Dy portretet e zonjës së plakur

Nga Kim Mehmeti
Marrë nga gazeta “Koha Ditore”, Prishtinë

Shtetet e Unionit Evropian dhe Ballkani janë dy portretet e së njëjtës zonjë të plakur. Shtetet perëndimore të Evropës dhe ato të Ballkanit janë si fytyra e grimuar dhe ajo e natyrshmja e së njëjtës zonjë, e cila nuk arrin ta fshehë të kaluarën e vet jo të moralshme dhe nuk ia del të përballet as me të sotmen e ndërtuar duke përdorur standarde të dyfishta. Duke qenë e tillë - dyfytyrëshe, Evropa Perëndimore i rrënoi kufijtë mes veti duke dashur të dëshmojë se e ka harruar kohën kur ato mure u ngritën nga gjaku i rinisë së saj, e ndërkohë nga rrënojat e tyre ajo ngriti murin e lartë të Schengen-it, i cili kontinentin e ndau në pjesën ku jetonin të “mirët” dhe atë ku banonin të “këqijtë” e Evropës, në ata që e jetonin të sotmen e kontinentit dhe ata që mbeten në baltën e së kaluarës së tyre. Me çka u krijua një gropë ndarëse mes Evropës Perëndimore dhe Ballkanit, një humnerë, e cila ua pamundësonte ballkanasve të shohin se edhe shekulli i njëzetenjë i këtij kontinenti, shenjë njohëse do të ketë kufijtë që të tregojnë nga cila anë e murit e ke vendin. Pra, përderisa europerëndimorët rrënonin muret e tyre ndërshtetërore që të kenë material të bollshëm për të ngritur sa më lartë murin e Schengen-it, i cili më shumë se asgjë tjetër në këtë kontinent do stimulojë kontrabandimin me njerëzit që doemos donin të braktisin vendin ku jetojnë si dhe do nxisë shitblerjen e vizave - ballkanasit merreshin me pastrimin e plehut historik që këtu ua kishin lënë ata që sot i mësojnë se nuk jetohet nga e kaluara, mësuesit që shtiren se nuk e shohin se, sikur mos ekzistonte muri i Schengen-it, mbase edhe ballkanasit më lehtë do ndaheshin nga e kaluara e tyre apo më lehtë do e kuptonin se njeriu, edhe kur i ka gjitha të mirat materiale, nuk mund të ketë të sotme e të ardhme të lumtur, aty ku nuk ka të kaluarën e vet, aty ku nuk e lidh asnjë kujtim për atë që ke qenë dikur.

Edhe sot kur Evropa propozon liberalizimin e vizave për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, në të vërtetë ajo vetëm e stolis njërën nga fytyrat e saj dhe në njëfarë mënyre vazhdon ta njollosë portretin e vet të dytë të pikturuar nga ngjyrat e natyrshme ballkanike, sepse ky vendim i BE, më bindshëm se çdo gjë tjetër, dëshmon se në Evropën Perëndimore dhe humane shumëçka ndryshon dhe korrigjohet, përpos mendësisë që prodhon standarde të dyfishta, mendësisë e cila mbase edhe solli deri tek ajo që shekulli i njëzet i këtij kontinenti të ketë të njëjtat shenja njohëse si në fillim ashtu edhe në përfundimin e tij: të fillojë me beteja të përgjakura dhe të përfundojë me varreza masive që i la pas vetes ushtria serbe e Millosheviçit. Fillim dhe fund që dallojnë vetëm në një gjë: përderisa gjatë luftërave të fillimshekullit të njëzet, Evropa qartë kishte përcaktuar kufirin që ndante viktimën nga xhelati, ato të fundshekullit që përgjakën Ballkanin, ajo i shpalli si çmenduri kolektive. Me çka barazoi të pamundshmen - viktimën dhe keqbërësin. Dhe si shumë herë më parë mori përsipër të shkruante historinë e re të ballkanasve, e të cilën mbase do e lërë të ngatërruar njësoj si gjitha historitë e deritanishme të popujve që jetojnë këtu, e që te disa popuj të këtushëm do ushqejë edhe më tej bindjen e kultivuar me shekuj - se e keqja është jashtë tyre.

Se a do arrihet ndonjëherë të zbulohen të gjithë ata që hapën varreza masive ku groposën pafajësinë e Bosnjës dhe Kosovë, mbetet ende e paqartë. Por ajo që dihet që tani është e vërteta se Evropa, para syve të së cilës ushtarakët serbë ndanin të rinjtë dhe baballarët boshnjakë e shqiptarë nga nënat dhe gratë e tyre që t’i pushkatonin, sot del me propozimin që vizat të hiqen për qytetarët serbë, e të mbeten për boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Pra, kjo Evropa e sotme, që mban epitetin humane dhe progresive, tregohet e kujdesshme ndaj qytetarëve të Serbisë - ndaj atyre në emër të së cilëve Millosheviçi përgjaku Ballkanin - dhe vendosi t’i mbajë dyert e mbyllura për qytetarët e Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajë matanë murit të Schengen-it ata, të cilët, duke dashur të shpëtojnë nga shfarosja fizike, u shpërndanë anembanë botës.

Mbase Evropa perëndimore u tregua humane edhe ndaj shtetit që i nxiti gjakderdhjet në Ballkan duke u nisur nga parimi se nuk kanë faj qytetarët për atë që bëjnë pushtetarët. Me çka tregoi se ka harruar të përgjigjet se ç’faj kanë viktimat, pse qytetarët serbë disa herë me radhë zgjodhën për udhëheqës “xhelatin e Ballkanit”. Harresë që nuk e lejon atë të shohë të vërtetën se duke përdorur standarde dhe moral të dyfishtë, Evropa Perëndimore ushqen ndjenjën e padrejtësisë te boshnjakët dhe shqiptarët. Me heqjen e vizave vetëm për disa shtete të Ballkanit, Evropa në njëfarë mënyre do i mundësojë edhe ndonjë krimineli serb të vizitojë viktimat e veta të shpërndara nëpër tërë botën, por do ua ndalojë viktimave të vizitojnë të afërmit e tyre të degdisur nëpër vendbanimet evropiane.

Pa dyshim se shtetet e Bashkimit Evropian nuk kanë asnjë faj pse ballkanasit nuk ia arritën të dalin nga varfëria, pse atyre u pëlqen të mbeten peng i urrejtjeve historike, pse duan ta rijetojnë nga disa herë me radhë të kaluarën e vet. Por gjithashtu, nuk ka dyshim se Evropa Perëndimore nuk paguan në Ballkan vetëm çmimin e marrëzisë ballkanase, por edhe çmimin e tendencave të disa qarqeve të saj që ballkanasit përgjithmonë të mbeten “sharrëxhinjtë” e Evropës Perëndimore. Dhe duke pasur edhe qëllime të tilla, ajo ngandonjëherë ka ditur të shtiret se nuk ka mundur të dallojë mirë se cili është “xhelat” e cili viktimë. Gjë që aq dukshëm u pa gjatë luftërave të fundit ballkanase që i nxiti Millosheviçi, e gjatë të cilave, sikur mos ndërhynte Amerika, do mbusheshin edhe më shumë varre masive me boshnjakë e shqiptarë të pafajshëm.

Sido që të jetë, mbase nga viti i ardhshëm qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe të Malit të Zi do shëtisin pa viza nëpër Evropën e civilizuar dhe humane. Gjë që në Ballkan do kontribuojë të ketë shqiptarë, serbë e myslimanë të kategorive të ndryshme: ata që jetojnë në shtetet që do u lejohet shëtitje pa viza nëpër Evropë dhe ata që banojnë në shtete të lëna matanë murit të Schengen-it. Me çka Evropa Perëndimore do dëshmojë se jo njëherë gjer më tani nuk ka ditur të vërejë ku qëndron kufiri që ndan të mirën dhe të keqen për ballkanasit. Pra, edhe ky vendim i Evropës Perëndimore për heqjen e vizave vetëm për disa shtete të Ballkanit do dëshmojë se Evropa di të bëjë edhe të papriturën: viktimën ta mbajë të mbyllur pranë varrezave masive e atij që ka hapur ato varreza t’i lejojë të ikë sa më larg vendit të krimit.

4 Komente

Te kesh nje urrejtje ndaj Milloshevicit eshte mese e aresyeshme, por te njesosh popullsine serbe me Milloshin thjesht sepse ky i fundit eshte zgjedhur nga serbet, eshte njesoj si te thuash qe Enveri ishte pasqyra apo misherimi i shqiptareve te Shqiperise. Po a i ke bo ndonjehere pyetje vehtes pse Shqiperise nuk ja liberatizojne vizat per qytetaret e saj? Po serbeve do tia kishin liberatizuar hyrjet ne perendim nese do te ishte Milloshi akoma ne pushtet? E pra ne keto dy pyetje ndodhet dhe pergjigja: Milloshet jane akoma gjalle ne Ballkan; per fatin e mire te tyre jo me ne Serbi, Mal te zi e Maqedoni.  

  Berbero, desha edhe une t'e shkruaja nje pergjigje dje po thashe ta le pastaj se me ca tipa nuk ja vlen. Vecanerisht ca nga keto te Kosoves duket sikur jetojne ne nje bote surreale. Sipas llogjikes se ketij me siper, Gjermania s'duhet te ishte futur kurre ne BE se qeka popull nazist. 

Ne vend qe te ulin kurrizin e ti futen punes qe ta bejne Europen vete atje ku jane, duan t'i fusin ne Europen e tjetrit si kollovare, thjesht se jane trima e te bukur. D.m.th. te paret e tyre kane qene...

Mos krahasoni Kosoven me Shqiperine! Kosova ben zgjedhje parlamentare te drejta dhe te lira, ku nderkombetaret nuk japin "sugjerime" por marrin dhe jua percjellin vendeve te tjera. Autori ka nje te drejte qe duhet ta njohim per vendin e vete te lindjes dhe ku jeton. Kane vuajtur! Kane dhene gjak per tu bashkuar Evropes.

Ndersa palacot tane autore shkrimesh dhe analistash nuk kane asnje te drejte. Ne Shqiperi nuk behet fjale per "mure" por per gardhe me hunj te shtrember qe ka vene evropa pergjat kufirit.

Si tha Fishta : Evropa kurve! Se dinte i shkreti qe po dalin me kurv shqiptaret me 2009. Kurveri me ligj!

 

Kimi, (dhe ter shqiptaret, qe fatkeqesisht nuk e dine) duhen te kene parasysh se EU/BE i ka hequr taksat doganore per prodhimet shqiptare, qysh para 3-4 viteve, e ne kete rast i binte per detyre qeverise shqiptare te pregatiste pashaporta per biznesmenet/tregtaret dhe prodhuesit shqiptar (gje per te cilen une kam folur para shum viteve dhe ne ate kohe, kohen e marrveshjes MSA). Rreth 100 mij tregtare e prodhues do te ishin paisur me pashaporta te vecanta qysh me 2006, mirpo qeveria ishte e zene me te tjera pune personale dhe jo kombetare. Tani na dalin zera se pse BE nuk na i liberalizon vizat, kur BE priti e priti se c'do te bente qeveria shqiptare per grupin e pare, sic jane biznesmenet dhe prodhuesit. Tani qeveria e Buall Mavrise, nxiton e vrapon (duke bere shum gabime dhe ne kete proces) duke bere per ter popullaten kartat e identitetit dhe pashaportat per udhetim, a thua se ne EU po krijohen vende te reja pune. Edhe ne EU, gjysma e popullates nuk i ka pashaportat e udhetimit apo sic i thone ne Shqiperi , Biometrike. Njerzit kane dhe i kryejne ter veprimet me kartat e identitetit, qe jane nje cop plastike me cip, ku jane te tera te dhenat e qytetarit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).