BSH: Qeveria, e mbytur në borxhe

Këshillat akuzuese të Bankës së Shqipërisë: Mungon strategjia për shlyerjen e "malit" të huave. Rregullore edhe për kreditë tregtare

Banka e Shqipërisë i rekomandoi qeverisë shqiptare të hartojë një plan rezervë për shlyerjen e borxhit të jashtëm që u mor vitin e kaluar përkundrejt interesave shumë të larta, ndërsa kërkoi gjithashtu që vendi të hartojë një rregullore për të përcaktuar se sa, si dhe për çfarë arsyeje qeveria mund të kërkojë borxhe tregtare në tregun ndërkombëtar.

Banka Qendrore shprehet e shqetësuar për mënyrën se si qeveria hyn në marrëveshje huamarrjeje, si dhe për skenarin e dobët për shlyerjen apo menaxhimin e këtij borxhi.

"Rritja e huamarrjes publike dhe private prej 456 milionë

eurosh, prej të cilave 74 për qind për sektorin publik, ka siguruar një burim financimi në sajë të të cilit është lehtësuar situata e likuiditetit të tregut të brendshëm. Megjithatë, për shkak të termave të huamarrjes, kostoja e shërbimit të borxhit për huanë publike do të jetë e konsiderueshme në afat të mesëm", njoftoi Banka e Shqipërisë. Qeveria shqiptare tërhoqi 230 milionë euro me interesa tregtare dhe me një kontratë që e detyron të fillojë ta shlyejë principalin pas disa vitesh. E gjithë kjo kredi iu dedikua rrugës Rrëshen-Kalimash. Qeveria tërhoqi edhe rreth 100 milionë euro për projekte të tjera. Por sikur të mos mjaftonte kjo, qeveria tërhoqi këtë vit edhe 250 milionë euro të tjera kredi me një interes stratosferik prej euribor plus 9.65 për qind. Kredia do të maturohet në vitin 2012, kur do të duhet të shlyhet i gjithë principali, plus mbi 75 milionë euro interesa. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, plani i qeverisë është i thjeshtë: të emetojë eurobonde vitin e ardhshëm me interesa më të ulëta për të shlyer kredinë e tërhequr në kushte të krizës botërore dhe mungesës së likuiditetit. Por për BSH-në, një skenar i tillë nuk është tërësisht i besueshëm. Për një arsye apo një tjetër, qeveria mund të mos jetë në gjendje të emetojë eurobonde në vitin 2010, gjë që mund ta vendosë buxhetin në vështirësi serioze. Për më tepër, plani për emetimin e eurobondeve nuk nënkupton një strategji konkrete për shlyerjen e borxheve të marra gjatë dy viteve të fundit.

"Krahas pritjeve për të rifinancuar këtë borxh në terma më të leverdisshëm nëpërmjet huamarrjes në tregun ndërkombëtar, sektori publik duhet të identifikojë dhe të përgatisë mënyra alternative rezervë të rifinancimit ose të pagesës", thotë Banka e Shqipërisë.

"Nevojitet përcaktimi dhe zbatimi me disiplinë i kritereve të marrjes së borxhit të huaj, në atë mënyrë që të përballohet kostoja e rifinancimit ose e shlyerjes së tij në momentin e maturimit", vijon më tej BSH në deklaratën e fundit për Stabilitetin Financiar.

Rreziqet

Rreth vitit 2012, buxheti i shtetit përballet me shumë rreziqe. Dy kreditë më të rënda maturohen në këtë kohë, ndërsa Shqipërisë i duhet të mendojë edhe shlyerjen e principalit të kredive me terma të butë të tërhequr nga Banka Botërore gjatë njëzet viteve të fundit. Për më tepër, disa ekspertë paralajmërojnë se sistemi i sigurimeve shoqërore do të përballet me një rritje të fortë të përfituesve gjatë viteve në vijim. Megjithëse ka një buxhet prej 2.9 miliardë eurosh, Shqipëria shpenzon 75-80 për qind të tij për paga, pensione, pagesa të interesave të borxhit e të tjera shpenzime të tilla. Çdo vit buxheti shpenzon më pak se 200 milionë euro për investime me burime të brendshme. Përballë rënies së ekonomisë dhe rritjes së kostos së borxhit publik, besohet se vendi mund të gjendet në vështirësi serioze. Situata të tilla konsiderohen shumë problematike në ekonomitë e vendeve me të ardhura të ulëta si Shqipëria, për shkak se nëse qeveria detyrohet të ndërpresë investimet për të shlyer interesat e borxhit, ekonomia e vendit ngadalëson rritjen dhe për pasojë edhe të ardhurat fiskale të qeverisë tkurren.

Shqipëria ka përjetuar rritje ekonomike prej mesatarisht 7 për qind që nga rënia e komunizmit deri në vitin 2001, por pas krizës energjetike të vitit 2002, rritja u ngadalësua në 5.5 për qind, ndërsa një krizë e re rrezikon ta tkurrë më tej ritmin natyral të rritjes, gjë që pakëson shanset për rritje të mirëqenies për dekadën e ardhshme.

Për më tepër, shlyerja e borxhit të jashtëm gjatë viteve në vijim mund të shkaktojë luhatshmëri të konsiderueshme në fluksin valutor, për shkak se qeveria duket se nuk e ka vrarë mendjen gjatë se çfarë do të ndodhë kur të vijë koha e shlyerjes së borxhit.

Rregulla për borxhin e jashtëm

Situata e pritshme e buxhetit të shtetit është njëra anë e problemit. Ana tjetër konsiston në faktin se qeveria nuk ka një plan konkret për menaxhimin e borxhit të jashtëm tregtar të krijuar gjatë dy viteve të fundit, si dhe i është drejtuar këtij mekanizmi pa ndonjë llogari konkrete të kostos dhe përfitimeve.

"Krahas kujdesit që duhet të tregohet për termat e huamarrjes, duhet që vlera e huamarrjes të përcaktohet në raport me mundësitë reale që ka ekonomia për të gjeneruar fonde të qëndrueshme në valutë gjatë së njëjtës periudhë, për shembull, prej ecurisë së eksporteve ose prej hyrjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta", thotë BSH.

Për këtë merr rëndësi njohja e ekuilibrave të flukseve në valutë që lëvizin në ekonominë tonë, në mënyrë që të identifikohet mënyra e ndikimit të marrjes, të përdorimit dhe të shlyerjes së borxhit të huaj mbi ecurinë e llogarive të bilancit tregtar dhe mbi kursin e këmbimit. Në këtë kuadër duhet kujtuar që kriza e fundit financiare ndërkombëtare tregoi sa e gabuar mund të jetë të mbështetesh plotësisht në një situatë të qëndrueshme të likuiditetit në tregjet ndërkombëtare, për rifinancimin më të favorshëm të borxhit", vijon më tej deklarata.

BSH: Ka pak shanse për sukses në 2010-ën

Banka e Shqipërisë paralajmëroi gjithashtu qeverinë se sipas analizave të saj, skenari për të zëvendësuar kredinë aktuale të shtrenjtë me eurobonde me çmime të pranueshme vitin e ardhshëm, ka shumë pak gjasa të dalë me sukses.

"Që prej gjysmës së dytë të vitit 2008, vijon një rënie e dukshme e interesit të investitorëve të huaj për të blerë borxhin e vendeve në zhvillim. Kjo situatë nuk pritet të ndryshojë për sa kohë që edhe faktorët të cilët e përcaktojnë atë do të zgjasin", thotë BSH.

Bankat europiane, nga ku shpresohet se do të dalin paratë për të rifinancuar borxhin shqiptar, duket se vijojnë të jenë në vështirësi dhe shumë larg pastrimit total nga borxhet e këqija. Analizat e Bankës Qendrore Europiane paralajmërojnë se bankat e Eurozonës do të humbasin edhe së paku 250 miliardë euro të tjera deri në vitin e ardhshëm.

"Për këtë arsye është e nevojshme që mundësia e rifinancimit të borxhit të huaj në terma më të favorshëm në një periudhë afatmesme, të konsiderohet me kujdesin e nevojshëm për të parashikuar mundësi alternative në rast se kjo provohet e vështirë në praktikë", thotë BSH.

5 Komente

 Nuk O detyre e Fullanit; nxore ndonje gje nga analiza ti elton?

Mua me nglen syte te kellqet: "Çdo vit buxheti shpenzon më pak se 200 milionë euro për investime me burime të brendshme."

Nuk eshte e thene te jetojme edhe ne si gjithe te tjeret ne Europe. Me siguri duhet ti kemi bere dicka te keqe zotit qe po sillet ne kete menyre me ne. O zot jepi fund mallkimit tend dhe na le te qete ne fukarallekun tone. Boll na e le Sal Berishen qe na zhveshi ne 1997-ten, nuk u kenaqe me kaq? Na e le prape se duhet te na rjepi te gjalle. Inat te cmendur paske o zot! 

Ky Fullani eshte si Nastradini, vetem fundin e botes pret!

Me borxhe pa borxhe, fund quhet.

 "....Megjithëse ka një buxhet prej 2.9 miliardë eurosh, Shqipëria shpenzon 75-80 për qind të tij për paga, pensione, pagesa të interesave të borxhit e të tjera shpenzime të tilla. Çdo vit buxheti shpenzon më pak se 200 milionë euro për investime me burime të brendshme..." 

 

Kaq shum burokraci paska aty. Mire qe paska kaq shume, po popullit pse nuk i mbarojne pune, por e sjellin verdalle. 

Qeveria e di se cdo te behet se di. Ky eshte refreni per sa kohe te jete ne krye kapedani!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).