Humor, politika ndryshe

Gripi i derrave dhe standardet e Shqipërisë. Gjithë bota është vënë në alarm për gripin e derrave dhe nuk ka ditë që vendet fqinje të mos publikojnë lajme për numrin e të infektuarve, ndërsa në Shqipëri nuk ka asnjë lajm tjetër përveç fatit të kutisë së Fierit. Por, më alarmante bëhet situata kur specialistët vendas, që kanë qenë dhe kandidatë për deputetë, thonë se më me rrezik është garantimi i së drejtës së votës sesa virusi i gripit, i cili nuk e ka ndarë mendjen për të hyrë në vendin tonë. Gazetari Ilir Paço, i cili e ka ndjekur me vëmendje çështjen e virusit, deklaroi se çështja është shumë më serioze për Shqipërinë. “Ky vend nuk bënë para. Edhe gripi i derrit kapi gjithë rajonin, po nuk vjen këtu, se nuk ka standarde”.

Durrës-Kukës dhe kandidatët e PS-së. Kur zgjedhjet edhe kanë mbaruar, por edhe s’kanë mbaruar, kandidatët për deputetë bëjnë dhe bilancin e shpenzimeve. Me xhepat trokë pas një fushate që u kushtoi sa qimet e kohës në lokalin afër selisë rozë, deputeti i PS-së, Asllan Dogjani, bënte analizën e fitores së mandatit të tij në Kukës dhe humbjes së tre mandateve të tjera. Me pragmatizmin që shoqëron kandidatët në raste të tilla, Dogjani tregonte se një javë para se të bëheshin zgjedhjet kish mbledhur me “kuç e me maç” nja 8 autobuzsë me banorë të Kukësit. Qëllimi ishte sa fisnik, po aq dhe politikë. Pas një xhiroje me autobus, kandidati i PS shtroi një drekë nga ato që quhen “gjigante” për t’i “ushqyer” votuesit me alternativën e re të PS. Lokali u zgjodh diku në anë të rrugës Durrës-Kukës. Dogjani nuk e bëri publike shifrën që shpenzoi, por tha se gjithë votuesit kishin mbetur të kënaqur. Kjo ja shtoi bindjen se njëlloj si Skënderbeu në Krujë, socialistët do e merrnin kështjellën e PD-së në Kukës. Por çudia e kandidatëve të PS-së ishte pas votimit, ku dhe pse pjesëmarrja ishte mashalla, votat nuk po u dilnin siç i kishin parashikuar. U hap kutia e parë dhe një komisioner i PD me zë të trashë bërtiste për çdo votë që numërohej; “PD, PD, PD, PD, PD, PD, PD, ps, pastaj vazhdonte nga e para PD…”. I çuditur nga zgjedhja e kuksianeve, Dogjani bërtiste: “Ore, po a nuk ua dhamë atë drekën e fuqishme këtyre ne”. Një prej të pranishmëve ja kthen: “Po, ti u dhe, po i kalove nga rruga e Berishës, Durrës-Kukës, dhe s’u ka hyre farë në sy dreka”. Për zgjedhjet e ardhshme po mendohet se takimet në Kukës kandidatët t’i zhvillojnë vetëm në Bjeshkë.

Berisha dhe dëshira e liderëve botërorë. Kryeministri Berisha është ftuar që të shkojë në SHBA në një takim të liderëve ndërkombëtarë, ku thuhet se ka marrë dhe një çmim si politikani më i suksesshëm. Organizatorët e takimit kanë menduar që në takimin e liderëve të ketë dhe disa pyetje për të pranishmit, ku të shprehin dëshirat për të ardhmen. Berisha nuk është se bënë pjesë te të mëdhenjtë, po si komunisti-antikomunist i fundit që ka mbetur në Evropë, menduan ta përfshijnë dhe me pyetje. Për të shmangur ndonjë keqkuptim, pyetjet ua nisën që më parë. Kështu, Obama do të pyetet për të ardhmen e botës dhe ai do përgjigjej: “Miqësinë me islamin”. Merkel dhe Braun do pyeten për luftën në Irak. Berluskoni nuk pranoi të shkonte se kishte një takim në vilën e tij. Ndërsa përgjigjja e Berishës do jetë: “Ishallah nuk hapet kutia e Fierit”.

Politika e re dhe deputetët e rinj. Strategët e politikës në Partinë Socialiste për rezultatin e zgjedhjeve (lëre mos e pyet si ishte rezultati) janë të shqetësuar për imazhin e kandidatëve që fituan. Përveç dy-tre syresh, që janë mësuar me kamerat dhe nuk e kanë problem të flasin për politikë, për të tjerët thonë nën zë se “nuk ja kanë haberin”. Për këtë qëllim, zyra e shtypit ka nisur një fushatë mediatike që të rris pak cilësinë e kandidatëve. Porosia e parë që u dha Endit Fuga kandidatëve ishte që të jepnin intervista politike, të lexonin fjalimet e kryetarit dhe çdo ditë të përsërisnin një enciklikë para se të flinin. Dy porositë e fundit i zbatuan të gjitha (megjithëse flitej se disa prej tyre kishin problem me gjuhën, fjalitë e gjatë të kryetarit). Ndërsa për intervistat, pati jo pak probleme. Për femrat e reja, pati kërkesa interviste vetëm “Paloma”, revista “Si të vishemi” dhe televizioni “Tra la la”. Kur kuratorët e politikës së PS-së prisnin të flitej për politikë, deputetët tregonin vetëm historitë e para të dashurisë, çfarë pëlqenin te meshkujt, kush ishte aktori i preferuar, ku i blinin rrobat, dhe çfarë mendonin për kirurgjinë plastike.

Si kërkohej vota. Një prej kryetarëve të partive të vogla, pak ditë para zgjedhjeve, teksa ngjitej në pallat sheh një person që rrëzohej të shkallët. I gatshëm për raste të tilla emergjente, kryetari shpejton ta ndihmojë duke e ngritur në këmbë. I çuditur nga sjellja e politikanit, qytetari i thotë: “Shumë faleminderit. Nuk di si t’ju falënderoj”. Kryetari pa humbur kohë i përgjigjet: “Të dielën janë zgjedhjet… mund të votosh për partinë time PXXXX. Qytetari i përgjigjet: “Më fal, por unë u godita te të ndenjurat, jo në kokë”.

5 Komente

Çfarë ishte ky artikull? Përmbledhje barcaletash??!

edhe mua e fundit me pelqeu.

 

p.s mos ka qene Erjoni ai tek shkallet, se ai ndihmon plakat te bejne pazar,dhe te zbresin macet nga pemet. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).