Fshati Qëndresë dhe 'Buka e Gurit'

Nga sipërfaqja e përgjithshme e komunës së Klinës, vetëm 5 përqind është tokë gurore. Mirëpo, në këta gurë gëlqeror dhe artizanal, për shumë familje të kësaj komune janë burimi i vetëm i ekzistencës.
 
Diku rreth shtatë kilometra në dalje të Klinës është fshati Qëndresë, i cili identifikohet me një fushë të hapur me grumbuj rrasash gjithëfarë lloji e forme, e njohur si Kulla. Në këto rrasa guri është buka e rreth 50 familjeve nga fshati Qëndresë dhe Gjurgjevik. Bukë e gurit i thonë kësaj!

“Tuj fillu prej ma t´parit e deri atje n'fund e kanë ekzistencën vetëm prej gurit, tjetërkund s´ka punë. Puna ma e rëndë është e gurit, ktynehere pleqtë ju kanë thanë 'qou mos ke nxjerr gurë', se s´iua kane thanë ndryshe”
- shpjegon, Muhamet Morina 67 vjeçar nga Gllareva. Edhe pse 40 vjet punoi si mësues, tash dy vjet iu ndihmon djemve në kalitjen e gurëve, burim i vetëm ekzistence për familjen e tij ndërkohë.

“I kam 13-të anëtarë të familjes. Vetëm me gurë e kemi ekzistencën e tyre dhe atë pension që e marr unë tash”.

Ejup Berisha 40 vjeçar, err e terr është në gurishtë.

“Na jemi 20 anëtarë. Bon vaki prej pesve në mëngjes, deri në dhjetë të natës. Ma mirë qetu se sa rrugëve. Po ky është shumë zanat i vështirë, i lodhshëm e i munimshëm deri n´pikë të fundit, po jena met qeshtu n´mëshiren e Zotit!”

Bali Balajn 45 vjeçar nga fshati Qëndresë e gjejmë tek radhit gurë në njërin nga grumbujt e shumtë rreth e rrotul kasollës së ndërtuar me rrasa. Ai na fton të ulemi rreth një tavoline me karrikë nga rrasa guri.

“Prej 7-ve n´mengjes deri në dhjetë aksham jam qetu, në borë e nshi gjithmonë jam qetu. Pak jo po shumë është e veshtire, por po mundohem me shty deri sa të vinë ditë më të mira”.

Iniciativa e komunës së Klinës për përpilimin e një projekti me ekspertë të kësaj lëmie rreth kapacitetit të atyre gurëve dhe mundësisë së shfrytëzimit të tyre si dhe parashtrimi i kërkesës në ministrinë përkatëse, ofroi mundësinë për shfrytëzimin e  përbashkët të kësaj hapësire nga banorët e këtushëm. Kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota:

“Dhe kjo ishte formë e ruajtjes për mosprivatizim të asaj pjese dhe atë tash e kanë në shërbim banorët e fshatit Qëndresë, rreth 50 familje prej të cilëve sigurojnë bukën e gojës”
- sqaron kryetari Bashota.

Një rrugë rurale rreth 700 metra në jugperëndim të hapësirës me gurë e rrasa na çon tek punishtja ku nxirren këto rrasa guri. Dhe, duke parë nga afër këtë shkëmb shumëpalësh në gji të tokës e shohim dallimin me rrasat e bukura që shkëlqejnë të pastra nën rrezet e diellit. Një shkëlqim që humbet në zhurmën e mjeteve të rënda që lagen me djersët e tre filizave të rinj, asnjëri prej të cilëve nuk i ka mbushur ende 20 vjet.

“Si po shihet, puna është shumë e rëndë. Nxjerrja bëhet me tramp, e me lopatë, me qyski, me pyka, me çekan t´rëndë. E pastron sipërfaqen e gurit n´tërësi e atëherë e nxjerrim, pjesë pjesë, është rëndë, rëndë".

Mendim Balaj 19 vjeç, po bart karrocen prej dheut nga i cili pastroi shkëmbin shumëpalësh:

“Çohem në gjashtë t'mëngjesit, vimë këtu në shtatë, deri në shtatë të mbrëmjes.. po të kisha mundësi më mirë do të ishte me u shkollu, ndonjë punë me të lehte se kjo është shumë e rëndë, por s´kemi mundesi. Shpresojmë në të ardhmen por në kushte të tilla, jo...”.

Këtë nuk do t´ua deshironin as prindërit e tyre, sepse edhe ata janë të vetdishëm se vendi i këtyre të rinjve është në bankat e shkollës. Por lufta për ekzistencë është një sfidë e madhe. Përpjekja për një jetë më të mirë....

Autore: Ajete Beqiraj / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).