiley.

Ndryshe ka kenë kontakti i parë me Shqipninë. Në kohën e diktaturës nuk kam kenë në Shqipni. Më 2001 isha i ftuem në nji takim të pendave shqiptare me përkthyesa të huej në Fshatin e Paqes ngat Shkodret. Udhëtimi në rrugën Tiranë - Shkodër domethënë pamjet e shumta të vorfnisë qenë nji shok i vërtetë. Njohja me Shkodrën qe nji shok po aq i thellë. Kisha pritë Shkodrën e Koliqit e Camajt, kisha imazhin e nji qendre idilike kulture dhe hasa nji qytet të degraduem gjysmë-gërmadhë (me nji xhami të bardhë monumentale në mes që i vjen era e parave arabe). Edhe atëherë edhe nji vit mâ vonë, kur kaloja disa ditë në Tiranë, më zhgënjyen pasojat dhe gjurmët e regjimeve të këqija politike, ama jo njerëzit. Di me dallue Shqipninë zyrtare e politike nga pejsazhet e bukura dhe shqiptarët aq mikpritës e të hapun. Ka shumë popuj që krenohen për mikpritje - shqiptarët kanë pse janë krenarë për mikpritjen e tyne.

Prej vitesh përktheni nga shqipja në gjermanisht. Keni zgjedhur kryesisht poezinë. Ishte një zgjedhje që erdhi pas njohjes së këtyre poetëve apo një brumosje e mëhershme me poezinë?

Substrati i përkthimit të poezisë, në të vërtetë, për mue asht nji brymosje e hershme me poezinë. Në vitet e gjimnazit, gjatë orëve të mërzitshme (kimi, fizikë...), merresha me shkrimin e soneteve n‘italishten e vjetër që e kisha mësue për të lexue n‘origjinal veprat e Alighieri Dantes e të poetëve të tjerë të "Dolce stil nuovo". Në përgjithësi kam kenë i dhanun mbas poezisë italiane prej Françeskut t‘Asizit deri te Ungaretti, mbas poezisë spanjolle të "Generación del 27" (sidomos Jorge Guillén, Rafael Alberti, Vicente Aleixandre), të T.S. Eliot-it, të poetëve t‘ekspresionizmit gjerman, të modernistëve francezë e shumë të tjerëve. Për mue, mund të them, leximi dhe shijimi i poezisë italiane ka kenë shkolla e poezisë që më tregoi se ç‘asht poezi, deri te abstragimi i skâjshëm i poezisë në vjershën e Ungarettit me titull "Mattinata": "M‘illumino / d‘immenso". Nji poezi fantastike e unike për të cilën shumëkush, mjerisht, thotë se ajo as nuk asht poezi... Sapo u njoha me poezinë e Martin Camajt dhe, mâ pastaj, me poezinë e poetëve shqiptarë të Kosovës, entuziazmi për këto poezi flakëroi mbi substratin e dashnisë së vjetër për poezinë si të tillë.

Autorët shqiptarë që keni njohur e me të cilët keni punuar, për një kohë të gjatë janë shmangur në Shqipëri. Sot diskutohet shumë për disidentët dhe ata që e meritojnë të quhen të tillë. Kë do të rreshtonit ju si të tillë për letërsinë shqiptare?

Më duket se disidentë mund të quhen ata që dilnin dhe shpreheshin qëllimisht dhe me vetëdije kundër doktrinës politike të "Nanës Parti". Në kët kuptim, disidentë ishin Kasëm Trebeshina dhe, me sa di unë, Fatos Lubonja por edhe burgaxhinj të tjerë jo aq prominentë. Prej tyne duhet me dallue shkrimtarë që nuk i përkuleshin diktatit të realsocit, domethënë doktrinës letrare të "Nanës Parti", si Martin Camaj, që i kisha quejtë shkrimtarë stilistikisht e tematikisht nonkonformistë. Disa syresh për fjalët e tyne të shkrueme a të foluna, për fat të keq, ranë viktimë e regjimit paranoid si, fjala vjen, Frederik Rreshpja, apo, me fat edhe mâ tragjik, Vilson Blloshmi.

Ju jeni vlerësuar edhe me çmime për punën tuaj si përkthyes. A ka ndonjë autor që ju ka "sfiduar", të cilin e keni shumë të vështirë për ta përkthyer në gjermanisht?

Në përgjithësi, përkthimi i letërsisë, sidomos ai i poezisë, asht i vështirë. Nji autor që përkthehet kollaj, zakonisht nuk meriton të përkthehet. Sfida e parë për mue ka kenë poezia eliptike e Martin Camajt. Sfida e dytë ishte poezia e Azem Shkrelit deri te e cila shumë vjet nuk gjeja kurrfarë shtegafrimi. Sfida e tretë ka kenë novela e Kasëm Trebeshinës, "Odin Mondvalsen", plot aludime dhe lojna të ndryshme të papërkthyeshme fjalësh.

Nëse flasim për letërsinë shqipe të ditëve të sotme, si i shihni zhvillimet e saj në poezi e prozë?

Pyetja s‘asht e lehtë, sidomos nëse jeton jashtë Shqipniet. Nuk ka nji kritikë letrare që informueka periodikisht dhe sistematikisht për zhvillimet dhe risitë letrare. Mungojnë dhe revista të tilla letrare resp. me sa ekzistojnë, nuk qarkullojnë në botën e jashtme. Nëse nji autore a autor shqiptar diku ka nji reçension, ose ka miqësi përkatëse ose ka sukses "jashtë".

Me sa mund të shoh, mbas ‘90-shit pendat e reja poetike shpejt e përfunduen procesin e emancipimit prej letërsisë së kolektivizueme të socrealit, kështu që në letërsi (poezi) te pendat e reja, ndryshe nga sfera politike, erdhi deri te nji kthesë e vërtetë, nji përmbysje e rreptë e modeleve të kohës së diktaturës. Poezinë e Shqipnisë e shoh ende në rrugën e përpjekjeve për identitete të reja, në rrugën e konsolidimit të individualiteteve të reja. Përveç emnave deri diku "t‘afirmuem" si Agron Tufa, Gazmend Krasniqi, Arian Leka, Mimoza Ahmeti, Romeo Çollaku e të tjerë, në ndërkohë ka rritë nji brez edhe mâ i ri, përafërsisht rreth moshës 30-vjeçe, për të cilin asht mjaft vështirë t‘informohesh nëse nuk rrin në Shqipní. Në prozë ka prurje me kërkesa të nalta prej pendave si Ridvan Dibra, Gazmend Krasniqi, Ardian Kyçyku e të tjera, të cilat ndërkaq për fat të keq duket nuk kanë sukses aq të madh sa vepra që merren me tema apostafat shqiptare. Duket se tematika kombëtare në të gjitha variantet e saj premton sukses të shpejtë e të lirë. Unë personalisht shpresoj që letërsia shqiptare të çlirohet sa mâ shpejt prej barrës tematike të kombëtarizmit. Kur të lirohet prej barrës së shqiptarizmit, ajo do jetë mâ interesante për hapësinën jashtëshqiptare. Nji fjalë për konjunkturën e romaneve për kohnat e diktaturës. Proza autentike për traumat e diktaturës kena mjaft: nga Kasëm Trebeshina, At Zef Pllumi, Fatos Lubonja, tash dhe Lekë Tasi e Vera Bekteshi. Këto penda kanë hjekë të zitë e ullinit nën diktaturë, nuk na duhen vepra konjunkturale autorësh që tregojnë poshtë e përpjetë traumat që s‘i kanë përjetue ata. Shpresoj që proza shqiptare të fillojë mâ shumë me trajtue tema aq individuale sa universale. Letërsia në Kosovë asht tjetërgjâ, nji kapitull tjetër.

Keni pikasur ndonjë vepër me të cilën do të donit të punonit?

Me poezinë e Moikom Zeqos. Me gjithë se emni i tij asht mjaft i njohun, poezia e tij duket me kenë jo aq e njohun sa e meriton. Problemi asht se vepra e tij poetike asht gjiganteske. Kompleti i poezisë së tij ("Miscellanea 1 - 5&quotsmiley përfshin përafërsisht 2600 faqe libri!

Cilat janë raportet tuaja me veprën e Ismail Kadaresë?

Kam preferenca të tjera. Vepra e z. Kadare nuk m‘intereson.

A ka sot ndonjë emër që mund të bëhet pasues i juaji në fushën e përkthimeve?

Po, asht nji student i albanologjisë që ka potencial me u bâ përkthyes i spikatun, Florian Kienzle. E njeh fort mirë gjuhën shqipe dhe ka dellin e duhun letrar. Nji përkim i rrallë me kenë se ka edhe persona të tjerë që merren me përkthime letrare pa njohë si duhet gjuhën shqipe (n‘Austri) ose që janë shqiptarë e që nuk e zotnojnë sa duhet gjermanishten letrare (në Zvicër).

Si janë mundësitë e botimit të letërsisë shqipe në vendin tuaj?

Shumë të dobëta. Me gjithë trumbetimin e disave, në vendet gjermanishtfolëse letërsia shqipe njihet shumë pak. Këndej njihet Kadareja. Kaq. Kuptohet se ai asht pjesë e letërsisë shqiptare, prapëseprapë me njohjen e tij nuk njihet edhe letërsia shqipe. Për këtë asht absolutisht minimal interesimi i botuesve për vepra të kësaj letërsie pak a shumë të panjoftun në këto anë. Nuk gjen botues nëse nuk mundesh me ia sigurue dhe ofrue financimin e botimit. Në këtë mes shoh lëshime të mëdha të palës shqiptare e cila pandërpré vajton për imazhin e keq që e ka në botën e jashtme. Nëse ka dëshirë që jashtë të mos flasin vetëm për gërdecat shqiptarë, korrupsionin etj., kish me kenë e udhës që pala shqiptare t‘angazhohet konkretisht e t‘investojë tue sponzorizue e financue botimin e letërsisë së saj jashtë siç e bajnë shtete të tjera t‘Europës Lindore - Bullgaria, Rumania, Hungaria, Greqia - që kanë secili nga nji institut kulture në Gjermani në vend se t‘organizojnë zgjedhje missash dhe spektakle të ngjashme të kota.

Cilat janë angazhimet tuaja të momentit?

Këto ditë e pa dritën e botimit revista letrare gjermane "Matrix" (Matriks) ku më janë botue poezi të Jamarbër Markos dhe nji prozë e Elvira Donesit. Për nji botues zviceran kam me përkthye nji vëllim të poetit shqiptar nga Kosova me banim në Zvicër, Shaip Beqiri. Përveç kësaj, mundohem me gjetë nji botues për antologjinë e poezisë shqiptare të pasluftës me 24 autore dhe autorë prej Zef Zorbës deri tek Ervin Hatibi. Deri më tash, antologjia m‘asht publikue vetëm n‘internet (http://www.transcript-revieë.org/de/issue/transcript-24-neue-lyrik-aus-...). Kam edhe projekte të tjera, ku mungojnë vetëm botuesit për t‘i sendërtue ato resp. sponsorët për të financue botimin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).