BSH: Shqipërisë i janë lëkundur ekuilibrat

Ekspertët besojnë se vendi ka nevojë për të rikonceptuar strategjinë e vet të zhvillimit

Kriza botërore ka lëkundur faktorët dhe ekuilibrat që kanë dhënë rritje të fortë ekonomike gjatë viteve të fundit dhe për këtë arsye Shqipëria duhet të mendojë për një strategji të re për zhvillimin kombëtar, për t‘u përshtatur me kushtet e reja të krijuara. Ky është opinioni zyrtar i Bankës së Shqipërisë, shprehur në një konferencë për shtyp të guvernatorit Ardian Fullani.

"Zhvillimet ekonomike të gjashtëmujorit të parë kanë shtruar disa sfida të forta për ekonominë shqiptare. Kriza botërore ka ndikuar ekonominë tonë, duke lëkundur faktorët dhe ekuilibrat të cilët kanë mbështetur rritjen ekonomike, duke testuar mekanizmat e imunitetit dhe të vetërregullimit të ekonomisë, si dhe duke ngritur disa pyetje komplekse për agjentët ekonomikë dhe politikat makroekonomike", tha Fullani dje.

Në një raport të gjerë, BSH vlerëson se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, presioni mbi stabilitetin makroekonomik të vendit është shtuar. Fullani tha se institucioni i tij ka ndërhyrë në tregun e këmbimit valutor, duke shitur valutë në mbrojtje të vlerës së lekut, por rezervat valutore të vendit nuk janë dëmtuar nga këto operacione dhe vendi vijon të ketë një rezervë të konsiderueshme valutore prej mbi 2 miliardë dollarë.

Më herët, disa ekspertë patën shprehur shqetësimin se qeveria ka tërhequr kredi direkte nga Banka e Shqipërisë, gjë që do të thotë se sasia e tepërt leku është hedhur në treg. Sipas vlerësimeve të këtyre ekspertëve, të cilët punojnë në banka dhe në institucione akademike, Banka e Shqipërisë është detyruar të blejë në treg lekun e hedhur tepër përmes kredisë direkte për qeverinë.

Fullani e këshilloi edhe një herë tjetër qeverinë të ruajë deficitin e planifikuar buxhetor dhe tha se gjatë gjashtëmujorit të parë është realizuar një deficit prej 30 miliardë lekësh, shifër kjo shumë e lartë.

"Kriza ka sjellë uljen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, duke sjellë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe duke ushtruar presion mbi treguesit fiskalë të të ardhurave buxhetore dhe të deficitit buxhetor", tha Fullani.

"Pakësimi i flukseve hyrëse valutore është shoqëruar me përkeqësimin e treguesve të bilancit të pagesave dhe lindjen e presioneve nënçmuese mbi kursin e këmbimit, duke nënvizuar rolin e qëndrueshmërisë së llogarisë korente në ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit, si dhe nevojën e marrjes së masave për garantimin e saj", shtoi më tej Fullani.

Thirrjet për strategji

Shumë ekspertë kanë sugjeruar se ekonomia shqiptare gjendet në një pikë kthese dhe se shumë elementë që deri dje kanë sjellë rritje ekonomike të fuqishme, mund të mos jenë më në të njëjtin nivel si më parë. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, tha pak ditë më parë për "Shqip" se ndoshta potenciali i rritjes ekonomike të Shqipërisë mund të zbresë në 2-3 për qind në vitet e ardhshme, se të ardhurat nga emigrantët ndoshta nuk do të jenë më kurrë aq të forta sa vitin e kaluar dhe se investimet e huaja direkte mund të dobësohen.

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH, tërheq vëmendjen për faktin se buxheti i shtetit mund të ketë më pak para se gjatë viteve të shkuara, duke vështirësuar procesin e investimeve publike. "Privatizimi, i cili gjatë viteve të shkuara ka sjellë të ardhura të konsiderueshme në buxhet, është mbyllur sakaq si proces, pasi gjithçka që mund të shitej, është shitur", tha Civici për një të përditshme.

Ekspertët dyshojnë se në kushtet e rritjes së ulët ekonomike politika mund të mos i rezistojë tentacionit për rritje pagash në një vend që mbetet ende me paga përgjithësisht të ulëta. Në këtë rast, pjesa e parave që do të mbeten në dispozicion të investimeve nga buxheti do të jetë shumë e vogël. Shqipëria vijon të shpenzojë mbi 75 për qind të buxhetit të vet për paga, pensione e shërbim borxhi, ndërsa investimet vijojnë të mbështeten më së shumti te kreditë dhe shumë pak te të ardhurat.

Banka e Shqipërisë mori dje rolin e këshilltarit të qeverisë dhe publikut të gjerë mbi politikat e zhvillimit. Ajo sugjeroi që qeveria të mendojë për zhvillimin e disa sektorëve kyç, të cilët në vetvete sjellin rritje ekonomike.

BSH i këshilloi biznesit shqiptar të punojë për të rritur aftësinë e vet konkurruese në tregun botëror përmes investimeve në aftësim profesional. Sipas këtij institucioni, vendi duhet t‘i përqendrojë përpjekjet e veta në blerjen dhe përdorimin e teknologjive më të përparuara, si dhe duhet të mendojë për të kursyer, në mënyrë që të sigurojë mjetet financiare për të investuar në aftësim profesional dhe teknologji të re.

Shqipëria vlerësohet se ka kapërcyer fazën e ekonomive që rriten përmes përdorimit të burimeve natyrore (niveli i ekonomive të prapambetura) dhe se tani gjendet në fazën e rritjes ekonomike të gjeneruar nga rritja e efikasitetit të përdorimit të burimeve. Në mënyrë që rritja ekonomike të vijojë, duhet që shqiptarët të aftësohen për të prodhuar më shumë mallra gjatë ditës së tyre të punës dhe kjo gjë realizohet njëkohësisht përmes aftësimit profesional dhe përmes përdorimit të teknologjive më moderne.

"Banka e Shqipërisë gjykon si jetik thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore të ekonomisë, të cilat përveç të tjerash duhet t‘u paraprijnë tendencave të ardhshme të zhvillimit. Kështu, investimi në infrastrukturë duhet të mbetet një prioritet i përdorimit të fondeve të ekonomisë", tha Fullani dje.

"Zhvillimi e konsolidimi i mëtejshëm i segmenteve të tregut financiar, plotësimi dhe zgjerimi i sistemit të pensioneve në favor të elementeve të iniciativës private, investimi me prioritet në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë meritojnë vëmendjen e të gjithë aktorëve ekonomikë. Gjithashtu, ne gjykojmë se ka ardhur koha që sektori privat të reflektojë stadin e ri të zhvillimit të vendit nëpërmjet rritjes dhe fuqizimit të aftësive të tij menaxhuese", sugjeron BSH.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).