Kujtime - Alfred Moisiu

Edhe pse me 12 Shtator do të nisesha për në sesionin e OKB-së në Nju Jork, shpallja dhe betimi i qeverisë, ishin
për mua detyra të ngutshme për t'u kryer, pa lënë pas dore edhe mesazhin në parlament, si mjaft të domosdoshëm. Pjesëmarrjen time në këtë sesion të OKB-së e quaja shumë të rëndësishme, sepse përkonte me 60 vjetorin e krijimit të OKB-së. Më thanë se në këtë sesion do të vinte edhe Berisha, me siguri kjo do të ishte një nga arsyet kryesore të ngutjes së tij për thirrjen e parlamentit sa më parë. Dihej që gjatë qëndrimit në Nev Jork, duhet të isha i kujdesshëm që të mos bija pre i në ndonjë provokimi, aq më tepër kur mora vesh se në SHBA, përveç ekipit qeveritar, ai do të kishte me vete edhe dy fajkojtë e shtypit të djathtë, Mero Baze dhe Fari Balliu. Ata do të shërbenin si pararojë për të organizuar mitingje me idhtarët e apasionuar të Berishës, të cilët gjithnjë e entuziazmojnë.
Me 3 shtator në mbledhjen e tij të parë, Kuvendi i ri pasi dëgjoi raportin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve, si Kryetar të tij zgjodhi znj. Jozefina Topalli. Fjalimin inagurues të Topallit e ndoqa me shumë vëmendje, për të ditur prioritetet e saj në të ardhmen. Si hera e parë, për marrëdhëniet me opozitën në pozicionin e kryeparlamentares u shpreh tepër e kujdesshme, çka ishte normale, për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit. Deklaratat e saj ishin pozitive, në krahasim me qëndrimin tepër ekstremist që kishte mbajtur kohët e fundit, e shtyrë sidomos nga ngutja për të marrë pushtetin. Por çuditërisht zhvillimet e mëvonshme brenda Kuvendit treguan të kundërtën. Sot e kësaj dite, nuk mund ta shpjegoj egërsinë dhe mungesën e taktit të kësaj gruaje, në komunikim me pakicën e majtë, që nuk mund të krahasohet, me punën drejtuese të kulturuar dhe me shumë takt, të paraardhësit të saj z. Servet Pëllumbi me minorancën e djathtë, pa thënë që ajo nuk e përligji në asnjë moment angazhimin e saj, me shumë fjalë premtuese, kur u zgjodh në krye të parlamentit.

Po atë ditë, në ora 14.00, në prezencë të medias, i dorëzova Berishës dekretin e emërimit të tij si Kryeministër i vendit. Më pas biseduam për përbërjen e qeverisë, që edhe pse ekskluzivitetin e ka kryeministri, Presidenti për disa funksione që lidhen me punën e tij, ruan të drejtën për të shprehur mendimin për ndonjë ministër, të cilit i mungojnë cilësitë e duhura etiko-morale. Në këtë bisedë paraprake, shfaqa shqetësimin tim për një nga ministrat e propozuar, duke ia argumentuar me disa informacione për lidhjet e tij me disa individë të dyshimtë, që e kishin ndihmuar gjatë fushatës elektorale. Por Berisha e mbrojti ministrin në fjalë, pavarësisht nga informacioni që i dhashë. Ndërsa për ministrat e tjerë nuk kisha ndonjë shqetësim konkret. Me marrjen zyrtarisht të propozimeve mbi përbërjen e qeverisë së re, më 5 shtator, sipas rregullit kërkova informacionet plotësuese nga institucionet përkatëse, ndaj dhe dekretin për formimin e qeverisë së re e shpalla më 7 shtator, ndërsa Kuvendi u mblodh me 9 shtator. Ndërkohë edhe pse disa gjëra ishin të dukshme, ende prapë nuk po kuptoja se cila qe arsyeja e ushtrimit të presionit nga shumica për zhvillimin e këtyre proceseve me shumë ngut?! Përfundimisht, vendosa që betimin e qeverisë së re ta bënim më 11 shtator, ndonëse ishte ditë pushimi.

Në parantezë dua të përmend këtu një fakt, që më bëri përshtypje gjatë kohës së betimit të qeverisë, të cilin do ta quaja si veprim jo të paqëllimtë të Berishës. Konkretisht, kur Kryeministri firmosi fletën e betimit, vura re një gjest, që për mendimin tim nuk qe thjesht një pakujdesi nga ana e tij, por ndoshta kishte të bënte me realizimin e një betimi të brendshëm të tij, për të cilin nuk di pse m'u krijua bindja se në të ardhmen do t'i shiheshin pasojat. Pas ceremonisë së betimit, ju drejtova ministrave me një mesazh të shkurtër, ku shpreha besimin tim për punën e qeverisë së sapo dekretuar, për të justifikuar votën e elektoratit. Pas këtyre formaliteteve protokollare, ftova në zyrën time Kryeministrin, Kryetaren e Kuvendit dhe Ministrin e Jashtëm. Qëllimi i këtij takimi ishte, që në fillim të rakordoja me drejtuesit e rij kryesorë të shtetit, që gjykimin dhe marrjen e vendimeve kryesore ta bënim në mënyrë kolegjiale, për të mos shkaktuar keqkuptime të panevojshme dhe trauma politike, sikurse na kishte ndodhur në të shkuarën me qeverinë e mëparshme. Por, sapo përmenda problemin për formulimin e qëndrimit të shtetit tonë në diskutimin për anëtarët e rij të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Berisha menjëherë u hodh dhe tha se unë e kam dhënë fjalën për këtë. Kur e pyes se kur ka ndodhur një gjë e tillë, tha se kur kam qenë unë President! I them zoti Kryeministër, që nga ajo kohë deri më sot kanë kaluar 8 vjet dhe gjërat kanë ndryshuar. Ai heshti duke mos dhënë asnjë përgjigje. Nuk u zgjata më tej, edhe pse ndonëse vendosmëria e tij e shprehur nuk ishte aspak normale. Këtë e bëra sepse nuk desha që fillimi i punës të shënohej me përplasje, por që më pas, me gjithë përpjekjet e mia të vazhdueshme, nuk munda t'i shmang. Pra që në fillim, me atë veprim këmbëngulës, Berisha dha të kuptojë se në të ardhmen, gjithçka do të vendoset vetëm nga "Ai" dhe jo në mënyrë kolegjiale apo sipas kompetencave kushtetuese.

Incidenti i parë me Berishën në Nju Jork

...Pas përfundimit të detyrimeve kushtetuese, lidhur me problemet e sipërpërmendura, më 12 shtator u nisa për ne Nev Jork. Në aeroport, priste ambasadori ynë në OKB Agim Nesho, i cili pasi me informoi për programin dhe aktivitetet e rastit, më vuri në dijeni se palës pritëse, i është dërguar një shkresë zyrtare nga Ministria e Jashtme, në të cilën thuhej se sipas protokollit të shtetit shqiptar gruaja e kryeministrit konsiderohet Zonja e Parë e vendit, dhe për këtë kërkohej që ajo të trajtohej me atë status. E injorova si veprim, sepse tashmë isha mësuar me tekat e kryeministrave shqiptarë. Ndonëse këtë ndryshim kapriçoz të protokollit nuk e prisja nga Berisha, nga që kur ishte në opozitë e kishte kritikuar Nanon për këtë veprim, duke shkuar deri aty sa që të shprehej në mënyrë kritike edhe për mua, që e kisha lejuar një vendim të tillë! Jo vetëm kaq por, në një intervistë tek TV "Klan", pyetjes së gazetarit sesi do të vepronte ai me protokollin e ndryshuar nga Nano, iu përgjigj se pas marrjes së pushtetit, do ta korrigjonte menjëherë si një veprim jo normal. Kurse në fakt jo vetëm nuk e ndryshoi, por e konsakroi atë zyrtarisht edhe në rrugë diplomatike në korrespondencën me OKB-në, gjë që Nano nuk e kish bërë më parë. Pra, edhe ky veprim tregoi dyfytyrësinë e Berishës, siç ka bërë dhe bën përherë. Ambasadori më informoi gjithashtu, se gjatë gjithë aktiviteteve do të më shoqëronte ai personalisht, ndërsa kryeministrin do ta shoqëronte zëvendësi i tij. Me këtë ndarje kuptohej se do të ishim jo si një delegacion, por si dy delegacione të shtetit shqiptar, ndonëse asnjëherë s'më kishte pëlqyer një gjë e tillë edhe kur ishte Nano Kryeministër. Për herë kam kërkuar që, së paku në arenën ndërkombëtare të mos binim në sy për të keq, duke vepruar në atë mënyrë që të ndahej aktiviteti i Presidentit nga ai i Kryeministrit, me pjesëmarrjen në to veç e veç e jo të dy bashkë. Nuk di se çfarë emri mund t'u vija këtyre veprimeve të padenja në sy të botës, të kryeministrave tanë Nano dhe Berisha.
Ditën e dytë të qenies sime në Nev Jork, Elez Biberaj më telefonoi nga Uashingtoni, dhe kërkoi të më intervistonte. Ndër pyetjet, që nuk prisja të më bëhej, ishte ajo që lidhej me lajmin e përhapur ato ditë në shtypin tonë për një rregullim të institucioneve, në bazë të cilit SHISH do t'i kalonte në përbërje Ministrisë së Brendshme. Përgjigja ime është e njohur, por do të fiksoj momentet kryesore, thjesht për të qenë i saktë në kujtimet e mia, pasi kjo qe edhe përplasja e parë publike me Kryeministrin Berisha... Pas katër ditësh, kur Berisha u intervistua në Zërin e Amerikës, u shpreh në drejtim të kundërt me ato që thashë unë, duke kërkuar hapur përfshirjen e Shërbimit Informativ në përbërjen e Ministrisë s ë Brendshme. Dukej qartë, se nuk ishin më ide të hedhura në gazeta, por diçka e menduar mirë në kuadrin e nënshtrimit dhe marrjes totale të drejtimit të organeve të pavarura nga Kryeministri. Po atë ditë në Tiranë, Zv. Kryeministri Rusmajli deklaroi se për këtë ndryshim ka një vendim politik. Tingëllon si e pabesueshme, që në vitin 2005 të flitej me gjuhën e byroistëve, dhe partia shtet paska marrë një vendim politik! Zotërinjtë në fjalë harronin se jemi në një republikë parlamentare të një shteti demokratik, ku pushtetet janë të ndara dhe për akte madhore të veçanta, ka një mënyrë të përcaktuar veprimi. Sigurisht këto përpëlitje, për të bërë gjëra jashtë ligjeve dhe kushtetutës, ishin sinjale që më jepnin të kuptoja se kisha përpara një betejë të vërtetë me një njeri problematik që e kish demonstruar edhe më parë më se qartë, tendencën e ushtrimit të një pushteti personal mbi institucionet e pavarura.

Në pritjen e dhënë nga Presidenti Bush, ishim të dy bashkë me Berishën. Në bisedë e sipër, folëm rreth shqetësimeve tona edhe për energjinë, e cila në atë kohë ishte problem shumë serioz për vendin. Jo pa qëllim, më thotë se Qeveria Nano u lidh me një kompani mafioze serbe, duke e blerë energjinë me çmime shumë të larta, gjë që e kisha dëgjuar nga Berisha edhe më parë, duke kritikuar shpesh Nanon sa herë që i jepej rasti. Por nuk mund ta besoja kurrë, se kur PD-ja do të vinte në pushtet, Ministria e Energjitikës do të lidhej me të njëjtën kompani, çuditërisht me çmime dy herë e gjysmë më të larta! Kur po bisedonim për disa probleme të drejtësisë, ndër të tjera i thashë se sipas ligjit që kish bërë Imami, kur ishte Ministër Drejtësie, e drejta e proçedimit të gjyqtarëve i kish kaluar ministrit të drejtësisë. Ai menjëherë reagoi i befasuar dhe më tha se këtë gjë nuk e ka pas ditur! Thashë me vete, çfarë i prallis Rusmajli në vesh këtij, në rast se si ministër nuk i njeh mirë vetë këto probleme?!
Më 14 qershor, gjatë vizitës në Ney Jork Majkëll Granov, drejtues i Bordit të Fondit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, na ftoi për darkë në vilën e tij jashtë qytetit, mua, Saliun me Lirinë, Besnik Mustafajin, Ambasdorin Agim Nesho me zëvendësin e tij të ndjerin Lublin Dilja dhe Muhamed Kapllanin. Nga pala amerikane, përveç anëtarëve të bordit ishte ftuar edhe ndihmës Zëvendës Sekretarja e Shtetit Di Karlo, e cila do të mbulonte rajonin tonë. Së pari foli Kryeministri Berisha, i cili informoi mbi programin e qeverisë. Mandej më pas fjalën e mora unë, ku ndër të tjera u thashë se ne arritëm këtë radhë të bëjmë zgjedhje të lira dhe të kryejmë një rotacion të rregullt dhe paqësor, gjë që s'kishte ndodhur më parë. Mandej u ndala gjatë në shpjegimin e problemit të Kosovës, duke ngulmuar që t'i jepej pavarësia sa më parë, pasi zvarritja krijon premisa të rrezikshme etjera. Në takimet e planifikuara që pata më pas, shumica e personaliteteve, përfshi edhe ata që e njihnin Berishën gjatë kohës që kish qenë President i vendit, shfaqnin habinë sesi arriti të kthehej prapë në pushtet!? Ndoshta ka ndryshuar për mirë, tha dikush, tjetri diçka më tepër negative për të etjera. Duke mos bërë asnjë koment rreth mendimeve të tyre, u thashë se ky qe vullneti i zgjedhësve shqiptarë.

Në mëngjesin e 17 shtatorit, piva kafe me Berishën, me dëshirën e mirë të krijimit të mundësisë për t'u mirëkuptuar. Nuk më dukej normale që të rrinim veç e veç, duke qenë pjesë e një shteti dhe në shërbim të tij. Gjatë bisedës, nuk hapa probleme që mund të shkaktonin debate, siç ishte diskutimi për SHISH-in, por u përqendrova në çështjen e integrimit në NATO, për problemin e energjisë elektrike dhe Kosovën. Ndërkohë vura re se dukej si i mërzitur, ndoshta nga takimi që kishte pasur një ditë më parë me Zv. Sekretarin e Shtetit Daniel Frid, ku me sa më thanë, takimi me të nuk kish shkuar fort mirë. Këtë munda ta kuptoj më qartë në mbrëmje, në pritjen e dhënë nga Kondoliza Rais, ku takova Dan Frid, i cili më tha se një ditë më parë kish takuar Berishën, duke më lënë indirekt të nënkuptoja qëndrimin e tij në takimin me të.

Acarimi me Topallin

Në një mbledhje të KLD-së, nga fundi i shtatorit, më ra në sy tendenca e disa anëtarëve të saj, të cilët duke lobuar për njëri tjetrin, kërkonin të promovoheshin në poste të ndryshme në sistemin e drejtësisë. Edhe pse më parë e kisha kritikuar ashpër një tendencë të tillë, përsëritja rishtas e këtyre marifeteve, bënë që mbledhja të zhvillohej me debate shumë të forta, ku dhe media jo vetëm që e kritikoi, por e fryu akoma më shumë. Për këtë çështje, në mbledhje i kërkova Ministrit të Drejtësisë, që në ligjin për KLD-në të specifikohej qartë për antarët e këtij institucioni, se gjatë kohës që ishin pjesë e tij, të mos kishin të drejtë të promovoheshin në asnjë lloj detyre tjetër. Zonja Topalli, befas të nesërmen e morri si nismë personale bërjen e ndryshimeve në ligj, duke kërkuar me këtë rast edhe ndërhyrje të tjera. Pa humbur kohë, në një konferencë shtypi të veçantë, ajo tha se do të thërriste një grup juristësh të Kuvendit për të rishikuar të gjitha ligjet që kishin të bënin me disa institucione si: KLD; KKRT; Autoriteti i Konkurencës etjera, të justifikuara nën okelion e luftës kundër konfliktit të interesit! Këto veprime me isterizma të pallogjikshme, bëheshin në një kohë kur qeveria ende nuk ishte e kompletuar dhe se përpara saj qëndronin mjaft detyra të ngutëshme që ishin: lufta kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër evazionit fiskal, kundër korrupsionit, të cilat PD-ja i pati si moto kryesore të fushatës elektorale për të ardhur në pushtet. Problemi nuk qëndronte në faktin se do të punohej për ndryshimin e ligjit, por nuk po kuptoja se çfarë kërkonte zonja në fjalë me ndërhyrjen e saj, pasi kjo detyrë ishte e Ministrisë së Drejtësisë, ku pikërisht për këto arësye titullari i kësaj ministrie, me kushtetutë ishte antar i këtij Këshilli. Kështu që me të drejtë reagimi kundër këtyre nismave, si nga media dhe opozita, përfshi edhe atë për SHISH-in, për imunitetin etjera si këto, ishte me vënd dhe shumë i fortë. Të gjitha këto më bënë që të isha tepër i vemëndshëm mbi atë se çfarë po ndodhte, duke bërë kujdes që të mos nëpërkëmbej kushtetuta dhe ligjet e shtetit, detyrë e cila ishte direkt imja. Për t'i dhënë përgjigje tentativës së këtyre veprimeve, që më shumë sesa përmirësimin e ligjeve për këto institucione, synonin nënshtrimin e tyre, shfrytëzova rastin e një takimi me personalitetet gjyqësore të rajonit, duke theksuar me forcë se politika duhet t'rrijë larg gjyqësorit. Kurse për ndryshimet që duhen bërë në disa ligje, deklarova se ata vetë duhet t'a thonë fjalën e tyre.

Berisha, duke parë se nuk arriti të bënte me SHISH-in atë që donte, tentoi ta vinte atë në shërbim të tij, duke e ftur në proçese antiligjore, kështu nëpërmjet njerëzve të tij, kërkoi nga ky institucion të hapeshin dosje për drejtues të opozitës, gjoja të lidhur me organizatën "Hakmarrja për Drejtësi", tentativë kjo që s'pati sukses. Këto gjëra me të vërtet ishin jashtë normalitetit dhe të kujtonin kohërat para 1997-s. Por prap Kryeministri s'mund të rrinte dot pa ngacmuar, ndaj filloi publikisht të sulmonte Prokurorin e Përgjithshëm, tendecë kjo që tregonte hapur dëshirën për të patur një prokuror tjetër, pavarësisht se Thedhori Sollakun e kish pasur këshilltar të tijin dhe në atë detyrë e kish votuar vetë.

Ndërkohë për ditë e më shumë po bëhej një kundërvënie e paparë ndaj meje, por nuk ishte kjo më e keqja. E keqja më e madhe qëndronte në faktin se po shikoja tendencën e pafrenuar të shëmbjes së shtetit, të shëmbjes së gjithçkaje, që jo pa mund deri në atë kohë e kishim arritur! Problemi më i madh nuk ishte se po bëhej gjithçka për të minuar autoritetin tim dhe të institucionit të Presidencës, por se ditë për ditë po kryheshin veprime të atilla që do të ishin me pasoja për të ardhmen e vendit.

Inati i Berishës

Krahas të gjithave vija re tendencën e Kryeministrit për të më bllokuar, duke urdhëruar që ministrat e tij të mos bënin pjesë në delegacione me mua jashtë shtetit. Kështu kur do të shkoja në takimin me Kryetarët e Shteteve të Europës qëndrore, kisha kërkuar që me mua të vinte Ministrja e Integrimit zonja Arenca Troshani, e cila në takimin që pata me të, më deklaroi se nuk mund të më shoqëronte. Kur e pyeta se cila ishte arësyeja e pamundësisë së saj, kuptova se arsyeja e saj ishte pa arësye. Ky ishte rasti i dytë që më ndodhte me antarët e kabinetit Berisha, gjë që më parë me qeverinë Nano nuk më kishte ndodhur, pavarësisht nga kontradiktat që kisha me të.

Duke ditur se pengesat dhe shqetësimet e krijuara, zanafillën e kishin tek ai, të nesërmen thirra Berishën për të biseduar, me qëllim për të mos patur më tej probleme të tjera shqetësuese. Në atë takim midis të tjerave i thashë edhe për vizitën zyrtare që do të bëja në Austri gjatë tetorit. I kërkova që për disa çështje të informohesha më mirë si dhe për të mirën e punës të kishim në vazhdimësi takime periodike, duke theksuar se mosardhja e ministrave në takimet dhe vizitat e mia ndërkombëtare nuk ishte aspak serioze për qeverinë. Ndërsa për ambasadorët, i thashë duhet të konsultohemi para se të vijnë propozimet tek unë, duke mbajtur në konsideratë se për ambasadorë nga politika, të mos kalohej caku i 20%, përcaktuar me ligj. I sugjerova që të fillonte puna për shqyrtimin e kodit zgjedhor sa nuk ishte vonë dhe të punohej për kartat e identitetit sa më shpejt që të ishte e mundur, sepse po të liheshin për më tej do të krijoheshin probleme me zgjedhjet. Ndërkohë rishtas përsërita sugjerimin tim për të krijuar një ministri ose një komitet për problemet e emigrantëve tanë, pasi një të tretën e popullsisë e kemi jashtë, dhe mospasja e një institucioni për të ndjekur problemet e tyre, s'është aspak normale. Po kështu edhe për Kosovën sugjerova të tregohemi më të kujdesëshëm. Ajo duhej ndihmuar, pasi përballej me administratën serbe me shumë përvojë, në një kohë që kosovarëve ju mungonte një gjë e tillë. Por çuditërisht, kur e mori fjalën, nga që i kishte mbetur mëndja, pse në OKB shkuam të dy, kur Nano sipas tij kishte njoftuar që në muajin maj se do të shkonte ai! M'u duk shumë meskine ngritja e problemit në këtë mënyrë, sidomos pa u informuar saktësisht sesi ishin zhvilluar ngjarjet në të vërtetë, dhe se kishte dizinformim, si pasojë e punës në kulisa të njerëzve të Nanos. Me të vërtet nuk dija si ta spjegoj një gjë të tillë, sepse unë po shtroja probleme që kishin të bënin me performancën e drejtimit të shtetit dhe nuk po flisja për grimca, pse shkove ti dhe s'shkova unë, që m'u dukën tamam si qefmbetje fëmijësh dhe jo biseda të denja për drejtues shteti!

Më tej vijoi duke m'u ankuar që i kisha kthyer të gjitha propozimet për ambasadorët, veprim të cilin e quante të parregullt dhe pengesë në punën e tij. M'u desh t'i rikthehesha këtij problemi, pasi e ndjeja se në të ardhmen mund të përplasesha edhe më shumë. E sqarova se unë nuk mund të kthehesha në noter për të miratuar ato çka më vinë, se isha duke ndjekur praktikën e zbatuar nga ai vet kur ishte President, atë të kohës së Presidentit Meidani si dhe atë me Kryeministrin Nano, duke ia ilustruar edhe me shëmbuj konkretë nga praktika e punës. Në vazhdimësi të bisedës, e sigurova që do të isha në mbështetje të programit të qeverisë për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, uljes së papunësisë, uljes së varfërisë dhe për politikat e integrimit...

Pavarësisht nga këto ndodhi, në pozicionin e Kryetarit të Shtetit, më duhej t'i zbusja sadopak marëdhëniet me kryeministrin, ndaj në fund të tetorit, e ftova për një drekë pune, ftesë të cilën edhe pse e mirëpriti, më tha se :" Kam një sebep në familje, ndaj ta lëmë për ndonjëherë tjetër". Nuk ja mora për të keq, pas dy ditësh këtë e kompensoi znj.Topalli, duke na ftuar për kafe mua dhe Berishën, një pasdite në vilën e saj në Durrës...Topalli e merakosur ngriti problemin e prokurorit, për të cilin thashë që unë gjykoj se ai duhet ndihmuar dhe për pretendimet që keni ndaj punës së tij, do të ishte më produktive që, iu drejtova Berishës, ju si Kryeministër ta thërrisni dhe të bisedoni me njëri tjetrin, gjë të cilën ai aty për aty e pranoi, pavarësisht se asnjëherë nuk e realizoi. Në lidhje me ndryshimet në ligjin për KLD-në, propozuar nga Kreshnik Spahiu, shfaqa kundërshtinë time se me këtë punë nuk duhet të merren OJQ-të, por Ministria e Drejtësisë dhe KLD-ja, bashkë me specialistët përkatës, sepse është detyrë dhe e drejtë e tyre.

Festat e nëntorit me PD

Në prag të afrimit të festave të Nëndorit, ndodhesha në një siklet jo të vogël, pasi politikanët e djathtë në pushtet, në kushtet e një politizimi të pakrahasueshëm, kërkonin prishjen e traditës, me qëllim që edhe këtu të nxirnin sa më shumë përfitime politike. Dihet që me ligj të Kuvendit të Shqipërisë festohet 28 dhe 29 Nëntori. E para si ditë e flamurit dhe e dyta si dita e çlirimit. Qëndrimi absurd dhe i pakuptimtë i PD-së, në lidhje me ditën e çlirimit, ishte i njohur, megjithatë nuk bënë asnjë përpjekje për ta ndryshuar ligjin dhe mendoj se bënë mirë, por në prag të festës, morën vendim që ceremonia zyrtare e vendosjes së kurorave në varrezat e dëshmorëve të kryhej me 28 Nëntor, dhe jo në ditën tradicionale të 29 Nëntorit. Si President i vendit, i ndodhur para kësaj situate absurde, duke bërë kujdes që të mos mbaj anë, vendosa që më datën 28 Nëntor të marr pjesë në festimet e Vlorës, i shoqëruar nga autoritetet vendore dhe deputetët e të dy palëve të kësaj krahine, ndërsa në datën 29 Nëntor, planifikova disa vizita në familjet e dëshmorëve në Tiranë. Kurorën time në varreza në datën 28, pas disa debatesh protokollare, ua dhanë ushtarëve të gardës për ta vendosur. Gjatë vizitës në Vlorë, dëgjoja shumë zëra që më thonin "Rrofsh o President që na bashkova në këtë ditë të madhe"! Ishte kënaqësi për mua kur dëgjoja këto fjalë nga shqiptarët e thjeshtë, sepse festat kombëtare janë për të kontribuar për forcimin e unitetit dhe rritjen e krenarisë kombëtare. Lojrat e fjalëve për probleme anësore e lagu s'e lagu, përdoreshin qëllimshëm vetëm për të mbajtur elektoratin pas vetes, sepse ky ishte për ta problemi i dorës së parë.

Sherri për Harxhin

Veprimet e pamatura të Berishës kundër meje, nuk ishin aspak serioze dhe normale për të si Kryeministër. Kështu Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, i nxitur nga fushata e brendshme që Berisha bënte kundër meje, më 1 dhjetor ditën e lindjes time, në vend të urimit bëri të kundërtën. Gjeti pikërisht këtë ditë, që në intervistën që i dha gazetës "Albania", titulluar "Ku gabon Presidenti Moisiu me Harxhin", të shprehej kundër meje. Më erdhi keq për këtë veprim të ministrit, duke e konsideruar atë të pahijshëm, aq më tepër që për arsye të funksionit, lidhjet e punës me të i kisha të afërta, ndaj mendova se ai duhej të ishte më pranë meje, të paktën në një ditë si kjo për mua. Por çuditërisht ai doli hapur në shtyp, duke më kritikuar pse nuk po miratoja znj. Harxhi si ambasadore në SHBA! Kuptohej që ky ishte ndikim i Berishës, sepse nuk mund të shpjegohej ndryshe, që një njeri që kishte qenë për më se 4 vjet ambasador në Francë, në një nga vendet më të kulturuar dhe me demokraci të zhvilluar, të ndiqte një praktikë thuajse mediokre. Në takimin e radhës që pata me të, i thashë Mustafajt se nuk u treguat objektiv në atë intervistë, sepse unë u kisha dërguar një përgjigje zyrtare me arsyet e refuzimit të Harxhit. Por prapë se prapë Berisha nuk mbeti me kaq, më pas ndërsen ministrin Sokol Olldashi, i cili në një emision televiziv tek "Zona e Lirë" e Arian Çanit, duke u përpjekur për t'i bërë sa më shumë qefin shefit të vet, deklaroi se për çështjen Harxhi "Presidenti, duke mos e miratuar atë, tejkaloi kompetencat e tij". Sigurisht që kjo s'ishte aspak e vërtetë, përkundrazi Kryeministri bëri një shkelje të rëndë të kushtetutës dhe të praktikës së vendosur, për propozimin dhe caktimin e ambasadorëve dhe jo unë. Në një kohë kur dihet që vende të zhvilluara si Anglia, edhe pse nuk ka kushtetutë, për zgjidhjen e çdo rasti veprohet në bazë të precedentit të ushtruar më parë, të cilat kthehen në ligje të pashkruara. Kurse tek ne ndodhin çudira, sepse kërkojmë të injorojmë praktikat e mbështetura në kushtetutë dhe ligjet e shkruara. Pra këto veprime tregonin se ai po kërkonte me çdo kusht të realizonte ato që donte, pavarësisht se sa të drejtë kushtetuese apo ligjore kishte. Dhe më e forta qe, se për të më sfiduar mua, Harxhin e emëron Zv. Ministre në Ministrinë e Jashtme, të shoqëruar me një tiradë shumë mburrëse në mbledhjen e qeverisë nga vetë ai, kurse Kongolin e emëron Drejtoreshë në Ministrinë e Jashtme! Karshillëqet e Berishës tregonin se ai donte të ishte një Kryeministër me të drejtat e Presidentit, gjë të cilën unë as që kisha ndërmend t'ia lejoja kurrë ndonjëherë.

Skandali me Papulias

Por krahas telasheve të brendshme, në atë kohë më ndodhi edhe një skandal diplomatik, si pasojë e dështimit të një përpjekje për një takim informal me Presidentin e ri të Greqisë z.Papulias. Më 15 shkurt të vitit 2005, mendova të bëj një hap drejt përmirësimit të kontakteve me Kreun e Shtetit Helen, të cilat jo për fajin tim, s'ishin të atij niveli si me Kryetarët e Shteteve të tjera të Rajonit, ndaj për këtë qëllim, disa ditë pas zgjedhjes të Z. Papulias si President i Greqisë, përveç telegramit protokollar që dërgohet në këto raste, pata dëshirë të kisha me të një lidhje telefonike, për ta uruar verbalisht. Gjatë bisedës, midis të tjerave i propozova të kemi ndonjë takim informal një ditor, tek ne në Shqipëri ose në Greqi, në afërsi të kufirit, sikurse e aplikoja edhe me presidentët e tjerë të rajonit. E mirëpriti, duke e lënë që fiksimin e datës ta ndiqnin kabinetet tona. Atë ditë që kishim lënë bisedën telefonike, befasohem kur kabineti im më njofton, se një nga funksionarët e ambasadës greke ka shfaqur dëshirën për të qenë prezent gjatë bisedës sonë! Sigurisht që nuk pranova, sepse e quajta të panevojshme prezencën e një diplomati të huaj në zyrën time, gjatë bisedës miqësore me homologun tim. Mandej më pas, takimin informal e bëmë më 28 mars në Janinë. Në kthim të atij takimi, më vonë u ra dakord që takimin tjetër ta bënim më nëntor në Sarandë. Por para se të shkoja në Sarandë për këtë takim, u informova se organizata "Çamëria" këtë ditë kishte vendosur të zhvillonte një manifestim paqësor. Sigurisht që s'më erdhi mirë që ata kishin zgjedhur këtë ditë, por nuk mund të kërkoja anulimin e manifestimit, duke e konsideruar si një të drejtë demokratike të tyre. Keqardhja ime u shtua më shumë, kur në 2009-n ata iu nënshtruan kërkesës së Berishës dhe protestën e kryen një ditë para se të vinte Karamanlis në Tiranë, që në fakt ishte një nënshtrim dhe jo përpjekje për të kërkuar të drejtat e tyre. Dhashë porosi që pjesëmarrësit të manifestojnë në mënyrë krejt paqësore, duke qëndruar në distancë nga rruga ku do të kalojë automjeti i Presidentit Papulias. Për këtë qëllim, në mëngjesin e ditës që pritej ardhja e Presidentit mik, thirra Drejtorin e Policisë dhe Kryetarin e SHISH-it të Qarkut, të cilëve ju dhashë porosi të veçanta për të bërë kujdes që nga manifestuesit të mos shkaktohej ndonjë skandal. Ndërkohë u interesova se çfarë kishin të shkruar pankartat që mbanin në duar manifestuesit. U njoftova se ata i drejtoheshin në gjuhët shqip, anglisht dhe greqisht, Papuliasit "President i ynë". Ndërkohë më informuan se personat e sigurisë greke po tregohen shumë të shqetësuar dhe të nervozuar. Për habinë time, rreth orës 12.30 Drejtori ynë i Protokollit të Shtetit më njoftoi se, miku që pritej doli nga konsullata Greke e Gjirokastrës dhe po largohej drejt Kakavijës. Sigurisht u befasova dhe s'më erdhi aspak mirë për qëndrimin e tij jo korrekt dhe pse e kisha të vështirë ta besoja, pasi përpara se të merrte vendimin ekstrem, të paktën duhet të më kishte bërë një telefonatë kortezie. Megjithatë, për t'u bindur saktësisht për çfarë po ndodhte, në orën 13.00 e marr z. Ppapulias në telefon, nëpërmjet celularit të ambasadorit Karkabasis që e shoqëronte, dhe i thashë se ç'është kjo që po ndodh?! Më tha se nuk mund të vinte për të më takuar nën presionin manifestuesve të "Çamurijasve", siç i thërrasin grekët shqiptarët tanë të asaj krahine shqiptare. I thashë se unë jam në hotelin ku ishte parashikuar takimi, dhe nga dritarja nuk shikoj asnjë manifestues me përjashtim të personelit të shërbimit. Ata, i thashë, nuk janë më shumë se një qind vetë dhe janë të distancuar. Besoj se ju e kuptoni që është e drejta e tyre demokratike të manifestojnë në mënyrë paqësore, ndaj kjo që po bëni pa mëdyshje mund të quhet skandal diplomatik ndërkombëtar. Duke ndjerë indinjatën time gjatë bisedës me të, më tha në qoftë se dëshiroja mund të takoheshim atë natë dhe të darkonim bashkë diku, propozim të cilin nuk e pranova, sepse nuk m'u duk aspak dinjitoze dhe serioze ajo që ndodhi. Më vonë informohem se, kur unë po bisedoja me të në telefon, mediat greke po jepnin lajmin se Papulias anuloi takimin me Moisiun. Ndërkohë ai e kish kaluar Kakavijën. Këtij veprimi si President i një vendi fqinj, aspak dinjitoz, rreth orës 14.00 iu përgjigja me një deklaratë të fortë, nëpërmjet zëdhënëses time. Më pas Besnik Mustafaj si Ministër i jashtëm, Arta Dade e PS-së dhe Ilir Meta nga LSI-ja e kritikuan qëndrimin e Papuliasit duke e quajtur atë si një veprim të pa precedent. Më bëri shumë përshtypje ky qëndrim i palës greke, kur Presidentit Klinton, me rastin e vizitës së tij në Athinë, ata e pritën me vezë të prishura dhe domate, kurse në rastin e manifestuesve tanë, diplomacia greke demonstroi një qëndrim me dubël standard ndaj nocionit demokraci.

Sulmet e Jozefinës

Ndërkohë Jozefina Topalli më 12 dhjetor doli me një sërë akuzash ndaj meje si President, ndaj Prokurorit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së lartë, me pretekst që po heshtej ndaj propozimeve të bëra nga z. Kreshnik Spahiu në lidhje me reformat në drejtësi. Dihej që Spahiu në mënyrë indirekte kish filluar t'i shërbente qëllimit të tij, që kur propozoi ndryshimet në ligjin për KLD-në, sikur gjoja ato mendime vinin nga shoqëria civile, por në fakt ato ishin të kopsitura në zyrat e Jozefinës. Këto veprime karieriste të Spahiut nuk kërkonin shumë mund për t'i kuptuar, sepse ndërkohë edhe mua indirekt po më servirnin mendime dhe propozime për të, si kandidaturë e mundshme në vendin e prokurorit të përgjithshëm. Sigurisht nuk mund të heshtja përpara këtyre manovrave, të qepura si i thonë me penj të bardhë, ndaj porosita daljen e zyrës së shtypit me një njoftim ku të qartësohej se detyrat e secilit institucion janë të ndara në bazë të kushtetutës e me ligje, dhe se mosmarrëveshjet midis institucioneve nuk zgjidhen me daljet në media. Kurse për të luftuar korrupsionin nuk mjaftojnë fjalët dhe akuzat e pa argumentuara, por duhen ligje që t'u presin rrugën dhe t'u zënë shtigjet abuzuesve që kanë këto qëllime.
Ndërkohë sulmet politike direkt dhe indirekte ndaj meje vazhdonin. Shtypi pro PD-së i intensifikoi ato më tej, me shpifje nga më të fëlliqurat, duke pasur si gjithnjë flamurtare të parë gazetën "Tema". Kështu në këtë gazetë papagalle, më 14 dhjetor botohet një shkrim me titull sensacional "Moisiu harxhon 2800 $ në ditë"! Dashakeqe dhe shumë bajate gjetja nga Mero Baze, për t'u rrëfyer shqiptarëve se kush është presidenti i tyre, që u hiqet si një engjëll. Nuk besoj se ka pasur apo ka president në ndonjë vend më të pasur të botës, që për probleme të përdorimit personal mund të konsumojë një shumë të tillë në ditë, dhe jo më pastaj të imagjinohet për një president shqiptar! Kuptohet ky ishte një tjetër presion ndaj meje, që bëhej vetëm për t'u hapur rrugë shkeljeve kushtetuese të Berishës.

Por me sa u pa, çështja e gjoja shpërdorimeve financiare nga ana e presidentit në gazetën Tema, ishte fillimi i një fushate kundër të gjitha institucioneve të pavarura, për të ushtruar mbi to presion financiar, në mënyrë që të mos ishin në gjendje të kryenin detyrat e tyre kushtetuese, qëllimshëm për t'u gjunjëzuar para kërkesave të Berishës. Kështu në mbledhjen e qeverisë më 16 dhjetor, Kryeministri Berisha duke kërkuar shkurtimin e fondeve për vitin 2006 për institucionet e pavarura, me papërgjegjshmërinë e tij karakteristike, i emërton ato si të babëzitura dhe kërkuese të luksit! Dokumentet që disponoheshin në arkivin e Presidencës të kohës kur Berisha ishte President, edhe pse ishin mbajtur shumë të parregullta, tregonin jo vetëm për mbishpenzime, por edhe për abuzime të mirëfillta të pushtetit presidencial për shpenzime të ndryshme financiare. Kështu u gjetën dokumente të asaj periudhe, ku shefja e financës së presidencës, në formë urdhëruese i kërkonte Ministrisë së Financave shuma të ndryshme parash, për të përballuar shpenzimet plotësuese të presidencës. Jo vetëm kaq, por kjo ministri urdhërohej që disa nga shpenzimet operative të presidencës t'i përfshinte për llogari të tyre, gjëra këto absolutisht të padrejta dhe abuzive!...

Problemet me KLD

Duke dashur të çonin deri në fund mendimin për të rregulluar KLD-në sipas idesë së tyre, mazhoranca hartoi një ligj, që vetëm i tillë nuk mund të quhej. Ai ligj do të na krijonte telashe të mëdha, sepse jo vetëm që hapte vënde vakante, por krijonte në KLD një situatë destabilizuese, ndaj si të tillë me të drejtë Gjykata Kushtetuese e ktheu. Pra nisur nga problemet që vinin si pasojë e atij ligji, isha në dilemë për miratimin e tij. Për këtë qëllim thirra znj. Topalli për të biseduar në parim, pasi të gjitha ligjet që po më dërgoheshin rezultonin të pastudiuara mirë, të cilat shpesh binin ndesh edhe me ligjet paraardhëse. Ndaj i kërkova Kryetares së Kuvendit, që aparati juridik i saj të ishte më i kujdesshëm në përgatitjen dhe hartimin përfundimtar të ligjeve që dërgoheshin për dekretim në Presidencë. I thashë se ligji për KLD-në, më shumë krijon probleme sesa i zgjidh ato, pra për atë ligj kisha shumë vërejtje, megjithatë nuk po e kthej, por po e lija të kalonte në heshtje. Pas kësaj Jozefina kërceu menjëherë, dhe më erdhi shumë keq që qëllimit tim të mirë për mirëkuptim, iu përgjigj me arrogancë të shfrenuar. Ajo ende nuk e kishte kuptuar se unë nuk punoja për të ruajtur me çdo kusht postin e Presidentit, por punoja me shpirt dhe drejtësi për popullin tim.

Në dhjetor, Konferenca e Gjyqësorit Shqiptar, sipas ligjit dhe të drejtës kushtetuese, midis të tjerëve ajo zgjodhi si anëtar të KLD-së edhe gjyqtarin e Lushnjes Artan Gjermeni, ndaj të cilit ekzistonin disa dyshime në veprimtarinë e tij si gjykatës, në lidhje me bandën e Aldo Bares. Pikërisht për ato dyshime, kohë përpara, unë nuk e kisha dekretuar si anëtar të gjykatës së krimeve të rënda. Dyshimet për të edhe pse ende nuk ishin vërtetuar, zgjedhjen e tij e shihja jo pozitive, por s'kisha se ç'të bëja, sepse ligji ishte i prerë dhe kompetencat e mia ligjore ishin të kufizuara. Ndoshta shtypi i djathtë mund të kishte të drejtë që reagoi zhurmshëm, por ja që nuk ekzistonte asnjë rrugëzgjidhje ligjore për të hedhur poshtë vendimin e Konferencës Gjyqësore. E vetmja rrugë ligjore ishte verifikimi i figurës së tij në lidhje me dyshimet që ekzistonin të cilat, në respekt të ligjit për të drejtat e njeriut, duheshin provuar. Menjëherë Ministrave Bumçi dhe Olldashi ju dhashë porosi që të verifikonin saktësinë e dyshimeve dhe të më informonin, sepse pa i qartësuar ato nuk mund të bënim kostituimin e tij si anëtar i KLD-së. Ndërkohë sipas ligjit, konstituimi duhet të bëhej në mbledhjen më të parë të bënte Këshillit. Në këto rrethana vendosa, që për një kohë të pacaktuar, të mos e mblidhja KLD-në, duke pritur rezultatet e investigimeve sipas porosive që kisha dhënë. Në një nga takimet me Kryeministrin, kur biseduam për atë çështje, më sugjeroi ta përzija nga Këshilli. I befasuar nga ky mendim i tij, i thashë se këtë nuk mund ta bëj, sepse nuk ma lejonte ligji, pavarësisht nga mendimi që kisha për të. Historia e tij vazhdoi gjatë. Më vonë vazhduan shumë debate si në KLD ashtu edhe në shtypin pro qeveritar, duke më bërë edhe mua bashkëfajtor, me lloj -lloj akuzash dhe shpifjesh nga më të ndryshmet. Por sa paradoksale! Pas largimit tim si President, zhurma nga spektri i djathtë për çështjen "Gjermeni" u shua. Ai vazhdon i pashqetësuar të konsumojë ende mandatin e tij si anëtar i KLD-së. Nuk e kuptova, kthesën e fortë që u bë, nxorën ndonjë të dhënë e re, që hodhi poshtë dyshimet për të, apo me përfundimin e mandatit tim Berisha, nuk pati më interes të merrej më tej me çështjen "Gjermeni"?!

Po këtë ditë, Berisha dha një konferencë shtypi kushtuar 100 ditëve të qeverisjes. Ndër të tjera atë e pyetën edhe për marrëdhëniet President-Kryeministër. Me të drejtë ia bënë atë pyetje, sepse midis nesh ishte krijuar një situatë shqetësuese, jo vetëm për ne që jemi shtet demokratik, por s'qe normale as edhe për vende diktatoriale. Sepse edhe Mugabja, që Berisha e përmend dendur si model diktatori, arriti të komunikojë me Tsavangirain, kundërshtarin e tij të madh. E paparë dhe e padëgjuar, që Kryeministri të ndërpresë takimet me Presidentin, të mos takojë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, atë të Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit, Drejtorin e SHISH, Kryetarin e KLSH-së dhe shumë personalitete të institucioneve të pavarura, duke treguar hapur me veprimet e tij se do të bënte të pamundurën për zëvendësimin e tyre. Por si do ta realizonte këtë, e dinte vetëm Berisha. Qëllimi i tij ishte të shtinte në dorë institucionet e pavarura, pasi sikurse vërtetuan ngjarjet e mëvonshme, ato i shihte pengesë për realizimin e planeve të tij aspak të ndershme, ekonomike dhe politike.
Duke parë babëzinë e Kryeministrit për të sunduar kudo, nga fundi dhjetorit në një intervistë, ndër të tjera theksova: "Lërini institucionet e pavarura të punojnë" ! Dhe përsa i përket dëshirave të kujdoqoftë ,"Unë nuk do të lejoj të shkelet kushtetuta dhe ligjet në fuqi"! Pikërisht këtë qëndrim të palëkundur mbajta deri në fund të mandatit tim presidencial, pavarësisht shqetësimeve të krijuara nga veprimet e tyre të papërmbajtura dhe të shëmtuara!

Aktivitetet ndërkombëtare

Veç të tjerave viti 2005, ishte i mbushur edhe me mjaft aktivitete ndërkombëtare të rëndësishme për mua. Kështu më 18 shkurt mora pjesë në inagurimin e mandatit të dytë të Presidentit Mesiç në Zagreb, ku ishin pjesëmarrës dhe shumë presidentë të tjerë, me të cilët pata takime dhe bisedime të ndryshme. Ndër takimet që bëra gjatë asaj kohe, më i spikaturi ishte ai me presidentin e Serbisë Tadiç, i kërkuar prej tij. Në fillim e mori fjalën Tadiç, i cili gjendjen në Kosovë e paraqiti të zymtë, duke thënë se atje po vuajnë si serbët ashtu edhe shqiptarët, kurse pavarësia e Kosovës për të ishte zgjidhje papranueshme. Këtë ide të tij e kundërshtova në mënyrë kategorike, duke i thënë se Kosova po shkon drejt pavarësisë së pakthyeshme, ndaj nuk duhet të merreni shumë me kufijtë, pasi të gjithë po punojmë për të arritur integrimin evropian, ku kufijtë kthehen në diçka konvencionale, duke e humbur kuptimin e tyre nacionalist. Gjithashtu i përsërita mendimin tim, të cilin ua kisha shprehur edhe më parë shtetarëve serbë : "Të mos merremi me të shkuarën, të jemi realistë dhe të shikojmë përpara". Me keqardhje i shtrova pyetjen sesi është e mundur që deri tani asnjë nga udhëheqësit serbë, pas dhjetë vjet luftërash, vrasjesh, djegiesh, shkatërrimesh në Ballkan, nuk ka marrë guximin të kërkojë falje, për këtë gjë ai heshti.
Më 11 mars bëra një vizitë zyrtare në Mal të Zi. Rëndësia e kësaj vizite ishte e dyanshme, pasi Republika e Malit të Zi ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve që banojnë atje, ndërsa për ne ishte e rëndësishme sepse na duhej të përmirësonim më tej marrëdhëniet me të, si një fqinj verior, ku mbi 7% e nënshtetasve janë me kombësi shqiptare, si dhe të siguronim mbështetjen e këtij shteti për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit të Kosovës.

Më 15 mars, bashkë me shumë kryetarë shtetesh të Europës, mora pjesë në inagurimin e muzeut të holokaustit Jad Vashem në Jeruzalem. Në këtë muze tregoheshin të gjithë vuajtjet e popullit izraelit gjatë Luftës së Dytë Botërore, të shkaktuara nga nazizmi gjerman. Në hartën evropiane, ku përbri emrit të çdo shteti tregohej sesa hebrenj i janë dorëzuar nazistëve gjatë asaj kohe, me krenari vura re se për Shqipërinë shifra ishte "zero". Jo vetëm kaq, por aty tregohej se në fund të luftës në vendin tonë banonin më shumë izraelitë sesa në fillim të saj, kjo për pasojë të ardhjes tek ne të pjesëtarëve të këtij komuniteti nga Jugosllavija. Për këtë gjest human dhe burrëror, populli izraelit përherë ka shprehur dhe shpreh respekt të thellë dhe miqësor ndaj popullit shqiptar.
Ndërkohë kam patur përsëri disa takime informale dhe zyrtare me kryetarë shtetesh të rajonit dhe të Europës. Një nga vizitat më të veçanta do të quaja atë të Vienës, ku takova Presidentin austriak Fisher, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit etj. Në takimin me Presidentin Fisher biseduam për marëdhëniet dypalëshe, me shqetësim të dyanshëm u bisedua për Kosovën, ku unë ju përmbajta mendimit tim, se pavarësia e saj është zgjidhja më e mirë dhe se ajo ndikon në forcimin e sigurisë në rajon. Për çështjen e minoriteteve në Kosovë, u shpreha që koha do të tregojë se gjërat nuk janë aq të pamundëshme sikurse paraqiten. Në këtë vizitë, i shoqëruar edhe nga biznesmenë shqiptarë, një vend të rëndësishëm zunë takimet në sferën e biznesit, si ato me Kryetarin e Dhomës Federale të Ekonomisë, me Drejtorin e Përgjithëshëm të Raiffeisen Bank dhe me personalitete të tjera. Si rezultat i kësaj vizite, marëdhëniet ekonomike midis vëndit tonë dhe Austrisë morën zhvillim progresiv, sidomos në vitin 2006, me hapjen e dhomës së tyre tregëtare tek ne. Kënaqësi të veçantë ndjeva gjatë kësaj vizite, kur në një lulishte publike, që ndodhej në Moissi Gasse (Rruga Moisiu), emërtuar në respekt të tij shumë kohë më parë, u inagurua busti i artistit të madh me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, vepër e skulptorit durrsak Qazim Kërtusha. Në këtë ceremoni, përveç delegacionit tonë merrnin pjesë personalitete austriake qëndrore dhe vendore si dhe mjaft artistë të njohur dhe përfaqësues nga bota kulturore austriake. Ndërkohë, në momentin e zbulimit të bustit, më afrohet një artiste e moshuar dhe më thotë "Zoti President, ju dukeni që jeni fis i artistit të madh, sepse shikoj që keni shumë ngjashmëri në disa tipare të fytyrës me Moisiun e madh". Sigurisht që më erdhi mirë dhe e falenderova artisten për komplimentin që më bëri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).