Gjykata e Larte: Kemi presion nga pushtetare

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj “shpërtheu” dje në akuza të paprecedenta ndaj presioneve dhe përpjekjeve për të denigruar institucionin që ajo drejton. “Është i njohur fakti se në radhët e gjyqësorit të sotëm është prezent fenomeni i korrupsionit. Por, është detyrë e organeve të specializuara, të ngarkuara me ligj për zbulimin dhe goditjen e këtij fenomeni”, - shprehet Beçaj, në një deklaratë për shtyp. Sipas saj, Gjykata e Lartë është garante e Kushtetutës, ligjit dhe mbron liritë dhe të drejtat e njeriut, ndaj çdo përpjekje e njerëzve me pushtet politik apo shtetëror për të hedhur baltë mbi integritetin e gjyqtarëve, e sheh si një qëndrim dashakeq. “Mediat, analistët, njerëzit e veshur me pushtet politik apo shtetëror, krahas domosdoshmërisë së denoncimit me fakte dhe prova të fenomenit korrupsion në gjyqësor, duhet që në mënyrë po kaq konstante të injektojnë në opinionin publik idenë se çdo problem, i madh apo i vogël, që është shtruar për zgjidhje në organet e Drejtësisë, zgjidhjen e drejtë dhe ligjore do ta gjejë në gjykatë”, - shprehet numri një i kësaj gjykatë. “Presionet e çfarëdo natyre që ushtrohen mbi Gjykatën e Lartë, - thekson Beçaj, - nuk mund të lëkundin qëndrimin e saj të vendosur për zbatimin e ligjit gjatë procesit vendimmarrës gjyqësor.
Reagimi
Lirimi i një biznesmeni fierak të dyshuar për lidhje me një rrjet të trafikut të drogës, prishja e disa vendimeve me burgime të përjetshme për të akuzuar për krime të rënda, e ka vënë Gjykatën e Lartë në qendër të akuzave për korrupsion. Duke pranuar se në radhët e gjyqësorit fenomeni i korrupsionit është prezent, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj thekson se, institucioni që ajo drejton si, shkalla më e lartë e gjyqësorit në vend, është garant i zbatimit të ligjit dhe ka kompetencë të vendosë përfundimisht për ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave të Apelit e të rretheve gjyqësore. Beçaj shprehet se, Gjykata e Lartë shprehet vetëm me vendime të arsyetuara dhe të argumentuara dhe se është e pavarur në vendimmarrjen e saj. “Çdo pjesë ose paragraf i arsyetimit apo dispozitivit të vendimit, e interpretuar mediatikisht ose politikisht në mënyrë të shkëputur nga përmbajtja tërësore e vendimit dhe provave te administruara në dosjen gjyqësore, përbën vlerësim dhe qëndrim joprofesional, të njëanshëm dhe dashakeqës”, - thekson Beçaj në deklaratën e saj, duke lënë në dorë të organeve të specializuara të zbulojnë rastet e korrupsionit në sistemin e Drejtësisë dhe t’i ndëshkojnë ato.
Sekserët
Sekserët që njihen aq të shumtë në sistemin e Drejtësisë, duket se kanë shtrirë rrënjët dhe në Gjykatën e Lartë. Por, sipas kryetares Beçaj, “çdo qytetar shqiptar duhet të kuptojë domosdoshmërisht se Drejtësinë duhet ta kërkojë dhe ta gjejë tek pushteti gjyqësor, dhe jo tek sekserët, të cilët janë fatkeqësisht jo të paktë në numër ndër avokatë, punonjës të agjencive shtetërore e private dhe ndërmjetës të tjerë të paligjshëm”. Ajo kërkon kontributin e publikut, faktorëve politikë, shoqërorë e ligjorë për evidentimin dhe goditjen e këtyre spekulantëve, jashtë dhe brenda Drejtësisë. Beçaj bën me dije se, në Kodin Penal janë parashikuar veprat penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga persona të ngarkuar me funksione në shërbimin publik, ku përfshihen edhe të gjithë gjyqtarët e të tre shkallëve të Gjyqësorit. Ndaj, të gjithë personat që e kanë vënë veten në rolin e sekserit, nuk do të mund t’i shpëtojnë ndëshkimit. Në fund të deklaratës së saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj thekson se, Gjykata e Lartë nuk lëkundet nga presionet e çfarëdollojshme, por do të vazhdojë të japë drejtësi.

5 Komente

" Ajo kërkon kontributin e publikut, faktorëve politikë, shoqërorë e ligjorë për evidentimin dhe goditjen e këtyre spekulantëve, jashtë dhe brenda Drejtësisë."

Zoje e nerume, ti personalisht ke ke denoncu? Kush te ka bere presion dhe si i je pergjigj presionit?

U aint got natn on Ciljeta!!!! 

smiley

Kur ankohet Peça, qe, ne mos arren, ka gurin, po ne te tjeret ca te bojme ?? smiley Tashti ka ngel Bamiri, qe te dali e te thote, m'bojne presion pushtetaret e s'me lene t'jem kryepushtetar.. smileysmiley

Interesant sesi GSH, nga nje fjali ku permendeshin disa pale, perfshi edhe media (pjese e se ciles eshte vete GSH), zgjodhi vec dicka dhe e hiperbolizoi ne titull.

Mediat, analistët, njerëzit e veshur me pushtet politik apo shtetëror, krahas domosdoshmërisë së denoncimit me fakte dhe prova të fenomenit korrupsion në gjyqësor, duhet që në mënyrë po kaq konstante të injektojnë në opinionin publik idenë se çdo problem, i madh apo i vogël, që është shtruar për zgjidhje në organet e Drejtësisë, zgjidhjen e drejtë dhe ligjore do ta gjejë në gjykatë”

 

Sepse Gjemb, presioni nga palet e tjera, nga mediat, analistet, apo cfaredo pale e paveshur me pushtet politik, nuk ka forcen e presionit, dhe nuk ka qelbesirllekun e presionit te ushtruar nga njerezit e veshur me pushtet politik. Thirrja eshte me shume vend, dhe ka ardhur koha qe Drejtesia te gjeje shume me teper shprehje ne opinionet dhe ne veprat e shqiptarit, qofte ky i veshur me pushtet politik, apo jo.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).