Kushtetuesja: Antiligjor vendimi i qeverisë për t’i dhënë monopolin e naftës Rezart Taçit

Gjykata Kushtetuese e ka gjetur si antikushtetues vendimin e Këshillit të Ministrave që i jepte të drejtën ARMO-s dhe Rezart Taçit për të tregtuar i vetëm naftën D2. Vendimi nr. 52, datë 14.01.2009 “Për cilësinë e lëndës djegëse gazoil (Diesel), të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe të tregtuar për automjete rrugore e gjeneratorë” ishte ankimuar nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.

Kushtetuesja ka arritur në përfundimin se vendimi i qeverisë kufizon liritë ekonomike, krijon një treg monopol.

“Gjykata konstaton se vendimi i kundërshtuar duke lejuar tregtimin e të njëjtit produkt me sasi të ndryshme squfuri, duke lejuar tregtimin e një produkti nga shoqëria ARMO të ndaluar për operatorët e tjerë dhe duke iu imponuar subjekteve tregtare që janë anëtare të kërkuesit dhe që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, të pajisura me “leje tregtimi të llojit A”, blerjen e produktit Diesel D2 pranë një operatori të vetëm, nëse duan që këtë produkt të vazhdojnë të shesin, krijon në treg një monopol në favor të shoqërisë ARMO sh. a., dhe për pasojë cenon lirinë e importimit dhe eksportimit të mallrave dhe shërbimeve, duke kufizuar kështu lirinë e tyre ekonomike”, - thuhet në vendimin e GJK.

Kushtetuesja është e mendimit se ka pasur shkelje edhe për sa i përket faktit se një vendim për kufizim lirie ekonomike mund të vendoset me ligj e jo me vendim qeverie.

“Gjykata e ka sqaruar edhe më parë kuptimin e shprehjes “vetëm me ligj”. Shprehja “vetëm me ligj” ka kuptimin që, në rast se është i nevojshëm kufizimi i një të drejte të parashikuar në Kushtetutë, atëherë ky vlerësim është në diskrecion vetëm të Kuvendit dhe jo të organeve të tjera, përfshirë edhe Këshillin e Ministrave”, - thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas Kushtetueses, vendimi i qeverisë bie në kundërshtim dhe me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Gjykata vëren se vendimi objekt shqyrtimi, duke ndryshuar rregullat ligjore mbi importin e lëndës djegëse Diesel D2 dhe tregtimin e lëndës djegëse Diesel D1, krijon kufizim total për importet e lëndës Diesel D2 dhe vështirëson tregtimin e lëndës djegëse Diesel D1, edhe nëse këto lëndë importohen nga vendet anëtare të Komunitetit Evropian, duke kufizuar kështu tregtinë ndërmjet Komunitetit Evropian dhe Shqipërisë. Për sa më sipër, Vendimi nr. 52, datë 14.01.2009 i Këshillit të Ministrave është në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, konkretisht me nenet 33 dhe 42 të saj. Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese vlerëson se, pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9 dhe 11 të vendimit të mësipërm duhen shfuqizuar”, - thekson vendimi.

Nga ana e saj, qeveria kishte deklaruar se e ka marrë vendimin duke u mbështetur te ligji “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”. Edhe ky pretendim është rrëzuar.

“Pretendimi se është shkelur neni 118/1,2 i Kushtetutës, pasi vendimi i kundërshtuar është marrë në tejkalim të kompetencave të deleguara nga neni 10, pika 5, e Ligjit nr. 8897, datë 16.05.2002 “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja” vlerësohet nga Gjykata si i drejtë, pasi vendimi objekt shqyrtimi, në pikat 1, 2, 3, 4, 5, 8, 9 nuk përmban dispozita mbi cilësinë e lëndëve djegëse”, - thekson gjykata.

Qeveria gjithashtu ka deklaruar se Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve nuk mund të bëjë ankimim, por ky pretendim është rrëzuar sërish.

Gjykata nuk ka vendosur pezullimin e veprimtarisë së ligjit, derisa të hyjë në fuqi vendimi i saj, ashtu siç kishte kërkuar Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve. Këta të fundit thonë se do të nisin një proces gjyqësor për të kërkuar dëmshpërblim për efektet 7-mujore që ka dhënë kjo nismë e qeverisë.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve protestoi, që kur u mor vendimi me anë të një letre drejtuar kryeministrit, Sali Berisha, për monopolin që ky i fundit i dha “Taçi Oil”. Duke theksuar se nga 420 mijë tonë që shiten gjithsej, 300 mijë janë nga kjo naftë, që tashmë do jetë vetëm në dorën e Taçit, kjo shoqatë i kërkoi kryeministrit të rishohë vendimin që parashikon treg monopol dhe shkatërron miliona euro investime dhe dëmton rëndë konkurrencën.

Pretendimet, tregtuesit e hidrokarbureve: Po na falimentoni

1. Për kompanitë e licencuara për importimin dhe tregtimin e karburanteve nuk ka asnjë rëndësi mënyra e privatizimit të ARMO-s dhe madje as pagimi i detyrimeve të kontratës nga blerësi i deklaruar;

2. Favorizimet që i bëhen kompanisë ARMO në treg nëpërmjet vendimeve të qeverisë dhe akteve të tjera ligjore nxjerrin në falimentim kompanitë importuese që ushtrojnë veprimtarinë e tyre që nga viti 1992, vit kur u liberalizua ky treg;

3. Kompanitë që rrezikohen të falimentojnë kanë arkëtuar nga veprimtaria e tyre e ligjshme për çdo vit në arkën e shtetit 70-260 milionë euro;

4. Kompanitë e licencuara ligjërisht nga shteti i janë përgjigjur të gjitha detyrimeve ligjore dhe kanë investuar kapitale të konsiderueshme në: transportin detar, në ngritjen e depozitave bregdetare dhe të brendshme. Vetëm në Porto Romano, pas vendimit përkatës të qeverisë, janë investuar në pontil dhe në depozita (depozitat kanë kapacitet jo më pak se 20 mijë tonë karburant për çdo kompani), mbi 200 milionë euro, të cilat tashmë rrezikohen të dalin jashtë funksionit, pas vendimit të qeverisë;

5. Kompanitë importuese dhe tregtuese kanë investuar në rrjetin e shpërndarjes së karburanteve brenda vendit (në rreth 980 pika të shitjes me pakic&eumlsmiley, rreth 400 milionë euro investim (një pikë shitjeje pakice kërkon mesatarisht 400 mijë euro investim);

6. Nafta e papërpunuar, si pasuri kombëtare, do t’i jepet kompanisë përfituese nga privatizimi me një vlerë 60% më lirë se çmimi i konjukturës ndërkombëtare (theksojmë se sot, në kushtet e uljes së çmimit ndërkombëtar të naftës, shtete si Rusia, që zotëron 20% të rezervës botërore të naftës, vendosin të importojnë me çmim të lirë për të ruajtur rezervat e tyre);

7. Kompanisë ARMO, me vendim qeverie, i ofrohen lehtësi fiskale nëpërmjet taksës së akcizës. Për importuesit kjo taksë llogaritet sa 75% e çmimit ndërkombëtar të blerjes, kurse ARMO, me vendim qeverie, do të paguajë 10 lekë/litër më pak akcizë;

8. Kompanive, që deri më sot kanë operuar në tregun ndërkombëtar të importit të naftës, nëpërmjet dy vendimeve të KM, iu hiqet 75% e tregut të brendshëm, duke ia kaluar direkt këtë treg kompanisë ARMO;

9. Duke iu referuar shifrave të vitit 2008, importi i karburantit pritet të shkojë në nivelin e rreth 420 mijë tonëve, nga e cila rreth 300 mijë tonë llogaritet naftë D2. Me VKM, qeveria ndalon gjithë operatorët e tjerë të importojnë, duke ia lënë këtë mundësi vetëm ARMO-s me naftën e Ballshit;

10. Më 01 janar 2009, ARMO hyn në treg duke gjetur një treg të gatshëm, pa konkurrencë, duke shitur potencialisht rreth 400 mijë tonë naftë, 300 mijë nga të cilat ua ka marrë konkurrentëve dhe 100 mijë tonë i prodhon vetë;

11. Referuar çmimeve të tregut ndërkombëtar, diferenca mes naftës Eurodiesel D1 dhe naftës Diesel D2, kuotuar në bursë, është jo më pak se 80 USD/ton. Nga mënyra se si llogariten detyrimet fiskale për këtë produkt (75 % akcizë+20 % TVSH), ARMO përfiton edhe 80 USD/ton nga kjo llogaritje;

12. Në këtë mënyrë, qeveria, jo vetëm i jep monopol kësaj kompanie ndaj konkurrentëve të tjerë për rreth 400 mijë tonë Diesel D2, që ka të drejtë ta tregtojë vetëm ARMO, por i kursen kompanisë rreth 64 milionë dollarë taksa (400.000 tonë x 160 USD/ton = 64 milionë USD);

13. Pretendimi se ndalimi i importit të D2 nga kompanitë e licencuara është detyrim që vjen nga angazhimi për mbrojtjen e mjedisit nuk mund të jetë i vërtetë, sepse nafta D2 e importit ka përbërjen e squfurit jo më shumë se 0.15 mg/kg, ndërsa ajo e prodhuar në vend e ka këtë përbërës asnjëherë më pak se 0,2 mg/kg;

14. Densiteti i naftës D2 të importit është kurdoherë më pak sesa 0,845, ndërsa nafta D2 e prodhuar në vend e ka këtë tregues më shumë se 0,850.

15. Referuar detyrimeve të njohura të integrimit në BE dhe standardeve të OBT duhet që asnjë shtet të mos vendosë tarifa diskriminuese ndaj një malli që importohet. Në Shqipëri përjashtohet importimi i mallit! Marrëveshjet reciproke ndërmjet shteteve kërkojnë të mos ketë barriera doganore, ndërsa te ne ndalohet importi i produkteve të certifikuara. Referuar shembullit grek, italian, rumun etj., vëren se këto shtete iu kanë lënë kohë rafinerive për përmirësim teknologjik, por nuk kanë ndaluar importet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).