Ekonomia atrofike e pas 28-ës

Cilado qoftë qeveria që vjen nesër dhe pavarësisht ditës kur do të hyjë në zyrë, qeverisja e vërtetë në terma ekonomikë-financiarë do të fillojë pas vitit 2010. Nuk është parashikim pesimist, por një realitet i së nesërmes, i materializuar që sot në varësi të plotë të situatës aktuale makroekonomike. Në këtë pikë, menaxhimi i situatës ekonomike nga partitë e mëdha mbetet një mister i madh, duke qenë se platformat përkatëse nuk janë publikuar ende dhe sipas gjasave shqiptarët do të kenë mundësi t’i lexojnë këto platforma të vëna në praktikë në 4 vitet që vijnë dhe të votojnë për to më 2013. Por, edhe sikur planet partiake të ishin të disponueshme, sërish ato nuk do të mund të ndryshonin tablonë faktike të ekonomisë shqiptare, e cila sot për sot paraqitet në stanjacion dhe nuk jep shenja të ndonjë dinamizmi të pritshëm. Adriatik Kotorri, pedagog i lëndëve financiare në Universitetin e Tiranës, thekson se çdo masë konkrete mund të nisë vetëm në gjysmën e dytë të 2010, ndërkohë... “qeveria e ardhshme do të qëndrojë në pritje, derisa të vijë koha, kur të ketë mundësi të veprojë në planin ekonomik. Gjatë kësaj kohe mund të planifikojë dhe të zhvillojë reforma në sektorë të tjerë, por nuk do të jetë në gjendje për vendimmarrje që kanë pas vetes kosto të ndjeshme financiare dhe ku nuk është parashikim - është fakt”.

Por ç’do të gjejë apo rigjejë qeveria e ardhshme në planin financiar dhe ekonomik? Do të gjejë një treg financiar me vëllim të shtuar për sa i përket shërbimeve, ku mund të veçohet rritja i depozitave, një trend i nisur që në vitin 2000. Në këtë pikë, përjashtim bën 9-mujori i fundit, kohë kur ndodhi një frenim i rritjes së depozitave për shkak të krizës së besimit, rrjedhojë e krizës ndërkombëtare. Do të gjejë gjithashtu shtim të kreditimit të ekonomisë, një proces i nisur në mënyrë të theksuar pas 2004, kur u privatizua Banka e Kursimeve; si dhe rritje të shërbimeve bankare, sidomos të kartave të pagesës falë konkurrencës dhe përvojës së sjellë nga bankat mëmë, ku mbështeten pjesa më e madhe e bankave të nivelit të dytë.

Qeveria e së nesërmes do të gjejë një treg më të zhvilluar të sigurimeve me rritje në sasi, por jo në lloj të kontratave të sigurimit, meqenëse tregu vazhdon të jetë peng i kontratave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve dhe pasi sigurimi vullnetar, edhe pse në shifra është rritur, në pjesën dërrmuese ka qenë de facto i detyrueshëm. Në këtë kuptim vlen të sqarohet se një pjesë e madhe e sigurimit vullnetar ka qenë sigurim jete dhe prone kryer nga individë dhe subjekte për përfitimin e kredive bankare.

Sa i përket institucioneve financiare kemi po aq banka sa në vitin 2004. Kompanitë e sigurimit janë po ato, planet e pensionet po ato, ndërsa bursa e Tiranës vazhdon të lëngojë në një letër të vjetër që lajmin më të bujshëm e bëri vetëm në ’96, kur u njoftua krijimi i saj. Ndërkaq, tregu financiar dëshmon për një rritje të ndjeshme të kostove, sidomos të kredive, si dhe rritje të përfitimeve nga depozitat dhe nga bonot e thesarit. Gjithashtu, vërehet edhe një rritje e lehtë e kostove të sigurimit, meqenëse kompanitë kanë filluar të respektojnë minimumin ligjor. Dhe këtu mbarojnë lajmet e mira për qeverinë e ardhshme!

 

Drama e buxhetit dhe investimeve

 

Situata mund të mos jetë e tillë, sa të justifikojë shkrimin e një tragjedie në planin ekonomik, por është pa dyshim dramatike. Aktualisht, Shqipëria ka një buxhet të ënjtur nga shpenzimet e sforcuara publike, sidomos për dy vitet e fundit. Qeveria e ardhshme do të jetë e detyruar natyrshëm të përfundojë projektet e inauguruara para kohe ose që janë në fazën përfundimtare, para se të ketë mundësi të veprojë për projektet e saj.

Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore financohen si kurrë më parë në nivele të konsiderueshme nga pagat e punonjësve, falë sanksionimit të “pagave të referencës”. TVSH dhe të ardhurat doganore janë gjithashtu në lojë, të paktën në terma nominalë, duke qenë se këto të ardhura janë tkurrur ndjeshëm gjatë 9 muajve të fundit, si pasojë e importimit të efekteve të krizës ekonomike botërore, por edhe të dështimeve të brendshme në planin ekonomik, siç është ndërtimi për shembull. Në terma më popullorë, “shteti vazhdon të mjelë të njëjtën lopë”, pra paguajnë ata që janë të rregullt dhe çështja e ekonomisë informate mbetet ende problem. Në këtë kuptim, gjashtëmujori i dytë i vitit 2009 dhe i pari i 2010 vlen për të reflektuar çfarë do të bëhet në gjysmën e dytë të vitit 2010. Kjo sepse do të mungojnë mundësitë financiare për të zhvilluar projekte të reja. Por qeveria e ardhshme e ka një mision edhe gjatë kësaj kohe - të menaxhojë mbijetesën ekonomike të vendit.

Në çdo rast, fatura financiare e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm nuk mbulohet nga situata aktuale. Bizneset shtetërore janë minimizuar. Albtelekom, ARMO etj. janë privatizuar tashmë. Qeveria që do të vijë pritet të thithë më pak të ardhura edhe nga turizmi. Efektet e krizës botërore, edhe pse mund të kalojnë më shpejt në Shqipëri, në vendet perëndimore nga ku vjen një masë e konsiderueshme e kontingjentit turistik do të vazhdojë t’i japë efektet në vazhdim.

Kushdo të ulet në fronin e pushtetit, do jetë i detyruar të heqë disa zëra në përfitimet doganore në kuadër të reformave fiskale të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ndërkaq do të detyrohet të paguajë edhe borxhet e akumuluara gjatë mandatit të fundit, e sidomos ato të rrugës patriotike. Dhe interesat e borxhit janë rritur. Do të përballet edhe me faturën e VKM së lëshuar së fundmi nga qeveria për rritje pagash.

Dhe ndërsa të gjithë aktorët politikë flasin për rritje spektakolare të shifrave të punësimit, si fillim do të përballen me rritje të papunësisë. Kriza financiare që ka bllokuar investimet e biznesit do t’i japë një pjesë të pasojave në 6-mujorin e dytë. Më pak investime përkthehen, ndërsa flasim për më pak punë, çka do të thotë në mënyrë eksplicite: Më pak vende pune! E ndërsa faktorët e brendshëm nuk premtojnë për rritje të punësimit, të paktën jo brenda harkut kohor korrik 2009-qershor 2010, disa i kanë drejtuar sytë tek investimet e huaja. Këtu është tjetër histori.

Sipas parashikimeve të mundshme më optimiste, gjatë vitit 2010 ekonomia botërore do të ndalojë rënien, por dyshohet se do të ketë rritje, pasi aktualisht, rritja është negative, pra nën 0%. Kjo do të thotë se investimet e parashikuara që të rriten duke çelur qindra-mijëra vende të reja pune, ka pak shanse të ndodhin. Ndërkaq, pothuaj çdo ekspert që nuk është listë-pagën e politikës, paralajmëron se edhe investimet e huaja do të shënojnë domosdoshmërish rënie.

Sakaq, këta të papunë nuk mund të mbështeten as te shpëtimi që vjen nga jashtë kufijve, duke qenë se pothuaj çdo aktor zyrtar ka pranuar se remitancat nga emigracioni përpëliten në nivele mjerane që nga gjysma e dytë e vitit 2008. Në këtë pikë gjëmës financiare i shtohet edhe ajo sociale. Ku do të gjenden paratë për të mbështetur mbijetesën e familjeve pa burim të ardhurash? Dhe pa dyshim aplikantët për mbështetje sociale do të vijnë duke u rritur.

Gjithashtu, janë forcuar monopolet në fushën e karburanteve. Nuk ekzistojnë më oligopolet e kohës së Nanos, duke qenë se sot kemi situatë monopol të paktën në tregun e hidrokarbureve. Forca e ardhshme qeverisëse do të gjejë një treg me çmim në rritje të karburanteve, pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Situatë, e cila do të thellojë krizën për shkak të rritjes së kostove për bizneset dhe si rrjedhojë, do të shkaktojë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit. Dhe duhet theksuar se në këtë pikë deficiti buxhetor 2008-2009 është më i larti i gjithë periudhës së tranzicionit.

Gjithashtu, qeveria e re do të duhet të adresojë edhe ato projekte zhvillimi me karakter ndër-rajonal, siç është rasti i Korridorit 8, një projekt aktualisht në gjendje kome, që kur gjeti bllokimin nga Bashkimi Evropian. Në këmbim pala shqiptare ka rizgjuar Rrugën e Arbrit, por kjo e fundit nuk përfiton nga paratë e BE. Pra, në njëfarë mënyre do të duhet ta paguajmë vetë. Por me çfarë parash? Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të marrë çfarëdolloj borxhi të rëndësishëm për vitet që vijnë duke qenë se totali i borxhit aktual vërtitet rreth shumës 6 miliardë euro, apo rreth 56% e Produktit të Brendshëm Bruto. Për më tepër “Ai Që Do Të Vijë” kushdo qoftë ky, do të gjejë një Berluskon në rënie. Një mik tradicional i pushtetarëve shqiptarë nga Nano te Berisha dhe mbështetës kalorësiak i projekteve të tipit “Korridori 8”. Dhe sidomos, nëse Sali Berisha bëhet sërish kryeministër, ka gjasa të humbasë një aleat të madh.

 

Bujqësia, turizmi, arsimi, shëndetësia etj...

 

Këta janë sektorët që i gjen në axhendat e çdo force politike. Këta janë sektorët, të cilët do të zhvillohen për të zhvilluar më pas gjithë vendin. Por zhvillimi ka fatura financiare, në një kohë që financat mungojnë. Në këtë pikë, në një hap të detyruar sinqeriteti, qeveria e së nesërmes do të pranojë se ato reforma me fatura të ndjeshme financiare nuk do të ndodhin menjëherë. Do të duhet të presin të paktën edhe një vit tjetër që të fillojnë. Sepse nuk do të ketë subvencione për bujqësinë që buxhetin e parë të qeverisë së re, por mund të ketë reforma në ide dhe riorganizim. Nuk mund të ketë rritje të ndjeshme të investimeve në turizëm, por mund të ketë menaxhim më të mirë të mundësive ekzistuese. Do t’u duhet të pranojnë se arsimi nuk do të ketë rritje të forta në përqindje të GDP, por së paku duhet të ketë menaxhim logjik të asaj që ekziston dhe që fondet që lëvrohen për këtë sektor të realizohen në masën 100% e jo në 50% apo 60%. Duhet të pranojë se nuk do të hapë depon e investimeve në shëndetësi, por së paku do të luftojë korrupsionin dhe do të rishikojë sistemin ekzistues. Kjo vlen edhe për sektorët e tjerë të mbarsur sakaq me premtime. Legalizimet mund të plotësohen në dokumente tapish, por investimet në terren do të kërkojnë kohë. Ndërsa ish-pronarëve dikush duhet t’u thotë se kompensimin për pronat e humbura apo të grabitura nuk do ta marrin kurrë. Të paktën jo kompensimin financiar. Dikush duhet t’i thotë të gjitha këto. E ndërsa sot jemi në kohë zgjedhjesh, çka kufizon ligjëratën faktike për të nesërmen, vetë e nesërmja do të detyrojë artikulimin e sa më lart. Dhe kjo është diçka që do të ndodhë.

3 Komente

Analiza qe ke bere eshte shume e bukur. Shvejku do te thoshte me dy vargjet e kenges:

Ne Bugjejovice ne po vemi, kush s'beson borxh nuk ja kemi....

smiley

Ne fakt qeveria qe do vije, do ta kete edhe me te veshtire. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).