Kronika e një mbrëmje shiu

Jo dje, por pardje pasdite deri në mbrëmje, Tirana u ndodh poshtë një furtune me rrebeshe shiu të fuqishëm që binin nga qielli si litarë. Përmbytje e madhe. Dukej se gjithçka lundronte mbi një oqean uji krejtësisht të lëkundshëm e pa pika të qëndrueshme. Pamjet që jepnin kanalet televizive dukeshin si apokaliptike. Dhjetëra vetura të kushtueshme brenda disa çastesh ishin fundosur poshtë masash uji që shpërthyen furishëm diku në një parking si gropë. Askush nuk kontrollonte vërshimin. Gjithçka e sheshtë. Vetëm disa sipërfaqe çati veturash të përmbytura dukeshin si teneqe pa vlerë, shkëputur nga kushedi se cila barakë, lundronin mbi ujin me llum. Një detaj mbetej vërtet tronditës. Uji ishte ngjitur deri në gjysmën e xhamit të pasmë të një veture, ndërsa fshirëset e tij vazhdonin ende të punonin. Ndoshta ishte e vetmja pjesë e saj që ende funksiononte. Më kot.  Diku kishte marrë një komandë dhe e zbatonte verbtazi. Mekanizmi punonte mirë, por pakuptim dhe padobi. Dukej si një puls pa jetë e diçkaje që po zhytej drejt pushimit absolut.
Mbi të gjitha, brenda në veturë nuk dukej të kishte njeri. Nuk ishte pra as një shenjë alarmi, nga dikush me shpirt që i bllokuar brenda ujërave me llum, të kishte gjetur si shenjë thirrje për ndihmë të lëvizte fshirëset e xhamit të pasmë.
Dukeshin si dy duar që ngriheshin lart, kryqëzoheshin, sikur thërrisnin për ndihmë. Jo, nuk kishte njeri. Boshatisja e asaj makine të përmbysur në një çast të vetëm, të jepte ndjesinë sikur në një sekondë rreziku vegla të ishte bërë me shpirt. Pluskonte, lëvizte krahët metalikë, sikur fliste e thërriste për ndihmë.
Ai rrebesh shiu dukej sikur po i jepte fund edhe një periudhe të ngarkuar politike zgjedhjesh. Natyra po periodizonte kohën politike.
Mjaft me zgjedhjet, merruni me zgjidhje!
Në të vërtetë mbrëmja e asaj pasdite me shi vazhdoi të ishte e ngjeshur me ngjarje politike. Parti të zhytura në ujë brenda një çasti të vetëm, kryqëzonin fshirëset e xhamave gjithë ankim, fate deputetësh, aleancash, shpresash të ushqyera më kot, të përmbytura.
Në ekranet televizive vazhdonin fshirëset që punonin vetiu, pa dobi, të fshinin xhamet e pasme të veturave të përmbytura.
Natën vonë, mbi ekranin e televizionit Klan, shfaqen militantë të Partisë Socialiste, të cilët kanë rrethuar një qendër votimesh.
«Fieri çohu, Fieri çohu!»
Brenda, anëtarë të komisionit të votimit. Nuk kuptoj asgjë se nga është e drejta, nga është e padrejta, por një gjë është e qartë. Nëse ka kundërshtime lidhur me mënyrat e numërimit të votave brenda kutive të mbetura, atëherë është e qartë që zgjidhja më e mirë do të ishte ajo ligjore. Jo me militantë. Kutitë e votimit duhej të shoqëroheshin menjëherë drejt Tiranës.
Folja «çohu!» në formën e vet urdhërore ose thërritëse,  semantikisht ka shumë kuptime, shumë më tepër sesa dukej në fillim kur askush nuk kishte ngè dhe kohë për t’iu kushtuar vëmendje sloganeve.
Çohu nga gjumi?
Çohu në revoltë?
Çohu në kuptimin e ngritjes shpirtërore?
Çohu nga vendi se dikush tjetër do të vijë në vendin tënd?
Kuptime krejt të ndryshme. Sidoqoftë, të gjitha nuancat duken disi shqetësuese. A mund të zgjidhet duke bërë thirrje për të çuar militantët nga gjumi, a në aksion të drejtpërdrejtë një problem procedural? Nuk e besoj sa më përket mua. Është një praktikë e rrezikshme për themelet e shtetit. Pavarësisht se cili ka të drejtë. Kutia e votimit dhe njerëzit në shesh vështirë se i zgjidhin problemet e njëri-tjetrit. Po sikur pala politike tjetër të thërriste nga ana saj: «Fieri ngrihu?» Shoh mes turmës dhe profile kandidatësh për deputetë.
Në Tiranë disa dhjetëra makina me njerëz tundin në shesh flamuj të Partisë Demokratike, amerikanë dhe të tjerë. Ndjehem paksa i siguruar kur mendoj se sheshi i Fierit dhe i Tiranës ndodhen sidoqoftë disi larg njëri-tjetrit.
Vegime filmash dhe letërsie më qarkullojnë në imagjinatë. Nuk di se përse më asociohen skena filmi nga «Nusja dhe shtetrrethimi». Pastaj Diana Vorpsi e “Prillit të Thyer” qysh hyn tek të ngujuarit atje në kullën malësore duke i ikur si nëpër ëndërr bashkëshortit të saj.
Pajtoni «fuori strade» ka qëndruar mënjanë në pritje.
Fshirëset e xhamit të pasmë punojnë pa pushim.
Deputetja e ardhshme, aktorja e njohur Rajmonda Bulku, çan një turmë që e përmbledh brenda një rrethi shumë të ngushtë. Synon për të shkuar tek të ngujuarit. Trimëri? Patjetër. Por, më duket jo fort i gjetur pasioni i saj. Mund të sillte konfrontime të pariparueshme mes forcave të policisë që u sulën ta mbronin dhe militantëve të inatosur. Një grupim i revoltuar mendon se ka gjithnjë të drejtë. Vetëm Sartri ka çarë përmes një sheshi të rrethuar pa u ngacmuar. Të tjerët… kanë nevojë për policë, për shumë policë. Sidoqoftë një femër ka vend për t’u respektuar, edhe kur akoma nuk ka imunitet. Nuk mund të rraset me forcë e të shtyhet si mos o Zot rrëzë një muri.
Me ndërgjegje qytetare Artur Zheji, i ndodhur në studion e Klan, me elokuencë të spikatur, me të drejtë shpreh shqetësimin se transmetimi i atyre pamjeve filmike nëpër ekranet e stacioneve të huaja mund të sjellë reminishenca iraniane. Kush do t’iu japë paskëtaj viza shqiptarëve, ndërkohë që shihet se shteti ligjor përmbytet nga valë tufani pasionesh politike të pakontrolluara? I drejtë shqetësimi. Po atëherë përse i transmetojnë ato skena? A duhet hedhur në ekran, në kohë reale, pa regji, pa vendosje në skenë, pa filtra, gjithçka që ndodh? Do të bëhet edhe televizioni si interneti, skipe, etj., ku amatorë shkëmbejnë imazhe pa përzgjedhje?
Do ta flakë tej media bashkëkohore gazetarin si të tillë duke bërë një lidhje të shkurtër midis një kamere automatike të vendosur diku dhe një ekrani përballë një divani? Do të ishte katastrofë, sepse ndër të tjera do të ndizte shpirtin e turmës pa strukturë, pa ndërmjetës midis ngjarjes dhe vetes së saj. Si dikur turma që lidhej direkt me liderin, fyhrerin, komandanten.
Do të kishim paradoksin e medies pa ndërmjetës.
Të demokracisë direkte në një shoqëri me parlament.
Kriteri i objektivitetit, sigurisht. Objektiviteti pa strategji është naivitet. Por, në çastin e dhënë ndofta mund të mendohet edhe për imazhin e vendit. Ose jo. Por, atëherë nuk ka vend shqetësimi se mos sekuencat e transmetuara mund të sjellin pasoja negative për vendin.
Blendi Fevziu duket se është i mësuar me situata të pazakonta. E mbledh veten dhe nga ekrani thërret ndërgjegjen e drejtuesve politikë për t’i hequr militantët nga rruga. Refleks i drejtë, shpëtimtar. Askush tjetër nuk ndërhyn. Opinionistët e lodhur kanë ikur nëpër shtëpitë e tyre. Sa e ndërlikuar është mjeshtëria e gazetarit!
Më kujtohet se reporterët e mediave vizive ditën e zgjedhjeve raportonin gjithandej për një qetësi olimpike nëpër qytete, edhe në Fier, që pothuajse, sikurse shpreheshin, i kishte lënë pa punë. Ka nevojë për një formim në psikologji sociale gazetari. Dita e zgjedhjeve është kurdoherë një gjendje tensioni psikologjik për kombin. Kush nuk e vë re rrezikon të bjerë viktima e tij. Rrugët bosh si asnjë ditë tjetër tregojnë sensibilitet psikologjik kolektiv të rritur dhe jo një shtriqje gjumësore. Zgjedhja shoqërohet me ankth dhe ndjenja vetëfajësimi që i hidhen tjetrit. Zgjedhjet janë një ditë zgjedhjesh, vendosjesh të lira për fatet e vetes. Kanë ankth shpesh të pashprehur. Gazetari që nuk e di këtë rrezikon që të mos ndodhet pranë lajmit kur ai feks papritur. As të mos e parashikojë atë.
Gazetari me përvojë e ndjen se duhet ta kapërcejë kufirin që përcakton mjeshtërinë e tij. Bën thirrje. Gazetari si rregull vetëm raporton. Nuk është pasiv, por gjithsesi moralin e lajmit a komentit që bën e transmeton indirekt. Çdo fjalë ka pasoja ilokutore, themi ne, pra nxit veprim. Por, nuk ka kohë si duket për mesazhe të tërthorta. Thirrja bëhet direkt. Duket sikur jep alarmin. Përfytyrimet e fshirëse të xhamit që lajmërojnë rrezikun e përmbytjes së veturës më fanepsen përsëri.
Sesi u transformua media shqiptare këtë radhë zgjedhjesh parlamentare. Lëvizi midis modelit të medias së vërtetë, fletë–rrufeve, kamerës së fshehtë, ekraneve të bursave financiare, por që në vend të eurove tregojnë kuota fletësh votimi, letrave anonime, aparateve të propagandës të partive, makina bastesh a hedhjesh fall për polle dhe sondazhe. Ndjehet një shkarje që do të dojë kohë të rikuperohet.
Dritan Prifti pasi ka marrë mandatin e tij për deputet, duke përballuar sikurse shprehet presionet e së majtës tjetër rivale, nuk përjashton mundësinë për të mbështetur koalicionin e udhëhequr nga Partia Demokratike.
Shumëkush tkurret.
Nuk mund të kundërshtohet megjithatë se kemi të bëjmë me një refleks të shpejtë. Kur individë që thonë se janë të majtë, biles se rrjedhin nga familje të persekutuara e antikomuniste kandidojnë për Partinë Socialiste, përse kandidatë të majtë, në rrethana të caktuara, të mos i lejojnë vetes të mbështesnin të djathtën. Ky kod elektoral që nuk kam reshtur së kritikuari prej muajsh, duke e ironizuar si ligj elektoral jospanjoll, që nuk ka të bëjë fare me përvojën dhe realitetin ligjor në Spanjë, i përçudnuar tej mase, nuk të lejon të ndash se kujt iu dhanë votat. Partisë, kandidatit, kryetarit të partisë, grupit të kandidatëve në listë? Të kujt janë votat? Kaos legjitimiteti.
Kështu është ndërtuar në kontekste të caktuara qeverisja në vende të ndryshme. Presidenti Sarkozi merr në qeveri Kushnerin e majtë. Anxhela Merkel përfiton nga mbështetja luajale e socialdemokratëve gjermanë. Presidenti Obama lejon vend në ekzekutiv për republikanë… Çdo gjë ndodh.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha motivon ministrat se deri në shtator, kur të mblidhet Kuvendi i ri, qeveria do të funksionojë me ministra, jo me zëvendësministra. Ka të drejtë. Por, deri në shtator është shumë larg. Janë akoma edhe dy muaj. Kam ndrojë se administrata do të bjerë në depresion, sikurse thoshte Maks Ëeber. Sociologu i madh shprehej se në sistemet hierarkike, kur vartësi nuk e di se cili është shefi i vërtetë, rrezikon të bëjë deprimim. Bën sikur punon, por punon kot. Ndruaj se dy muaj pushime për parlamentarët e ardhshëm janë shumë. Ka nevojë të përcillet më shpejt mesazhi i elektoratit. Edhe hekuri rrihet sa është i nxehtë…
Fshirëset e xhamave në një ditë apokaliptike shiu mbi Tiranë përshëndesin festën, a thërresin për grupim, a japin sinjale rreziku.  

2 Komente

Dukej si një puls pa jetë e diçkaje që po zhytej drejt pushimit absolut.

Puls pa jete? - A mund te quhet puls at all? Nonsense (si i gjithe shkrimi)!

"...Një detaj mbetej vërtet tronditës. Uji ishte ngjitur deri në gjysmën e xhamit të pasmë të një veture, ndërsa fshirëset e tij vazhdonin ende të punonin. Ndoshta ishte e vetmja pjesë e saj që ende funksiononte. Më kot. Diku kishte marrë një komandë dhe e zbatonte verbtazi. Mekanizmi punonte mirë, por pakuptim dhe padobi. Dukej si një puls pa jetë e diçkaje që po zhytej drejt pushimit absolut..."

".... Boshatisja e asaj makine të përmbysur në një çast të vetëm, të jepte ndjesinë sikur në një sekondë rreziku vegla të ishte bërë me shpirt. Pluskonte, lëvizte krahët metalikë, sikur fliste e thërriste për ndihmë..." 

 

Dhe ndihma erdhi, koalicioni, kompromisi. 

 

"....Ai rrebesh shiu dukej sikur po i jepte fund edhe një periudhe të ngarkuar politike zgjedhjesh. Natyra po periodizonte kohën politike. 
Mjaft me zgjedhjet, merruni me zgjidhje!..." 

 

E qe te merresh me zgjidhje, duhet te drejtojne specialistet/ekspertet e fushave te ndryshme dhe jo pseudot. 

 

"....Kutia e votimit dhe njerëzit në shesh vështirë se i zgjidhin problemet e njëri-tjetrit..." 

Ne Shqiperi ekziston me se shumti qe politikane te ndryshem , nderhyjne ne proçese te shtetit, duke ia veshtirsuar punen ketij te fundit. 

 

"....Më kujtohet se reporterët e mediave vizive ditën e zgjedhjeve raportonin gjithandej për një qetësi olimpike nëpër qytete, edhe në Fier, që pothuajse, sikurse shpreheshin, i kishte lënë pa punë. Ka nevojë për një formim në psikologji sociale gazetari. Dita e zgjedhjeve është kurdoherë një gjendje tensioni psikologjik për kombin..." 

 

Siç e kane thene dhe filozofet dikur, aty ku duket qetesi, fshihet nje vullkan i se nesermes.  

 

"....Ky kod elektoral që nuk kam reshtur së kritikuari prej muajsh, duke e ironizuar si ligj elektoral jospanjoll, që nuk ka të bëjë fare me përvojën dhe realitetin ligjor në Spanjë, i përçudnuar tej mase, nuk të lejon të ndash se kujt iu dhanë votat. Partisë, kandidatit, kryetarit të partisë, grupit të kandidatëve në listë? Të kujt janë votat? Kaos legjitimiteti..." 

 

Ne mos gaboj (se nuk jam specialist ligjesh) , kete lloj sistemi rrompalle ligj-zgjedhjesh , e kane dhe Belgjika e disa vende te tjera europiane. Per rastin e Shqiperise, ai sistem ligj-zgjedhjesh, rezultoi jo dhe aq i sukseshem.  

 

"....kryeministri Berisha motivon ministrat se deri në shtator, kur të mblidhet Kuvendi i ri, qeveria do të funksionojë me ministra, jo me zëvendësministra.... Por, deri në shtator është shumë larg. Janë akoma edhe dy muaj. Kam ndrojë se administrata do të bjerë në depresion, sikurse thoshte Maks Ëeber...." 

 

Une do te shtoja se mund te bjere ne anarshi, ne mos zgjidhjen e halleve te popullit, gje qe do te shtoje urrejtjen e tij ndaj shtetit, administrates, Buall Mavrise. Prandaj ne nje vakum te tille, veprojne segmentet e shtetit, te prefekturave, jo vetem per kontrroll por dhe per mbarvajtjen e puneve.  

Artikulli ishte i kapur shum bukur, sidomos me metaforen e fshirses se xhamit.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).