Zonja Glover dhe Skënderbeu

Pesëmbëdhjetë vite janë shumë për të mjaftuar që thinjat në flokët e zonjës Glover të shtohen pambarimisht, ashtu siç janë fare pak për politikanët tanë për të kapërcyer adoleshencën e tyre të tej zgjatur. Kjo tani dihet, por ndoshta e dërguar e OSBE-ODIHR-it nuk e ka parashikuar se do të gjente absolutisht po atë zhurmë, po ato sjellje tekanjoze tipike për inatçinj të pandreqshëm.

Po ato thirrje të majëkrahut të cilat ajo dikur i pati dëgjuar në këtë skaj të Ballkanit, ku detyra e kishte sjell që të ishte arbitër për një skuadër që do të luante mes vetes. Por ndoshta ajo ka menduar se ata zhurmëmëdhenjtë që kishte ndeshur dikur, tani edhe nga mosha, por edhe nga pjekuria do të ishin bërë më të shtruar në sjelljet e tyre. Kjo do të ishte gjëja më logjike. Nisur nga përvoja e saj aq e gjatë nuk është se ajo do të gjendej e papërgatitur edhe për situata të tjera. Natyrisht ajo e di se kudo në Lindje dhe në mënyrë të veçantë në periferi të saj, gjëra nuk ndryshojnë kaq lehtë. Ajo e ka kulturën e nevojshme që ta njoh temperamentin ballkanik dhe më konkretisht atë shqiptar, pas të cilit një bashkatdhetar i saj kishte mbetur i mahnitur rreth dyqind vite më parë. Veç kësaj ajo e njeh mirë militantizmin e kombeve që për një gjysmë shekulli ishin ndodhur nën trysninë e jashtëzakonshme të zvenitjes së vlerave. Të gjitha këto ajo i ka ditur.

I vetmi variant i cili absolutisht nuk i ka shkuar në mendje është fakti se ende pa zbritur nga shkallët e avionit, do të ndeshej me reagimin zyrtar më të çuditshëm. As më shumë dhe as më pak, zonja Glover u shpall person i padëshirueshëm për të arbitruar sepse ajo ishte treguar e padrejtë në gjykimin e zgjedhjeve të dikurshme. Para saj ishin po ata njerëz, më saktë, absolutisht po ata dy njerëz. Absolutisht ishin edhe po ato rrethana dhe raporte në lidhje me ta. Njëri prej tyre në atë kohë ishte në krye të shtetit dhe me të cilin iu desh të hynte në biseda të vështira. Edhe tani është po në ballë të vendit, por si fillim po themi se biseda me të nuk duket prapë e lehtë sepse deri tani kjo bisedë po mungon fare. Me tjetrin në atë kohë, për të cilin dëgjoi të flitej aq shumë, nuk shkëmbeu asnjë fjalë me të sepse nuk pati mundësi ta takonte pasi ai vuante dënimin politik post diktatorial, por edhe tani nuk do të ketë asnjë shans të takohet pasi ai ndodhet në sezonin e pafund të pushimeve po post diktatoriale.

E ndodhur në një pozitë të sikletshme pas këtij qëndrimi që nuk e kishte parashikuar kurrë, në  kujtesën e kësaj zonje të respektuar është zgjuar viti i largët 1996, ku jo vetëm ajo, jo vetëm opinioni i përgjithshëm ndërkombëtar, jo vetëm ata që rezultuan “humbës” në atë vit, por edhe ata që u shpallën “fitues”, në heshtje apo me zë të lartë, direkt apo indirekt, tani e kanë pranuar se ai vit është një vit i cili duhet harruar. Ndodh që një forcë politike gabon, ndodh që edhe e gjithë klasa politike mund të gabojë, madje edhe një popull i tërë, i etur për liri, por i pa maturuar sa duhet me diellin e saj, ashtu në ngutje e sipër për të fituar kohën e humbur, në një moment të caktuar mund të gabojë.

Kjo është fare normale. Ajo që s’duhet të ndodh është përsëritja e një hapi të dytë gabim. Pa e zgjatur mund të themi se nga politika zyrtare me reagimin ndaj zonjës Glover u hodh një hap krejtësisht i gabuar dhe krejtësisht i pa nevojshëm në shtigjet e vjetra të mishmasheve tona politike duke i krijuar asaj pengesën e parë, por jo të fundit. Pas kësaj dukej se problemi hyri në një qerthull pa zgjidhje dhe ndoshta kështu do të ndodhte vërtet, nëse ata që duam apo nuk duam ne, janë vlerësuesit e hapave tona drejt integrimit, nuk do të kishin deklaruar një fakt fare të shkurtër. Stop fjalëve të kota, arbitri nuk caktohet nga skuadrat që marrin pjesë në lojë. Pas kësaj, politika zyrtare uli veshët, po sa real do të jetë ky reflektim i saj, kjo mbetet për t’u parë. Në një përsiatje të shkurtër të gjërave që duken dhe atyre që nuk duken lind dyshimi se jo thjesht detyra e zonjës Audrey Glover nuk do të jetë e lehtë, por edhe punët tona ndoshta mund të mos ecin ashtu si duhet në të gjitha drejtimet dhe kjo është për t’u shqetësuar.

Si shenjë e një reflektimi të thellë dhe real, e një skuqje turpërimi për të ato që kemi bërë kur në krye të vëzhguesve ishte kjo zonjë, do të ishte dashur që pa hezitim t’i thuhej asaj, po, je e mirëpritur. Do të duhej që asaj t’i lihej të kuptonte se ne nuk jemi më ata zemërakët e dikurshëm sepse tani ulemi në një tavolinë me shtetarët vendeve të Paktit të Atlantikut të Veriut. Do të duhej t’i thuhej se jemi aq të etur për të hyrë tek vendet e qytetëruara sa ne në vrapime sipër, thuajse ngutemi duke trokitur tek dera e tyre edhe kur ato bëjnë me shenjë që të presim edhe pak pas derës. Do të duhej t’i krijohej mundësia që ajo të kuptonte se është në të mirën tonë që vëzhguese duhet të jetë ajo, pasi ne do të na jepet shansi t’i vërtetojmë asaj dhe nëpërmjet saj botës perëndimore se nuk jemi më ata të dikurshmit. Po ndoshta edhe do të duhej që ajo të lihej të kuptonte se disa nga gjykimet e saj të ashpra për atë kohë kanë qenë mbase të nxitura, se nuk duhej të gjykohej vetëm pozita por edhe opozita e asaj kohe dhe kush më mirë se ajo mund ta bënte një gjë të tillë? Veç sa më lart më e pakta fare, ne duhet të heshtnim dhe ta mbytnim brenda vetes inatin sepse nuk është e drejta jonë për të caktuar arbitra, ashtu siç edhe e thanë pa asnjë nuancë diplomatike përfaqësuesit e OSBE-ODIHR dhe Bashkimit Evropian. Asnjë nga këto arsye nuk u mor parasysh dhe në këtë mënyrë i hoqëm vetes një mundësi korrigjimi ende pa filluar loja. Në të kundërtën që në fillim u la të kuptohej se nëse ndodh diçka që nuk shkon në linjën e standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira justifikimi ishte gjetur, pasi Zonja Glover është gjoja e prirë të na gjykojë padrejtësisht, një gjykim ky i padenjë pas kaq vitesh në demokraci. Shpresojmë të mos reflektohet kështu një ditë pas zgjedhjeve nga pala humbëse. Meqenëse kapitull i prezantimit, me urdhër të padiskutueshëm u mbyll nga vet ndërkombëtarët, ia vlen t’i hidhet një sy situatës ku ndodhet vëzhguesja pas marrjes së detyrës. Në këtë panoramë ka disa nuanca jo të padukshme me të cilat pashmangërisht do të ndeshet ajo. Vërtet zonja Glover e kaloi vështirësinë e parë, por kjo nuk do të thotë se gjithçka mbaron këtu. Janë ca ngjarje të tjera të cilat edhe këto si për koincidencë ndodhën në momenti ardhjes së saj. Ato janë në dukje shumë më të moderuara, shumë më të studiuara, më të sofistikuara dhe absolutisht më artistike në shfaqjen e tyre, por gjithsesi do ta vështirësojnë punën e të dërguarës së perëndimit. Kështu për herë të parë pas përmbysjes së komunizmit, deklarimi konstant dhe i frikshëm i pozitës se fitorja e këtyre zgjedhjeve do të jetë fitorja më e thellë që kanë parë shqiptarët ndonjëherë, nuk mund të kalojë pa u vënë re.

Së pari, fitorja më e thellë, në kuptimin e saktë të fitores, ka qenë ajo e zgjedhjeve të vërteta pluraliste në 22 Mars të fillimit të viteve nëntëdhjetë. Së dyti, fitorja më e thellë në kuptimin grotesk të fitores ka qenë ajo e Korrikut të vitit 1996 ku zonja Glover ka qenë prezentë. Opsionet e këtij deklarimi mund të jenë të ndryshme, por ne po ndalemi vetëm në ato që sapo përmendëm. Kjo fitore nuk ka arsye të jetë si ajo e vitit 1992 pasi diktatura është përmbysur dhe është krejt e pakuptueshme që deklarohet një kthesë e tillë e pa bazë. Pas kësaj mbetet të themi se më shumë mundësi ka që kur flitet për fitoren më të thellë, dikush mund të ketë në mendje imazhin e vitit 1996, sepse vetëm ai vit dhe askush tjetër na dha fitoren më “të thellë”. Po ndoshta nuk ka shumë arsye që as e dërguara e OSBE-ODIHR-it dhe as ne të tjerët të trembemi kaq shumë nga trumbetimi i një fitoreje e tillë, (“të thellë&rdquosmiley, ashtu siç nuk na i heq të drejtën askush neve, por edhe zonjës Glover që ta mendojmë edhe këtë variant të frikshëm shpallur mediatikisht. Dhe për këtë kemi arsye sepse siç e theksuam ne jemi po ata, ai që ishte në krye është po atje, efektet zanore që shoqërojnë liderët qytet në qyet dhe katund në katund janë po ato, zgjedhjet i kemi bërë në vazhdimësi njëra më e kontestuar se tjetra dhe për fatin e saj të keq ndoshta, prezent është po ajo, zonja Glover. Ka vetëm një mundësi që të paktën formalisht të na i largojë frikën dhe kjo është ndalimi i urgjent i trumbetimi të fitores më “të thellë” që ka njohur ky vend. Të gjithë, dhe kur themi kështu kemi parasysh edhe ithtarët më të flaktë të atij që flet për një fitore “të thellë”, duhet të ndiejnë trishtim kur flitet me këtë gjuhë. E pra zonja Glover duhet ta kuptojë se në rast se ndodh kjo gjë, puna e saj nuk do të jetë e lehtë. Fitoret “e thella” janë të vështira për t’u arbitruar. Më tej, si për ta argumentuar artistikisht këtë fitore të thellë, tamam kur ishte para bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjatë turit të tij elektoral, kryeministri mori atributet e heroit dhe ftoi liderin opozitës që nëse kishte guxim të vinte aty dhe të ulte kokën i turpëruar para shtatores. Ky ishte një moment sa për të qeshur aq dhe i pakuptimtë.

Duke menduar se ishte ndoshta një shpërthim emocional i tij kur u gjend në krah të heroit, kjo gjë u kalua në heshtje nga ana mediatike, por kur ndodhi që vetëm dy ditë më vonë, tani pak më larg se përmendorja e Skënderbeut, ai tha se fitorja e tij do të ishte shumë më e thellë, shumë më mbresëlënëse se ajo e heroit mbi jeniçerët, kjo do të mbahet mend si shprehja më e çuditshme, më brilante, më e ngarkuar me art e kësaj fushate që sapo ka nisur. Mendoni një çast pas kësaj zonjën Glover, e cila në bazë të misionit është e detyruar të mbaj shënim gjithë ecurinë e kësaj fushate, si është ndier kur ka dëgjuar këtë shprehje. Ndoshta fillimisht kur ka dëgjuar emrin e prijësit të shqiptarëve shekuj më parë, ka kujtuar se bëhet fjalë për ndonjë figurë udhëheqëse të partisë që drejton kryeministri. Ndoshta ajo i ka njohurit më elementare për historinë e këtij vendi, por nuk dihet se ç’mund të mendojë ajo nëse do të përfytyronte, le të themi sikur në fushatën elektorale, Gordon Braun të thërriste si bazë krahasimi një figurë të Anglisë së viteve 1400, që daton edhe para origjinës së pemës gjenealogjike të familjes mbretërore të vendit të vet.

Në këto kushte padyshim ajo është ndier në një pozitë të dyzuar dhe ndoshta i është dashur të shfletojë librin e austriakut Oliver Schmidti, i cili luftën e Skënderbeut e cilëson si një inat, si një mllef në shenjë hakmarrje për të atin e vet. Dhe pas kësaj do t’i duket se ndoshta austriaku paska pak të drejtë në përshkrimin e botëkuptimit shqiptar. Botëkuptimi edhe pse kanë kaluar kaq vite nuk ka ndryshuar. Ky është varianti i parë i atij deklarimi emocional, ndërsa varianti i dytë është që ajo të ketë kuptuar se deri sa bëhet fjalë për turq e shqiptarë, për jeniçer dhe Skënderbe, ku mungon krejtësisht arbitri, që në fillim i lihet asaj të kuptojë se edhe roli i saj do të anashkalohet. Që të dyja këto variante janë të papranueshme. Po ndoshta asnjë nga këto nuk është e vërtetë, por ajo që dihet është fakti se zonja Glover ka mbi supet e saj një detyrë të vështirë. Në memorien saj është i pashlyer viti 1996. Si të mos mjaftonte kjo, tani i është ringjallur edhe imazhi i “Skënderbeut”. Një Skënderbe krejt ndryshe nga ai i vërteti, një Skënderbe ala Schmidt. >smiley>

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).