Bankat shtrëngojnë dorën, ulet kreditimi

Gjatë muajve të fundit, kredia e re ka njohur rënie dyshifrore në krahasim me vitin e kaluar

Volumi i kredisë së re e lëshuar nga bankat e nivelit të dytë, gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, është dukshëm më e ulët në krahasim me vitin e kaluar, gjë që tregon për vështirësi të shumta ekonomike të hasura nga shqiptarët. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e Bankës së Shqipërisë. Kredia e re në lekë e dhënë gjatë pesëmujorit 2009, ishte vetëm 35 miliardë lekë, rreth 23 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Kredia e re në euro ishte vetëm 306 milionë euro, me rënie vjetore prej 37 përqindësh. Problemi më i madh qëndron në faktin se kredia në euro me afat maturimi mbi pesë vjet është tre herë më e paktë se një vit më parë dhe duke qenë se kredia afatgjatë është tregues i investimeve në ekonomi, tregon se vështirësitë mund të zgjasin edhe për shumë kohë. Treguesi i kreditimit në ekonomi është një faktor i rëndësishëm, pasi pasqyron kërkesën e brendshme.

Ekonomia shqiptare ka shijuar rritje të kreditimit me mbi 50 për qind në vit gjatë pesë viteve të fundit, por kriza e fundit financiare, tkurri depozitat në bankat shqiptare, rriti numrin e kredive të këqija dhe i detyroi bankat të përzgjedhin më me kujdes klientët e vet.

Të dhënat mbi kreditimin në maj vënë në dukje gjithashtu se për herë të parë në një dekadë, portofoli i kredisë së bankave është në rënie. Banka e Shqipërisë raportoi një rritje minimale prej më pak se 1 përqindësh për tremujorin e parë, ndërsa tendenca rënëse vërehet se ka vijuar edhe në dy muajt e fundit.

Interesat në tendencë rënëse

Interesat e kredive u zbutën disi si për euron, ashtu edhe për lekun gjatë muajit maj, por në krahasim me një vit më parë, interesat e lekut janë rritur ndërsa ato të euros kanë njohur rënie të konsiderueshme, bën të ditur arkiva statistikore e Bankës së Shqipërisë. Interesi i kredive afatshkurtra në lekë ra në 11.81 për qind gjatë majit, ose 94 pikë bazë më pak se në prill. (100 pikë bazë = me 1 për qind). Kredia afatgjatë në lekë ishte 98 pikë bazë më e lirë ose 13.44 për qind. Kredia afatshkurtër në euro u shtrenjtua me 75-91 pikë bazë në krahasim me prillin, por kredia afatmesme u ul me deri 2.81 për qind. Kredia me afat maturimi mbi pesë vjet kushtoi në maj mesatarisht 7.7 për qind, ndërsa ajo afatshkurtër kushtoi 9.1 për qind. Interesat e kredive në euro nuk e kanë reflektuar në raport të drejtë zbutjen e politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore Europiane, ndërsa interesat e lekut janë rritur veçanërisht për shkak të huamarrjes së konsiderueshme të qeverisë gjatë muajve të fundit. Interesat e kredive në lekë kushtëzohen jo nga norma bazë e interesit që përcaktohet nga Banka e Shqipërisë, por nga norma e interesit e bonove të thesarit. Këto të fundit kanë shënuar nivelin prej 9.3 përqindësh gjatë muajit të fundit, niveli më i lartë që nga viti 2004. Për pasojë, edhe interesat e kredive në lekë kanë njohur vetëm rritje, gjë që rëndon si kredimarrësit e rinj ashtu edhe një pjesë të kredimarrësve ekzistues, kontratat e të cilëve sanksionojnë si normë referuese interesi, bonot e thesarit.
 

Shqiptarët, do të konsumojnë më pak më 2009

Parashikimi i Ministrisë së Financave: Ulje në 1.1 për qind

Mesatarisht çdo vit, që prej 2006-s, konsumi në Shqipëri rritej me rreth 6.2 për qind, por për këtë vit skenarët flasin për një rënie drastike. Kriza ekonomike, e shoqëruar nga paniku do të ndikojë te konsumatorët shqiptarë që të jenë më të kursyer në kryerjen e shpenzimeve. Parashikimet e Ministrisë së Financës tregojnë se konsumi total për vitin 2009 do të rritet me rreth 1.1 për qind, në një kohë që dy vjet më parë ishte rreth 7.8 për qind. Gjatë këtij viti pritet të konsumohen rreth 997 miliardë lekë mallra dhe shërbime, rreth 350 miliardë më shumë se një vit më parë, por me një rritje më të ulët se periudhat e kaluara. Edhe për vitin 2010, ekspertët e ministrisë parashikojnë një rritje të konsumit më të maturuar se vitet e tjera, rreth 3.8 për qind.

Konsumi final, për periudhën afatmesme në vijim, 2009-2012 parashikohet të rritet me terma realë me një ritëm mesatar prej rreth 4.9 për qind. Nga ky ritëm bën përjashtim viti 2009, vit në të cilin është parashikuar një rritje prej rreth 1.1 për qind e konsumit final. "Ky ritëm më i ulët rritjeje për vitin 2009 është rrjedhojë e marrjes në konsideratë të efekteve që mund të ketë kriza globale në disa variabla kyçë në përcaktimin e konsumit final, e sidomos në konsumin e familjeve", thekson Ministria e Financave. Ekspertët japin dy argumente për këtë tregues: e para, pritshmërinë jo optimiste të konsumatorëve, dhe e dyta, një reduktim i mundshëm në të ardhurat e disponueshme të një pjese të konsiderueshme të familjeve, të ardhurat e të cilave varen së tepërmi nga dërgesat e emigrantëve (remitancat). Për Ministrinë, parashikohet një nivel më i vogël i të ardhurave nga emigrantët, të paktën deri në 350 milionë dollarë, krahasuar me vitin 2008.

Në fillim u mendua se nga kriza ekonomike do të kishin edhe efekte pozitive, siç është ulja e çmimeve, si pasojë e reduktimit të kërkesës, por nga ana tjetër, për Shqipërinë, familjet nuk do të mund të përfitojnë aq shumë si pasojë e shkaqeve që lidhen me emigrantët, bankat dhe të ardhurën nga puna. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave për "konsumin final", i përkasin kuadrit makro-fiskal 2009-2012, të rishikuar me vendim qeverie në muajin prill dhe të cilat i referohen më së shumti Institutit të Statistikave.

 

1 Komente

shyqyr mo, te bijne nje cike cmimet e immobiliareve

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).