"Wall Mart" bën shoping për shalqinj në Divjakë

Shumë në Shqipëri as që ia hedhin sytë një shalqiri që peshon dy kilogramë, është disi i bardhë nga brenda dhe jo shumë i ëmbël. Por anglezët duket se nuk duan asgjë tjetër.

"Anglezët parapëlqejnë shalqinj të përmasave të vogla, të cilët mund t‘i konsumojnë brenda një dreke në familjet e tyre", tregon Pirro Rapushi, ekspert marketingu në një program të USAID në ndihmë të bujqësisë. "Shqiptarët, ashtu si edhe ballkanasit e tjerë, nuk i ndahen shalqirit të zakonshëm, të varietetit Krizbi e që rritet nga 7 deri në 15 kilogramë", vijon ai. Në një stendë të vogël, gazetarët dhe zyrtarët e USAID, shijuan një pafundësi llojesh shalqinjsh dhe pjeprash. Shumica vijoi të besojë se një shalqi i mirë është vetëm një shalqi i madh.

Dje, një kamion frigoriferik u nis nga Divjaka, ngarkuar me 20 tonë shalqinj të varietetit Guliver, u nis për në Britaninë e Madhe. Në Britani pritet të nisen gjithsej shtatë ngarkesa me 140 tonë. Nuk janë ndonjë sasi e konsiderueshme, por shpresa është që tregtarët do të mësojnë të kapërcejnë pengesat e Bashkimit Europian.

"Marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk kanë dhënë kuota për eksportin e shalqinjve dhe ne duhet të paguajmë tarifa doganore kur eksportojmë në Rumani e Greqi", thotë Josif Gorrea, prodhuesi i fidanëve.

Eksporti i bostaneve dhe zarzavateve nuk është ndonjë gjë e re për zonën e Lushnjës, as ndonjë gjë që ndodh rrallë. "Çdo javë, dhjetëra kamionë nisen për në vendet fqinje", thotë Xhorxhi Kruti, një fermer nga Divjaka. "Blerësit vijnë vetë deri këtu, paguajnë paratë dhe nisen". Vetëm se kësaj here, shalqinjtë kanë për destinacion rrjetin e supermarketeve ASDA, e cila është dega Britanike e Wall Mart, ose rrjeti i supermarketeve më i madh i botës. Kruti, i cili ka një fermë prej 30 dynymësh, (fermë nga më të mëdhatë sipas standardit shqiptar), e ka mbjellë pjesërisht me bostane dhe pjesërisht me patate. Në periudha të ndryshme të vitit, punëson deri në shtatë vetë me pagë ditore për të kryer volumin e punës së nevojshme gjatë të korrave. "Është biznes i mirë, por i rrezikshëm", thotë Kruti. "Një ngricë apo një sëmundje mund të të kthejë në zero".

Bujqësia shqiptare ka një rendiment prej më pak se 2 mijë eurosh për hektarë, ndërsa afërsisht ka vetëm një hektarë tokë të punueshme për familje. Kjo e bën fshatin, shtresën më të varfër të popullatës shqiptare. Pak zona në Ultësirën Perëndimore bëjnë dallim. Divjaka, e cila konsiderohet si toka më pjellore në Shqipëri, arrin të japë dy-tre prodhime në vit. Rendimenti i tokës këtu arrin në 7 mijë euro për hektar, gjë që i jep fermerëve një jetesë më dinjitoze se në pjesën tjetër të vendit. Bostanoret këtu luajnë një rol të rëndësishëm. Me një kosto prej 50 mijë lekësh për dynym, dhe me prodhim 50-100 tonë për HA, shalqinjtë janë një biznes i leverdishëm. Çmimi i saj varion në 21-50 lekë për kilogram, në varësi të stinës.

Ekspertët e USAID kanë sjellë edhe diçka të re në panoramën e bujqësisë shqiptare. Për të përshtatur prodhimin me kërkesat e tregut, një rrjet i gjerë furnitorësh prodhuesish dhe tregtarësh janë "integruar" për të plotësuar zinxhirin e furnizimit. Një kompani prodhon fidanët e varietetit të kërkuar në Britani, një tjetër kryen ftohjen në frigorifer për të krijuar qëndrueshmëri në transport dhe një kompani transporti i merr nga Divjaka për t‘i dërguar në Angli me maune frigoriferike. Fermerët ndihen tashmë disi më të sigurt nga luhatshmëritë e motit dhe të çmimeve. Një teknologji e re i izolon bimët gjatë ngricave, duke ia rritur koston kultivimit, por rrit edhe sigurinë, si dhe e bën produktin të gatshëm për treg një javë më herët. Fidanët e rinj janë një shartim i kungullit me shalqirin, gjë që i jep qëndrueshmëri bimës. Hershmëria i mbron fermerët nga rënia e çmimeve. Çmimet e ulëta të shalqinjve dhe mbiprodhimi i ka djegur shumë herë fermerët shqiptarë, por në vitin 1992, mbahet mend se kriza solli edhe humbjen e zgjedhjeve vendore nga qeveria. Anulimi i kontratave të eksportit atë vit, bëri që rrugët e qyteteve të përmbyteshin nga malet e shalqinjve. Çmimi ra në atë pikë sa fshatarët nuk kishin interes as ta merrnin nga fusha. Kriza të tilla vijojnë të përbëjnë shqetësimin kryesor të fermerëve, sa herë që temperatura ngrihet dhe arrin fundi i sezonit. Por të paktën për këtë vit, Xhorxhi Kruti është më i qetë. Një tregtar nga Fieri i pati porositur dje gjashtë tonë shalqinj dhe çmimet janë ende të leverdishme.

8 Komente

Nga ky muhabeti i shalqinjve, m'u kujtua filmi me teto Ollgen, ai xhaxhai qe i mbante shalqinjte ne ate basenin me uje...

E po, te pakten, me prodhimin e shalqinjve kete vit jemi mire. Gjithe bota na i ka zili! njesoj si deputet! smiley

Me behet qejfi per fermeret, te pakten s'u shkon mundi dem!

 p.s: Po mire, te ai fshati qe kishte shkuar Erjoni s'mbjellin shalqinj ata??

 moj ti se i je qepur erionit kemba kembes smiley

2000 euro per ha? Dmth 1 euro per 5 meter katror. Ca trishtimi...  smiley 

Ka nji problem me fruta perimet ne fakt: rezistenca ndaj transportit shkon ne drejtim te kundert me shijen.

Mu mu bon kaq e kaq vite qe i kom harru shijen atyne produkteve shqiptare - shija ne fakt ka te boj me token. E funit here qe me ka met ne men ka qen viti 1996, isha ne Tirane, dolem me nje te afert dhe ky me con te tregu fshatar anej nga Avni Rustemi. Kena ble fruta sa nuk mbanim dot mo - te gjitha llojet ca kishte atje. Shkum ne shpi, edhe ky i shtroi para, edhe tha ha tani sa te mos mash mo, se s'ke per t'ja u ni eren mo ktyne ti.

Fjale profetike, kalun kaq vite dhe ne mos me Wal Mart, me produkte Krogeri a Publixi e kena shty. Ka edhe dyqane fermeresh (farmer's market), por nuk eshte e njejta gje.

Ne Shqiperi duhet me bo reklame per produkte bio. Domote e molle te shtremta, ama bio!

nje gje eshte, ne kendej e mbajme cdo gje ne frigorifer - si ne supermarket, si ne shtepi - e cila i ruan me gjate fruta/perimet, por ua zhduk shijen komplet. Lerini domatet apo frutat jashte dhe shikojeni qe kane arome dhe shije.

 Nga ana ekonomike, mund te them se ky eshte artikulli me interesant qe ka sjell Peshku. Me pelqen qe tregu europian po afrohet ndaj Shqiperise. Fshataret e shkrete dhe prodhuesit shqiptare, nuk e dine se mund ti nxjerrin prodhimet e tyre ne EU pa taksa doganore.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).