Kosova, shteti më i izoluar në botë

Në një hulumtim të “Forum 2015”, të publikuar të enjten në Prishtinë, vlerësohet se Kosova është vendi më i izoluar në botë me të drejtë udhëtimi pa viza vetëm në katër shtete, ndërkaq edhe niveli i refuzimit të vizave “Schengen” është më i lartë në rajon. 

Në prezantimin e raportit “Të jetosh në geto” të publikuar nga “Forum 2015” në të cilën paraqiten 10 argumente se pse Kosova është vendi më i izoluar në botë, duke lënë pas edhe Afganistanin, Irakun, Somalinë, po ashtu u vlerësua se kosovarët janë 3 herë më të refuzuar për viza “Schengen” se të gjitha shtetet përreth, ndërkaq edhe kur i posedojnë këto viza nuk mund të udhëtojnë në të gjitha vendet nënshkruese të këtij traktati, praktikë kjo që nuk është zbatuar kurrë më parë.

Muhamet Mustafa, nga Instituti “Riinvest” vlerësoi se Kosova duke qenë një shtet i ri, duhet përballur me faktin se kemi një ekonomi të paqëndrueshme dhe rrjedhimisht qytetarët “detyrohemi” të jemi të durueshëm. Sipas tij, institucionet e vendit janë të brishta dhe nuk kanë forcë që të mbrojnë dinjitetin e qytetarëve të tyre.

Ai vlerësoi se klasa kosovare politike por edhe të gjithë “ne që jemi këtu” nuk e ndiejnë çështjen e problemit të vizave në përmasa që ka tek qytetarët e zakonshëm. 

Luan Shllaku, njëri nga udhëheqësit e ekipit të studimit që mbështetet në hulumtime në dy periudha të ndryshme, në muajt shtator-nëntor 2008 dhe muajin prill 2009, vlerësoi se raporti nuk fokusohet vetëm në çështjen e vizave, por shpreh edhe izolimin e Kosovës në përgjithësi.

Ai vlerësoi se përfundimisht është koha e fundit që çështja e izolimit të Kosovës të kalojë në teh të veprimit të politikbërjes kosovare.

Sipas tij, aplikuesit për viza në Kosovë refuzohen në shifrën prej 37%, ndërsa kjo tha se është shumë më e lartë se në shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo, sipas tij, nënkupton se kosovarët janë 3 herë më të refuzuar për viza se të gjitha shtetet përreth. 

Në raportin “Të jetosh në geto” të publikuara nga “Forum 2015” po ashtu vlerësohet se kosovarët si më të izoluarit në botë vetëm në katër shtete mund të udhëtojnë pa viza, shumë vende akoma nuk e kanë njohur pasaportën kosovare dhe një pjesë e madhe e kufijve të saj janë të pakalueshëm.

“Niveli i refuzimit të aplikimeve të qytetarëve të saj, për viza Schengen është shumë i lartë. Kur kësaj i shtohet fakti se nuk ka politika afirmative për të ndryshuar këtë situatë, në BE dhe në disa vende anëtare të saj, situata bëhet e pashpresë për një të ardhme, të paktën të afërt”, thuhet në studim.

Referuar studimit, kosovarët edhe paguajnë vizat më të shtrenjta në rajon, duke paguar mesatarisht 119 euro nëse aplikojnë në Prishtinë dhe 132 euro në Shkup, që krahasuar me rrogën e shërbyesve civilë të Kosovës një aplikim për vizë merr afër 60% të rrogës. 

“Kosova është vendi të cilit i është vendosur regjimi i vizave nga më së shumti shtete. Numri i shteteve ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza është 4 dhe ky është numri më i vogël sot në botë. Pas Kosovës, vjen Afganistani me 20 shtetet ku qarkullojnë lirë dhe pa viza, Iraku me 23, Somalia me 25 vende ku udhëtojnë pa viza”, bëhet e ditur në raport. 

Po ashtu, Kosova është i vetmi vend në Ballkan të cilës i duhen viza për të udhëtuar edhe brenda këtij rajoni. Nga 10 vende ballkanike, kosovarëve duhet të udhëtojnë me vizë në Bullgari, Rumani, Greqi dhe Kroaci, ndërsa nuk mund të udhëtojnë fare në 2 shtete në Serbi dhe Bosnjë. Të vetmet vende ku qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirisht janë Shqipëria, Maqedonia, Mal i Zi dhe Turqia.

Shteti më i ri në botë është i vetmi që Bashkimi Evropian nuk ka politika afirmative për lehtësimin e vizave, ndërsa ka më së paku kontrata bashkëpunimi me vendet e BE-së dhe vendet tjera në bazë të cilave kontrata do të pranoheshin punëtorë, studentë etj.

“Qytetarët e Kosovës edhe kur posedojnë viza ‘Schengen’ nuk mund të udhëtojnë në të gjitha vendet nënshkruese të këtij traktati. Kjo praktikë nuk është zbatuar kurrë më parë nga cilado anëtare e ‘Schengen’. Një numër i konsiderueshëm i shteteve minusohen nga vizat e dhëna dhe këto shtete nuk janë vetëm ato të cilat nuk e kanë pranuar akoma Kosovën”, vlerësohet në raport.

Shteti i Kosovës, po ashtu, ka më së paku qasje dhe anëtarësi në strukturat ndërkombëtare, ndërqeveritare, ajo është shpesh e injoruar nga ueb faqet zyrtare dhe komerciale, si dhe eksporti i prodhimeve kosovare bllokohet nga disa vende fqinje. Ndërsa, një çështje tjetër paradoksale që paraqitet në studim është se edhe pse Kosova është shteti më i izoluar në botë, Kosova i ka plotësisht të hapura dyert e veta për të gjithë qytetarët e globit, të cilët mund të udhëtojnë lirshëm dhe pa viza në Kosovë.

Në anën tjetër, këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Duraku nuk beson se Kosova po izolohet, pasi që sipas tij, gjërat kanë ecur para.

Ai pohoi se në mënyrë të heshtur disa shtete kanë filluar lehtësimin e vizave për Kosovën edhe pse nuk ka një politikë të unifikuar për këtë çështje në BE. Po ashtu, sipas tij, tashmë me disa shtete kanë filluar negociatat për riatdhesim ndërsa me disa tjera kanë përfunduar bisedimet. (KosovaLive) 
 

6 Komente

Hehehe, dhe e forta eshte qe Kosova e ka kontrollin doganor dhe te kufirit shume me te forte se Shqiperia (sipas nje gazetari anglez qe ndoqi riatdhesimin e disa refugjateve prej Ingliterres drej Tiranes dhe Prishtines. Ne Prishtine ishte rregull, ne Tirane rrumpalle)

Associacion makaber, i reperseritur per shqiptaret, tek te cilet liria si rregull paraqitet ne forma shume groteske.

Liria dhe normaliteti duket sikur nuk jane koncepte kufitare per ne.

Të vetmet vende ku qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirisht janë Shqipëria, Maqedonia, Mal i Zi dhe Turqia.

jo meeee!!!! Ca rastesie edhe ne ne rajon levizim pa viza vetem ne Kosove, Maqedoni, Mal i Zi dhe Turqi (vize 10 Euro ne Aeroport).

Ca jane keto fare raportesh?! Apo hajt mo, justifikojme paret e grantit?

 Kur ua heqin vizen, ankoheni pse na e hoqen vizen, kur iu vejne viza thoni pse na vejne vizen! Popull qe s'merreni vesh ju shqiptaret mer yahoo.

kosova nuk duht te hete shtet, por pjese e shqiperise !

 elton, 

gjer atehere cer do bojne ata njerez qe jetojne aty brenda? 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).