Heshtja enigmatike e zonjës Topalli

Plot tre vjet më parë, në 31 korrik 2006, salla e Kuvendit të Shqipërisë u bë arenë e një ngjarjeje të rrallë: Ilir Meta, modeli i politikanit të ashpër e luftarak, kryetar i LSI-së, përplasi fort dorën në tavolinë, kapërceu tryezën ku qëndrojnë ulur anëtarët e kabinetit qeveritar dhe u drejtua drejt podiumit ku qëndronte kryetarja Topalli. Vetëm një gardh njerëzor trupash të Gardës së Republikës mundën të ndalin furinë e tij në momentin e fundit. Nëse kjo nuk do të kishte ndodhur, është e vështirë se si do të kishte përfunduar situata. Në krah të tij, deputeti tjetër i LSI-së, Ndre Legisi gjithashtu bënte të njëjtën gjë. Seanca degjeneroi dhe deputetët e opozitës, ishin si kurrë ndonjëherë më parë të bashkuar kundër një shumice që i poshtëronte vazhdimisht me forcën e kartonit. I njëjti bashkim vulosi dhe fitoren e parë të opozitës në zgjedhjet e shkurtit 2007, kur Edi Rama, kryetar i PS-së, rikonfirmoi mandatin e tretë qeverisës për Tiranën.

Por shkurti ishte ende larg dhe e gjithë mbasditja e 31 korrikut u shenjua nën forcën e opozitës së bashkuar dhe shumica vendosi të zhvillonte një nga seancat më qesharake të Kuvendit në godinën e ish-Komitetit Qendror të ish-Partisë së Punës. Shkaku i dukshëm i sherrit ishte refuzimi për t´i dhënë LSI-së një anëtar të KQZ-së për zgjedhjet e pritshme lokale që u mbajtën në shkurt 2007. Por që atëherë kanë rrjedhur shumë ujëra. Dhe skena është kthyer kokëpërmbys: refuzimi për t´i dhënë LSI-së një anëtar të KQZ-së në kohën kur u shkrua Kodi i ri Zgjedhor, është së paku, një nga arsyet e dukshme të një tjetër kapërcimi të partisë së Ilir Metës. Kësaj radhe në një vektor e kah krejt të kundërt: drejt Sali Berishës dhe Jozefina Topallit, të rikonfirmuar deri tani në qeverisje pas një procesi ende të pambyllur dhe tërësisht të kontestuar zgjedhor.

I pari e ftoi publikisht Metën të marrë pjesë në qeverisje, e dyta ka zgjedhur të heshtë për pikën e vetme që do të përmbysë krahun e peshores politike në vend.

Duartrokitje në PS
Mbasditen e 29 qershorit, në barin e mbipopulluar të selisë së PS-së, rreth orës 18.00, të gjithë të pranishmit, shpërthyen në duartrokitje: titrat e televizioneve që transmetonin non stop rezultatet paraprake të zgjedhjeve, lajmëruan se Ilir Meta po fitonte një mandat në Tiranë. Besimi i verbër i simpatizantëve socialistë, nuk shkonte dot përtej bindjes se Iliri “ishte djali i tyre” dhe se votat e tij do të bashkoheshin me ato të PS-së. Aritmetikat e thjeshta të numrave që bëheshin në ato çaste, ishin, në fakt, shumë larg matematikës së lartë politike që po zhvillohej në tre qendra të mundshme të pushtetit: tek selia e PD-së, ajo e LSI-së dhe në katin e dytë të selisë së PS-së. Të bashkuara në një, aritmetika dhe matematika politike, jepnin së paku dy skenarë të asaj çka do të mund të ndodhte me pas: LSI bashkonte votat me PS-në, barazohej rezultati zgjedhor, krijohej qeveri teknike, ndryshohej kodi dhe topi i pushtetit vendosej sërish në qendër për t´u luajtur diku nga vjeshta e këtij viti ose maksimumi nga pranvera e vitit të ardhshëm, ky ishte dhe varianti i parë që dukej dhe më i mundshmi. Dhe varianti i dytë që shumë shpejt do të shndërrohej në makthin e simpatizantëve të zhgënjyer të PS-së dhe aktorëve kryesorë të saj, LSI i jepte mundësi PD-së të formonte qeverinë e re.

Dy ditë pas duartrokitjeve “integruese” në selinë e PS-së, Dritan Prifti, deputet i rikonfirmuar në Fier, tha në një emision televiziv se vota e tij do të shkonte për Berishën. Një qëndrim që u nxitua të konsiderohej emocional dhe vetjak nga vetë Meta, që tashmë shihte se një kapriçio e numrave e kishte bërë faktorin më të rëndësishëm të politikës shqiptare. Burime pranë Priftit, kujtuan se mes tij dhe zotit Berisha ka pasur një marrëdhënie të vjetër, që në kohën kur mbas rrëzimit të qeverisë Meta 2, në shkurt 2002, segmente të caktuara në PS kishin kërkuar kokën e tij. Atëherë, Berisha, mjeshtër i syrit të shkelur në kampin tjetër politik, i ka afruar mbrojtje Priftit. Por në realpolitikën e luajtur gjatë këtyre ditëve, borxhet e vjetra kanë shumë pak gjasa të hyjnë shumë në punë: fjala është për borxhe të reja politike, shlyerja e të cilave, gjithashtu kalon nëpërmjet Berishës. Borxhe që janë krijuar që nga qëndrimi prej 6 vjetësh në opozitë të LSI-së e deri tek militantët që kërkojnë vezën e sotme të garantuar përballë pulës së mundshme në një të nesërme plot të papritura.

Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe në emër të stabilitetit të nesërm të vendit, Konventa e LSI-së, mandatoi Ilir Metën të negociojë qeverinë e re Berisha 2, në një klimë të nxehtë ku skepticizmi dhe optimizmi afrojnë një bashkëjetesë me shanse të barabarta.

Heshtja e Jozefinës
Edhe kësaj here, gjatë fushatës së sapombyllur, kryetarja karizmatike e Kuvendit, nuk mund të mos ishte protagoniste. Ajo tërhoqi mërinë e opozitës socialiste siç ka ndodhur rëndom në këto katër vjet, por i shtoi kësaj edhe mërinë e demokristianëve dhe republikanëve të cilët i konsideroi mafiozë e kontrabandistë. Një deklaratë e fortë e saj nga një fshat në Shkodër që pakkush i mban mend emrin, por që drodhi gjithë ekuilibrat delikatë të politikës në Tiranë. Një drejtues i rëndësishëm lokal i PDK-së ekzekutohet 48 orë më pas në Shkodër dhe zonja Topalli u vu nën një rrebesh kritikash që e shihnin atë si fajtore për tensionimin e situatës.

Por këto ditë, me siguri diçka ka ndryshuar tek zonja që parapëlqen të vendosë mbiemrin e “hekurt” mbas mbiemrave të saj të dyfishtë: që mbas mbylljes së kutive të votimit, ajo nuk ka dalë asnjëherë në publik. Aq më pak, nuk ka pasur asnjë deklarim të saj për shkusinë e mundshme që marton partinë e saj me atë të Ilir Metës.
Përpara se rebusi i shifrave të votimit të 28 qershorit të niste të merrte formën që kanë sot, nuk kanë qenë pak realistë zërat që e konsideronin betejën e zonjës Topalli të saponisur. Një betejë personale që nuk kishte të bënte me votimin në zgjedhje, por me zgjedhjen e saj për të marrë partinë demokratike. Dhe në një humbje të mundshme të Berishës, Topalli ishte kandidatura më bindëse për t´u bërë pasardhëse e njeriut të fortë në PD. Ndryshe nga Berisha, ajo vinte nga një e shkuar antikomuniste, është përfolur pothuaj aspak për përfshirje në afera korruptive, ka të garantuar një mbështetje të fortë në strukturat e PD-së, sidomos në veri të vendit. Dhe njëlloj si Berisha, ishte gati të vinte në dispozicion të një PD-jë humbëse, të njëjtën karizmë dhe forcë në drejtimin e një partie që e ka tashmë të shënuar në ADN-në e saj, forcën dhe karizmën si tipare kryesore.

E dytë në pushtet dhe e parë në opozitë, ngjante si një formulë që mund të kënaqte në të dy rastet ambicjet e zonjës që di të presë, por ndoshta, versioni i dytë do të ishte dhe më i parapëlqyeri i saj. Por mes kësaj llogarie, të saktë të paktën formalisht, papritur hyri Ilir Meta. Dhe me të gjitha gjasat, prania e tij në qeverisje, do të ridimensiononte dukshëm ambicjet normale të zonjës Topalli. Ndaj, çdo tejkalim i kësaj rrethane, ka një vlerë të paçmuar për të kuptuar se çfarë do të ndodhë nesër. Eshtë shumë e udhës të mendohet, se edhe nëse votat e Metës janë në dispozicion të Berishës, votat e Topallit dhe njerëzve që e kërkojnë atë në krye të PD-së, janë të një rëndësie të posaçme. Mospërfshirja e zonjës Topalli në çdo kalkulim të mundshëm, thjesht i nxjerr të pasaktë të gjithë kalkulimet e tjera me aktorë të tjerë. Deri më tani zonja Topalli ka heshtur. Siduket për t´i dhënë më shumë kohë kohës për të përfunduar dhe ajo një cikël llogarish politike dhe personale, që kanë të bëjnë me të sotmen, por sidomos me të nësërmen e një “marke” politike të padiskutuar në treg: Markën PD.

Skenarët e mundshëm
Janë të shumtë, janë përjashtues të njëri-tjetrit dhe me shanse të barabartë për të ndodhur. Palët në ndeshjen elektorale ende të pambyllur janë në pritje të lëvizjeve fallso të tjetrit. Janë në pritje dhe të ndikimit që do të ketë nesër kriza ekonomike që është në periferi të vendit. Kur të shuhen fishekzjarrët e fituesit, kur të ftohen pasionet e humbësit, atëherë do të fiken dritat e “festës” elektorale dhe do të nisë të mungojë ai rrebesh parash të hedhura për fushatë. Do të mungojë hareja e stisur festive dhe do të nisë stina e ftohtë e llogarive. Që ndoshta do të nisin që nga mungesa e parave për të paguar rrogat e buxhetorëve dhe pensionet e të moshuarve e deri tek pamundësia për të paguar normat e interesit të një borxhi të jashtëm që ka arritur në pikun e tij.

Një gjë është e qartë: fituesi, sido që të quhet sigla e tij, nuk është kurrsesi i lumtur, humbësi nuk është krejt i humbur. Dhe kushdo që do të vinte bast për zgjedhje të reja, për një zgjidhje të re politike nga ajo që ka nxjerrë gjysmake deri më tani KQZ-ja, pavarësisht kohës kur ato do të ndodhin, do të kishte pak shanse për të humbur.

Sepse politika në Shqipëri, me të mirat e të ligat e saj të shumta, dëshmoi se është e aftë të surprizojë dhe të jetë në gjendje të shesë rërë në Sahara apo frigoriferë në Antarktidë. Sepse politika në Shqipëri, më së fundi u garantua në pafradigmën e të qenit art i të pamundurës. Ashtu siç nuk e kishte menduar kurrë as zonja Topalli, fjala vjen, se fitorja e mundshme e partisë së saj, do të kalonte nëpërmjet kapërcimit të Ilir Metës djathtas. Një kërcim që do t´i kujtoje gjithmonë mbasditen e nxehtë të 31 korrikut 2006. Dhe zonja Topalli nuk harron lehtë.

9 Komente

çfar kuptimi kishte kjo komunikate?

Po o Vangjo, po!
E tha Daktori: Fitorja shndrit si xhevahir

Ju t'tjeret merreni me skorrje! smiley

 Skenarët e mundshëm
Janë të shumtë, janë përjashtues të njëri-tjetrit dhe me shanse të barabartë për të ndodhur. 

Ilusrimi tipik i gjithe shkrimit, shkruaj po mos thuaj asgje.

 "...Mbasditen e 29 qershorit, në barin e mbipopulluar të selisë së PS-së, rreth orës 18.00, të gjithë të pranishmit, shpërthyen në duartrokitje: titrat e televizioneve që transmetonin non stop rezultatet paraprake të zgjedhjeve, lajmëruan se Ilir Meta po fitonte një mandat në Tiranë..." 

 

Gezoheshin antaret , por jo kryetari i tyre, i cili gjith kohen e harxhoi kundra Metes, ne vend qe te mirrej me programet dhe projektet.

. Deri më tani zonja Topalli ka heshtur.... Deri ketu ....nga analizat me interesante te pas zgjedhjeve te 28 Qershorit 2009. Shtesat e kane prishur thjeshtesine dhe individualitetin e analizes . Perse po hesht Topalli ???? Thjesht se po shikon qe po ja marrin kalane nga brenda  Po i thyen kembet e karrikes smiley Megjithate ai percaktimi me siper  qe zonjka perfaqeson nje "skorje" , eshte nga me kuptimplotet . Personaliteti i saj eshte i barabarte me prallen e Bretkoses qe fryhej e fryhej vazhdimisht ...deri sa plasi . Sido qe te shfaqet , ne cdo forme veshjeje , krehjeje, qeshjeje etj ....qendrimin impozant ,  krenar dhe memedashese  smiley ajo zonjke nuk mund ta arrije me pas  , si kur  Sala fliste per "tredhje" .

Ironia e ketyre pale (ose palo, varet ke pyt) zgjedhjeve eshte fakti qe Topalli u kallxu me burre se Burri i Malcise!.... Again! smiley

O zotni i nerum Pjer. E ke mor lejen apo jo smiley Po flitet per Topallken mre...per burneshen e sokoleshen e Partise jo per Krye /aret . Kane dallim nga cilesite e vendosjes se veglave dhe percaktimeve . Njashtu !

 

O zotni i nerum Pjer. E ke mor lejen apo jo Smile Po flitet per Topallken mre...per burneshen e sokoleshen e Partise jo per Krye /aret . Kane dallim nga cilesite e vendosjes se veglave dhe percaktimeve . Njashtu !

Zotni, n'qoft se ke marr përsipër me na kallxú se din me ironizú t'tjer't kur flasin gegnisht, lênê at pun se nuk din as me e ba...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).