Avokati i djallit

Si në çdo sfidë zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe kësaj radhe nuk shpëtoi nga shpërdorimi politik djallëzor i partisë në pushtet. Emri i kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, është më i fundit në listën e gjatë të krerëve të institucionit përgjegjës për monitorimin dhe shpalljen e rezultatit të votës së zgjedhësve shqiptarë.

Para tij ka patur precedentë me emra të tjerë kryetarësh po kaq të anatemuar nga PD-ja, si Fotaq Nano apo Ilirian Celibashi, por roli i Arben Ristanit në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, është më i keqi që mund të kenë shënuar rekordet e KQZ-së si vegël në duart e pushtetit.

Sepse zgjedhjet që duhet të ishin më të lirat dhe më të ndershmet, kanë degjeneruar në kuti votimi të manipuluara dhe falë dhunës së shumicës proqeveritare në KQZ, manipulimi, prej 29 qershorit, po mbahet i kyçur në këto kuti që refuzohen të hapen, megjithëse si Kodi Zgjedhor, si dhe e drejta kushtetuese, mjaftojnë që të zbatohet verdikti i popullit, të numërohet çdo votë e hedhur dhe "haka të shkojë te i zoti".

Rasti i Fierit tregoi se Ristani është thjesht zbatues i urdhërdhënësit që e nominoi për anëtar të KQZ-së dy vite më parë dhe që e propozoi për kryetar pak muaj më parë. Ishte vullneti djallëzor i Kryeministrit ende në detyrë, Berisha, që numërimi i votave të Fierit të mos bëhej, sepse kështu PS-ja merrte mandatin që i kish dhënë populli. Ishte urdhri i tij, që bëri Ristanin të nxirrte zëdhënësin për të deklamuar "rezultatin paraprak", duke i dhënë mandatin e 9-të të Fierit PD-së, për t'i siguruar 71-shin që populli nuk ia ka dhënë në votimet e 28 qershorit. Ishte urdhri i tij që Berati të mos hapet, për të mos nxjerrë të palarat e mijëra fletëvotimeve "të pavlefshme", që Shkodra të mos rinumërohet, sepse del në dritë farsa e rezultateve me zero për PS-në.

Dhe Ristani është aty për të zbatuar çdo porosi nga tutori i radhës dhe opozita duhet të jetë e qartë dhe e bindur se ai do t'i zbatojë ato urdhra deri në fund, pa pyetur për standardet dhe raportin që do të bëjë OSBE/ODIHR-i, por të vulosë rezultatin që ka fiksuar humbësi i zgjedhjeve, Sali Berisha, i cili kësaj radhe nuk pati fatin të shkrehte adrenalinën politike mbi kundërshtarin e mundur, sepse thjesht nuk ka fituar.

Z. Ristani, ashtu siç e tregon veten në kolltukun e kreut të KQZ-së, ndjehet mjaft komod në pozicionin e radhës, prej nga akuzon si "sharlatanë" ata që kritikojnë institucionin dhe i kërkojnë që të certifikojë ndershmërisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ka një të shkuar me PD-në e Berishës, edhe pse ka përdorur profesionin e avokatit kundër saj. Ka qenë avokati dhe këshilltari i të gjithëve.

Djali i madh i ish-diktatorit Enver Hoxha, e ka patur avokat, kur Berisha si President e futi në burg 16 vite më parë. Ilir Hoxha e kujtoi edhe në një libër që bëri për të atin dhe burgun nën regjimin e Berishës: "Periudha para gjyqit ishte një periudhë intensive pune për t'u përgatitur. U interesova për një avokat dhe me rekomanduan një djalë të ri, që nuk e njihja, por i njihja të atin, një fotograf i talentuar dhe njeri mjaft i mirë.

Avokati quhej Arben Ristani. U takuam dhe biseduam gjatë e gjerë. Ai do të përgatitej për mbrojtjen time nga ana juridike, gjë të cilën ai e bëri me shumë kompetencë, të argumentuar juridikisht, duke ia rrëzuar njërën pas tjetrës të gjitha akuzat prokurorit të çështjes".

Vitet e mëvonshme, me juristë të tjerë që sot janë në krah të Berishës apo drejtues të institucioneve të pavarura të Drejtësisë, do të ishte bashkëdrejtor në një zyrë juridike, e cila do të pillte zyra të tjera, që sot janë emra të njohur në denoncimin e korrupsionit qeveritar.

Kontribuoi dhe ishte lektor në shoqata të tilla, si Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, apo edhe Transparency International Albania, të cilat marronin gjatë qeverisjes së Nanos në sheshin "Skënderbej" me mijëra fasha, ku shkruhej "Korrupsion", "rrëzonin" edhe maketet e piramidës së korrupsionit, bash atje ku deri në shkurt 1991, ishte busti i ish-diktatorit komunist dhe që sot vijojnë të bëjnë raporte kritike për korrupsionin e kryeqeveritarit Berisha.

Më pas do të ishte edhe këshilltar juridik i ish-Presidentit Moisiu, por kur i dolën disa njolla në biografi, dha dorëheqjen për t'u larguar pa bujë në punët e veta. Ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me PD-në, dhe i forcoi ato veçanërisht pas shtatorit 2005, kur Berisha erdhi sërish në pushtet.

Atëherë miqtë e cilësonin "avokati i vajit", sepse kish marrë përsipër të mbronte një firmë të fuqishme, e cila ishte vënë në rrezik falimentimi, sepse doganat e Berishës kishin bllokuar tankerat në port. Dhe avokati kërkoi ta mbronte klientin e tij, jo duke konstatuar shkeljet antiligjore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, por duke kërkuar ndërmjetës të "nëndheshëm" për të zgjidhur paqësisht këtë punë, kundrejt shpërblimit.

Publikisht ishte i mbështetur nga PD-ja, e cila e futi në listë për anëtar të KQZ-së. Por, shqiptimi i emrit të tij, natën e 28 korrikut 2006, do të bëhej shkak për atë spektakël që rrallëherë ndodh në një tribunë Parlamenti.

Drejtuesi i LSI-së, i xhindosur nga mungesa e emrit të përfaqësuesit të partisë që drejtonte në KQZ, iu vërsul spikeres së Parlamentit, Jozefina Topalli dhe u desh ndërhyrja e gardës që Ilir Meta të mos shqepte në dru zonjën e Parlamentit. Berisha do t'ia shpërblente Ristanit.

Më 2 shkurt 2009, do të zgjidhej kryetar me 98 vota, ku mbi 20 ishin të opozitës së majtë. Pesë muaj më vonë, Arben Ristani është kryetar i një KQZ-je që nuk ishte menduar as në ëndrrat më të këqija të opozitës së majtë.

Ka marrë peng kutitë që shtrëngon kryetari i PD-së, prej 29 qershorit 2009 dhe kërkon të japë një fitore në tavolinë, për humbësin Sali Berisha, i cili si gjithmonë ka një plan djallëzor alla 26 maj për zgjedhjet dhe po e zbaton te Pallati i Kongreseve, falë ndihmës së avokatit të djallit.

8 Komente

Nuk e kuptoj c'ka te beje ky artikull me shprehjen "avokati i djallit". Asgje e thene ne te nuk shpjegon dot titullin.

Mbase avokati i djallit, nuk eshte shprehje, por togfjalesh per te protretizuar Ristanin si avokatin e djallit (ne kete rast Berisha).

Nuk me pelqejne kur titujt te japin pershtypjen e nje dickaje krejt te kundert nga ajo qe permban artikulli.

 Nuk e kuptoj se qenka njolle ne biografi per Ristanin qe ka qene avokat i Ilir Hoxhes. Me sa di une Ilir Hoxha nuk i ka bere keq askujt ne jeten e tij, ka hyre ne burg kot fare dhe i takon respekt per qendrimin e patundur ndaj babait te tij. Cdo gje mund te thuhet me te drejte apo pa te drejte por familja e Enver Hoxhes, ndryshe nga qendrimet shume femijeve te krereve te shteteve komuniste apo jo, eshte shembull ne qendrimin ndaj burrit apo babait. 

Ja dime per nder Familjes Hoxha, se fundja fare na kane ndertuar Top-channelin, DEKA-n etj etj smiley

 Alternativa,

Familia Hoxha e Tanit te Topit e ke fjalen?

Po mer Gjon Tani Topit ishte maja asbergut. Po eshte Ky Hoxha tejter, qe e ka mrojtur Ristani smiley

 atehere keto admin-et qe na fshijne komentet sa here permendim Shokun Enver si te paafte per postin qe mbante nuku mbrojne komunizmin e vjeter; keta mbrokerkan llokmat qe shpresojne ne marrin nga Top-i...se jo me kot "kane lene Ameriken dhe rehatin per ti sherbyer Shqiperise". Muhabet leshi...

 

Nuk me pelqejne kur titujt te japin pershtypjen e nje dickaje krejt te kundert nga ajo qe permban artikulli.

As mua!

Kap nje tjeter, te Peshkut kesaj rradhe, ku titulli nuk eshte as i kundert me ate qe permban artikulli, por...i kithet! smiley

http://peshkupauje.com/2009/07/duke-pritur-godote

 Alternativa,

Te lutem me spjego nje gje: si ka mundesi qe djemte e Shokut Enver, Udheheqes i Shquar i PArtise dhe i Poppullit, te punojne si rrogtare tek Tani i Topit???

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).