Kafazi i njerëzve

Periskopi / Dy shqiptarë në trenin e vijës hekurudhore Beograd-Zürich dhe një mijë iluzione të varrosura.

"Pasaporta është pjesa më vlefshme e një njeriu. Ajo nuk krijohet në mënyrë aq të thjeshtë sikur njeriu. Një njeri mund të krijohet çdokund, me mendjelehtësi dhe pa ndonjë arsye të fortë, ndërsa pasaporta kurrë. Për këtë shkak ajo edhe pranohet kur është e mirë ndërsa njeriu sado i mirë të jetë, prapë nuk pranohet."
Bertold Brecht, "Biseda me refugjatë"

Dikur, në fund të shekullit 19-të, për të udhëtuar nuk nevojitej vizë. Kush kishte para e dëshirë për të parë botën, mund të merrte Orient Express-in, trenin më luksoz të kohës, dhe të përshkonte së paku gjysmën e Evropës.

Ky tren qarkullonte nga Parisi në Stamboll dhe ndodhitë brenda tij u kanë shërbyer autorëve si Agatha Christie dhe Graham Greene si model për të shkruar romane. Më vonë, duke filluar nga mesi i viteve 60-të të shekullit 20-të, lidhjet me tren mes Turqisë dhe Ballkanit me Evropën Perëndimore u shpeshtuan.

Turq, shqiptarë, serbë, kroatë dhe boshnjakë udhëtonin me trena të veçantë, të ashtuquajtur "Gastarbeiterzüge", drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë për të punuar kryesisht në ndërtimtari. Ndodhën, pastaj, luftërat, kuptohet jo vetvetiu, por si pasojë e dalldisë nacionaliste. Kështu ishte në vitet 90-të.

Treni nuk mbeti më mjet i popullarizuar udhëtimi drejt Evropës. Njerëzit fatzinj iknin drejt pjesës paqësore të Kontinentit të Vjetër me autobusë, vetura e kamionë dhe, pak para kufirit, zbrisnin, vraponin drejt maleve dhe kalonin kufijtë ilegalisht.

Luftërat në Ballkan tani i takojnë të kaluarës, së paku kështu thonë politikanët. Por, rruga drejt Evropës Perëndimore për shumë popuj ballkanikë mbetet e bllokuar. Duhet vizë për të vizituar të afërmit në Gjermani, duhet vizë për të studiuar në Berlin dhe në München, në Zürich dhe në Vjenë.

Disa shtete, ta zëmë Serbia, po bëjnë çmos që t'i plotësojnë kushtet për heqjen e vizave, domethënë për t'u futur në listën e bardhë të Schengenit. Qytetarët e vendeve që (do t&eumlsmiley renditen në këtë listë, mund të vizitojnë çfarë të duan - nga Finlanda deri në Spanjë. Për këtë qëllim qytetarët e Serbisë tashmë po pajisen me pasaporta biometrike, të cilat janë parakusht për liberalizimin e vizave.

Shtete të tjera, ta zëmë Kosova, nuk lëshojnë pasaporta biometrike. Në sportelet e komunave kosovare qytetarët mund të marrin pasaporta të thjeshta, të cilat nuk përmbushin kriteret për heqjen e vizave nga BE-ja dhe nga vendet e tjera të hapësirës së Schengenit.

Do të shpallet edhe një tender për pasaporta biometrike, nuk dihet se kur, por do të shpallet. Qytetarët prapë do të qëndrojnë para sporteleve derisa dikush do të gëzohet që u shpall edhe një tender i ri! Dikush nga pushtetarët do ta dëgjojë sërish këngën "Love Me Tender" të Elvis Presley-t.

"Pra, pasaporta nuk është, siç kam menduar unë, një letër që dokumenton identitetin tonë, por një dokument që tregon se çfarë mendojnë të tjerët për identitetin tonë".
Orhan Pamuk, "Shikim nga dritarja ime"

Derisa institucionet e Kosovës do të plotësojnë kushtet për heqjen e vizave nga vendet e Schengenit me gjasë do të kalojnë ndoshta disa vite. Meqë njerëzit e Kosovës duan të mbijetojnë tani dhe të gjejnë punë, ata kërkojnë mënyra të tjera, herë legale, herë ilegale për të ikur nga ky vend.

Para pak ditësh në trenin e vijës Beograd-Zyrih, kur makinisti u ndalë në stacionin hekurudhor të Lubjanës, me brohoritje u futën në vagona dy shqiptarë nga Kosova.

Djem të rinj. Të veshur me tesha të vjetra. Të ngarkuar me çanta sportive. Të mbathur me këpucë të vjetra. Të lodhur. Me sy të zbehtë. Të etur. - Në kupenë tonë kishte vend, por dy bullgare, një plakë dhe një vajzë, ishin shtrirë gjerë e gjatë. Shqiptarët e rraskapitur rrinin në korridor dhe s'kishin guxim të hapnin derën dhe t'u thoshin këtyre dy zonjave të lirojnë vendet.

Bullgareve nuk u takonte më shumë se nga një vend. Treni ecte me shpejtësi. Shqiptarët kërkonin vend, mallkonin bullgaret e paskrupullta. Dikur nga mesnata u ndalën dritat.

Koha për të fjetur. Bullgaret flinin të qeta, ndërsa udhëtari i tretë në kupe nxori një llambë leximi, e cila varet në libër, nuk e pengon askënd me dritën e saj dhe i mundësonte lexuesit të lexonte romanin "Afrikani" të autorit francez J. M. G. Le Clézio. Shqiptarët që prisnin në korridor dhe s'kishin guxim të kërkonin të drejtën e tyre elementare, pra të hapnin derën dhe të zinin vend në kupe, nuk e dinin se lexuesi kuptonte shqip.

Ata bënë disa komente për "këta të Evropës" që lexojnë edhe natën, "sa budallë që janë", pastaj në adresë të bullgareve thanë disa fjalë që për shkak të higjienës publike s'po i përmendim. Dikur nga ora 01:00 e natës, kur treni tashmë ishte në Austri, nëpër korridor kaloi konduktori.

Hapi derën, i zgjoi nga gjumi bullgaret dhe ua bëri vendin dy shqiptarëve. Pas një ore lexuesi u tregoi atyre se është shqiptar. U stepën. ("Po ti hiç bre nuk po dukesh si shqiptar", tha njëri).

Treguan se janë pajisur me viza, pasi një pronar firme në Lubjanë i kishte rekrutuar si punëtorë fiktivë, vetëm sa për të marrë vizat e Schengenit, me të cilat tani po iknin në Zvicër. Në mëngjes zbritën në stacionin e trenit në Zyrih dhe humbën në masën e njerëzve.

Njëri tha se ishte nga Reçaku, tjetri nga Skenderaj. Vetëm një Zot e di nga do t'i përplasin valët e jetës këta dy varfanjakë. Përndryshe situata në Kosovë është stabile dhe me perspektivë. Kështu po thotë politika. Pse nuk po i besoni? Pse?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).