Kush i sheh pikturat tona!

Në stinën e nxehtë të verës, Galeria Kombëtare bën llogarinë e vizitorëve; pas një periudhe rikonstruksioni është e vështirë të përcaktohet qoftë nga biletat, por dhe nga një sondazh i sportelit të saj, se kush ka qenë ekspozita më e ndjekur. “Jetojmë së bashku” ka pasur numrin më të madh të vizitorëve; ndërsa tani që galeria është “rrudhur” nga ngritja e linjës muzeale, vizitorët pothuajse janë rralluar krejtësisht; të huajt vazhdojnë të jenë miqtë më besnikë dhe adhurues të arteve pamore shqiptare

Galeria Kombëtare e Arteve në vitin 2009 është ndjerë inferiore nga ana e vizitorëve. Por nga një sondazh në galeri, të huajt janë evidentuar si vizitorët më të rregullt, admirues të artit pamor shqiptar. Ndërkohë që ekspozitat që janë hapur në GKA që në fillim të vitit e deri më tani janë vizituar nga një numër i vogël adhuruesish arti, për shkak të kushteve jo shumë të përshtatshme që kaloi ky institucion, duke rikonstruktuar mjediset për linjën e re muzeale. Këtë e pohojnë edhe vetë punonjësit e galerisë, të cilët tregojnë të hamendësuar mbi këto rezultate për shkak të mungesës së statistikave. Kjo për arsye se ekspozitat janë lejuar të shikohen falas, pra pa bileta, nga të gjithë shtresat e njerëzve, duke përfshirë këtu edhe vizitorë të huaj që vijnë nga shtete të ndryshme. Gjatë këtij viti janë çelur disa ekspozita, por ajo që është parë me më shumë interes dhe ka pasur më tepër vizitorë, shënohet “Jetojmë se bashku”, një ekspozitë fotografike mbi diversitetet dhe kohezionin social, si dhe edicioni XV i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”. Ky është një përfundim që kanë nxjerrë punonjësit e Galerisë së Arteve, të cilët janë marrë drejtpërdrejt me personat që kanë vizituar ekspozitat çdo ditë të këtij viti, mbi bazën e një numri të rrumbullakosur vizitorësh. Sipas tyre, “Leaving Together” është një prej ekspozitave më të vizituara dhe numri i përafërt i tyre shkon rreth 650 vizitorë. “Është një ekspozitë që ka pasur shumë vizitorë, e më së shumti nxënës shkollë, të cilët vinin grupe–grupe, sidomos fundjavave, studentë dhe shumë njerëz të tjerë të statuseve të ndryshme”, - shprehet një prej punonjëseve, një mesogrua me flokë të shkurtra, e cila përmend edhe rëndësinë e vizitorëve të huaj.

Kjo ekspozitë ishte eventi përmbyllës i një projekti dyvjeçar të “British Council” në Evropën Juglindore, që si duket garancinë për t’u parë më shumë ia ka dhënë synimi mbi eksplorimin e një dialogu ndërkulturor në Evropën e sotme, pra atë moderne.

Se si elementi artistik hyn në debatin social është konsideruar si pjesë e rëndësishme e ekspozitës, duke i shndërruar vizitorët në pjesë të saj, si reflektues. Punimet e ekspozuara ishin më të mirat jo vetëm të artistëve profesionistë që punuan në këtë projekt (Alban Hajdinaj, Shpëtim Kërçova dhe Idlir Koka), por ishin pasuruar edhe nga këndvështrimi origjinal i të rinjve të angazhuar me projektin.

Pas kësaj ekspozite, që si duket tregon se për çfarë ka nevojë sot publiku - pra domosdoshmërinë e identifikimit- është edhe ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore “Onufri”. Kjo ekspozitë si çdo vit, - na tregon punonjësja e sportelit të biletave, - është vizituar nga një numër i konsiderueshëm adhuruesish. Ajo shpjegon se edhe në këtë rast njerëzit nuk kanë qenë të gjithë të detyruar të shikojnë ekspozitën vetëm me bileta, apo ftesa. Megjithatë edhe pse falas, numri i vizitorëve ka arritur deri në 400, jo më shumë. Sërish punonjëset e sportelit justifikojnë rënien e numrit të tyre vetëm për shkak të rikonstruksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve mbi linjën muzeale dhe ndërhyrje të tjera. Ata nuk lanë pa vënë në dukje edhe faktin se në GKA tashmë ekziston vetëm një sallë ekspozitash e për këtë edhe numri i vizitorëve ka ardhur duke u kufizuar, në krahasim me më parë, kur hapeshin edhe dy të tilla në të njëjtën kohë. “Onufri” ka qëndruar e hapur për gjashtë javë të plota kalendarike deri më datë 29 janar 2009, që nga data 18 dhjetor 2008. Ekspozita e përvitshme “Onufri” erdhi nën kurimin e profesorit italian të fenomenologjisë, Ricardo Caldura, duke zgjedhur si titull një varg të Gëtes, “A e dini vendin ku lulëzojnë limonët?” pasi kishte ndryshuar fjalën e fundit me “paradokset”. Në fakt Gëte i referohet Italisë si vendit të limonëve, ndërsa Caldura e huazon shprehjen, duke iu referuar Shqipërisë si vendit të paradokseve. Ky edicion i “Onufrit” erdhi si një paraqitje e skenës më emergjente të artit shqiptar, ndërsa kuratori ishte fokusuar në një numër të vogël artistësh, por të prezantuar në mënyrë të zgjeruar në ekspozitë. Edicioni u fituar nga artisti Heldi Pema.

Ekspozita falas

Galeria Kombëtare e Arteve gjatë këtij viti nuk ka funksionuar me bileta shitjeje për çdo ekspozitë të çelur. Kështu që, sipas punonjësve, nga shumë ekspozita të çelura nuk arrihet të merret një evidencë e saktë për numrin e vizitorëve, kjo si shkak i rikonstruksionit të GKA-së. Por shifrat e mësipërme, ata janë detyruar t’i nxjerrin për arsye të interesave të brendshme mes ambasadave, të cilat kanë kontribuar në organizmin e aktiviteteve. Ndërkohë që në bazë të vëzhgimeve të këtyre punonjëseve, pa bazë shifrash, edhe ekspozita të tjera kanë qenë të vizituara, sidomos nga të huajt. Kështu njëra prej tyre do të veçonte ekspozitën e piktorit Hasan Nallbanit, ku u paraqitën 68 piktura në telajo në teknikën vaj mbi kanavacë. Ajo qëndroi e hapur nga data 20 maj 2009 deri më datë 16 qershor 2009, ekspozita e piktorit dhe nëndrejtorit të GKA-së, Buron Kaceli gjatë periudhës elektorale “Korridori i shqiptarëve”, me 35 punime, peizazhe nga rruga “Durrës-Kukës-Morinë” etj.

Të huajt, vizitorë më të rregullt se shqiptarët

Ata vijnë nga vende të ndryshme të botës për të parë nga afër Shqipërinë. Në axhendën e tyre me sa duket aktiviteti i GKA-së nuk mungon asnjëherë. Kjo, pasi sipas të dhënave, në galeri vizitorët e huaj kanë qenë shumë të rregullt në ekspozitat e çelura gjatë këtij viti, e sidomos mbi linjën muzeale. “It’s beautiful” (shumë e bukur), shprehen vizitorët e huaj”, - pohon më tej punonjësja e Galerisë Kombëtare, duke treguar se nuk kanë qenë të rralla edhe rastet kur ata edhe janë treguar indiferentë ndaj ekspozitave që në kohë të ndryshme qëndronin hapur. Sipas saj, aktualisht, në këto ditë të nxehta vere, pothuajse vetëm të huajt i japin jetë gjallërisë së Galerisë Kombëtare të Arteve. Për këtë arsye dihet dhe projekti që realizohet aty nga “miqtë e Galerisë”, i përbërë nga të huajt, të cilët shpeshherë kanë organizuar projekte “aperitivi”, por ndihmuar dhe në promovimin e pikturës shqiptare në vendet nga vijnë.
 

4 Komente

Sikur ta dija qe do te me numeronin si nje nga 'adhurueset' e artit shqiptar ka te ngjare te kisha kthyer thembrat.

 “It’s beautiful” (shumë e bukur), shprehen vizitorët e huaj”, - pohon më tej punonjësja e Galerisë Kombëtare, duke treguar se nuk kanë qenë të rralla edhe rastet kur ata edhe janë treguar indiferentë ndaj ekspozitave që në kohë të ndryshme qëndronin hapur.

smiley

....It's dangerous (eshte SHUME e rrezikshme), shprehen vizitoret e huaj - pohon me tej polici rrugor..... smiley

 

P.S.

Heren e fundit qe kam qene tek Galeria e Arteve, (2007), kam pare disa nga keto punonjeset e Galerise, qe...thurnin triko....nderkohe qe mbikqyrnin trafikun e vizitoreve! smiley

 

po edhe te thurrurit eshte art me vete...

kot per sherr:

"Leaving together" do te thote " Largohemi se bashku"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).