Gra dhe vajza, mos luftoni në heshtje!

Në të gjithë shkrimet nw Shekulli dhe emisionet e mi televizivë, kam insistuar, në mënyrë të veçantë, lidhur me problemet e shëndetit seksual të grave dhe vajzave.

Ka qenë ky preokupimi më i madh për mua, sepse në shoqërinë tonë, jeta seksuale e grave dhe vajzave ka qenë e nënvlerësuar dhe për fat të keq, vazhdon të jetë larg vëmendjes së familjes, të partnerit dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Është shumë i madh numri i grave dhe vajzave që kanë probleme me jetën e tyre seksuale dhe që luftojnë me to në mënyrë të heshtur.

Shpesh, për këto shqetësime nuk di as burri, ose partneri i tyre seksual. Kjo ndodh sepse shoqëria dhe kultura jonë akoma nuk i kupton problemet e shëndetit seksual të grave. Ato nënvleftësohen prej të gjithëve, prej mjekëve, madje edhe prej vetë grave.

Janë shumë të rralla, në mos nuk ka fare raste, kur një grua, ose vajzë, të shkojë tek doktori sepse i mungon dëshira për aktivitet seksual, ose sepse nuk eksitohet seksualisht, ose nuk arrin dot në orgazmë, ose ka dhimbje gjatë aktit seksual, ose ka tharje vaginale, ose sepse ka dëshirë shumë të madhe për aktivitet seksual. Me të gjitha këto gjendje, çdo grua vuan e heshtur, lufton pa u ndjerë dhe pa rezultat.

Askush nuk mendon për faktin që këto shqetësime të shëndetit seksual të grave dhe vajzave, kanë pasoja shumë serioze edhe në shëndetin e tyre fizik. Ato, pa e ditur as vetë, luftojnë të heshtura me këto shqetësime, pa i treguar askujt, madje as mjekëve, të cilët nuk i pyesin kurrë gratë, paciente të tyre, për problemet e tyre seksuale.

Shumë shkruhet e flitet për dhunën ndaj gruas në familje, veçanërisht në zonat rurale. E gjithë kjo dhunë ndaj gruas, gjithë ky abuzim seksual me to, ka ndikim të madh në jetën e tyre seksuale dhe për pasojë edhe në shëndetin e tyre fizik.

Për të kuptuar rëndësinë që ka ky problemi i shëndetit seksual të grave, do të sjell të dhënat e anketimit më të ri që është kryer në Amerikë dhe që u publikuan më 25 qershor të vitit 2009.

Në këtë anketim rezulton se 70% e grave amerikane kanë probleme me shëndetin e tyre seksual. Nga këto gra, 22% e tyre kanë probleme shumë serioze seksuale. Pra 1/5 e këtyre grave, janë shumë të shqetësuara, për arsye të këtyre çrregullimeve seksuale që kanë.

Sipas përcaktimit në këtë anketim, probleme të shëndetit seksual të vajzave dhe grave, konsiderohen gjendjet shëndetësore të mëposhtme:
• Mungesa e dëshirës për aktivitet seksual
• Paaftësia për t'u eksituar seksualisht
• Paaftësia për të arritur në orgazmë
• Dhimbje gjatë interkursës
• Tharje vaginale
• Dëshirë shumë e madhe për aktivitet seksual

Nga gratë që vuanin një ose disa nga problemet e shëndetit seksual, 44% e tyre thanë se këto probleme kanë ndikim serioz në marrëdhëniet e tyre romantike me burrat ose partnerët seksualë; 43% e tyre raportuan se kanë probleme me vetëvlerësimin dhe 42% kanë probleme me shëndetin mendor.

Studimi tregoi se problemet e shëndetit seksual, në 66% të rasteve shkaktojnë gjendje të rënda stresi dhe ankthi. Në 28% të rasteve shkaktojnë çrregullime të gjumit, ndërsa në 25% të të anketuarave, këto çrregullime kanë impakt të keq në peshën trupore (rënie dhe rritje patologjike në peshë.)

Një nga përparësitë e këtij studimi ishte fakti që kërkoi të evidentonte se si dhe ku e gjejnë gratë informacionin e nevojshëm për këto shqetësime të tyre seksuale. Kështu 35% e grave që dëshironin të informoheshin për problemet e shëndetit seksual, e merrnin informacion nga interneti.

Kjo shifër është për një vend si Amerika, ku akcesin për të hyrë në internet e ka një numër shumë i madh i grave, ndërsa në vendin tonë, ku nuk ka internet as në sallat e bibliotekës kombëtare në Tiranë, merret me mënd se sa gra kanë akces për t'u informuar nga interneti..

Nga të anketuarat, 32% e tyre pyesin partnerët dhe burrat e tyre për problemet e shëndetit seksual. Ne nuk kemi asnjë të dhënë, se sa nga gratë e vajzat shqiptare e bëjnë këtë dhe sa janë të njohur burrat me problemet e shëndetit seksual të grave, që të ndihmojnë edhe gratë e tyre.

Shumë gra në këtë anketim thanë se do të ndjeheshin më mirë po t'i diskutonin problemet e shëndetit të tyre seksual me mjekët, por këtë nuk e bëjnë për shumë arsye, kryesisht, sepse nuk ndjehen mirë të shkojnë tek mjeku për këto probleme dhe mjekët nga ana e tyre nuk u kushtojnë rëndësi problemeve të shëndetit seksual të grave.

Sipas anketës, vetëm 18% e grave amerikane kanë shkuar tek mjekët për këto probleme. Kjo është një shifër shumë e ulët për Amerikën, ndërsa ne nuk kemi asnjë studim për këtë problem.

Ky studim, siç e thashë edhe më lart, u lëshua të enjten, në datën 25 qershor 2009, nga Qendra Kombëtare e Burimeve të Shëndetit të Grave dhe nga Lidhja e Shëndetit të Riprodhimit. Këtë studim e kishte sponsorizuar Boehringer Ingelheim Pharmaceuticals Inc.

E theksova sponsorizuesin e këtij studimi, për t'u thënë sponsorizuesve në Shqipëri, se nuk duhet të sponsorizojnë vetëm për TV show, Soap opera, miss-et e bukurisë, ndeshje sportive etj., por në radhë të parë për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve në nevojë.

Numri shumë i madh i grave që provojnë probleme të shëndetit seksual, tregon se është me shumë rëndësi, që t'u kushtohet atyre kujdes i veçantë. Të bëhen të gjitha përpjekjet, që t'u jepet grave, me të gjitha mënyrat, informacion shkencor i sigurt dhe përgjatë gjithë jetës së tyre.

Eksperienca ka treguar se shumë probleme të shëndetit seksual të grave, mund të përmirësohen duke rritur edukimin seksual, duke ndryshuar mënyrës e jetesës së grave, duke organizuar konsultimin dhe mjekimit e këtyre grave dhe duke inkurajuar gratë që të bisedojnë për problemet e shëndetit seksual me partnerët dhe me doktorët e tyre.

Mjekët sot, kanë më shumë se kurrë burime për të ndihmuar gratë, që të kuptojnë dhe të maksimalizojnë seksualitetin e tyre të shëndetshëm, për gjatë gjithë jetës. Është me rëndësi shumë të madhe për gratë, që ato, vetë, të kuptojnë bazat e përgjigjes seksuale femërore dhe miriadën e faktorëve, shumica e tyre emocionalë, që kanë impakt në seksualitetin e tyre.

Tiranë, qershor 17. 2009

4 Komente

Ky po më duket si ai parlamentari që, edhe pse diskutimi kishte të bënte me tjetër gjë, u ngrit dhe mbajti një fjalim përdobinë dhe të mirat e piperit të zi në gatim... deri sa mori një ligj që çlironte nga taksat piperin... e kotë që të shtoj se, sipas atij që e tregonte këtë muhabet, ai parlamentar kishte në dorë "shumicën" e erëzave të importit.

Edhe ky doktorri paska nevojë për ndonjë sponsorizim më duket smiley

Me ne fund nje artikull sensibilizues, larg perrallave te politikaneve tane dhe luftes te tyre per pushtet.

Komplimentet e mija z. Harxhi.

I lexoj gjithmone rubrikat e doktorit tek gazeta Shekulli. Mund te them qe eshte i vetmi qe prek tema te tilla, duke i ardhe ne ndihme shume njerezve per problemet e tyre.

Urime dhe flm.

ketlina tani doktori ka dhe nje faqe interneti seksologu.com

ku ju kthen pergjigje gjithe njerezve me probleme. eshte shume interesante

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).