"Çamët u injoruan dhe u ironizuan nga e majta"

Partia Demokratike për Integrim e Shqipërisë do të kërkojë që me përfaqësimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, ku ajo do të ketë dhe një deputet të saj, çështja çame do të shkojë drejt zgjidhjes institucionale, por në asnjë mënyrë me ndryshimin e kufijve, vetëm me njohjen e çështjes çame.

Kreu i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, në një intervistë për “Metropol” vlerëson se shteti shqiptar nuk ka bërë fare për më shumë se 50 vjet, por edhe qeveritë e 19 vjetve të demokracisë nuk bënë mjaftueshëm për t’i dhënë zgjidhje çështjes çame.

Sipas tij, lëvizjet më reale për zgjidhjen e kësaj çështjeje kanë qenë ato në vitet 1992–1996 nga Partia Demokratike dhe lideri i saj, kryeministri Berisha, me nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë me Greqinë. Ai thotë se e majta, sa qe në pushtet, por dhe në opozitë nuk i ka kushtuar rëndësi kësaj çështjeje ose, siç tha ai, "nuk tha asnjë fjalë, asnjë shkronjë" për këtë çështje.

Kreu i PDI-së sqaron arsyet pse u bë pjesë e koalicionit të djathtë “Aleanca për Ndryshim”. Ai flet edhe për nënshkrimin e dokumentit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe hyrjen në NATO zoti Muhedini i quan suksese të qeverisë së kryeministrit të vendit Berisha dhe vlerëson shumë rrugën Kukës–Durrës. Beson shumë se me futjen në Kuvend dhe bashkëqeverisjen do të marrë shtytje çështja çame.

- Zoti Muhedini, si i vlerësoni zgjedhjet?

- Ishin pa dyshim zgjedhjet e para të këtij lloji në Shqipëri, qoftë si sistem zgjedhor, por dhe nga mënyra se si ato u zhvilluan. Ndaj jam në të njëjtin mendim me pjesën më të madhe të shqiptarëve, por dhe të një pjesë të komunitetit ndërkombëtar se këto kanë qenë zgjedhjet më të mira që ka mbajtur vendi ynë në këta 18 vjet të demokracisë.

- Çfarë treguan për ju këto zgjedhje?

- PDI-ja, megjithëse ishte një forcë e re politike dhe futej në zgjedhje për herë të parë, tregoi se ka bërë përparim, ashtu siç ka bërë përparim vetë procesi zgjedhor, duke u treguar jo vetëm shqiptarëve, por dhe komunitetit ndërkombëtar se Shqipëria di të mbajë zgjedhje të mira.

Mendimi im është se duke parë korrigjimet e së kaluarës, por dhe masat që mori qeveria dhe Parlamenti shqiptar në bashkëpunim me të gjitha partitë politike për të bërë një votim të garantuar nuk shkuan kot. Këto zgjedhje në çdo këndshikim janë shumë më lart se zgjedhjet e mëparshme. Pa dyshim që ato ishin votime si në të gjithë botën perëndimore, pa as më të voglin problem. Nuk e kuptoje nëse ishte një ditë votimesh apo një ditë e zakonshme.

- Sa të vështirë e pati PDI-ja në këto zgjedhje, të konsideruara si shumë të ashpra për partitë e vogla?

- Nuk e patëm aspak të vështirë, sido që të shihen nga partitë e tjera. Ne kemi një infrastrukturë të përgatitur elektorale, e gatshme të futet në çdo zgjedhje. Dhe për këtë meritë pa dyshim ka edhe shoqata “Çamëria”, e krijuar në vitin 1991, e cila me mundësitë e veta arriti ta mbajë gjallë, ta vitalizojë dhe t’i japë një shtysë kësaj çështjeje nëpërmjet përfaqësimit të saj në këtë shoqatë, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Sensibilizimi dhe afirmimi i kësaj çështje deri tani kishte bërë që të zgjohej dhe ngrihej ndenja, duke aktivizuar në çdo hallkë një numër të madh të komunitetit çamë, por dhe të gjithë shqiptarëve.

Ne nuk e pamë dhe nuk e patëm aspak të vështirë, për vetë faktin se ne nuk kërkonim elektorat të madh, ne kërkonim vetëm votën tonë, votën për çështjen çame, për atë që ky Parlament na e mohoi në vitin 2004, kur ishin në pushtet socialistët. Atëherë u hodh poshtë rezoluta jonë, e cila kërkonte nga Parlamenti njohjen e çështjes çame.

Shoqata “Çamëria” dhe komuniteti çam nuk kanë pasur ndër mend ndonjëherë të krijojnë parti politike, duke menduar se ky problem madhor që ka krahina shqiptare e Çamërisë, do të zgjidhej edhe brenda shoqatës. Por duke parë mohimin e të drejtave themeltare të njeriut, mohimin e asaj se çfarë ka ndodhur me gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë çame, duhej gjithsesi një parti politike, që do ta përfaqësonte më denjësisht këtë çështje.

Për këtë ne për herë të parë e provuam veten si forcë politike në zgjedhjet e vitit 2005. Duke marrë pjesë në ato zgjedhje me një kod tjetër zgjedhor, krejt ndryshe nga ky që u përdor kësaj radhe, ku fituam një deputet e pretendojmë të marrim një mandat të dytë.

Dua të theksojë se ne jemi një parti klasike dhe jo thjesht një parti për çështjen çame. Një parti me një program të gjerë dhe me një strategji të zgjedhur për të mbrojtur liritë e të drejtat e popullsisë çame në ato pika ku ato kanë munguar deri tani.

Kjo ndodhi në të njëjtën kohë që në Shqipëri shiheshin të drejtat e njeriut vetëm për minoritetin grek. Ne nuk kemi asnjë kundërshti dhe nuk jemi kundër asaj që të shihen të gjitha të drejtat e pakicave dhe minoriteteve, por jo disa të shihen e trajtohen, “disa si të nënës e disa si të njerkës”.

- A ia arritët qëllimit?

- Të jemi të sinqertë, në zgjedhjet e para të vitit 2005 ne nuk e arritëm atë çfarë synonim. Votat tona u shpërndan sa te PS-ja, te PD-ja. Kësaj radhe kemi një përqendrim votash të komunitetit çamë te PDI-ja, aty ku janë të përqendruar çamët: në Fier, Vlorë, Durrës. Jo 100 për qind, por sidoqoftë arritëm të merrnim shumë vota.

Për të qenë i sinqertë, pashë se komuniteti çam ende nuk ishte i bashkuar. Një pjesë e komunitetit çam shkon ende djathtas dhe një pjesë shkon majtas. Mirëpo shohë se popullsia çame kishte përkrahjen dhe mbështetjen e të gjithë popullsisë shqiptare dhe haptazi asaj që shkon më shumë djathtas dhe i bashkohet zgjidhjes së problemit çam.

Unë kamë pasur takim me dr. Berishën edhe në vitin 2005 për të bërë koalicion parazgjedhor me ftesë nga PD-ja. Dhe atë vit ne hymë të vetëm dhe humbëm në zgjedhjet lokale, duke nxjerr konkluzionin se duhej patjetër të hynim në një koalicion në zgjedhjet e 28 qershorit. Dhe kështu vepruam, duke zgjedhur koalicionin e djathtë “Aleanca për Ndryshim”, të kryesuar nga PD-ja. Ne jemi vlerësuar për punën që kemi bërë në këta katër vjet dhe për angazhimin e madh që patëm.

- Pse zgjodhët të djathtën dhe jo të majtën?

- PDI-ja përfaqëson popullsinë çame dhe është parti e qendrës së djathtë. Me ndryshim e sistemeve qeverisëse nga diktatura në demokraci ka qenë Partia Demokratike dhe e djathta shqiptare që popullsinë çame, e cila u dëbua nga institucionet e shtetit shqiptar nga viti 1960 deri në vitin 1991, e futi për herë të parë në institucionet e saj këtë çështje. Nëse deri atëherë nuk kishte as dhe një përfaqësues çam në institucionet shqiptare që të thoshte qoftë dhe një fjalë për Çamërinë, me ardhjen e demokracisë ishte Partia Demokratike ajo që pati edhe përfaqësues çam në institucionet shqiptare, duke zgjedhur edhe një deputet të saj me origjinë çame.

Në vitin 1994 presidenti i atëhershëm, dr. Sali Berisha, dekretoi dhe njohu datën 27 qershor si ditën e gjenocidit dhe masakrës greke ndaj popullsisë së pafajshme çame. Në vitin 1996 ishte po Partia Demokratike ajo që firmosi Traktatin e Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë, traktat ky që kishte për qëllim t’i shërbente në mënyrë institucionale zgjidhjes së çështjes çame, por që fatkeqësisht nuk funksionoi më.

Ishte kjo forcë politike që me ndryshimin e qeverive pas zgjedhjeve të 2005-s në disa bashki ku jetojnë më së shumti anëtarë të komunitetit çam, si në Lushnjë, Vlorë, Durrës, Fier dhe Sarandë, një pjesë shumë e mirë e çamëve u emëruan në drejtoritë përkatëse. Vetëm në Sarandë, Vlorë dhe Durrës u emëruan mbi 20 drejtorë nga Partia Demokratike në institucionet shtetërore të këtyre rretheve. Me një fjalë, u aktivizuan për herë të parë masivisht çamët në institucionet e shtetit shqiptarë nëpër rrethet e lartpërmendura.

Kjo ishte diçka e re që po e bënte Partia Demokratike, në të njëjtën kohë për të ardhur keq, që Partia Socialiste në pushtet nuk pati bërë asgjë dhe nuk tha qoftë edhe një fjalë për Çamërinë e çamët.

Duhet pranuar edhe fakti se në kohë fushatash si e djathta dhe e majta, megjithëse deklaroheshin se do të bënin shumë për çështjen çame, si përfundonin zgjedhjet ato gjithçka e harronin.

- Çfarë pune keni bërë ju vetë për çështjen çame?

- Ne duhet pranojmë se kemi bërë aq shumë, saqë kësaj radhe na vlerësoi edhe vetë komuniteti ynë. Komuniteti shqiptar çam e vlerësoi dhe pa me një sy tjetër punën që kemi bërë e po bëjmëne. Ne arritëm të ndërkombëtarizojmë çështjes çame, nga Brukseli në Uashington. Ne organizuam festivalin e parë shqiptar, festival ky ku këndoi dhe vallëzoi i gjithë kombi ynë, duke vënë në pah traditën e bukur dhe kulturën çame. Dhe patëm si qëllim jo vetëm të bënim një festival dhe kaq, por për të nxjerr në pah ato vlera që ka krahina e Çamërisë, si patriotizmin, traditën dhe sakrificën tonë, që nuk njiheshin deri tani. Të gjitha nëpërmjet historisë, traditës dhe këngës e valles çame.

Sot që flasim sapo ka përfunduar festivali i këngës e valles çame, festival ky ku këndojë e vallëzojë e gjithë Shqipëria. Këndojë e vallëzojë edhe grupi i Himarës, që Vangjel Dulja i PBDNJ-së nuk e quan shqiptar. E gjithë çfarë kemi bërë ka qenë një kontribut mjaft i madh edhe me shkrimet e bëra nga politikan, shkrimtarë e historian, ku kam për të veçuar historianin e njohur prof. Beqir Meta, i cili gjithçka ka shkruar e ka të bazuar në fakte të pakontestueshme dhe shumë të vërteta.

Profesor Meta ka qenë i pandikuar nga asnjë krah, duke pasqyruar një realitet që e ka pasur me të vërtet popullsia çame. Përveç librave dhe seminareve që kemi bërë për çështjen çame me historian dhe profesor të ndryshëm, vlerësojmë për një kontribut edhe historianin Pëllumb Xhufi, PDI-ja si forcë politike, në bashkëpunim me shoqatën “Çamëria” i kemi kërkuar në mënyrë zyrtare Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe personalisht kryeministrit të vendit Sali Berisha që të ndërhyjë pranë qeverisë greke për të ngritur një monument në kahinën e Çamërisë, aty ku ndodhi ajo gjëmë e madhe e popullsisë çame, që ishte masakër e gjenocid.

Kemi kërkuar të ngrihet një varrezë masive për të mbledhur të gjitha eshtrat e atyre që janë pa varre nëpër Greqi. Dhe ne për ta zbutur sadopak atë dhimbje që përjetuam, si popullsi çame, në përkujtim të atyre martirëve kemi vendosur që për çdo vi më 27 qershor të organizojmë pelegrinazhin për komunitetin çam në fshatin Flloqe të Xarës në Sarandë.

Ne shkojmë në Qafëbotë për t’u bërë homazhe të gjithë atyre që kanë vdekur, duke vendosur edhe një tufe me lule dhe ndezur një qiri. Këtë lloj pelegrinazhi në kufi me Greqinë kemi arritur ta bëjmë në mënyrë paqësore, pas as më voglin incident dhe provokim.

- Zoti Muhedini, të flasim pak për votimet e 28 qershorit. Ju keni bërë një marrëveshje me Partinë Demokratike para zgjedhjeve, çfarë parashikohet në marrëveshje dhe a janë plotësuar, të paktën deri tani, disa nga pikat për të cilat ju keni rënë dakord?

- Marrëveshja me Partinë Demokratike, nënshkruar nga unë dhe kryeministri Berisha, ka në thelb bashkëqeverisjen në fitoren e koalicionit të djathtë “Aleanca për Ndryshim”. Më konkretisht, jo në mënyrë specifike se çfarë postesh do të marrim dhe do të ndajmë, por thjesht një bashkëqeverisje parimore.

Janë disa pika që Partia Demokratike u detyrohet sipas marrëveshjes së 17 partive të koalicionit “Aleanca për Ndryshim”. Në marrëveshje theksohet se Partia për Drejtësi dhe Integrim ka në programin dhe punën e saj zgjidhjen në mënyrë paqësore dhe sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare dhe konventave zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke kërkuar që të ndikojë pozitivisht edhe çdo parti e koalicionit të djathtë. Kjo është bërë me qëllim që ta shtyjmë më përpara çështjen çame deri në zgjidhjen e kësaj çështje. Dëshiroj të theksoj se shumë gjëra mes Partisë Demokratike dhe PDI-së janë të përbashkëta, kështu që mund të them publikisht se kjo marrëveshje nuk ka qenë e imponuar, por ka qenë një marrëveshje që na takonte dhe duhej ta bënim të dyja partitë. Kjo për atë që ka bërë Partia Demokratike, rolin dhe kontributin e saj gjatë këtyre vjetve.

Nëse themi se Partia Socialiste nuk ka bërë asgjë për çështjen çame, PD-ja qoftë edhe minimalisht ka dhënë dhe ka bërë diçka, me aq sa ka pasur mundësi, pasi ne e kemi të qartë se nuk ka qenë dhe është aq e lehtë. Ne bëmë këtë zgjedhje tonën për të bashkëpunuar me PD-në e shohim si shumë korrekte, duke parë dhe marrëdhëniet e mira të kësaj qeverie me shtetin grek.

Ne si parti politike. e përfaqësuar tashmë në Parlament, jemi mjaft të interesuar që marrëdhëniet fqinjësore mes Greqisë dhe Shqipërisë të jenë sa më të mira, sepse mendojmë se sa më të mira të jenë marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve aq më shumë ato do t’i kontribuojnë zgjidhjes së çështjes sonë. Kjo është arsyeja që ne bëmë marrëveshje me koalicion që kryesonte Partia Demokratike, gjithmonë duke pasur shpresë si komunitet çam te qeveria e PD-së dhe doktor Berisha, që ështënjë njeri iniciator në politikën shqiptare, një njeri që merr iniciativa të vështira, duke pasur edhe suksese, siç ka treguar puna e tij gjatë këtyre 18 vjetve. Për ta argumentuar më mirë këtë mund të përmend edhe rrugën Durrës–Kukës. Ku me iniciativën e tij gjithë Buxheti i Shtetit kaloi për ndërtimin e kësaj rruge, duke i dhënë një frymëmarrje të madhe dhe të paparë ndonjëherë afrimit të Kosovës me Shqipërinë. Të mos harrojmë se tani vetëm për 2-3 orë vjen ose shkon shqiptari nga Kosova në Tiranë, gjë që deri dje ka qenë një ëndërr. Ky është një kontribut dhe një vepër e madhe e shekullit, një iniciativë e realizuar nga Berisha.

Patjetër që falënderoj për këtë të gjitha partitë që ishin në parlamentin e kaluar, që kanë punuar dhe kontribuar për hyrjen e Shqipërisë në NATO, por të mos harrojmë se meritën më të madhe pa dyshim që e ka qeveria demokratike dhe kryeministri Berisha. Hyrja e Shqipërisë në NATO është një tjetër çlirim i Shqipërisë pas në shekulli. Qeveria demokratike dorëzoi dokumentin e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të gjitha këto të udhëhequra nga një njeri, i cili është njeri i iniciativave, që del në ballë të gjitha vështirësive me suksese të plotë.

Në këtë këndvështrim, pa as më të voglin dyshim besoj se në krye të qeverisë së ardhshme ai do të japë një kontribut të madh edhe për zgjidhjen e çështjes çame.

- Çfarë shtyse do t’i jepni tashti ju vetë me një deputet të madatuar nga këto zgjedhje, çështjes çame?

- Partia për Drejtësi e Integrim çështjen çame e ka në thelbin e saj, pra e ka bazën e saj. Ne mendojmë se duke e përshpejtuar nëpërmjet Parlamentit shqiptar dhe sensibilizuar në mënyrë zyrtare edhe faktorin ndërkombëtar, në mënyrë institucionale me përfaqësues në Parlamentit shqiptar i jep shtysë të madhe kësaj çështjeje. Do të punojmë që të bindim ndërkombëtarët dhe kancelaritë, ku varen fatet e popujve dhe kombeve, se çfarë është kjo çështje dhe cila është zgjidhja.

Me këtë s’dua të them aspak se deri tani nuk është punuar për këtë çështje si nga shoqata “Çamëria” ashtu dhe nga PDI-ja në këta katër vjet, por dua të cek se tani është shumë më ndryshe. Ne mendojmë se kjo çështje nuk mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet Shqipërisë e Greqisë, por duhet një ndërhyjë fort edhe faktori ndërkombëtar, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo është dhe detyra jonë tani, pra të faktorizojmë sa më shumë këtë çështje për të ndrequr këtë gabim të madh historik, që ka ndodhur me popullsinë çame para 65 vjetve.

Ne nuk duam të zgjidhet kjo çështje me forcë, por me ndërgjegjësim të shtetit grek. Ashtu si dhe kanë vepruar edhe disa historianë grekë, duke e thënë publikisht “se karshi popullsisë shqiptare çame është bërë masakër e gjenocid, qysh në vitin 1913, gjatë Luftës së Parë dhe Dytë Botërore, kur u përzunë me forcë nga shtëpitë e tyre, u plaçkitën u dhunuan dhe u pushkatuan shumë njerëz të pafajshëm, mes tyre edhe intelektualë të shquar çamë. Të tregojmë me fakte se çamët në asnjë mënyrë nuk kanë qenë ndonjëherë bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit, ashtu siç na quajnë qarqe të ndryshme antishqiptare në Greqi dhe në Serbi.

Kështu që unë mendoj se edhe shoqëria progresiste në shtetin grek ka filluar të ndërgjegjësohet për këtë gabim të madh historik, që dihet se ka ndodhur me çamët.

Dhe dihet se popullsia çame kërkon çuarjen në vend të dinjitetit të saj. Ne nuk kërkojmë pazare, por kërkojmë të dënohen të gjitha ato krime që bëri gjenerali famëkeq Zevros. Ai që vrau deri dhe fëmijët, gratë dhe pleqtë çamë në masakrën e madhe të 27 qershorit 1943.

Kështu, nëpërmjet njohjes së institucioneve ndërkombëtare me faktet historike që do të paraqesim në Parlamentin e ri, do të bëjmë punën tonë maksimale duke e ngritur zërin për këtë çështje në Këshillin e Europës, Bashkimin Euriopian dhe “Kapitol Hill”, por siç thashë më parë, të ndërgjegjësojmë edhe vetë shtetin grek.

- A mendoni se do të ketë përplasje qëndrimesh në parlamentin e ri shqiptar mes Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të kryesuar nga zoti Vangjel Dule dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim të kryesuar nga ju?

- Nuk mendoj kështu. Ne si forcë politike kemi dërguar tri herë shkresë më shkrim për të bashkëpunuar me PBDNJ-në dhe duhet të cek se para zotit Dule kryetar ka qenë i ndjeri Vasil Melo, me të cilin kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera.

Por krejt e kundërta ka ndodhur me zotin Dule, i cili, me sa kemi kuptuar ne, nuk ka asnjë interes për t’i shërbyer, të paktën emrit që ka partia e tij, si parti që pretendon se mbron të drejtat e njeriut. Ky njeri ka vetëm një interes, për mendimin tim: t’u shërbejë qarqeve të ndryshme antishqiptare. Ky njeri, me sa shohë unë, ka interes që marrëdhëniet Shqipëri–Greqi të mos ngrihen më lart, ky ka interes të fundosë sa më shumë çështjen çame. Në të njëjtën kohë që një pjesë e shoqërisë progresiste, qoftë këtu në Shqipëri, qoftë në Greqi, po flasin dhe po ndërgjegjësohen se ka një çështje të tillë. Ai asnjëherë nuk ndikon që ky gabim i madh historik të korrigjohet dhe të ndreqet, por kërkon të thellojë gabimin me një politikë mashtruese. Për mua është shumë e pranueshme që PBDNJ-ja dhe Vangjel Dule të vijë në koalicion me ne, se nuk ka asnjë problem, se PDI-ja s’ka asnjë kompleks për këtë, që të ndreqen dhe mendimet e tij të gabuara.

Çështja dhe problemet le t’i përkasin shteti grek e jo partive tona, për të ndikuar pozitivisht në zgjidhjen e çështjes çame. Për këtë qëllim çështja çame nuk ka problem atë se je i PBDNJ-së, i majtë apo i djathtë, mjafton që ta vlerësosh drejt këtë çështje dhe ta njohësh mirë këtë çështje. Kjo është detyrë jo vetëm PBDNj-së e Vangjel Dules, por dhe gjithë forcave politike shqiptare, qofshin ato të majta apo të djathta, duhet të ndihmojnë që të zgjidhet çështja çame.

- Si do po lexohet deklarata e juaj në shtypin shqiptar Marrëveshja me Berishën nuk ka lëvizur asnjë një pikë e presje?

- Ajo deklaratë do të lexohet ashtu siç kam deklaruar dhe po deklaroj edhe një herë në gazetën “Bota sot” se Partia për Drejtësi dhe Integrim është përfaqësuesja politike e komunitetit çam në vendin tonë, e cila e ka bërë dhe e konfirmuar qenien e saj në koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike “Aleanca për Ndryshim” dhe hedh poshtë në mënyrë kategorike informacionin e shpërndarë mbrëmjen e ditës së martë të 30 korrikut se unë gjoja po kërcënoja kreun e Partisë Demokratike, kryeministrin e vendit, dr. Sali Berisha, për daljen nga koalicioni nëse nuk numëroheshin votat në Fier. Gjithçka është shkruar dhe është thënë ju them me ndërgjegje se është false dhe nga ata që e kanë fabrikuar këtë lloj “deklarate” duhet të kërkojnë falje publike, pasi nuk qëndron dhe nuk përputhet fare me realitetin.

Kjo çka u shkrua nga ata që janë mësuar të gatuajnë këso çorbash është një spekulim i qartë, gjithçka është thjesht dhe vetëm një dezinformim i opinionit publik për të krijuar përçarje koalicioni mes PDI-së dhe PD-së.

E them edhe një herë publikisht në këtë intervistë në gazetën “Bota sot” se kemi një marrëveshje me kryetarin e PD-së Sali Berisha, nga e cila nuk ka lëvizur deri më tash as një pikë e asnjë presje. Dhe kërkoj nga media që të përcjellë realitetin dhe jo të dezinformojë, të shkruajë me paanësi dhe profesionalizëm të vërtetën. PDI-ja ka siguruar elektoratin e vetë për vazhdimësinë e pjesëmarrjes në koalicionin e djathtë politik, duke respektuar pa asnjë mëdyshje edhe marrëveshjen paraektorale me kreun e demokratëve, kryeministrin Sali Berisha.

- Cili do të jetë hapi i parë që do të bëni si anëtar i Parlamentit të Shqipërisë për këtë çështje?

- Ne do të kërkojmë që në ditën e parë që Parlamenti shqiptar të ketë përfaqësuesin e vetë për këtë çështje dhe në Këshillin e Europës dhe në BE. T’ua bëjmë me dijë të gjitha parlamenteve europiane se ka një çështje në Europë që ende është e pazgjidhur dhe se kjo është çështja e Çamërisë. Për të thënë e ngritur zërin se duhet zgjidhur çështja e kësaj popullsie. Iku koha e mashtrimeve ndërkombëtare dhe e gënjeshtrave, ka ardhur koha që të gjithë popujt dhe shtetet të rrojnë të lirë dhe me të drejta të barabarta, në paqe dhe siguri të plotë.

Kjo është ajo që ne kemi fituar në këto zgjedhje dhe që jemi për herë të parë të përfaqësuar në Parlamentin shqiptar me një deputet ose edhe me dy deputetë nesër. Kjo është një ngjarje e madhe historike dhe diçka madhore për popullsinë çame, që për herë të parë pas 65-vjetve vjen me një forcë politike që të ngrejë zërin e saj, të mekur deri tani, edhe në Parlamentin shqiptar.

Ne nuk do të jemi në Parlament të kujtojmë vetëm 27 qershorin, siç bënë deputeti socialist Shpëtim Idrizi, por do të shkojmë që të flasim çdo ditë dhe të bëjmë lobing për këtë çështje edhe në mënyrë institucionale dhe që deputetët e Parlamentit shqiptar nesër të aprovojnë ndonjë rezolutë për çështjen çame dhe t’i bashkohen zëri tonë si të majtët, ashtu dhe të djathtët për të bërë një politikë që t’i shërbejë kombit shqiptar.

- Cili është mesazhi juaj?

- Partia për Drejtësi dhe Integrim falënderon të gjithë elektoratin e saj për mbështetjen e vazhdueshme dhe suportin gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Partia për Drejtësi dhe Integrim mendon se përfaqësimi në Parlament i saj do të mundësojë edhe zgjidhjen e çështjes Çame në kohë sa më të shkurtër. Çështja çame është konsideruar nga ndërkombëtarët si një kusht i rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. I jam mirënjohës dhe falënderoj të gjithë ata që na votuan dhe na dhanë besimin për t’i përfaqësuar në parlamentin e ri shqiptar. Falënderoj gjithë komunitetin çam, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar, të gjithë ata që kontribuan në këtë fitore historike të çështjes çame. Nëpërmjet intervistës suaj falënderoj medien tuaj për pasqyrimin e çështjes çame në Kosovë, Europë e SHBA, si dhe ju personalisht, njëkohësisht shoqatën atdhetare panshqiptare “Vatra” në SHBA, kryetarin e saj, zotin Agim Karagjozi, që na kanë përkrahur dhe mbështetur vazhdimisht në SHBA. Së fundi, u bëj thirrje të gjithëve: bëni edhe më shumë për këtë çështje, se bëni për Shqipërinë, bëni për veten tuaj! Kjo çështje nuk përfundon me kaq, ajo përfundon vetëm atëherë kur të zgjidhet kjo padrejtësi e madhe historike, që i është bërë për më shumë se 60 vjet popullsisë çame.

Intervistoi Beqir Sina

17 Komente

O Tahir

 Po e bere ti Berishen te thote qofte edhe nje fjale te vetme per Camerine perpara qeverise greke, une do te votoj per PDI-ne sa te jete jeta, megjithse nuk jam cam...

 Atij Dashit te Havase ne Vlore, deputetit tend, beji ca kurse analfabetizmi se eshte turp.

Dashi flet me keq se Bujar Laraska.

Dashi nuk thote dot tre fjali rresht per te njejtin subjekt bisede...

Nje pyetje duhej bere. Sa eshte i gatshem opinioni publik e shoqeria shqiptare te sakrifikoje integrimin ne BE ku Greqia ka te drejte vote, ne favor te çeshtjes çame?

 

Pyetje te tilla as nuk duhen te shtrohen fare , ceshtja kombetare kalon para integrimit ne BE.

Hunter s'kam asgje kunder teje personalisht, por jam kunder ketij lloj mentaliteti prej enuku aq shume na ka demtuar dhe po na demton akoma sot. C'fare dreq i ka gjet Shqiptaret qe kane kaq pak dashuri per veten, kaq pak krenari kaq pak nder !??

 

si?!

une kam respektin me te madh per kroatet te cilet nuk i fusin ne BE, sepse nuk i dorezojne Hages ato qe i akuzojne per kriminele lufte (per kroatet jane heronj anti-serb), imagjino se cfare mendoj per çeshtjen çame.

amon se u shkelyte nga mendt e kokes per ti gjetur justifikim aleances me LSI

Mos e vra trurin se kaluan 3 ditet.

seriozisht e ke?! Kujt i plasi per ate pune. Ja e hoqa fjaline e fundit, jo se s'qendron thelbi, po s'dua qe keto tema kombetare te jene objekt debati politik. Nese qeveria propozon nje rezolute per çamet, çar do te beje PS? Do e votoje apo do ta injoroje ne emer te internacionalizmit socialist?

Tahiri thote:

 

Kjo ndodhi në të njëjtën kohë që në Shqipëri shiheshin të drejtat e njeriut vetëm për minoritetin grek. Ne nuk kemi asnjë kundërshti dhe nuk jemi kundër asaj që të shihen të gjitha të drejtat e pakicave dhe minoriteteve, por jo disa të shihen e trajtohen, “disa si të nënës e disa si të njerkës”.

 

Dakort o Tahir por Camet nuk jane minoritet,jane shqipetar ne Shqiperi,ne vendin e  tyre,kurse Greket jan Grek ne Shqiperi,pra minoritet etnik,kurse Camet jo,sepse etnia e tyre eshte shqipetar,prandaj nuk mund te konsiderohen minoritet etnik njesoj si Greket.

 

Kot po futem ne diskutim ,cfare une doja te thoja eshte se camet perbejne nje "Ceshtje" dmth jane shqiptaret te debuar nga tokat e tyre Cameria ,

..kurse Greket  e Shqiperise ,nuk kane "ceshtje" ,dmth se ata nuk jane "debuar" ,ata jane te ardhur dhe nuk perbejne "Ceshtje" ,si Ceshtja Came !

Ne Greqi ,per analogji ,nuk njihet ndonje "Ceshtje Debimi " te ndonje pakice Greke qe jane debuar nga Shqiptaret!

Keshtu qe as nuk shtrohet ceshtja ,qe Camet ,jane minoritet ne Shqiperi ,se po te ishte keshtu do te ishte edhe qesharake ,i bie qe Cameria te jete shtet me vete  dicka e tille !!

Camet ,vete te mbeshtetur edhe nga qeveria Shqiptare dhe shqiptaret duhet te dalin sic kane dal me nje bosht te qarte sic njihet "Ceshtja Came"..qe perkthehet Ceshtja e Debimit te popullsise ,ose e Genocidit Grek ndaj shqiptareve dhe tokave te tyre !!

Greket ne Shqiperi nuk kane shanse ngjashmerie  me Camet ne as nje drejtim !!

 

Sic e that dhe Hunter me siper, nqs i jepet jehone nderkombetare ceshtjes came perpara futjes ne BE atehere rrjedhimisht integrimi ne BE do te penalizohet rende. Mos harron greket jane cifutet e Evropes per nga inati politik. Duhet te barazohet deri diku fusha e lojes qe ceshtja came te ngrihet dhe shqyrtohet ne nivel nderkombetar.

Po ky helm ndaj cameve, c'ne?! smiley

Camet nuk po bejne ndonje gje te keqe.Ata morren nje deputet qe do te ngreje prane qeverise problemet dhe ceshtjet e tyre.Cte keqe ka ketu?Ata fituan me djersen e tyre dhe pa ndihmen e askujt.

Me duket se ata qe shajne camet e bejne se camet kane votuar tradicionalisht PD dhe tani jane ne koalicione me te.Kjo eshte dhe aresyeja e helmit qe hidhet ndjaj cameve.

Jo camet nuk jane minoritet ne Shqiperi,ata jane shqiptar te debuar nga tokat e tyre ne Greqi.

Sa per koston e integrimit ne BE mendoj se ndjenja nacionale ne Shqiperi eshte shume e ulet dhe edhe sikur qeveria ta beje kete hap,do te ndeshkohet nga populli dhe opozita.Kujtoni vitet 1992-94 kur Berisha deshi tju vinte grekeve "kufirin tek thana" dhe opozita e sabotoi.

lufta e cameve eshte me shume beteja dhe nuk mund te pretendoj tahiri ta zgjidh tak fap, tullumbacet elektorale fluturuan tani te kthehen  me kembe ne toke , ceshtja fisnike  nuk zgjidhet me tahiret dhe dashot dhe aq me  teper qe kerkon sensibilizim me te madh dhe sigurisht kohen e vet. mbi te gjitha kerkon ate ndergjegje kombetare qe tek ne ndizet dhe shuhet si fishekzjarr kinez .

Sol.

Ky Berisha na kaloi nga "thana" te "bajamja".

Cfar emri i ve ti kesaj ?

C'nuk tha per Cacin, Tosin, Finon, etj. si spiune greke e te shitur, antikombetare, e gjithe te zezat. Kur erdhi ne fron, uli dhe pantallonat perpara grekeve...

Ne 92-94 donte tu vinte kufirn te thana, kurse ne 2005 - 2009 u dha detin, token, shkollat, pushtetin, flamurin e gjithe sa kerkuan...

Aferim, se mos ishin te tijat, Shqiperia vuan...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).