Gërdec dhe gorrica

Më bëri mjaft përshtypje një shkrim i znj. Elsa Ballauri ditën e pardjeshme në gazetën „Panorama" me titullin „Exit Gërdec".

Thelbi i këtij shkrimi thotë se banorët e Gërdecit dhe të zonës përreth votuan në shumicë për PD, duke u dhënë një mësim të mirë PS e G99, dy partive që kishin bërë propagandë të shumtë antiqeveritare, duke shfrytëzuar tragjedinë e ndodhur aty për përfitime të tyre politike. „Qëndrimi përjashues ndaj partisë tjetër [dmth.

PS] e bën më përcaktuese logjikën popullore që funksionoi sipas disa parimeve të rëndësishme njerëzore", shkruan autorja. „Exit poll-i i Gërdecit do të ishte më i sakti në një sondazh të mundshëm... Gërdeci zgjodhi të votojë për një marrëdhënie njerëzore pa falsitet... kemi një tendencë të fortë qytetarie dhe prirje për pjekuri", përfundon shkrimi.

Po ta shprehim me fjalë të tjera analizën e autores, do të thoshim: Vërtet që katastrofa ndodhi nën qeverimin e PD, por më njërën anë kjo qeveri e pranoi përgjegjësinë e vet dhe shpenzoi për rindërtimin në Gërdec, më anën tjetër populli nuk e ha manipulimin dhe shfrytëzimin e fatkeqsisë së vet nga parti të tjera, siç u përpoq të bënte PS dhe G99 dhe siç e morën ata ndëshkimin me votë.

Të më falë autorja që po e perifrazoj këtu për të shprehur me fjalë më të thjeshta ato që ajo përpiqet të thotë me fraza nganjëherë të ngatërruara në mos të pamundura si: „mënyra se si u shfrytëzua dhe intensiteti i llojit të ndjenjës që u përkushtua mbi të, mendoj se i kaloi caqet e sinqeritetit" etj.

Angazhimi me Gërdecin i koleges Ballauri, e cila mbron të drejtat e njeriut në Shqipëri edhe nga larg, në Kanada, më pat rënë në sy edhe më parë, madje e kam ruajtur një shkrim të saj të dt. 24 mars 2008 po në „Panorama", ku ajo zbulon shkaqet e vërteta të tragjedisë që ndodhi.

E ruajta këtë shkrim pak të çuditshëm, pasi në një kohë kur gjithë shtypi i lirë, për të mos folur për prokurorinë, po mundohej të gjente arsyet pse ndodhën shpërthimet në Gërdec, dhe të diktonte shkaktarët që ngritën një punishte të tillë primitive për përfitim maksimal, duke iu shmangur kushteve të rrepta të sigurisë në demontim që ishin praktikuar deri aty edhe në Shqipëri, pra kur shumkush po orvatej të zbulonte lidhjen midis politikës së lartë, kontrabandistëve dhe delenxhinjve noterikë, zonja Ballauri i linte të gjitha mënjanë dhe e vinte gishtin te shpjegimi i vetëm i mundshëm sipas saj: papërgjegjshmëria e popullit shqiptar. Këtë madje e shkruan në artikullin në fjalë me gërma të mëdha:

NE JEMI POPULL I PAPËRGJEGJSHËM. Titulli i shkrimit është Papërgjegjshmëtarët, neologjizëm i krijuar sipas ndjesisë së dyshimtë gjuhësore të autores, dhe gjithë brendia e tij kërkon të na bindë se „tragjedia që ndodhi përmban gjithë copkat e një skene shumëshekullore psiko-shqiptare që është përsëritur me mijëra herë, skenë e raportit të njeriut me rrezikun".

Ky fatalitet duket të jetë kaq fatal dhe i pakthyeshëm, sa ka rrezik t'i ketë shërbyer Fatmir Mediut, kryeministrit të tij dhe gjithë përgjegjësve të tjerë të ngritjes së Gërdecit, ku ishte parashikuar të zbërthehej i gjithë arsenali i municioneve të artilerisë shqiptare, si terren për veprën e tyre: dmth. e bëjmë pa merak sepse edhe po ndodhi ndonjë gjë e keqe, shpjegimi do të jetë pa dyshim primitiviteti i popullit shqiptar në raport me zjarrin dhe rrezikun në përgjithësi.

Por le ta lëmë shpjegimin për një ngjarje, e cila deri tani ka 29 të pandehur dhe një proces ende të pafilluar, të flerë aty ku fle shumica e artikujve të shkuar, te Varreza e Artikujve të Vdekur, për të perifrazuar shkrimtarin spanjoll Zafon, dhe le t'i kthehemi pyetjes interesante aktuale: vërtet, pse votoi Gërdeci në shumicë PD dhe jo PS, nqs. kjo është e vërtetë.

Pse votoi Kukësi në shumicë dërrmuese PD ndërkohë që Vlora ose Fieri votoi në shumicë dërrmuese PS? Zonja Ballauri votën e Kukësit e shpjegon me autostradën: „Autostrada që u ndërtua për ta ndryshuar zonën dhe për t'i sjellë ata banorë më afër botës së qytetëruar, ka një impakt normal tepër pozitiv dhe pa mëdyshje.", sikurse shpjegon në mënyrë të nënkuptuar votën e gërdecarëve për PD me paratë që kjo hodhi për rindërtimin e fshatit.

Nga shkrimi i vjetshëm në këtë të sotshmin ka një kapërcim hata, pasi nëse në të parin populli shqiptar në përgjithësi dhe populli gërdecar në veçanti fajësoheshin për mungesë përgjegjshmërie, për primitivitet, për bartje të një prapambetjeje shekullore në raport me zjarrin dhe me rrezikun, tani si popullit të Gërdecit ashtu dhe atij të Kukësit i certifikohet pjekuri politike dhe qytetari.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të analizojë, aq më pak të ndryshojë bindjet e një personi, por t'i japë përgjigje me sa mundet pyetjes që thamë: përse votuan si votuan gërdecarët dhe pyetjes tjetër: përse arrijnë të nxjerrin anëtarët e shtypit tonë gorrica si ato që u përmendën më lart?

Në mendësinë e shqiptarëve është i rrënjosur fort krahinorizmi dhe lokalizmi. Ky mentalitet është edhe më i fortë seç e hasim në popuj të tjerë europianë, për arsye se shteti tek ne është fare i ri, as njëqindvjeçar dhe siç dihet paraardhësit tanë deri vonë kanë jetuar të ndarë në farefisni apo në bajraqe, ku krahina, siç i kanë ndarë ato luginat dhe malet e larta të Shqipërisë, ishte tepër e rëndësishme në krjimin e vetëdijes dhe ndjenjës së përkatësisë, asaj që sot quhet identitet.

Zgjedhjet e fundit treguan se ky mentalitet jo vetëm që nuk është kapërcyer, por është konsoliduar edhe më tej. Jugu i Shqipërisë ka votuar qartazi për socialistët, Veriu për demokratët.

Demokratët kanë marrë shumicën edhe në qarqe si i Durrësit, ku është i madh numri i të ngulurve nga zonat juglindore të vendit, sikurse kanë marrë vota të shumta edhe në qarkun e Tiranës, gjithaq për këtë arsye.

Qytetet në Shqipëri të mesme, ku fus edhe brezin e Korçës e të Pogradecit, votojnë në shumicë për socialistët, fshatrat e këtyre qyteteve votojnë në shumicë për demokratët.

Në përgjithësi niveli arsimor-kulturor i popullsisë që zgjedh demokratët është më i ulët nga ai i popullsisë që zgjedh socialistët, çka përputhet me egërsinë dhe infantilitetin e propagandës që bën Berisha në tribuna, e cila zë vend pikërisht në popullatën më pak të arsimuar.

Edhe në Gërdec shumica e popullsisë është e ardhur nga rrethet veriore të vendit; kjo shpjegon pse votuesit aty kanë zgjedhur me sa duket në bazë të përkatësisë ose trashëgimisë krahinore.

Këto të vërteta të thjeshta ngurrojmë t'i themi dhe fshihemi pastaj pas propagandës me popullin e mençur ose me popullin e qytetëruar. Më vjen këtu të citoj një pjesë nga Testamenti i Hajnrih Hajnes: „Oh, populli, ky mbret i vobektë i veshur në zhele, ka gjetur tani lajkatarët e vet, shumë më të paturpshëm se oborrtarët e Bizantit e të Versajës.

Këta lakenj të popullit lëvdojnë pa pushim dhuntitë dhe virtytet e tij dhe thërrasin me ngazëllim: ‚Sa i bukur është populli! sa i mirë është populli! Sa inteligjent është populli!'
Jo, gënjeni.

Populli i varfër nuk është i bukur; përkundrazi, është i shëmtuar...Populli, të cilit ia lëvdojnë kaq shumë mirësinë, nuk është hiç i mirë; është po aq i lig sa disa sundimtarë. Vetëm se ligësia i vjen prej urisë; sapo që t'ia mbushim barkun mirë e mirë, ka për t'ju buzëqeshur gjithë dashuri e ëmbëlsi".

Përsa i takon votimit të Gërdecit, le të mos harrojmë edhe se qeveritarët përgjegjës për katastrofën bënë çmos gjithë kohën që t'i mbulojnë të vërtetat, të mos harrojmë që kryeministri bëri be e rrufe se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për Gërdecin, se Mediu bëri be e rrufe se nuk e kishte parë ndonjëherë Delijorgjin dhe gjithë gënjeshtrat e tjera. Të mos harrojmë se nuk është bërë aspak drejtësi për ngjarjen, se procesi sapo ka filluar dhe ka filluar keq.

E gjithë kjo gjendje e turbullt, shtoi kësaj edhe propagandën, me sa duket shumë pak bindëse të PS në këtë zonë, bëri që votuesit edhe këtë herë të mos ndryshonin asgjë në mënyrën se si votuan, pra ashtu siç ua diktonte zakoni dhe mendësia krahinore.

Kjo pra për pyetjen e parë. Ndërsa për pyetjen e dytë, që si ka mundësi të nxjerrin disa në shtyp fiqtë e pabërë që nxjerrin, them më mirë të mos shtyhemi më tej dhe të kujtojmë vetëm që në fund të fundit secili e mban vetë përgjegjësinë për ato që shpërndan në publik.

2 Komente

Qytetet në Shqipëri të mesme, ku fus edhe brezin e Korçës e të Pogradecit, votojnë në shumicë për socialistët, fshatrat e këtyre qyteteve votojnë në shumicë për demokratët.

Në përgjithësi niveli arsimor-kulturor i popullsisë që zgjedh demokratët është më i ulët nga ai i popullsisë që zgjedh socialistët, çka përputhet me egërsinë dhe infantilitetin e propagandës që bën Berisha në tribuna, e cila zë vend pikërisht në popullatën më pak të arsimuar.

Pse s'analizohet valle qe keta "qytetaret" kane pa hajer me breza te tere prej PPSH?

Boll i bete popullit etiketime te tilla, na e shpifet!

 

 

Në përgjithësi niveli arsimor-kulturor i popullsisë që zgjedh demokratët është më i ulët nga ai i popullsisë që zgjedh socialistët

Me fal doktor Klosi, po nga cilat te dhena shkencore-hulumtuese-statistikore-KQZiste-GaniBobist dole ne kete perfundim? 

Me duket me te vertete interesante qe analistet e çquar Shqiptare kane kryenecesi te pashembullt qe hamendjet dhe opinionet e tyre personale i paraqesin si te verteta te betonuara me fakte.

Duke bere lidhjen me cfare thote me lart autori rreth krahinorizmit te votes dhe ndarjes gjeografike, del qe doktor Klosi thote qe Veriu eshte me i pashkolluar se Jugu. Dmth, sipas Klosit, vetem ne, p.sh. fshatrat e Hasit paska njerez me nivel arsimor-kulturor te ulet, dhe fshatrat e, p.sh., Mallakastres qenkan me arsim me te larte. Ku jane te dhenat per keto perfundime? Apo thjesht ngaqe gjuha veriore u duket disave "me e trashe?" Ne Veri rrisin dhi e dele, ne Jug rrisin lope e dele. Ka ndonje ndryshim?

Personalisht mendoj qe eshte shume e ulet te ofendosh njerezit qe votojne per njeren apo tjetren pale politike duke i grupuar ne baze te arsimit qe kane. Dmth, "ajo eshte partia e te pashkolluarve" ndersa "kjo eshte partia e ajkes se intelektualizmit." Sa per te balancuar pak gjendjen, a nuk ishin ata "200 petritat" e KOP-it (te PD-se) ne 2005 te gjithe me te pakten nje shkolle te larte? A nuk jane "trimat" e Gramoz Rucit te pashkolle?

Me vjen sinqerisht keq qe doktor Klosi ka degraduar ne nivel te tille te shkruaje shkrime percarese e ofenduese.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).