Asgje e re nga bregdeti

 

 

Tirana “arratiset” drejt Dhërmiut, Jalës dhe Himarës, por këtë vit nuk ka as edhe një investim të ri që të përmirësojë kushtet përgjatë perlës së turizmit. Adoleshentët, imitojnë netëve në Dhërmi, atmosferën e ish-bllokut në Tiranë. Mungon uji e në disa raste energjia elektrike, ndërkohë që club-et shesin alkool për këdo adoleshent të cilët mund të rrezikojnë edhe jetën në raste ekstreme pasi mungojnë mjekët dhe shërbimet spitalore… MAPO sjell një vëzhgim të detajuar të mënyrës se si familjarë dhe të rinj, shqiptarë dhe të huaj tentojnë të argëtohen buzë detit jonian

Jalë, 20 korrik, 2009. Në pikun e sezonit turistik plazhistët enden nga një shtëpi në tjetrën për të kërkuar një dhomë, pavarësisht cmimit që mund të ketë. Ne kërkuam disa orë në pikun e vapës duke negocuar me vendasit, por si përfundim nuk mundëm të gjenim as edhe një dhomë të lirë. “Kam një cadër të mirë, dhe mund të përdorni ujin e pusit po të doni”, na ofron një alternative ndryshe njëri prej banorëve, pasi kupton se do ta kishim të pamundur të siguronim një dhomë cfarëdo atë ditë në Jalë.

I zoti i një prej dhomave të tjera që ofrohen me qëra në Jalë, shpjegon se aktualisht atje askush nuk mund të investojë pasi të gjithë banorët e këtij fshati nga më tërheqësit në gjithë bregdetin e Jonit, ndodhen në një proces gjyqësor me qeverinë shqiptare si edhe me dhëndrin e kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi.

74 dhoma ofron aktualisht kjo pikë turistike, as edhe një më shumë, fiks aq dhoma dhe aq shtretër sa ofronte edhe vitin e kaluar.

“Këtë vit munda të rihap hotelin tim, të paktën ato dhoma që nuk u prekën nga fadromat e policisë, por pa përfunduar gjyqin nuk mund të bëj as edhe një rregullim, apo qoftë dhe të heq pjesët e shkatërruara të ndërtesës”, thotë Jorgo, një prej banorëve të Jalës, familja e të cilit duhet të ketë të paktën 200 vjet që jeton në atë fshat.

“Por të paktën ndihem i lehtësuar që me lekët e Bankës Botërore kam tani mundësinë të paguaj një prej avokatëve më të mirë dhe më të shtrenjtë nëvend”, shton ai pa e fshehur kënaqësinë që pikërisht me lekët e Bankës Botërore ka mundur të pajtojë për kauzën e tij një ish ministër të Drejtësisë i cili ka drejtuar për disa vjet edhe Gjykatën Kushtetuese…

Hotelet e dikurshme dhe shtëpitë e banorëve që u shkatërruan nga policia për shkak të një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të z. Malltezi, (sipas pretendimit të banorëve, pretendim që Gjykata do duhet t’i japë të drejtë ose jo) janë ende të dukshme.

Djathtas shikon detin të shtrirë në një gji të hapur, si një mrekulli e  paprekur e natyrës, majtas, në breg shikon akoma rrënoja shtëpish dhe disamjedise shërbimi të improvizuara me kashtë nga banorët, në mënyrë që të përballojnë me si dhe me sa të mundin fluksin e turistëve.

Të duket e mjerueshme se si ka mundësi që veprimtaria e njeriut mos harmonizohet në këtë vend të izoluar me natyrën, por të shfaqet atje si një njollë që zhduket pastaj netëve të freskëta, kur ke mundësi të shikosh vetëm hijen e errët të maleve e kodrave të zhveshura përreth, dhe yjet e panumurt në qiell.

Eshtë koha të heqim dorë nga kërkimi i një dhomë te lirë, pasi duket e pamundur. Do duhet të provojmë më vonë ndoshta në Dhërmi apo në Himarë, dy vendet më të afërta me Jalën.

Në bregun e detit, të paktën nuk ka dyndje të padurueshme njerëzish. Gjithcka duket e qetë, ndonëse po të besojmë banorët, popullsia e Jalës do të duhet të ishte atë ditë 9 herë më e lartë se në ditët normale.

Ushqimi është jo fort i keq, dhe realisht jo fort i shtrenjtë po ta krahasosh me tendencën e cmimeve në të gjitha pikat turistike përgjatë bregdetit të jugut. Produktet e bulmetit janë ndoshta më të shijshmet që mund të provosh, peshku është i freskët dhe mishi gatuhet mirë.

Në cep të gjirit, një banor ka përshtatur në mënyrë shumë praktike shtëpinë e tij, të cilën tashmë e ka shndërruar në një dyqan ku shet me shumicë dhe pakice produkte ushqimore, por edhe cadra, veshje plazhi, etj, ndërkohë që pjesën tjetër e ka bërë restorant, bar dhe pizeri, ku një i ri që ka punuar disa vjet në Greqi e bën brumin vetë dhe i pjek picat në një furrë me dru, njësoj si në piceritë më të mira të kryeqytetit.

Ky i fundit, teksa afrohet buzë tavolinës ku jemi ulur ne, nis të mbledhë borzilok në një vazo të madhe dhe na qetëson duke buzëqeshur se “nuk është hashash, ndonëse gjethet i ka të ngjashme me të”. Kaq i duhet që të na shfaqë pastaj mendimin se sa pak mundësi për argëtimin e të rinjve ka në Jalë. “Këtu edhe të duash nuk mund të mbjellësh asnjë rrënjë hashashi, por ju po të doni sot në darkë edhe mund të gjejmë ndonjë gjë…”.

Eshtë mbrëmje dhe ende na duhet një dhomë për të fjetur. Vendosim të kërkojmë në Dhërmi e Himarë. Në Himarë situata duket edhe më tronditëse se në Jalë. Jo vetëm që nuk ka një dhomë të lirë, por cmimet janë marramendëse. Të duhen minimumi 50 euro për një dhomë pa tualet brenda!

Eshtë e pabesueshme të shikosh pastaj dyndjen e të rinjve në Dhërmi. Këtej thuhet se nëse kërkon në zonën e ish bllokut për ndonjë mik apo mike dhe nuk e gjen, shko në Dhërmi sepse do e kesh atje me siguri!

Në Dhërmi, të dyndur në alkool dhe të vëmendshëm ndaj cdo aksesori veshjesh, njësoj si ato që përdorin në Tiranë, të rinjtë dhe adoleshentët e kryeqytetit janë “turistët” e përhershëm. Shpenzojnë secili jo më pak se 150-200 mijë lek për një fundjavë të kaluar mes alkoolit, detit, hashashit dhe seksit.

Por ndonëse e frekuentojnë kaq shumë këtë pjesë të bregdetit, ata kanë jo pak ankesa për shërbimin që gjejnë atje. “S’ka farmaci apo urgjencë në rast se të ndodh dicka, përvec një mjeku fshati që të shëron me shpirtin e shenjtë”, thotë me humor Alba Sheldija e cila atë fundjave kishte shkuar në Dhërmi bashkë me shoqërinë e saj. Tregon më pas rastin kur ishte pickuar nga një akrep dhe se si e kishin cuar me urgjencë në Himarë, pasi në Dhërmi nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi.

“Ashtu sic pinë njerëzit këtu”, vazhdon ajo, “duhet patjetër një shërbim spitalor, pasi jo pak herë ata përfundojnë shumë keq teksa zbardhin netët në clube me muzikë të fortë”.

Nuk e ndajnë alkoolin, në fakt, të gjithë të rinjtë ndonëse aktualisht është ende në fuqi një ligj që ndalon shitjen edhe të duhanit, edhe të alkoolit për adoleshentët. “E njoh këtë ligj dhe më duket i drejtë, por t’ju them të drejtën nuk do të isha komod nëse do të zbatohej”, tregon një i ri nga Tirana, i cili teksa bisedon për këtë cështje, thotë më tej se një mënyrë e mirë për të mos shitur alkool të rinjve do të ishte që mosha e tyre të verifikohej përmes kartave të identitetit.

Ditët e nxehta të verës 2009 e gjejnë turizmin shqiptar me as edhe një përmirësim në krahasim me një vit më parë. Nga Durrësi drejt pikave të bregdetit jugor, duket se nuk ka asnjë investim serioz të prekshëm që të ketë sjellë për këtë vit një shërbim më të mirë për turistët shqiptarë por edhe për ata të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Dhe kjo situatë është fiks e njëjta situatë që dhe institucione të huaja kishin vërejtur qysh në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës. Forumi Ekonomik Botëror e renditi Shqipërinë në vendin e parafundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe të 90-n, nga 133 vende të botës, për nga avantazhet që ofron në industrinë e turizmit. Raporti bëri një analizë të detajuar të sektorit të turizmit në Shqipëri, duke nxjerrë edhe pikat më problematike ose disavantazhet që ka vendi ynë në tregun botëror të turizmit. Forumi Ekonomik arriti në përfundimin se sektori i turizmit në Shqipëri nuk rezulton të jetë prioritet.

Në këtë tregues, i cili llogarit pjesën e fondeve që vendet akordojnë për turizmin, por edhe përpjekjet që ato bëjnë për promovimin e tij, Shqipëria renditet e 89-a në botë.
Sipas të dhënave të raportit, qeveria jep për turizmin rreth 3,8 për qind të fondeve të buxhetit, duke u renditur në vendin e 54-të për këtë tregues. Por disavantazhet më të mëdha turistike, sipas raportit, vendi ynë i ka në infrastrukturën e dobët dhe kostot e larta të transportit. Raporti vë në dukje se Shqipëria ka aktualisht vetëm një aeroport ndërkombëtar, duke u renditur në vendin e 103-të në botë për nga numri i aeroporteve për milionë banorë, si dhe ka një infrastrukturë rrugore të dobët.

Por kësaj i shtohet dhe një disavantazh në kosto pasi, sipas Forumit Ekonomik, Shqipëria është vendi i 116-të në botë për nga çmimet e larta të biletave dhe tarifave aeroportuale, që paguajnë turistët. Edhe tarifat e transportit brenda vendit rezultojnë të larta, ku shkaku kryesor janë çmimet e larta të karburanteve, për të cilat Shqipëria renditet e 111-a në botë. I vetmi avantazh në kosto janë tarifat e hoteleve, për të cilat vendi ynë renditet i 48-i në botë. Sektori i turizmit mbetet një nga siguruesit më të mëdhenj të valutës në vend, me mbi 1 miliard euro të ardhura në vit, edhe pse vitet e fundit është venë re një rritje e fortë e shpenzimeve që shqiptarët bëjnë për udhëtime jashtë shtetit, çka bën që rezultati neto i përfitimeve të jetë rreth 10 herë më i vogël.

Eshtë koha të kthehemi në Jalë, pasi dështojmë edhe në Dhërmi për të gjetur një dhomë. Vendosim të akomodohemi në kampin veror të Jalës, ku Ened Mato së bashku me Majlinda Lleshin kanë disa vjet që punojnë në cdo muaj të verës. Atë natë në kamp strehohen të paktën 200 të rinj të tjerë. Flenë në cadra, ndërkohë që në ambientet e kampit kanë mundësi edhe të bëjnë dush me ujë të ftohtë por të paktën jo të kripur.

Këtu nëse je me një shoqëri të mirë edhe mund të kalosh disa ditë të këndshme, por edhe këtu pasi ke provuar gjithë mënyrat e argëtimit (që në fakt pothuajse mungojn&eumlsmiley, s’të mbetet gjë tjetër vec të shtrihesh buzë detit natën, e të numërosh yjet… Nëse as edhe kjo nuk të argëton, atëherë ndoshta do të ishte mirë të provojë t’u vije emra yjeve, emrat e njerëzve që ndryshe nga ti, këtë vit kanë bërë zgjedhjen më të mencur dhe po i kalojnë pushimet diku jashtë Shqipërisë……

Kristipinderi@revistamapo.com
Fotot nga "Artful F.P."

20 Komente

foto eshte fantastike fare

ahahahhah shife si e shef plaka e gjore dhe i thote asaj " te hengert mortja moj cupe, na flliqe lakuriq'" kurse ajo ja kthen " gjyshe hiqi edhe ti rrobat se eshte vape".Smile

Se pse dreqin s'na pranojne ne Evrope ne...do na kena inat, s'ka mundesi!

Ka shume mundesi qe vajza dhe plaka nuk kuptohen me njera tjetren. Eshte shume e ngjashme qe plaka dhe vajza te flasin dy gjuhe te ndryshme,, keshtu qe domethenia eshte humbur ne perkthim. Cfare i tha plaka vajzes e ansjelltas do te mbetet nje nga ato misteret e pashpjegueshme te jetes.

Ke te drejte.

Vajzat tona jane te turpshme, nuk marrin rreze dielli maje makinash smiley

Megjithate kjo gje nuk e pengon nenen t'i fute nje te share vajzes. smiley

absolutisht, jo vetem qe nuk e shau po u sigurua deri ne fund qe vajza te zbriste nga makina me shendet te plote smiley

Krisiti e ka fotografuar mire kete realitet. por nuk jep ndonje ide se si mund te jete me mire. Qeverite nuk duan ti hapin rrugen turizmit ne bregdet jonian se duan te lene turbullira per te vjedhur copa bregdeti, per fshatra gjoja turisitik. Fakti eshte se fshatrat turistik egzistojne ne bregdet dhe nuk ka vend per fshatra te reja. ato duhet nxitur te zhvillohen me tej. sidoqofte kapacitetet ne bregdetin jonian jane te kufizuar. kane nje shanc shqiptaret per turizmin e detit. Te heqin rrethim fosilo- industrial prej gjirit te Vlores deri ne derdhje te vjoses. Por kronikan si kristi kaq mund te bejne. te bejne fotografi.

po kristi seshte strateg i zhvillimit turistik (po mgjth ka bere ca dhjetera shkrime per kete gje). Kristi fotografon, ti zberthe fotografite

Fotot nga "Artful F.P."  

 

 

Nuk eshte Kristi fotografi. Kjo goca eshte shqiptare, meqe u hoch hipoteza qe ishte e huaj.

 

Artikulli me pelqen, me duket e vertete te gjitha ato qe shkruan, po mbase ngaqe kjo e vertete eshte kaq e qarte, me mbeti ne fund pershtypja "this is nothing new".

Ore ku dhjesin keta pushues? E vetmja mundesi eshte pak me larg vendit ku flejne ne cadra apo kasolle, atje reze pemeve dhe ullishtave. Pastaj shkojne ta lajne bithen ne det. Te pakten i bejne mire pemeve se i pleherojne.

Krye na fal po ja ke fute kot fare. Vetem fotua qe s'ka piken e imazhit artistik jo me te jete "fantastike" smiley  Po qe se e ke per kompozimin ...ehe.... tjater gje , sidomos per te vertetuar frazen e fundit.....këtë vit kanë bërë zgjedhjen më të mencur dhe po i kalojnë pushimet diku jashtë Shqipërisë...apo jo ? smiley. Dhe doemos teoria e mospelqimit si pasoje ka fjesen dhe fjesaxhiun qe vjen verdalle se i erdhi rasti smiley .

"...Shpenzojnë secili jo më pak se 150-200 mijë lek për një fundjavë të kaluar mes alkoolit, detit, hashashit dhe seksit..." 

 

Kristi, per moshen tende , kjo gje mund te duket e bukur, por per nje prind, kjo do te ishte nje tmerr i vertete.

sdi pse ke menduar se per mua duhet te jete e bukur kjo smiley ndoshta dhe po, po gjithsesi gabohesh per moshen se per fatin tim te keq kam filluar mendoj si prind tani smiley

 Faleminderit atij qe solli kete shkrim sepse duke u kombinuar nga sa me thone me telefona, turizmi sivjet ne Shqiperi qenka "kur te thrret qameti". Do jem ne gusht me pushime dhe duket ato $$$$ qe do i shpenzoja ne shqiperi do i kalojne Antalias. Kjo eshte e tmerrshme, ne vitin 2009 njeriu te mos arrije te shijoje vendin e vet. Per me teper as shtepine e vet, sepse kam edhe nje apartament tek shkembi i kavajes qe kam frike ti afrohem is djalli nga temjani sepse era e kendshme e jashteqitjeve nga kanalet e ujrave te zeza te mbysin.

Jazek. 

Ka ndokush ndonje informacion per hotelet e Antalyas apo paketat turistike? Ka ndonje mundesi per booking nga interneti? Flm.

Treno, beji nje gongel (gugell), a rrokoko Antalias se besoj se gjen info.  Po na shan memedheun, ene dashke ene info qe t'i kthesh ate muhabetin smiley.  

Pa asnje lloj hatri emigranteje, per bukuri te Zotit me duket "turizmi" mua.  Ene kur them turizmi e kesha llafin per Vloren smiley

Por doja te pyesja znj Pinderi, perse nuk shkruan per pubet, diskot e Tiranes?  Sa pijne te rinjte atje?  Per me teper, vinin zonjushat e Davidoff-it, ene pa teklif fare shperndanin cigare.  Kisha shku per qejf mer peshq tek Folia, s'kisha shku me ngushellu smiley.  Komplet jashte ligjit reklamimi dhe shperndarja. 

Nejse nejse, sic kam thene gjithmone, ato mendte paci, e u shtofshi ju gjindja qe jeni per Antalia, a Egjypt, a per ku jeni smiley.  Se s'eshte akoma gusht, e per fundjave duhet me vu shishen e me mbajt radhen qe naten per te gjet nje cader.  

Edhe mbase lexohet ky artikulli nga shume veta, e mbase u kthehet mendja robve e te mos shkojne ne Dhermi nga data 6 gusht, se dua te shkoj (na vjen nje DJ me emer gjoja lol) e deri tani jane prere 5000 bileta, dhe s'ka dhoma.    

Monda. T'kuptoj dhe po te isha tek pulle ndoshta nuk do e vrisja shume mendjen e do flija me cadra jashte, halli eshte qe me femije neper kembe nuk shkohet gerxheve te "rivieres" tone se ne mos te pickon gjarpri me siguri do kapesh dizanterine e s'ke ku mbytesh pastaj. Befsh qejf.

Mire mer treno, secili shko per qejf t'vet.  Ene ti bofsh qejf atje ku t'shkojsh smiley.

Une kam thene ne nje teme qe s'jam per cadra e t'fjetme jashte, pak rehatllek du dhe une.  Se te ishte per cadra, le te vinin 10000 veta ne dhermi, une ne cadren time. 

Gjithesesi, ene kur shkojme me motren dhe mbesken time, shyqyr Zotit, t'co makina ke dera e plazhes, ene s'kalojme gerxheve, edhe syckat s'me kane zene ndonje gjarper. 

Anyway, se u be terkuze kjo pune, ia kalofsh mire smiley.

dera e plazhes

hihihihi!

A nuk a' "e pllazhes"! smiley

sorry mroklle, e ngatarrova smiley.  Mu fiks te dera e pllazhes lol.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).