BE: Shqipëria, ende me ligje të Enverit

19 vjet pas rënies së komunizmit, ekspertët europianë zbulojnë gafën e qeverive shqiptare: Kontrolli i buxhetit, mbi bazën e VKM-së së vitit 1984

Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, dhe për këtë qëllim ka nisur punën për ndryshimin e kuadrit ligjor, duke i përshtatur me standardet perëndimore. Puna ka nisur në qershor 2005 dhe ka marrë formë zyrtare një vit më pas, kur nënshkroi MSA-në. Në morinë e shumë reformave që duhet të ndërmarrë vendi, me asistencën edhe të BE-së, konstatohet se problemet me kuadrin ligjor, i cili "paraqitet kontradiktor dhe jo koherent", janë më të thella, se kur vendi nisi liberalizimin e tregut. Gazeta "Shqip" vijon edhe sot me zbardhjen e një dokumenti të miratuar nga qeveria, nga ku mësohet se, baza ligjore për kontrollin e brendshëm të shpenzimeve buxhetore e ka zanafillën që në vitin 1984. Këtë fakt e ka evidentuar edhe Komisioni Europian gjatë shqyrtimit të kuadrit ligjor për zbatimin e Auditit të Brendshëm, si dhe të akteve të tjera. Në "Letrën e Politikës" hartuar nga qeveria "Berisha" së bashku me zyrtarët e BE-së, është pranuar fakti se deri tani, për kontrollin e brendshëm financiar institucionet kompetente kanë punuar me ligjin 6942, datë 25.12.1984 "Për Administrimin, Ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave Materiale dhe Monetare" dhe VKM Nr. 70 e vetit 1984. Sipas qeverisë, ligji vazhdon të jetë baza kryesore për zbatimin e kontrollit të brendshëm, edhe pse është përgatitur në kohën e sistemit komunist të Enver hoxhës, kur ekonomia ishte tërësisht e centralizuar, krejtësisht, ndryshe nga sot.

Gafa

Qeveria e pranon situatën e krijuar me zyrtarët e Brukselit, por siguron se ligji do të ndryshojë krejtësisht, duke hartuar një të ri, "Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin". Një ditë më parë, gazeta publikoi një pjesë të realitetit të legjislacionit shqiptar, i cili nuk përmbushte detyrimet e BE-së. Rekomandimet qëndrojnë më së shumti mbi buxhetin e shtetit, auditin e brendshëm, si dhe të disa mekanizma të kontrollit. Në vendimin e miratuar nga qeveria, rreth detyrimeve që ka ndaj BE-së, duke marrë në konsideratë vërejtjet e Komisionit Europian, thuhet se, "ligji nuk mund të zbatohet në kushtet ekzistuese, për shumë arsye". E para, ai është hartuar në kushtet e një strukture ekonomike tërësisht të centralizuar. Këtë fakt e pranon dhe vetë qeveria, e cila nën ndikimin e BE-së, paraqet disa argumente pse ligji i vitit 1984, nuk mund të vihet më në zbatim. Sipas vlerësimeve të bëra nga zyrtarët perëndimorë, theksohet se, "Ligji nuk është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe bie në kundërshtim me të në mjaft drejtime, ndërsa sa u përket ndryshimeve, ato kanë qenë mjaft fragmentare, dhe nuk kanë përfshirë të gjithë sektorin publik". Po ashtu, vijon raporti, ligji bie në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të kontrollit të brendshëm dhe nuk lë hapësirë për rregullim të mëtejshëm dhe të vazhdueshëm në njësitë publike, duke penguar në këtë mënyrë menaxhimin eficent të burimeve publike. Në këtë pikë, qeveria angazhohet ta shfuqizojë ligjin në fjalë, duke miratuar një të ri, "Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin", si dhe manualin në zbatim të tij.

"Ligji nuk mund të zbatohet në kushtet ekzistuese, pasi është hartuar në kushtet e një ekonomie të centralizuar"

Ministria e Financave: Ndryshimet në ligj, jemi drejt fundit

Zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, pranon se deri tani është punuar në bazë të një ligji të hartuar që në vitin 1984. Ai shton se, ndryshimi i tij është bërë me përfundimin e draftit, duke e zëvendësuar me një të ri, "Mbi menaxhimin e kontrollit financiar". Standardet e reja të kërkuara nga BE-ja e detyruan palën shqiptare të ndryshonte ligjin, zbatimi i të cilit mund të bëhet në vitin 2010. "Kemi punuar më të pa pasur pengesa, për aq kohë sa respektonim standardin tonë, sikurse vepron çdo vend. Megjithatë, ka shumë elementë që duhen ndryshuar, për efekt të sistemit të ri të kontabilitetit", sqaroi Shehu.

Presioni i Tatimeve - Listë publike për subjektet debitore

Rreth 15 shoqëri të mëdha janë duke sfiduar Drejtorinë e Tatimeve në Tiranë, duke mos përmbushur detyrimet ligjore. Pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga ana e inspektorëve tatimorë për të respektuar ligjet, disa biznese vazhdojnë të mos jenë në rregull me shtetin, në forma të ndryshme. Për herë të parë, që pas miratimit të ligjit ri "Për procedurat tatimore", Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pritet së shpejti të publikojë një listë të zezë me emrat e bizneseve që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore. Referuar agjencisë NOA, drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, shpjegon se do të do të shpallen vetëm emrat, por jo shumat e borxheve, pasi ato janë të dhëna konfidenciale. Drejtori i Tatimeve pohon se administrata që ai drejton nuk i ka ndier efektet e krizës, apo nga zgjedhjet elektorale, pasi presionet për të arritur objektivat kanë qenë maksimale. Pavarësisht kësaj, të dhënat paraprake flasin për mosrealizim të planit në rreth 450 milionë lekë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).