A është prokurori funksionar shtetëror?

Në këto ditë të nxehta korriku, ndërsa shoh kolegen e zyrës që prej disa ditësh telefonon me radhë ambasada të Bashkimit Evrupian në Tiranë, në një përpjekje të mundimshme për të marrë vizë Shengen për arsye pune dhe data më e afërt për intervistë është në fund të muajit gusht, m’u kujtua një ndodhi disi humoristike e treguar nga një kolegu im prokuror! Para rreth 5 vitesh udhëtonim së bashku drejt Greqisë për të marrë pjesë në një seminar drejtuesi i prokurorisë së rrethit kufitar dhe kryetari i Dhomës së Avokatisë së po atij rrethi. Avokati kishte pasaportë shërbimi, ndërsa prokurori pasaportë të zakonshme! Kur polici kufitar grek i pyeti për arsyen e udhëtimit dhe profesionet, me të drejtë polici grek dyshoi se kishte të bënte me dy mashtrues që kishin pasaporta të falsifikuara. Fillimisht polici grek thirri kolegët me përvojë dhe pasi kontrolluan me imtësi pasaportat, konstatuan me habi që nuk ishin të falsifikuara. Më pas prokurori dhe avokati nga Shqipëria i shpjeguan se sipas ligjeve të shtetit shqiptar pajisen me pasaporta shërbimi drejtuesit e Dhomës së Avokatisë apo edhe të Dhomës së Tregtisë së çdo rrethi, por jo drejtuesi i prokurorisë së rrethit. Megjithatë, policët grekë të kufirit e kishin të pamundur ta kuptonin sesi për shtetin shqiptar avokati ishte  funksionar shtetëror dhe duhet të kishte pasaportë shërbimi për shkak të detyrës, ndërsa prokurori jo!

Në fakt, Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) nr.335, datë 02.09.1997 “Për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit” është ndryshuar disa dhjetëra herë në 12 vitet e fundit, duke zgjeruar kategoritë që përfitojnë prej tij. Logjikisht këto ndryshime duhet të jenë diktuar nga nevoja e pajisjes me pasaporta shërbimi e diplomatike për shkak të ushtrimit të funksionit. P.sh., në vitin 2001 u shtuan avokatët, në vitin 2002 kryetarët e Këshillit të Qarkut e kështu me radhë, për të arritur së fundmi tek kameramani i kryeministrit e presidentit apo ndihmës inspektorët e Deklarimit të Pasurisë. Megjithatë është e vështirë të kuptosh nevojën e pajisjes me pasaportë shërbimi, të themi të kryetarit të Dhomës së Avokatëve të Tepelenës apo kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit më shumë sesa prokurorit të Rrethit të Durrësit apo Tiranës. Për të mos folur për kryetarët e gati 100 partive inekzistente jo-parlamentare që janë përfshirë në këtë kategori dhe gëzojnë të drejtën që nga VKM-ja e vitit 1993.

Me ndryshimin e datës 14.01.2009, me të drejtë u futën në kategorinë e funksionarëve që pajisen me pasaporta shërbimi edhe gjithë gjyqtarët e Shkallës së Parë të Shqipërisë, por gjithsesi jo prokurorët, edhe pse sipas ligjit gëzojnë të njëjtat privilegje dhe pagë si gjyqtarët! Natyrisht që Prokuroria si institucion dhe prokurorët kanë shumë “më tepër halle” sesa pajisja me pasaporta shërbimi. Profesioni i prokurorit është vërtet i vështirë dhe janë prokurorët dhe familjet e tyre që përballen me lodhjen dhe stresin, që pashmangshmërisht lidhet me ushtrimin e detyrës. E ndërsa klasa politike dhe gjithë shoqëria shqiptare me të drejtë kërkojnë më shumë përkushtim e profesionalizëm në ushtrimin e detyrës, a nuk kanë të drejtë prokurorët të kërkojnë të trajtohen në mënyrë dinjitoze! Të paktën në të njëjtin nivel me punonjësit e të njëjtës kategori brenda administratës publike?

Dhe nuk janë vetëm pasaportat e shërbimit shembull i “lënies mbrapa liste të prokuroreve”. P.sh., nëse ka shtëpi pushimi për punonjësit e Ministrisë së Brendshme, Mbrojtjes apo SHISH-it, pse mos të këtë një të tillë edhe për prokurorët, standard ky për kolegët tanë në vendet europiane dhe ballkanike? Ose është e parashikuar në ligjin organik të Prokurorisë dhënia e kredive të buta për strehimin e prokurorëve, por prej shumë vitesh nuk janë dhënë kredi etj., etj.! Ndërsa pyetjet e mësipërme janë të destinuara të ngelen “retorike”, e për zgjidhjen e tyre duhen parashikime buxhetore, zgjidhja e “problemit të vogël” të pasaportave të shërbimit është shumë e thjeshtë. Mjafton një Vendim i Këshillit të Ministrave me një fjali të vetme për pajisjen e prokurorëve me pasaporta shërbimi. Natyrisht nisur nga supozimi logjik, që prokurorët janë funksionarë të këtij shteti po aq sa kolegët e nderuar avokatë apo kryetarë të partive jo-parlamentare!
 

1 Komente

Po prifti cfare eshte? popull?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).