Zgjidhja e lëmshit në Ballkan

Presidenti Obama tha pak kohë më parë për Irakun: “Ajo që ne nuk duhet të bëjmë është të mos lejojmë ndjekjen e një qëndrimi korrekt sikur synimet janë qartësisht të arritshme”. Do të ishte një hap i madh përpara, nëse e njëjta qasje do të ndiqej për Kosovën dhe Bosnjën.

Në të dyja këto vende ne jemi zënë në kurthin e politikës së “kutisë”, që e bën të pamundur arritjen e stabilitetit dhe zgjidhjeve afatgjata, pavarësisht investimeve të mëdha në njerëz dhe burime për më shumë se dy dekada.

Kjo sepse ne vazhdojmë të këmbëngulim se është e mundur, me shumë presion dhe kurajë, të ngremë shoqëri multietnike funksionale në Kosovë dhe Bosnjë, pa ndryshim të kufijve. Dhe ne kemi injoruar pa ndalur çdo të dhënë për të kundërtën dhe shenjuar si obstruksionist gjithkënd që flet hapur për një qasje alternative. Realiteti është se as doza e kërcënimeve apo joshjeve, duke përfshirë anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian apo NATO, nuk do të bindin serbët e Bosnjës të heqin dorë nga një pjesë domethënëse e të drejtave dhe privilegjeve që iu janë dhënë atyre me marrëveshjen e Dayton-it në qeverinë qendrore, teksa myslimanët e Bosnjës dhe komuniteti ndërkombëtar janë të vendosur ta bëjnë këtë gjë. Serbët e Bosnjës janë të vendosur të kenë kontroll të plotë mbi fatin e tyre, dhe kanë frikë se, nëse ata vazhdojnë të transferojnë autoritet te një qeveri qendrore, më shumë myslimanë boshnjakë do të jenë në kontroll. Rezultati fundor do të jetë tension i vazhdueshëm mes dy entiteteve boshnjake, një vend jofunksional dhe përpjekje për shumë vite të tjera nga politikanët e Perëndimit - si zv/presidenti, Joseph Biden, në vizitën e tij të fundit - për të futur një kontur katror në një vrimë të rrumbullakët.

Unë e di se për çfarë jam duke folur: për më shumë se 15 vjet kam qenë një nga njerëzit që janë marrë me këto gjëra. Më së fundi arrita të kuptoj se përvoja historike në këtë rajon ka ngjizur një mendësi shumë të ndryshme nga e jona. Ne presim që njerëzit në Ballkan të mendojnë dhe të reagojnë siç duam ne: Nuk ka për të ndodhur.

Në Kosovë realiteti është se shumica e serbëve kanë ikur dhe nuk do të kthehen. Shumë prej atyre që kanë mbetur e kanë bërë këtë vetëm sepse shpresojnë ose besojnë se ata mund ta injorojnë qeverinë qendrore të Kosovës së pavarur dhe vazhdojnë të shohin nga Serbia për mbështetje politike dhe financiare. Këta serbë që jetojnë në veri të lumit Ibër sillen sikur ata të jetojnë në Serbi. Presidenti Tadiç dhe qeveria e tij e moderuar janë të zënë në çarkun e mbështetjes për serbët e Kosovës, me qëllim parandalimin e një zabullime nacionaliste, ndërsa përpiqen të lëvizin drejt BE. Këto kontradikta po bëhen gjithnjë e më të qarta. Por ky nuk është rreziku më i madh. Deri tani shqiptarët e Kosovës kanë qenë të duruar me refuzimin e serbëve të Kosovës për të njohur pavarësinë e saj duke pritur që komuniteti ndërkombëtar ta zgjidhë këtë problem. Por politikanët e opozitës në Kosovë kanë nisur të kritikojnë qeverinë e tyre për pasivitet në këtë çështje. Ky frustrim do të rritet, duke çuar në përkeqësime të mëtejshme të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar dhe duke çuar edhe në rritje të dhunës ndaj serbëve të Kosovës.

Në të dyja vendet, Kosovë dhe Bosnjë, ne duhet të shqyrtojmë zgjidhje të ndryshme - zgjidhje që ne mund të mos na pëlqejnë dhe që mund të kenë komplikime, por që mund të jenë vërtet të suksesshme. Kjo është e vetmja rrugë, me të cilën komuniteti ndërkombëtar mund të përfundojë përfshirjen e tij në Ballkan.

Në Kosovë kjo mund të nënkuptojë një lloj ndarjeje të serbëve dhe shqiptarëve, të kombinuar me njohje të përbashkët, zotim për të drejta të plota ndaj pakicave dhe lloje të ndryshme karamelesh nga BE. Bosnja është më e koklavitur. Atje një zgjidhje duhet të përfshijë me shumë mundësi një qasje tjetër të marrëdhënieve brenda Bosnjës dhe duke lejuar Republika Srpska, pjesën serbe të vendit të ndarë, të mbajë referendum për pavarësi. Kjo do të duhet të përfshijë shumë garanci për marrëdhëniet në të ardhmen, që duhet të paraqiten si paketë e plotë e drejtuar dhe e përmbushur nga komuniteti ndërkombëtar.

Në të dyja rastet do të duhet të demonstrohet dëshirë dhe gatishmëri për të përdorur forcën ushtarake për të parandaluar dhunën gjatë këtij procesi.

Ka një arsye tjetër pse duhet të zgjerojmë të menduarit tonë. Ne në Perëndim veprojmë sikur kontrollojmë gjithçka ndodh në rajon. Nuk është kështu, siç në fakt u dëshmua me shpërthimin e luftës në 1990-1991 në ish-Jugosllavi dhe me rritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në 1997-1999.

Fakt është se në Bosnjë dhe Kosovë, forca vendore të pavarura mund t’i marrin gjërat në duart e tyre dhe në një kohë të shkurtër të nisë një dhunë e re, të cilën ne do ta kemi shumë të vështirë për ta ndalur. Dhe ne thjesht nuk mund të përballojmë që të bëhemi edhe më lëmsh në atë rajon.

Ashtu si një pijanec që për hap të parë ka njohjen e faktit që ka një problem, ne kemi nevojë të pranojmë se politikat aktuale nuk janë të efektshme. Vetëm atëherë kur të mendojmë në mënyrë konstruktive për zgjidhjet, atëherë do të ketë stabilitet afatgjatë në rajon.

 

* William Montgomery është ish-ambasador amerikan në Bullgari, Kroaci dhe Serbi - Mali i Zi dhe ish-këshilltar i presidentit për Bosnjën

Marre nga Tema

1 Komente

Bukur, ish ambasadori amerikan ka pranuar qe modelet e gatshme perendimore per zgjidhjen e konfliktit nuk jane efektive, kjo pasi duhet njohur ne brendesi natyra e konfliktit dhe jo pare nga siper... Stili me ngjan me teper akademik se politik ne fakt po do isha kurioze te dija nese keto argumente i ka permenduar edhe gjate 'mandatit' te tij apo jane thjeshte fjale te mencura te leshuara tashme nga nje karrige e pavarur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).