Diskriminim i rrezikshem

Ende nuk kam njohur ndonjë kosovar, i cili ia kishte vënë vetes si qëllim që të migrojë në ndonjë shtet të Perëndimit e të mos e ketë bërë realitet brenda një periudhe të shkurtër kohore. Të paktët nga këta njerëz ikjen në Perëndim e kanë bërë duke u pajisur normalisht me vizë. Numri më i madh e kanë realizuar qëllimin në mënyra nga më të ndryshmet e trafikimit nëpër shtete e kufij, me pasaporta të huaja e metoda të tjera nga më origjinalet. Të gjitha këto metoda kanë dy të përbashkëta drejt përmbushjes së synimit, që janë dorëzimi në qasje kriminale dhe shpenzimi i shumave të majme të parave. Mirëpo, besoj që shpesh ne, një numër i vogël njerëzish në Kosovë që kanë pasur një privilegj të pajisen me viza dhe mundësinë të vizitojnë shtete të ndryshme, kemi hasur shumë kosovarë që do të ktheheshin që nesër në atdhe. Ajo çfarë i pengon ata që të kthehen janë pikërisht vështirësitë që kanë kaluar derisa kanë arritur në vendet e Perëndimit. Shpesh kanë mbetur të zënë në situatë pengu. Presin të kalojë një numër i caktuar vjetësh në vendin ku kanë migruar, për t‘u pajisur me dokumentet e nevojshme për të mundësuar rikthimin e tyre eventual. Nuk duan të rrezikojnë. Ose edhe ambicie më e vogël - të punojnë aq gjatë sa të mund të kthejnë borxhet e marra para nisjes për të paguar udhëtimin e tyre të shtrenjtë klandestin drejt Perëndimit. As më shumë, as më pak. Po të kishin këta persona mundësinë që të pajiseshin me lehtësi me viza, ose të qarkullonin pa viza fare, do të kishin shumë më pak arsye që të qëndronin në Perëndim. Rrjedhimisht, numri i të mërguarve do të ishte shumë më i vogël.

Duket një përfundim i thjeshtëzuar, mund të mendojë dikush. Ndonëse, në dukje të parë, vërtet mund të tingëllojë si një konkludim i shpejtë dhe bardhezi, ka një përvojë shumë interesante në vetë vendet e Bashkimit Europian që e kanë argumentuar një llogari të tillë të thjeshtë. Ka të bëjë me 1 majin e vitit 2004, datë kjo kur ishte paraparë që Bashkimi Europian të bënte zgjerimin e tij më të madh që nga krijimi, duke pranuar 10 shtete të reja brenda. Sa më shumë që afrohej kjo datë, debatet parlamentare dhe ato në media bënin namin. Veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar ishte krijuar një atmosferë gati-gati histerie. Ishte e madhe frika nga ajo që do të sillte dita kur Bashkimi Europian do t‘i shtoheshin plot 75 milionë banorë të tjerë, të cilët nga 1 maji do të kishin mundësi që pa pasaportë të udhëtonin në vendet brenda këtij unioni. Një ditë para kësaj date, titujt në gazetat britanike ishin të tillë: "Nga nesër, 5 milionë polakë do të vendosen në Britani", "Ku do të punojnë britanikët, kur europiano-lindorët do të vijnë me miliona dhe do të punojnë me një të pestën e pagave tona". Vetëm paramendimi i situatës kur miliona njerëz do të kenë të drejtë që lirisht të vijnë në shtetet më të zhvilluara, trajtohej si një ndërrim paradigme i asaj se çfarë ka qenë jeta në këto vende para dhe pas 1 majit të atij viti. Mirëpo, çfarë ndodhi? Asnjë nga të paralajmëruarat. Vërtet, në ditët dhe muajt në vazhdim u rrit paksa numri i njerëzve nga 10 shtetet e reja që vinin për të kërkuar punë në Britani. Por as për së afërmi në numrat e trumbetuar dhe për më tepër duke mos sjellë ndonjë të keqe. Më e bukura ishte se, shumë nga këta polakë, çekë, sllovakë e të tjerë, vinin lirisht në Britani dhe kishin mundësinë për ta vërtetuar se çfarë në të vërtetë është jeta atje. Tashmë jo vetëm nga filmat, televizori, romanet ose gazetat, por me përjetim personal të drejtpërdrejtë. Dhe disa e gjenin ndonjë punë dhe punonin. Të tjerë ose nuk gjenin, ose nuk u pëlqente Britania, ose vlerësonin se në vendin prej nga kishin ardhur e kishin një jetë shumë më të mirë se ajo që mund t‘u ofrohej në vendin e ri.

Kështu, numri më i madh i tyre, pas dy-tri javësh përvoje britanike, kthehej prej nga kishte ardhur. Teksa në vete mbartte një siguri të madhe që ua mundësonte mundësia e qarkullimit të lirë - sido që të shkonin punët, gjithmonë mund të kthehej prapë atje pa pengesa. Në vitin 2009, në kohën kur vendet anëtare të BE-së kanë bërë edhe një përllogaritje të gabuar rreth liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve nga Ballkani Perëndimor, jeta e qytetarëve në Britani e në vendet simotra të saj, pak ose aspak nuk ka ndërruar për të keq nga 1 maji i para pesë vjetëve. Aq më tepër, histeria e krijuar pa arsye para asaj date kujtohet si një episod qesharak. EDHE NË KOHËN kur ishte paralajmëruar si iniciativë procesi i liberalizimit të vizave ‘Shengen‘ për vendet e Ballkanit Perëndimor, më 2006, nuk ishte fshehur se do të duhej bërë një balancë për Serbinë në kohën kur fillonin negociatat që çuan në pavarësimin e Kosovës. Dhe asgjë nuk ka ndryshuar sot, tri vite më pas, në këtë qasje që del të jetë në nisje dhe në bitisje - politike. Teksa më lart kishte një përshkrim praktik të gjendjes së panevojshme paradoksale në të cilën po shtyhen qytetarët e tri vendeve ballkanike, tash mund ta shohim këtë proces nga prizmi që edhe insistohet për t‘u parë nga Brukseli - ai teknik.

Komisioni Europian rekomandoi liberalizimin e vizave ‘Shengen‘ për vitin që vjen për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë (ndonëse për këto dy të fundit ende pa i plotësuar të gjitha kushtet), kurse la jashtë këtij afati kohor Shqipërinë e Bosnjën, e përjashtoi fare Kosovën. Mirëpo, argumentet e dhëna nga zyrtarët e lartë për këtë vendim, assesi të bindin dikë që njeh rrethanat dhe historinë e rajonit. Më tepër duken standarde të dyfishta politike. Nëse, për shembull, Kosova nuk i plotëson standardet e sigurisë së përgjithshme dhe asaj të kufijve, atëherë kjo njëkohësisht do të thotë mosplotësim i këtyre standardeve nga vetë vendet e BE-së, si dhe tri shtetet me të cilat kufizohet. Në Kosovë ka një mision të BE-së, EULEX, pikërisht për të dhënë ndihmën në këto fusha të brishta dhe nëse ky standard quhet i dështuar, atëherë duhen quajtur edhe vendet europiane e SHBA-ja që kanë kontribuar staf në këtë mision. Kurse, nëse kufijtë e Kosovës nuk janë të sigurt, atëherë si mund të quhen të sigurt kufijtë e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë që i ndajnë ato me vetë Kosovën? Nëse në (mos)vendimin për Kosovën ka ndikuar mosnjohja e shtetësisë nga pesë shtetet e BE-së, atëherë ka mundur që të veprohet ngjashëm si dhe deri më tash nga këto shtete. Zgjidhja tashmë është në tavolinë. Vendet e BE-së që e kanë njohur pasaportën e Republikës së Kosovës, tash vendosin vizat ‘Shengen‘ në të, por me minus për vendet që nuk e kanë pranuar shtetin/pasaportën. E njëjta do të mund të aplikohej edhe me liberalizimin e vizave për pasaportën kosovare. Ato shtete që e njohin realitetin e ri të Kosovës, do të mund të lejonin hyrjen në territorin e tyre pa viza të qytetarëve me pasaporta kosovare - shtetet që nuk e njohin atë, nuk do të mundësonin hyrjen në territorin e vet të qytetarëve me pasaportë të Kosovës. Pavarësisht vizës, pra. Dhe një gjë, që e paramenduar ose jo shpërfaqet tmerrësisht problematike, është se BE-ja, e menduar si një bashkësi sekulare, me rekomandimet e fundit i jep një ngjyrë krejt tjetër idesë thelbësore. Duke qenë të vetmet shtete me shumicë myslimane në Europë - pikërisht shumica e qytetarëve të këtij religjioni nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja do të vazhdojnë të jetojnë në formë getoje në kontinentin e tyre. Kjo pasi që serbët e kroatët e Bosnjës do të mund të marrin pasaportat e Serbisë, njësoj edhe serbët e Kosovës që do të regjistrohen në Serbi, por myslimanët - praktikues ose jo - mbesin të izoluar.

Me sa po shihet, shtetet e asaj që dikur quhej botë e lirë dhe që luftuan shumë kundër diskriminimit që u shpërfaq në mënyrën më të vrazhdë gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrezikojnë që ngadalë, por sigurt, të zhyten në një situatë të ngjashme sërish. A s‘do të duken qytetarët që pas pak muajsh do të bartin pasaportat e shtetit të Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjës të shenjuar njësoj si dikur dhe në një kohë të errët njerëzit që detyroheshin të bartnin të qëndisur yllin gjashtërremësh për të treguar se ishin hebrenj? Pasaportat e Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjës, së shpejti mund të kenë të njëjtin kuptim. Por, nëse Europa nuk dëshiron ta shohë veten sërish të zënë në një situatë kaq të thellë diskriminuese, të krahasueshme me pozitën e dikurshme të hebrenjve, do të ishte shumë më mirë të caktonte qartë disa kushte që do të duhej të përmbushnin shpejt tri shtetet e përjashtuara dhe gjithçka të paqëtohej. Në të kundërt, historia na ka mësuar se diskriminimi nuk ka sjellë kurrë ndonjë të mirë.

 

3 Komente

Shume analize e sakte.Asnje presje nuk do ti hiqja,te gjitha argumentet qendrojne.

Edhe mua me pelqeu shume kjo analize

Ajo çfarë i pengon ata që të kthehen janë pikërisht vështirësitë që kanë kaluar derisa kanë arritur në vendet e Perëndimit. Shpesh kanë mbetur të zënë në situatë pengu. Presin të kalojë një numër i caktuar vjetësh në vendin ku kanë migruar, për t‘u pajisur me dokumentet e nevojshme për të mundësuar rikthimin e tyre eventual. Nuk duan të rrezikojnë. Ose edhe ambicie më e vogël - të punojnë aq gjatë sa të mund të kthejnë borxhet e marra para nisjes për të paguar udhëtimin e tyre të shtrenjtë klandestin drejt Perëndimit. As më shumë, as më pak.

 

Ky eshte nje kurth ne te cilin kane rene pothuajse gjysma e shqiptareve qe kan emigruar. Nje kurth i perpunuar shume bukur. Zoti i dhente karar kesaj pune nje dite!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).