Gomat, biznesi që po "vret" mjedisin

Një vëzhgim nga Kruja, ku lulëzon aktiviteti i djegies së gomave në furrat e gëlqeres. Ato importohen për t'u riveshur, por përfundojnë në furrat e gëlqeres, megjithë urdhrin e mospërdorimit.

TIRANË- Shtëllunga tymi të zi që dalin pa pushim nga oaze të gjelbërta, stiva gomash të madhësive dhe formave të ndryshme të dala jashtë përdorimit që presin të hyjnë në furrën e djegies dhe dhjetëra gropa gëlqereje që kurrë nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre pavarësisht urdhrave të ministrave të radhës që kanë në ngarkim mbrojtjen e ambientit.

Kjo është pamja që i shfaqet menjëherë çdo personi që ngjitet për në qytetin e Krujës, apo që kërkon të vizitojë qytetin antik të Albanopolisit, nga i cili sipas historianëve mendohet të ketë marrë edhe emrin Shqipëria.

Pavarësisht se që nga viti 2006 ekziston një urdhër i ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, për ndërprerjen në mënyrë kategorike të përdorimit të gomave si mjet djegieje në furrat e gëlqeres, pamjet e nga terreni pasqyrojnë shumë qartë mungesën e zbatimit në terren të tij. Të favorizuar edhe nga amullia paszgjedhore, pronarë të gropave të gëlqerës duket se kanë përshpejtuar punën e tyre për të nxjerrë përfitimet maksimale nga ky aktivitet.

Ky fakt bëhet i ditur edhe nga Kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujes, Ismet Mavriqi, i cili thekson se djegia e gomave të përdorura në furrat e gëlqerës është një fenomen që ka marrë hov, sidomos gjatë periudhës së zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qërshorit dhe ditëve që pasuan ato.

Gomat e përdorura importohen nga vendet e zhvilluara në Shqipëri me një çmim shumë të ulët me qëllimin e riveshjes dhe rifutjen e tyre në përdorim. Ndërsa, specialistët e fushës bëjnë me dije se, ato janë shumë të efektshme në djegien e gurëve të gëlqerës. Çmimi i ulët më të cilin importohen dhe efektshmëria e lartë në djegie, bën që këto të fundit të jenë një zgjidhje me shumë pak kosto për biznesin e furrave të gëlqeres.

Një shqetësim tepër i madh që parashtrojnë ekologjistët, ka të bëjë me faktin se në në këto furra nuk digjen vetëm gomat që dalin jashtë përdorimit në zonën përreth, por ato dërgohen në mënyrë të organizuar edhe nga qytete të tjera të vendit, duke e bërë gjëndjen tejet alarmante.

Ekologjisti, Lavdosh Ferruni referuar edhe eksperiencave të vendeve përreth Shqipërisë, sugjeron një zgjidhje të mundshme të kësaj situatë. Sipas tij, në kushtet kur vendi është mbushur me goma të përdorura është e domosdoshme ngritja e impianteve të posaçme me filtrat përkatës për djegien e tyre. "Nga studimet rezulton se niveli i gazrave të rrezikshëm që emetohen nga djegia e gomave në vende të posaçme, të cilat janë të pajisura me filtra është 10 deri ne 40 here më i ulët se sa ato që emetohen nga djegia e tyre në vende të hapura",- thotë Ferruni.

Krahas djegies së organizuar në vende të posaçme, një tjetër zgjidhje e cila sipas tij do të ishte edhe më shumë në shërbim të mjedisit, ka të bëjë me përdorimin e tyre në formë barrierash në shtratet e lumejve për parandalimin e përmbytjeve nga vërshimi i ujërave. Sipas Ferrunit, më shumë se me një urdhër të ministrit përkatës, ndalimi i djegies së gomave në furrat e gëlqerës duhet të sanksionohet me një ligj të veçantë të miratuar nga parlamenti. "Mendoj se ka ardhur koha që djegia e gomave të ndalohet me ligj të veçantë.

Në krahasim me urdhrin e ministrit, miratimi i një ligji do të bënte përgjegjëse më shumë organizma shtetërore, përveç inspektorëve të mjedisit. Ndotja e ambientit shihet shpesh si një çështje që i përket vetëm ekologjistëve dhe që dëmton peizazhin, çka është një koncept i gabuar ",- tha ai. Sipas specialistëve të mjedisit, nga aktiviteti në gropat gëlqerës në ajër çlirohet pluhur me përmbajtje të dioksidit të karbonit, duke dëmtuar rëndë biodiversitetin e zonës, dhe ulur cilësinë e ajrit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).