Berati rrezikon përjashtimin nga mbrojtja e UNESCOs

Dje është mbushur plot një vit nga koha kur Berati u bë pjesë e listës së trashëgimive kulturore botërore. Me këtë rast, paraditen e djeshme, bashkia e qytetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës, organizuan në Teqen e Helvetive (qendra mesjetare) të ashtuquajturën "Dita e UNESCO-s në Berat".

Specialistë të monumenteve dhe përfaqësues të pushtetit lokal janë takuar për të bërë bilancin. Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, profesori i restaurimeve, Genc Samimi, prefekti i qarkut, Kostandin Lefta, një grup studentësh dhe profesorësh italianë, 25 pronarë të banesave karakteristike të kategorisë së parë, të lagjeve "Goricë", "Mangalem" e "Kala", drejtues të institucioneve kulturore të qarkut, historianë, intelektualë, gazetarë etj., kanë qenë të pranishëm në këtë aktivitet.

Berati arriti të bëhet pjesë e UNESCO-s më 8 korrik ‘08, vetëm pas një përpjekjeje të dytë, si qytet në seri me Gjirokastrën. Dosja e parë, e cila parashikonte përfshirjen e Beratit në listën e trashëgimisë botërore si qytet më vete u refuzua, për t‘u marrë sërish në shqyrtim e plotësuar në mbledhjen e Kebekut të Kanadasë. Gjatë fjalës së tij, kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, shpjegoi të gjitha projektet e prezantuara deri tani për ruajtjen, promovimin dhe restaurimin e objekteve të dosjes së UNESCO-s, si për infrastrukturën e rrugëve dhe rrugicave të lagjeve muzeore, restaurimit të ikonave, ikonostaseve, basorelieve, objekteve të kultit, të banesave karakteristike të kategorisë së parë, ndriçimin e lagjeve dhe objekteve muzeore etj. Zoti Nasufi bëri me dije se deri tani bashkia e qytetit ka përgatitur 14 projekte e miniprojekte, për korrigjimin e imazheve në lagjet muzeore, ndriçimin, ndërtimin e rrugëve të brendshme, vendosjen e hidranteve për mbrojtjen nga zjarri etj., të cilat shkojnë mbi 1 milion euro, shumë që kjo bashki nuk e ka.

Duke shfrytëzuar "Ditën e UNESCO-s në Berat", kryetari Nasufi i është drejtuar qeverisë dhe donatorëve të huaj që të japin ndihmesën e tyre për sigurimin e këtyre fondeve. Krahas tyre, zoti Nasufi bëri të ditur edhe disa projekte të PNUD-it për rikonceptimin e infrastrukturës, partneritetit me donatorët vendas e të huaj, për prurjet e vizitorëve të huaj etj., si edhe projektin e restaurimit të ikonave, ikonostaseve dhe afreskeve nga një grup pedagogësh e studentësh të Universitetit të Milanos. Edhe më parë, gjatë vitit, është folur për një sërë projektesh restauruese apo përqendrim fondesh në qytetin e Beratit. Deri më tani duket se projektet kanë mbetur në letër. I ftuar në këtë manifestim, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, Valter Shtylla, mes të tjerave në fjalën e tij ka hedhur kritika në drejtim të pushtetit vendor. Sipas tij, përgjatë një viti, nga autoritetet vendore nuk është bërë një punë e mjaftueshme për të përmbushur detyrat që UNESCO ka caktuar një vit më parë. Duke sjellë në vëmendje porositë që specialistët kanë lënë për investime dhe ndërhyrje të nevojshme në qytet, drejtori i IMKS-së ka folur për një ritëm të ngadaltë të punës nga ana e pushtetit lokal. Ai ka kujtuar se sipas parimeve bazë të funksionimit të kësaj organizate, ngase nuk përmbushen kriteret, UNESCO mund të vendosë edhe përjashtimin nga ky institucion mbarëbotëror.

"UNESCO nuk do të thotë luks, dhënie parash pa kursim, por detyrim e përkushtim serioz për ruajtjen dhe përmirësimin e vlerave kulturore e historike të qytetit të Beratit, për ta kthyer këtë qytet me vlera të rralla e të papërsëritshme, në një vend tërheqës për vizitorët e huaj e vendas", ka theksuar Shtylla. Gjatë aktivitetit u shfaqën pamje në monitor nga objektet më të rëndësishme të dosjes së UNESCO-s. Më pas, të pranishmit vizituan objektet dhe lagjet muzeore të qytetit, muzeun "Onufri", objektet e kultit etj. Nga organizatorët, dita e sotme u quajt "Open day" (dita e hapur) për muzeun dhe hyrjet në kala e në objektet e kultit për të gjithë vizitorët.

4 Komente

ç'lidhje ka PS me UNESKO-n?

ky eshte nje shkrim super idiot sepse nuk thote asgje, vetem sa rendit "sukseset" medemek, te pushtetit vendor dhe nuk thote asgje qofte per te justifikuar titullin. Komenti i pare pastaj eshte edhe me idiot se shkrimi

 Shkrimi ishte informues, me disa te dhena,  te pakten per ne emigrantet . 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).