Berisha "çimenton" Shqipërinë

TIRANË- Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë miratoi dje gjate mbledhjes së radhës edhe katër projekte të tjera për ndërtimin e fabrikave të çimentos, të cilat do të vendosen kryesisht në pjesën veri-perëndimore të vendit.

Projektet me vlerë totale rreth një miliardë euro dhe që së bashku parashikohet të prodhojnë rreth gjashtë milionë ton çimento në vit, do të ngrihen në Balldren dhe në Droje të Lezhës, në Bushat të Shkodrës dhe në komunën Nikël të Krujës.

Gjatë fjalës së tij si Kryetar i KRRTRSH-së, kryeministri Sali Berisha e cilësoi si shumë të rëndësishëm miratimin e projekteve në fjalë pasi sipas tij, Shqipëria është një ekonomi në zhvillim dhe për ngritjen e infrastrukturës së saj janë të nëvojshme sasi të mëdha çimentoje.

"Shqipëria është një vend me nevoja në rritje shumë të shpejtë për çimento dhe materiale ndërtimi, pasi është një infrastrukturë e tërë për t'u ndërtuar si HEC-e, rrugë, etj", tha ai duke vijuar se kriter themelor për miratimin e projekteve të tilla ka qënë edhe është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit.

Për momentin në të gjithë territorin e vendit punojnë vetëm dy fabrika çimentoje, të cilat janë trashëguar nga periudha e komunizmit, në Elbasan dhe në Fushë-Krujë. Po në njëjtën zonë Fushë-Krujë-Lezhë, janë duke u ndërtuar edhe katër fabrika të tjera për prodhimin e çimentos të cilat pritet të fillojnë shumë shpejt nga prodhimi.

Ndërsa, me miratimin edhe të katër projekteve të tjera, numri total i fabrikave të çimentos në të gjithë vendin shkon në dhjetë të tilla, me një prodhim prej rreth 12 milionë ton çimento në vit. Miratimi i një numri të madh projektesh për ndërtimin e fabrikave të çimenos ka shkaktuar indinjatën dhe reagimin e grupeve për mbrojtjen e ambientit të cilët kanë dhënë alarmin për ndotjen e madhe që sipas tyre këto vepra do t'i shkaktojnë ambientit.

Por, për t'i paraprirë reagimit të tyre në lidhje me vendimet e djeshme të KRRTRSH-së Kryeministri Berisha është shprehur se, qëllimi kryesor i kundërshtarëve të këtyre projekteve nuk është ruajtja e ambientit, por mbrojtja e interesave të grupeve që sipas tij këto grupe përfaqësojnë.

"Përcaktuese për të gjitha vendimmarrjet e ardhshme do të jenë kriteret e mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit dhe jo anti-globalizmi. Edhe një herë dua të denoncoj me forcën më të madhe anti-globalizmin si një transfigurim i doktrinës së vjetër marksiste-leniniste, e cila, fatkeqësisht, në Shqipëri është ngulitur dhe mishëruar në një grup të vogël eksponentësh të së majtës shqiptare, të cilët nuk mbrojnë aspak interesa të majta, por mbrojnë kryekëput interesa të mafies",- tha ai.

Në mbledhjen e radhës të KRRTRSH-së janë miratuar edhe një sërë studimesh urbanistike për zhvillimin e disa bashkive dhe komunave në qarqet e Elbasanit, Tiranës, Lezhë, etj.

 

5 Komente

 sme duket se eshte duke ndertuar bunkere, ai do ishte betonizim

cimento per te ndertuar rruge e zvilluar vendin nuk e shikoj sesi mund te jete negativ

Nuk me duket artikull kritik. Edhe sepse nuk nuk do te kishte kuptim. E thene nga faqet e nje gazete, pronari i se ciles eshte simbol i betonizim....

O Salë... ndërto dhe metalurgjikun "Çeliku i Partisë Demokratike"... se me pas aq men sa Enveri, e kupton që ndërtimet nuk bëhen vetëm me çimento smiley

nuk besoj se shqiptaret do lejojne te perdoren kaq keq duke vene vendin ne dispozicion te multinacionaleve. Shqiperia i ploteson nevojat e veta me kapacitetin egzistues.

Po Sula mbrome tha qe se shpejti do ndertohen qindra hidrocentrale te cilat do te konsumojne shume cimento. Pse ja ka fut kot ai?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).