Vendi ku balta është më e ëmbël se mjalta!

Viti 2009 praktikisht nisi me fushata zgjedhore të partive më kryesore politike të Shqipërisë. Fushata të cilat natyrshëm kanë ardhur duke u dendësuar me afrimin e datës së zgjedhjeve. Ajo ç’ka ndjeshëm na ra në sy është konvergimi pothuaj i përgjithshëm i sloganit qendror të fushatës së të dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste; stilet e organizimit të fushatës në të gjithë vendin si dhe objektivat e programeve të thëna (se të shkruara s’kemi par&eumlsmiley. Emërtimet e koalicioneve kryesore kanë të dyja mbiemrin “Ndryshim” dhe po ashtu edhe sloganet e tyre e përmbajnë termin “Ndryshim”.

Por ajo ç’ka më tepër tërheq vëmendjen në këtë fushatë është një premtim sa konkret në mënyrën e paraqitjes aq edhe identik në mënyrën e të shprehurit. Të dy partitë kryesore premtojnë ekzaktësisht të njëjtën gjë: “Liberalizim të vizave brenda vitit 2010” ose siç u pëlqen ta shprehin brenda vitit të parë të mandatit qeverisës.

Pikërisht nga ky barazim gati i përsosur lind nevoja për mendim, për të shqyrtuar pak më me vëmendje këtë premtim të vetëm të shprehur thjesht, qartë, mjaft konkrekt, me një tregues të drejtpërdrejtë ndaj të cilit mund të matësh suksesin ose dështimin dhe me një afat tepër preciz për t’ia vlerësuar përmbushjen ose jo. Çfarë përmban premtimi madhor i liberalizimit të vizave brenda vitit 2010?

Kemi një afat premtimi, madje shumë të afërt, viti 2010. Supozohet që pas këtij viti shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht në vendet e Bashkimit Europian duke shpëtuar nga rradhët, dokumentacioni dhe kosto rraskapitëse për të marrë thjesht një vizë afatshkurtër, që shpesh herë edhe iu mohohet. Është një afat që e besojmë se do të përmbushet. Dhe e dini pse? Sepse nuk besojmë që papërgjegjësia e premtimeve para datës së zgjedhjeve të ketë arritur deri në atë pikë sa të mund të mashtrohen kaq me cinizëm shqiptarët e dëshiruar për një vizë. Siç duket diku në BE tashmë është marrë vendimi t’i japin notën kaluese Shqipërisë dhe këtë e kanë mësuar të dyja partitë kryesore në vend. Prandaj e japin me zë të plotë dhe ballin lart afatin e përmbushjes së premtimit të tyre. Dhe prandaj është kaq simetrik ky premtim në të dy krahët e kundërta të politikës shqiptare.

Por biem në mendime kur kuptojmë se premtimi i artikuluar më qartësisht dhe që thuhet me zë të lartë është premtimi: liberalizim vizash, përndryshe rënia e telit me gjemba që ambasadat e vendeve perëndimore kishin vënë për shqiptarët. Duket se ky premtim është më i perceptueshmi dhe më i prituri ndër shqiptarë. Përse? Sepse ende shqiptarët duan të ikin nga sytë këmbët nga vendi i tyre përjetësisht apo qoftë edhe përkohësisht. Pra i premtohet që ëndrra juaj për të ikur nga vendi juaj tani do të thjeshtohet në realizim, sepse porta do të hapet!

Të dyja partitë kryesore, por edhe ato dytësore më pas,  japin edhe ca premtime të tjera, por ato mbeten ashtu të vagullta të thëna nëpër debate e mitingje, por vetëm ky i liberalizimit të vizave thuhet me gojën plot. Duket se kundrejt alternativave ende të dobëta për të ofruar mirëqenie në vend dhe për t’ia bërë tërheqës shqiptarëve vendin e tyre, është preferuar që zgjedhësve t’u mbushet mendja se partia(t&eumlsmiley do ju hapë portat e botës … që të ikin më lehtë. Atdheu i tyre ende nuk ka shume shpresa të bëhet vendi që i mirëpret shqiptarët. Dheu i huaj është ai ku pritet të ndihen më mirë, ndonese pa dinjitet. Prandaj u premtohet hapja e portave të të tjerëve. Dhe çfarë ua mbush mendjen më shumë se kushdo për të ikur? Pikërisht të ardhurit nga dheu i huaj për t’u rreshtuar në listat e kandidatëve për deputetë. Të gjithë ata mbajnë në xhep pashaportat dhe numrin e sigurimeve të dheut të huaj. Askush nuk u pa të riatdhesohej zyrtarisht dhe shkresërisht. Sepse ku i dihet … . Premtimi më së shpeshti qëllon që edhe nuk mbahet!

2 Komente

Ky brume eshte, kete buke do hajme.

E rendesishme mos ti bejme keq vetevets, Shqiptari Shqiptarit.

Krahasimi me idiot eshte ai me vendet qe kane demokraci 200 vjeçare.

Ne do krahasohemi vetem me veteveten, ku ishim, ku jemi.

Ah, teme interesante, por sot te gjithe e kane mendjen te rezultati i votimit, dhe pak do t'i kushtojne vemendje. Jam dakord deri ne nje fare mase me tezen e ketij shkrimi, (partite premtojne te njejtat gjera, liberalizimi i vizave si 'holy grail' etc) por nuk mendoj se kjo do te thote qe shqiptaret motivohen vetem nga deshira per te ikur nga syte kembet, por edhe nga deshira te ndihen jo si qytetare te dores se dyte kur udhetojne aty ku i con puna apo zbavitja. Mundesia e te udhetuarit lirshem (per ata qe duan vertet te ikin nga syte kembet) nuk do te thote mundesi me te lehta jetese aty ku shkohet, pasi viza eshte tjeter dhe leja e punesimit, e nevojshme per jetesen, tjeter.

Me ben sidoqofte pershtypje nje fraze shume e shkurter por domethenese ne shkrim:

'Dheu i huaj është ai ku pritet të ndihen më mirë, ndonese pa dinjitet'

Sinqerisht nuk di perse eshte kultivuar kaq shume miti i humbjes se dinjitetit kur vendosesh ne nje vend tjeter qe nuk eshte vendi ku ke lindur. Ndodh kudo ne bote, dhe per arsye nga me te ndryshmet dhe nuk i shkon ne mend kurrkujt t'a barazoje kete me humbjen e dinjitetit. Personalisht nuk do te rrija asnje sekonde ne nje vend nqs me preket dinjiteti, qofte ky vend i imi apo jo! Lufta per t'a mbajtur ate te pacenuar e vlen cdo lloj sakrifice. Nuk jetoj ne 'la la land' dhe e di qe raste keqtrajtimi ka, por shumica e emigranteve ndihen me mire ne vendet ku jane vendosur nga te gjitha pikpamjet, duke perfshire, madje shume lart ne liste, dinjitetin. Ketej qytetarit i sherbehet, i degjohet fjala nepermjet votes dhe forumeve te tjera demokratike, i jepet mundesia te kerkoje ate qe ka enderruar pa u shqetesuar per korrupsionin, etj, etj, etj, (tema qe jane diskutuar shume e qe do vazhdojne te diskutohen). Te mos harrojme se keto vende, ciletdo qofshin ju dhane emigranteve nje 'fillim te dyte' qe vendi i tyre jua mohoi. C'eshte kjo, ne dhe te huaj mungoka dinjiteti, perkundrazi, ai eshte i garantuar me ligj dhe askush nuk luan me te si per fat te keq ne Shqiperi ku gjithshka shitet e blihet dhe qytetarin e thjeshte nuk e llogarit njeri! Perse mendohet qe lidhje emocionale paskerkemi vetem me Shqiperine? Po atdhete tone te dyte qe n'a priten, integruan, mundesuan punen frytdhenese dhe jetesen e qete, planifikimin e qarte te karrieres dhe te ardhmes? Po familjet e krijuara, shoqerite, miqesite, menyra e jeteses, mundi i investuar? Kush mendon qe keto nuk n'a bejne te lidhemi shpirterisht me vendin ku jetojme? Dhe pse duket qe t'a pohosh kete do te thote te 'tradhetosh' memedheun? Kur do te heqim dore nga kritere te tilla qe ju ka kaluar koha?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).