Abuzimi me naftën, gjobiten dy shoqëri

Abuzuan me tregun duke fiksuar çmimin, ndëshkim me 2 për qind të xhiros vjetore

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur dy shoqëri importi karburanti me 2 për qind të xhiros vjetore, referuar vitit 2008. Vendimi është marrë si rezultat i hetimit të nisur kohë më parë mbi tregun e karburanteve në vend, nga ku u shfaqën shenja të mungesës së konkurrencës. Në hetim ishin përfshirë shtatë shoqëri lider në treg, nga 42 që janë gjithsej, por masa e ndëshkimit ka ardhur vetëm për dy prej detyre. Mësohet gjithashtu se hetimi do të vijojë deri në zbardhjen e plotë të mënyrës sesi ka funksionuar tregu i karburanteve përgjatë vitit 2008. Autoriteti i Konkurrencës është rezervuar të japë informacione më të detajuara, por garanton se procesi i monitorimit të tregut do të zgjasë dhe më tej. Deri tani, është vërtetuar se dy shoqëri kanë abuzuar me pozitat e tyre në treg, duke fiksuar çmimet e karburantit, për pasojë, sipas ligjit, ndëshkimi me gjobë duhet të ishte 2 deri në 10 për qind të xhiros vjetore. Autoriteti i Konkurrencës vendosi masën e 2 përqindëshit, e konvertuar në vlerë, llogaritet rreth 2 milionë dollarë.

Raporti paraprak

Më 17 dhjetor 2008, Autoriteti i Konkurrencës publikoi raportin paraprak "Mbi hetimin e thelluar në tregun e karburanteve", nga ku u mësua për herë të parë zyrtarisht fakti se në treg ishin vërejtur shkelje të konkurrencës së lirë. Po në atë periudhë, Autoriteti i Konkurrencës nis fazën me seancat dëgjimore me operatorët privatë dhe aktorët e tjerë të këtij tregu. "Në tregun e karburanteve vihen re kufizime të konkurrencës në treg si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë", theksonte Autoriteti i Konkurrencës. Në mbështetje të ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës" dhe Kodit të Procedurave Administrative, Autoriteti i Konkurrencës ftoi për muaj të tërë ndërmarrjet në hetim të tërhiqnin një kopje të raportit dhe të paraqesin pretendimet e tyre, të cilat, në shumicën e rasteve e kundërshtonin argumentin e komisionit.

Afati

Hetimi mbi tregun e karburanteve, nëse operojnë në kushte të monopolit, u shty disa herë për shkak se operatorët ekonomikë kundërshtonin pretendimet e Autoritetit të Konkurrencës. "Për t‘i ballafaquar më me detaje faktet, ne u lamë kohë kompanive të gjithë muajin shkurt, që ata të sjellin prova, nëse kanë, në mënyrë që të justifikojnë pretendimin kundër raportit tonë", tha për "Shqip" Lindita Lati. Tashmë, rezultati paraprak se në tregun e karburanteve nuk ka konkurrencë të lirë pritet të shoqërohet me të tjera sanksione. Hetimi nisi në kohën kur në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës pësoi luhatje, por që nuk u pasqyruan realisht në tregun tonë, sipas studimeve të bëra nga Konfindustria, shqiptarët mësohet të kenë humbur me dhjetëra miliona euro nga abuzimet në treg, si me çmimin ashtu dhe me cilësinë.

Tregu

Në tregun e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, aktualisht operojnë rreth 120 shoqëri të pajisura nga Ministria e Ekonomisë me "leje tregtimi" (shumic&eumlsmiley, si dhe rreth 870 stacione të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GLN). "Kuptohet qartë se tregu i karburanteve paraqitet i liberalizuar, aq sa kompanitë kanë abuzuar me shkeljen e rregullave të përcaktuara në ligj", shprehet Ministria e Ekonomisë, e cila pranon se tregu paraqet probleme, ku shumë pika nuk janë të pajisura me licencë, kurse një pjesë e tyre nuk garantojnë siguri dhe standarde. Për këtë qëllim, kompanive u është lënë afat tre muaj për marrjen e masave, në të kundërt do të prishen ato pika që nuk zbatojnë ligjin. Një pjesë e fajit për situatën e krijuar e mban edhe pushteti vendor, që sipas ministrisë, nuk ka qenë i kujdesshëm në dhënien e lejeve.

Përpali

Largohet nënkryetari

Që prej datës 1 qershor, Autoriteti i Konkurrencës po funksionon me një anëtar mangët, nga pesë që janë gjithsej. Bëhet fjalë për zëvendëskryetarin e Komisionit të Konkurrencës, Lush Përpalin, i cili është larguar nga detyra për shkak të përfundimit të mandatit. Tashmë, në bazë të nenit 21 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 "Për Mbrojtjen e Konkurrencës", Kuvendi zgjedh me kandidatura alternative anëtarin e ri të Komisionit të Konkurrencës. Përpali, ish-sekretar Shteti për Pushtetin Lokal, ishte propozuar në këtë post nga Partia Socialiste në mars 2004, për pasojë, do të jetë kjo forcë politike që zgjedh zëvendësuesin e tij. Me ligjin e ri, mandati i anëtarit zgjat 5 vjet.

Kalibrimi

Abuzimet, 70 mijë USD

Në fillim të muajit qershor, Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit, ndërmori një fushatë kontrolli dhe verifikimi në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve, nga ku rezultuan një sërë shkeljesh. Mësohet se u arkëtuan rreth 70 mijë dollarë nga verifikimi i pistoletave të karburanteve, të cilat nuk paraqisnin standardin e kërkuar. Për të gjitha rastet e abuzimeve është marrë masa e gjobitjes deri në 5 mijë dollarë, ndërkaq që kontrolli ka përfshirë rreth 15 subjekte të tregtimit të karburantit. Kontrollet dolën në përfundimin se në disa pika karburanti, drejtuesve të automjeteve u jepnin deri në 150 mililitra mangët.

Sektori

Shifrat nga doganat për vitin 2008. Importi, 435 mijë tonë

Tregu i karburanteve, 350 milionë dollarë

Tregu i karburanteve ka njohur rritje nga njëri vit në tjetrin. Shifrat nga autoriteti doganor për vitin 2008 paraqesin një zhvillim të sektorit të hidrokarbureve, si në rritjen e zhdoganimit, por edhe në vlera. Konkretisht, për vitin që kaloi, tregu i karburanteve të importuara xhiroi një vlerë monetare prej rreth 350 milionë dollarësh, ndërsa arkës së shtetit i siguroi rreth 310 milionë dollarë të ardhura. Po të llogarisim edhe prodhimin vendas të siguruar nga burimet e "Albpetrolit", xhiroja vjetore do të ishte të paktën edhe 100 milionë dollarë më tepër. Në rang vendi, janë të regjistruar pranë autoriteteve përkatëse rreth 42 shoqëri importi të hidrokarbureve, ndërsa pika shitje me pakicë janë diku te 1100.

Edhe gjatë vitit 2009 është regjistruar një normë e lartë xhiroje e aktivitetit të karburanteve. Duke iu referuar katër muajve të parë të vitit 2009, nëpërmjet pikave doganore kanë hyrë në treg rreth 131 mijë tonë karburante, me vlerë 60 milionë dollarë. Një vit më parë, vlera e xhiros ishte 88 milionë dollarë, edhe pse sasia e importit ishte më e vogël, për shkak të çmimit të naftës në tregjet e huaja.

Në sasi, gjatë vitit 2008 janë zhdoganuar rreth 435 mijë tonë karburante, me vlerë rreth 34 miliardë lekë. Nafta dhe benzina konsiderohen nga ekspertët si dy mallrat që i garantojnë më shumë të ardhura buxhetit të shtetit, si pasojë e shkallës tatimore, 110 për qind. Aktualisht, me unifikimin e nivelit të akcizës me 37 lekë për litër, niveli i të ardhurave nga nafta do të jetë më i madh.

3 Komente

 Gje e mire, kontrrolli mbi firmat e karburanteve dhe pikave te tyre, dhe do te ishte me interes qe kontrrolli dhe gjobat te vazhdonin per te vendosur me shum rregull ne ate babiloni shit-blejresh dhe abuzimi.  

 

"....Nafta dhe benzina konsiderohen nga ekspertët si dy mallrat që i garantojnë më shumë të ardhura buxhetit të shtetit, si pasojë e shkallës tatimore, 110 për qind..." 

 

Mos eshte ndonje lapsus. Si ka mundesi te tatimi per keto dy produkte te jete kaq i larte. Me siguri lapsus, se ne te kunderten , do te quhej vjedhje spektakolare e shtetit e ligjeruar, qe iu behet drejtpesedrejti firmave te karburanteve dhe indirekt konsumatorit. 

Për kuriozitet, a e di kush se cilat janë këto dy firmat e ndëshkuara? Ia vlen që herës tjetër, t'i anashkalojë karburantet e tyre ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).