Humbesit e Zgjedhjeve

Pavarësisht se një rezultat zyrtar i zgjedhjeve të 28 qershorit akoma nuk është shpallur, tashmë është e qartë se ato prodhuan tre humbës të mëdhenj dhe shumë humbës të vegjël. 

I pari humbës i madh ishte padyshim Rama.  Ai u fut në zgjedhje duke vënë bast se do të nxirrte Berishën nga Kryeministria, do të nxirrte Metën nga Kuvendi, dhe do t’ia mbyllte Nanos derën e Presidencës. Dhe Rama, sado që për pak gjë, e humbi bastin në të trija këto dimensione. Por ai, falë pozicionimit të Metës dhe Nanos në krah të Berishës, mbeti lideri i padiskutueshëm i opozitës pas këtyre zgjedhjeve.

I dyti humbës i madh ishte Berisha. Ai u fut në zgjedhje si në një referendum, nga i cili priste të merrte një “ Po” për pyetjen “A e aprovoni qeverisjen e Berishës”?  Dhe Po-në ia dha vetëm 47% e elektoratit.  Por, sidoqoftë, Berisha mbeti përsëri në krye të qeverisë, falë përçarjes së të majtës.

I treti humbës i madh ishte Meta. Ai u fut në zgjedhje duke vënë bast se partia e tij do të prodhonte një grup të madh parlamentar prej 35 deputetësh.  Dhe Meta e humbi bastin në mënyrë spektakolare - partia e tij arriti të marrë vetëm 4 mandate deputetësh.  Por, sidoqoftë, ai u fut në qeveri, falë dështimit të Berishës për të arritur kuotën 50% në referendumin rreth qeverisjes së tij.

Dhe tani le të merremi me humbësit e vegjël, pavarësisht se shumica e tyre pretendojnë se nuk janë humbës.

Aleksandër Meksi, kryeministri i parë i PD-së, u kthye pas 12 vjetësh në politikën aktive me synimin që të sfidonte hegjemoninë e Berishës në kampin e djathtë.  Poli i Lirisë, koalicioni i udhëhequr prej Meksit, synonte të fitonte 3-4 mandate deputetësh, për t’u bërë kështu një pakicë bllokuese për Berishën, e cila do të luftonte fort për të plotësuar kërkesat e ish pronarëve dhe ish të përndjekurve, të paplotësuara deri më sot.  Dhe rezultatet e deritanishme tregojnë se Poli i Lirisë nuk ka as shpresën më të vogël për të marrë qoftë edhe një mandat.  Kjo përpjekje e dështuar e Meksit për të sfiduar Berishën nga e djathta e tij, si dhe përpjekjet e tjera të mëparshme nga politikanë të tjerë, provojnë se është pothuaj e pamundur që një alternativë e djathtë ndaj Berishës të ketë ndonjëherë sukses.

Erion Veliaj dhe bashkëpuntorët e tij të afërt, në vend që të bëheshin pjesë e listave të PS-së (si shumë aktorë të shoqërisë civile), u futën në këto zgjedhje me një parti të re, e cila synonte të merrte votat e elektoratit rinor.  Dhe në fakt, të gjitha sondazhet parazgjedhore tregonin se G99-ta, partia e udhëhequr nga Veliaj, do të ishte partia e katërt në vend (tuajit sinqerisht, në një sondazh të paradokohëshëm, i rezultoi se G99-ta do të merrte rreth 15 mijë vota në qytetin e Tiranës!!!). Por rezultatet treguan se shumica e përkrahësve rinorë të Veliajt, kur erdhi dita e votimit, ia hodhën votën partisë së Edi Ramës, nga frika se mos sistemi i ndërlikuar elektoral do t’i çonte dëm votat për G99-ën.  Mesazhi i votuesve për Veliajn dhe bashkëpuntorët e tij: “Futuni në listat e PS-së!”

Vangjel Dule vuri bast para 28 qershorit se koalicioni i udhëhequr prej Ramës do t’i fitonte zgjedhjet.  Prandaj dhe ai u largua nga koalicioni i Berishës, duke iu bashkuar atij të Ramës. Ky bast që ai vuri i kushtoi partisë së tij jo vetëm rreshtimin për herë të parë me humbësin, por edhe përçarjen e saj.  Sepse minoritari Ksera u fut në listën e PD-së në Gjirokastër, jo në atë të PBDNJ-së.  Dhe atje ai fitoi falë votave të shumta të dropullitëve.  Si rezultat, partia e Dules ka tani vetëm një mandat deputeti, e jo dy që mund të kishte.

Lista e humbësve të vegjël përfshin një sërë emrash, si Gjinushi, Ceka, Xhuveli, Milo, etj., të cilët kanë të përbashkët faktin se kanë mbijetuar në politikë falë simbiozës me partitë e mëdha.  Por erdhi një ditë që partitë e mëdha vendosën të mos i mbajnë më në kurrizin e tyre partitë e vogla dhe, si rezultat, këta politikanë janë tani para dilemës nëse duhet të kthehen në jetën e tyre private, apo të bëjnë atë që Genc Pollo bëri me zgjuarsi para zgjedhjeve - t’iu bashkohen partive të mëdha.

Por a patën ndonjë fitues zgjedhjet e 28 qershorit?  Sado të vegjël, dy fitues ato i patën.  I pari ishte Tahir Muhedini, partia e të cilit arriti për herë të parë të futet në Kuvend, duke krijuar kështu mundësinë që të avancojë në mënyrë institucionale kërkesat e komunitetit çam.  Ndërsa i dyti, por jo më i pakti, ishte Fatmir Mediu, i cili, duke siguruar një mandat për veten e tij, u rimbështoll përsëri me imunitetin parlamentar - aq të vlefshëm për ta zvarritur në pafundësi çështjen penale të Gërdecit...

3 Komente

hmmm, shkrim perfekt, mbush faqen, s'thua asgje...ky joni sinqerisht pervecse ka humbur zgjedhjet me ate sondazhin e vet buonist, po kalon ne menyre aspak argetuese dhe paszgjedhjet, standing on the obvious

O Zaloshnja ,me gjithe respektin qe kam ,nuk na ke thene gje ,me "ceshtjen e humbjes" Rama nuk ka mare piket e duhura por nuk eshte humbes ,perkundrazi me Ramen e majta eshte me shume e shtuar ,me shume besim tek Lideri !

Me nje te rame te sopates ,nuk mund te pritet pema ,vetem me kete paralelizem duhet ta vlersosh Ramen .

Te thyesh nje mentalitet ose disa mentalitet nuk eshte e lehete !

A nuk eshte fitore ,zhdukja e partive te vogla qe vegjitonin ne politike ,dhe mbijetonin ne kurriz te shoqerise tone duke prodhuar vetem grindje dhe konfuzion ,dhe percarje gjithashtu ???

PERMISIMI ,i situates politike me racionalizimin e partive qe vertete do te percaktojne ndarjen reale dhe perfaqsuese te shoqerise shqiptare ne shtresat e caktuara ,a nuk eshte nje fitore ?

 Liderat nuk do te jene te perjetshem ne Parti ,dhe kjo a nuk eshte nje fitore ?

Duhet te kemi nje vizon me te gjere ,per te percaktuar kush eshte humbesi dhe kush eshte fituesi .

Berisha si lider "i perjetshem " do te pesoj shume shpejte nje fiasko ,me drejtim teposhte ,Liderat si Meta gjithashtu do te humbasin trupin e tyre ,elektoratin dhe mbeshtetesit e tyre ..edhe keta do te pesojne fiasko .si Xhyveli ,si Gjinushi ,si Ceka ,si Milo  si Shehi ..e cte numuroj me shume .....kjo  a nuk eshte fitore ?

Shkrim shume real. Aspak edukues per politikanet por real. Shume bukur

Por mbi te gjitha Zaloshnja humbesi me i madh eshte populli qe vete i shkaktoj vetres kete humbje. Bukur me pelqeu.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).