Ende asnjë rast gripi të derrit në Shqipëri

Në Shqipëri autoritetet shëndetësore shtojnë masat për të përballuar një epidemi të mundshme të gripit të derrit në vend.

Deri tani nuk është konfirmuar asnjë rast me gripin e derrit në Shqipëri, por Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo thotë në një intervistë për BBC-në se ka mundësi që të ketë ndonjë rast të lehtë që nuk është kapur.

"Gripin ndoshta mund ta kemi edhe në Shqipëri, mund të jenë forma të lehta, por sido që të jetë deri tani para 4 ditësh ne kemi marrë 70 mostra nga 70 persona të dyshuar dhe nuk ka rezultuar asnjë pozitiv," tha zonja Godo.

Sot priten përgjigjet e analizave për tetë persona të dyshuar.

Korrespondenti i BBC-së në Tiranë Fatos Ahmati bisedoi me ministren e Shëndetësisë, Anila Godo.

BBC: Si po e ndjekin autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë gjëndjen e gripit në Shqipëri?

Anila Godo: Këtë muaj situata bëhet pak më shumë shqetësuese për faktin që ka marrë përmasat e një pandemie, por që në muajin maj ne morëm masat tona dhe krijuam komisionin e ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me nje grup operativ në mbështetje të këtij komisioni, u krijua gjithashtu Komiteti Ndërministror i organizuar nga kryeministri dhe ky komision ekspertësh në një bashkëpunim të ngushtë pothuajse të përditshëm me ekspertët rajonal të OBSH-së në Tiranë, filloi të vlerësojë një strategji që tashmë ishte gati.

BBC: Konkretisht çfarë masash janë marrë?

Anila Godo: Konkretisht do të thoja që janë disa masa fikse dhe përveç kësaj ne mblidhemi vazhdimisht për të rivlerësuar gjendjen dhe në bazë të informacionit që na vjen nga OBSH-ja për situatën ndërkombëtare për të rivlerësuar gjendjen në vend dhe për të ripërshtatur strategjinë tonë.

Sidoqoftë në këtë çast instituti i shëndetit publik ka përgatitur udhërrëfyesit e shkruar të cilët janë shpërndarë në të gjitha rajonet dhe drejtoritë e shëndetit publik rajonal. Gjithashtu drejtuesit rajonalë të shëndetësisë janë thirrur nëpër seminare nëpërmjet të cilave këta duhet të dinë se si duhet të trajtojnë një rast të dyshuar dhe si duhet të sillen tashmë me një rast të konfirmuar.

Ne kemi përgatitur fleta të shkruara, të cilat janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare në mënyrë që çdo person i vendit apo i huaj që arrin në pikat kufitare të deklarojë pranë strukturave tona, inspektoriateve tona sanitare, të cilët tashmë gjenden të organizuar në çdo pikë kufitare. Ky person duhet të deklarojë nëse është i sëmurë ose jo, ka temperaturë, apo është i shëndoshë por pa dashur ka qenë në ambiente apo kontakt me persona të dyshuar.

BBC: Megjithatë zonja Godo, në disa prej pikave kufitare të kalimit në Shqipëri, vihet re se nuk ka masa serioze lidhur me mbrojtjen nga virusi, madje nuk shihen që punonjësit e këtyre pikave të kenë dhe mbrojtësen para fytyrës?

Anila Godo: Faktikisht ky nuk është më tani një rekomandim i OBSH-së dhe për këtë doja të thoja që strategjia jonë disi mund të ketë ndryshuar në përshtatje dhe me rekomandimet e reja. Pra, duket sikur tashmë përhapja e epidemisë është e paevitushme si në vendet ku është i pranishëm ky virus, ashtu dhe ne vendet që në dukje konsiderohen se akoma nuk kanë raste të infektuara. Pra, vëmendja është fokusuar më shumë se si ne mund të zbusim më shumë këtë pandemi sesa të jetë prezent dhe në Shqipëri dhe të jemi gati për t'i bërë ballë.

BBC: OBSH-ja ka kërkuar që të merren masa për të vaksinuar popullatën. Në fakt në çfare faze ne jemi?

Anila Godo: Faktikisht ne tani nuk kemi vaksinën, pritet të prodhohet vaksina që do të jetë në treg në fillim të shtatorit. Shpresojmë! Ashtu si të gjithë vendet e tjera dhe ne kemi tashmë një fond "planin e kontigjencës", por në mbledhjet e qeverisë do të rrishtrohet që ky fond të vijë duke u rritur, në mënyrë që dhe vaksinimi i popullatës të vijë duke u rritur. Unë pata një bisedë me nëndrejtoreshën rajonale për Europën të OBSH-së dhe biseduam dhe për faktin që të themi sa duhet të jetë sasia e vaksinës që duhet të blejmë në mënyrë që të kemi të drejtë të themi që në një farë mënyre jemi mirë të mbuluar.

BBC: Sa vaksina do të blihen?

Anila Godo: Kjo varion. Ka një lloj thënie që thotë që nëse arrijmë të vaksinojmë një të katërtën e popullatës, pra 25 për qind, i bie të jemi të mbuluar. Ka vende të tjera të cilat pretendojnë një mbulim 100 për qind, por tani ne pretendojmë të jemi gati, kemi një stok Tamiflu, kemi një fond gati për blerjen e një sasie vaksine të cilën do ta rrisim në varësi me ato të reja që do na sjellë situata epidemiologjike.

BBC: Nëse flasim me shifra sa është ky fond znj. Godo?

Anila Godo: Nuk ka rëndësi se sa është fondi, sepse qeveria do paguajë çdo lloj shumë nga buzheti i saj për të plotësuar kërkesën me vaksina.

BBC: Kush do të vaksionohen të parët znj. Godo?

Anila Godo: Duhet të vaksinohen patjetër gratë shtatzanë, të gjithë ata persona që më parë kanë paraqitur sëmundje kronike sidomos të mushkrive, sepse këta janë më të prirur që një virozë të tillë ta kalojnë shoqëruar me komplikacione. Pastaj ai kontigjent i popullatës me moshën 15 - 45 vjeç që janë personat më aktivë, më në lëvizje, më të mundshëm për të patur kontakte më të shpeshta, do të jenë fëmijët e shëndoshë dhe më pas grupmoshat më të vjetra duke e ulur prioritetin me rritjen e moshës e duke menduar që një 70 vjeçar ka kontakte më të ulta dhe mundësi infektimi më të pakta se një 30-vjeçar që është gjithë ditën në aktivitet.

BBC: Vaksinimi do të bëhet falas zonja ministre?

Anila Godo: Vaksinimi patjetër do të jetë falas për këto grupe që i quajmë grupet më vulnerabël, por unë si ministre do të dëshiroja dhe do të përpiqem që sido që te jetë vaksina të jetë edhe në treg të lirë njëlloj si vaksinat e tjera sezonale të gripit. Mendoj që nuk do të jetë e kushtueshme, po aq sa janë dhe vaksinat e tjera rreth 10 euro. Pra shume qytetarë kanë plotësisht mundësi për ta blerë.

BBC: Zonja ministre mendoni se mund të zgjasë epidemia?

Anila Godo: Kjo është e vështirë të thuhet sepse kjo epidemi - pandemi tashmë, ka shkallëzimin e saj, një gjë është e sigurtë që kjo pandemi pati një shpejtësi të madhe të përhapjes më shumë se çdo grip tjetër, të cilit i është dashur të paktën 6 muaj të kalojë në fazën e pandemisë. Sesa kjo pandemi do të zgjasë kjo është e vështirë të thuhet.

BBC: Nëse flasim gjithmonë me shifra, sa persona mund të preken nga ky grup në Shqipëri?

Anila Godo: Më e keqja që thuhet nga OBSH-ja, është që 1 ndër 5-6 persona mund të preket, pra duket një shifër e madhe, por e mira është që një pjesë e madhe e personave që do të preken, ndoshta do ta kalojnë gripin edhe pa e kuptuar.

BBC: Në disa media është hedhur hija e dyshimit se tashmë rasti i parë në Shqipëri mund të jetë shfaqur, por priten përgjigjet e analizave. Sa e vërtetë është një gjë e tillë?

Anila Godo: Personalisht si punonjëse e vjetër në mjeksi them që ka shumë mundësi që gripi të jetë edhe në Shqipëri, duke qenë se është edhe në vendet fqinjë, duke qenë se është faza që vijnë shumë emigrantë, studentë, duket si e çuditshme që akoma në Shqipëri mos të kemi konfirmimin e rastit të parë.

Pra, unë mendoj që gripin ndoshta mund ta kemi edhe në Shqipëri, mund të jenë forma të lehta, por sido që të jetë deri tani para 4 ditësh ne kemi marrë 70 mostra nga 70 persona të dyshuar dhe nuk ka rezultuar asnjë pozitiv. Së fundmi janë edhe disa persona këto 2 ditë, 8 persona të dyshuar dhe presim përgjigjen deri nesër.

5 Komente

desdo, qe te jesh korrekte me gjuhen shqipe, thuhet "po po, lesh lesh", me nje lesh ose me nje po nuk eshte konform rregullave te sintakses dhe morfologjise smiley

na fal zoti msus,

osht defekt fabrike.

se brezi im ska bo gjuhe m'gjimnaz.

kurse gjuhen n'8vjecare , ma ka dhon nji vit nje ish dajakdhenes hetuesie, e i nji vit nji debile e lindur, e pastaj vitin e funit ra kamunizmi, ene aq e pat shkolla dhe diktimi smiley

 Desi besoj se ka zberthyer kete:

"Pra, duket sikur tashmë përhapja e epidemisë është e paevitushme si në vendet ku është i pranishëm ky virus, ashtu dhe ne vendet që në dukje konsiderohen se akoma nuk kanë raste të infektuara."

po pra po smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).