Konsistencë Patetizmi

Pas presioneve diplomatike në bisedimet disamujore me diplomatët europianë dhe amerikanë në vjeshtën e vitit 2008, Serbia kishte pranuar shtrirjen e Misionit EULEX në gjithë territorin e Kosovës.

Ideja iniciale e misionit buron nga pakoja e Emisarit Martti Ahtisaari, e cila e rregullon Kosovën si shtet të pavarur. UNMIK’u është tërhequr nga përgjegjësia në terren, kurse EULEX’i monitoron drejtësinë, policinë dhe doganat kosovare.
Më herët gjatë këtij muaji, Qeveria e Serbisë u pajtua me kushtet e Komisionit Europian për liberalizimin e regjimit të vizave. Beogradi firmosi një dokument që, përkundër beneficioneve të mëdha, ndante fatin e popullit serb me serbët kosovarë. Këta të fundit, do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e Bashkimit Europian atëherë kur kjo mundësi do t’u jepet edhe më shumë se 90 për qind të qytetarëve tjerë të Kosovës.
Pothuajse paralelisht ndodhën edhe disa zhvillime në terren - në veri të Kosovës. Policët e revoltuar me Deklaratën e Pavarësisë u kthyen në punë; punonjësit e parë serbë u rishfaqen në Gjykatën në veri të Mitrovicës; lideri bandit Milan Ivanovic u paraqit për intervistë hetimore në polici nën dyshimet e një prokurori të EULEX’it për vepra serioze, kurse niveli i kontrabandës së mallrave është zvogëluar radikalisht.
Këto janë episode të një procesi të vetëm. Qeveria serbe kurrë nuk do ta kishte pranuar misionin EULEX, kriteret specifike për liberalizimin e vizave e as aksionet në veri të Kosovës po të mos ishin ambiciet dhe nevojat e saj për t’iu bashkuar BE’së.
Serbia po vë laps në pranimin indirekt të realitetit të pavarësisë së Kosovës dhe po përshtatet me realitetin në terren, duke lëvizur drejt procesit të integrimit europian.

Nga aspekti i trajtimit moral, ose atij të drejtësisë, shtrohet pyetja si serbët e Bosnjës u favorizuan përpara myslimanëve, pra xhelati përpara viktimës. Gjithnjë mbi parimin e moralit dhe të drejtës historike, edhe shqiptarët e Kosovës kishin të drejtë që u hidhëruan me progresin e serbëve të cilët pikërisht kanë qenë ndër faktorët e prapambetjes sonë për dekada me radhë. Në fund të fundit, ky rajon ka mundur të ketë qenë brenda BE’së ndoshta edhe para Polonisë dhe Çekisë, po të mos kishte qenë Serbia një distributore e tensioneve, dhunës dhe luftërave.
Megjithatë, në zhurmën kosovare, kishte një dominim patetizmi. Edhe një herë i dëgjuam argumentet për Europën plakë me shpirtin e saj të çeliktë, që i shpërblen vetëm miqtë e djallit. Dhe prapë sollëm ndërmend gjithë kalendarin e padrejtësive të saj kundër shqiptarëve për shekuj me radhë.
Parlamenti i Kosovës është ndoshta një reflektim perfekt i asaj çfarë ofron shoqëria kosovare aktualisht. Me argumente të tilla patetike në ambiente “elitare intelektuale”, nuk është larg mendsh që një ditë të shohim edhe liderë që janë prodhim i tyre - duke institucionalizuar politika zyrtare patetike.
Argumentet antieuropiane u përsëritën, ndonëse, ta zëmë, Franca dhe Gjermania i patën dhënë një legjitimitet të fuqishëm pavarësisë së Kosovës duke e njohur me shpejtësi Deklaratën e 17 shkurtit 2008. Si është e mundshme të harrohet momenti kur Nicholas Sarkozy, Presidenti i Francës, teksa vizitonte një shkollë në Paris disa ditë para pavarësisë sonë u tregonte nxënësve se në hartën e Europës një shtet i ri do të figuronte në Ballkan.
Ah, këto dy shtete bëjnë sikur thotë Amerika, do të thoshin! Franca dhe Gjermania janë aleatë të SHBA’së, por nuk e kishin përkrahur kur ajo ndërhyri në Irak.

Çfarë do të ndodhte po që se Franca, që është lidere e Bashkimit Europian dhe themeluese e këtij unioni 50 vjet më parë, do të bëhej hezituese?
Jo se duhet t’i gëzohemi mbetjes jashtë hapësirës së liberalizuar të vizave për një periudhë të shkurtë, por nëse e duam suksesin e këtij shteti, duhet t’i shfrytëzojmë shanset tona historike. Bashkimi Europian, për shkak të raportit që ka ndaj Serbisë, është arma më e fuqishme. Për më shumë, ky bllok, 81 për qind e së cilit e ka njohur vendin tonë, është faktikisht garant i pavarësisë së Kosovës.
Serbia nuk është tërhequr nga qëllimet e saj ndaj Kosovës.

Muajin e kaluar Presidenti serb Boris Tadic u bëri thirrje të hapur serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 17 nëntorit. Me veprime të ngjashme, ai dëshiron t’i ruajë pozicionet aktuale mes serbëve dhe shqiptarëve, përderisa vazhdon procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Liderët serbë e kuptojnë se çdo sinjal pozitivi integrimit pas pavarësisë do të mund të shkonte në dëm të kauzës së tyre në Gjykatën e Hagës.
Sikurse tregoi debati i kohës së fundit në Serbi, liderët në Beograd do të përpiqen me çdo kusht ta kthejnë Kosovën në tavolinën e bisedimeve nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t’u hapë ndonjë shteg. Ata do të tentojnë t’i joshin qendrat vendimmarrëse qoftë edhe me propozimin për ndarjen territoriale, për shkëmbimet territoriale etj.

Përball këtyre qëllimeve të Serbisë, të cilat duhet të merren seriozisht, Kosova do të lëvizë e patrazuar vetëm me marrëdhënie të fuqishme me Brukselin, të vendosura në një strategji të menduar mirë.

Një strategji e tillë do të përbëhej prej tri elementeve bazë: shfrytëzimin më të mirë të pranisë së BE’së dhe fondeve të saj në vend; qeverisjen më të mirë të mundshme për realitetin tonë brenda territorit dhe investimin masiv, pa u dorëzuar, në integrimin e serbëve, përmes mjeteve politike, ekonomike dhe arsimore.

1 Komente

Shkrimi më pëlqeu. Gjithashtu do të shtoja se përveç "patetizmit" siç e quan, një punë të madhe prish edhe fakti që akoma ka raste dhune kundrejt serbëve dhe romëve në Kosovë. Që nga fillimi duhej të ishte bërë e qartë që dhuna kundrejt tyre i shërben vetëm Serbisë. Udhëheqësit e Kosovës duhet ta kishin bërë këtë më se të qartë dhe jo vetëm ta përmendnin herë pas here kur i kujtonin qeveritë e huaja. Një faktor tjetër kryesor është informaliteti, korrupsioni, dhe krimi i organizuar. Njësoj si në Shqipëri qeveritarët parapëlqejnë kolltukun e paratë përpara nevojave të kombit. Kosova duhej të bëhej shtet shëmbullor, jo se do të ishte e lehtë, por se do të kishte përfitime të mëdhaja për vetë shqiptarët.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).