Fundi i tatëpjetës - Ekonomistët e gjigantit të sigurimeve Allianz parashikojnë rritje 2,7% në 2010

Edhe sa do të zgjasë kriza ekonomike? Sa të mëdha do të jenë dëmet? Dhe kur fillon përsëri rimëkëmbja? Pyetje të tilla janë buka e përditshme e studiuesve të ciklit të biznesit.
 
Studiuesit janë të njohur për faktin që asnjëherë nuk janë të një mendjeje për një parashikim. Por ndoshta kjo është pjesë e lojës: edhe studiuesit e koniunkturës duan të dallojnë nga njëri-tjetri për të pasur kështu një shans që në fund të jenë të vetmit ata që kanë pasr të drejtë. Ndryshe nga shumë kolegë të tyre, ekonomistët e Allianz-it, një prej koncerneve më të mëdha të sigurimeve në botë, kanë tendencë të jenë optimistë. Ata presin që vitin e ardhshëm ekonomia gjermane të rritet me gati 3 për qind.

Tri skenarë kanë menduar ekonomistët e Allianz-it: në të parin mund të ndodhë si në vitet 1930, pra ekonomia botërore do të pësonte një recesion të gjatë. Ai mund të shkaktohej nga një ndezje e re e krizës bankare, nga proteksionizmi i tepruar, apo nga konflikte, që shkaktojnë tronditje të jashtme. Në skenarin e dytë ekonomistët parashikojnë një rënie të fortë, e cila do të pasohej nga një rritje po aq e fortë, e cila do të ishte rezultat ndër të tjera i programeve në ndihmë të ekonomisë, rimëkëmbjes së tregjeve financiare dhe krijimit të flluskave të reja spekulative. Por Michael Heise, kryeekonomist i Allianz-it, priret më shumë drejt një skenari në mes të dy të parëve: ai pret një rritje të moderuar: "Rreth dy muaj më parë pranohej se viti 2009 për ekonominë gjermane do të ishte negativ. Ndërkohë kemi marrë disa të dhëna koniunkturore pozitive. Ne shohim se tremujori i dytë ka të ngjarë të jetë i qëndrueshëm dhe për gjysmën e dytë të vitit presim përmirësim. Meqenëse rënia e thellë ekonomike duket se ka marrë fund, në qendër po vihen skenaret afatmesme."

Dhe sipas ekonomistëve të Allianz-it këto skenare afatmesme nuk janë aspak të këqija. "Rimëkëmbja ekonomike po vjen më shpejt nga sa mendojnë shumë vetë", thotë Michael Heise. Pas një përmirësimi të fortë në gjysmën e dytë të vitit ai pret që ekonomia gjermane të shënojë qysh vitin e ardhshëm një rritje prej 2,7 për qindësh. Nga tregjet është zhdukur ngurtësimi i shkaktuar nga tronditjet, pasiguria po reduktohet dhe programet në ndihmë të ekonomisë po shpalosin efektin e tyre ekspansiv, mendon ai. Megjithatë ka ende shumë pasiguri: "Kjo rritje, edhe nëse tregohemi shumë optimistë, natyrisht është ende shumë e brishtë, dhe kjo ndodh gjithnjë në fazat fillestare të koniunkturës. Papunësia do të rritet, falimentimet do të shtohen dhe të gjitha këto bashkë e bëjnë zhvillimin shumë shumë vulnerabël dhe të brishtë. Për këtë arsye kemi nevojë për një mbështetje në drejtim të politikave ekonomike dhe kthesat e parakoshme në politikën monetare apo financiare mund të bëhen të rrezikshme."

Rol frenues në rritjen ekonomike do të kenë buxhetet publike. Pas programeve bujare në ndihmë të ekonomisë do të jetë e nevojshme që këto buxhete të konsolidohen. Por perspektiva për një rritje të moderuar është e mirë. Micheal Heise thotë se ai nuk ka konstatuar askund ngushticë kredishë: "Sigurisht në çdo recesion ka edhe probleme financimi. Por të flasësh për një bllokim të përgjithshëm të kreditimit mendoj se nuk është e drejtë. Një situatë, ku kreditimi të bëhej i detyrueshëm, ku shteti pra të ndërhynte direkt në punën e bankave, nuk do t'i zgjidhte problemet. Ne kemi nevojë për një sistem bankar të qëndrueshëm dhe funksionues për të krijuar në periudhë afatmesme rritjeje të shëndoshë ekonomike."

Mbetet pyetja, nëse ekonomia gjermane duhej të nxjerrë mësim nga kriza. Orientimi i saj njëanshmën tek eksportet u bë shkak që shumë degë të goditeshin veçanërisht rëndë nga rënia e fortë e kërkesës. Kriza la gjurmë shumë më të thella se në shtete të tjera evropiane: "Modeli i biznesit i orientuar drejt eksporteve ka qenë shumë i sukseshëm. Atë duhet ta ruajmë. E nevojshme është vetëm ta plotësojmë me nxitjen e kërkesës së brendshme, në mënyrë që të mos kemi një disbalancë aq të madhe në bilancin tregtar, krijuar nga teprica gjigande si vitet e kaluara. Kemi nevojë për rritje të kërkesës së brendshme, kemi nevojë urgjente për më shumë investime, por natyrisht edhe për konsum. Dhe në këtë drejtim duhet të shkojnë masat e politikës ekonomike."

Autor: Rolf Wenkel / Eliana Xhani
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

1 Komente

Ene knej nga Kanukistani nje ushtri prej 300 ekonomistash te armatosur deri ne dhembe me 23 modele (jo nga ato shalgjatat kuptohet), kane deklaruar se nga nahija jon 32 milioneshe ka nisur e perpjeta. Por me 'caveat'-in e modh qe edhe mund te mos ket nisur

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).