Tre Kinezë të çuditur në Tiranë

Një menaxher, që vetëm një vit më parë kishte mbaruar Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, atij publik, si dhe një koleg i tij jurist, të dy të punësuar në një firmë private që kryen veprimtari në energjetikë, i pritën të tre kinezët në mesnatë. Avioni, i ardhur nga gjysma tjetër e globit, i kishte zbarkuar në Aeroportin e Rinasit dhe që prej një gjysme ore ata qenë ulur në një poltron, në buzë të kufirit doganor, pa mundur dot të dilnin nga salla e pritjes e të hynin në territorin shqiptar. Autoritetet policore të aeroportit nuk i lejonin pa u paraqitur tek ata personat që garantonin se të porsaardhurit nuk ishin grup i trafikuar për të hyrë ilegalisht në Evropë. Pak më tej tyre, nëntë kinezë të tjerë po i futnin në një fugon policie dhe dikush nga njerëzit me uniformë, në një gjendje të eksituar humori, njërit prej të dyshuarve për trafikim, me emrin Rui Xhu, i thërriste Ruzhdi.

Kur menaxheri dhe kolegu i tij i gjetën tre kinezët e tyre, ata i kishin vështrimet të turbulluara. U bënë menjëherë garantë dhe sqaruan se miqtë nga vendi i largët, prej qytetit Nanxhing, qenë dy inxhinierë dhe një ekonomist, të cilët do të merreshin me montimin e transformatorëve në Kalimash, pra në rrugën Durrës-Kukës. Sapo u shqiptuan këto fjalë, si të qenë prej magjie, e gjithë trupa doganore dhe e policisë u vu në gatishmëri të plotë. Për dy specialistët shqiptarë, kjo nuk ndodhte për herë të parë. Kur firma e tyre kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që ambasada në Pekin t‘u jepte vizën, e gjithë procedura u krye me një frymë, brenda dyzetë e tetë orëve. Në fillimin e ditës së tretë, pasi kishin paraqitur pasaportat, ato u erdhën në dorë me lejen për të hyrë sa më shpejt në Shqipëri. Kur në Portin e Durrësit patën zbarkuar dy transformatorët për në Kalimash, në dispozicion për ta kryer operacionin sa më shpejt dhe mos u penguar asnjë minutë, u vu edhe vetë drejtori i portit.

Tashmë të shkëputur nga kujtimi i largët i pauzës së dyshimit, në udhëtimin për në Tiranë, në orën një të natës, ndërsa patën kaluar mbikalimin e Kamzës, saktësisht kur makina me tre kinezët u gjend në rreth-kalimin që në periferi të kryeqytetit thirret "Te Dogana", njëri prej ardhësve tha se patjetër tashmë ndodheshin në qendër të Tiranës. "Përse mendoni kështu?", -pyeti juristi dhe kinezi u përgjigj se ashtu i dukej. Kur rrugëtimi vazhdoi më tej, pra kur iu avitën zonës që mund të quhet qendra e Tiranës, të tre kinezët vështronin gjithçka me habi. Hoteli ku i sistemuan, komod dhe i rehatshëm, po ashtu i bëri të kundronin përreth pa folur. Atë që kishin pasur në kokë ato çaste e pohuan në mbrëmjen e të nesërmes, pasi menaxheri shqiptar dhe kolegu i tij i shëtitën nëpër pjesët më të veçanta të Tiranës, në buzë të Lanës, në ish-Bllok, te shëtitorja "Dëshmorët e Kombit", te shatërvani i madh dhe pasi të tre kinezët kishin bërë qindra foto.

Kryeqyteti shqiptar i kishte lënë pagojë. Spikatnin ndjenjën e mikpritjes dhe sidomos të respektit për ta, të cilën ua patën lexuar vendasve në sy. Admironin gjelbërimin dhe veçanërisht qetësinë. Te kjo fjalë e fundit juristi nguli këmbë për ta kuptuar saktësisht, sepse qe i bindur që nëpër rrugët e lokalet tona gjithnjë ka potere, të folur me zë të lartë, lëvizje e trafik të zhurmshëm, pra nuk ka qetësi. Por të tre kinezët sqaruan se me fjalën "qetësi" nënkuptonin sigurinë. Kur qenë nisur për në Tiranë, eprorët e ndërmarrjes së tyre u kishin dhënë porosinë që në Shqipëri, për shkak se rendi publik sipas tyre gjykohej në nivelin "i paqëndrueshëm", nuk duhej të lëviznin asnjëherë vetëm dhe të pashoqëruar nga vendas. "Mirëpo këtu nuk të trazon asnjë njeri", shpjeguan, "përkundrazi shqiptarët na shohin dhe na buzëqeshin".

Ndërsa në Kalimash, një ekip specialistësh shqiptarë po kryente punën përgatitore të montimit të dy transformatorëve dhe ditën e katërt pas mbërritjes në Tiranë duhej të vinin tre kinezët për të bërë procesin e quajtur ansamblim, pra një lloj kolaudimi, menaxheri dhe juristi i shëtitën miqtë e tyre edhe ditën e dytë. Madje i çuan deri në Durrës. Këtu ata vetëm hoqën këpucët dhe futën këmbët në det, duke mbetur të mrekulluar. Dita ishte plot diell dhe qielli i kaltër. Tashmë, pas dyzetë e tetë orësh në Shqipëri, të tre kinezët shprehën më në fund opinionin e tyre. Thanë se çdo gjë u dukej e bukur, e gëzueshme, plot shije jete. Në të vërtetë, të dy shqiptarët shoqërues nuk e pritnin entuziazmin e tre kinezëve dhe këtë gjë për një arsye të thjeshtë. Patën menduar se ata, duke pasur një mënyrë jetese shumë larg nga e shqiptarëve, do t‘u dukej e papërshtatshme ajo e Tiranës.

Kur tre muaj më parë, pas qëndrimit të shkurtër në Pekin, një qyteti me dritë dielli dhe me jo pak banorë e mënyrë jetese të afërt me atë evropiane hynë në Nanxhing për të blerë dy transformatorët, ky qytet u kishte bërë shumë përshtypje. Të sistemuar nga pritësit në katin e njëzetë e katërt të një hoteli shumë luksoz, ndërsa nga dritarja e dhomës së tyre shihnin jashtë një pyll të tërë me grataçiela, qyteti i mbushur po ashtu me uzina dhe fabrika, kishte shtatë milionë banorë. Megjithatë, gjatë tërë ditës pothuaj nuk panë njeri nëpër rrugë. Qetësia qe absolute, befasuese. U shpjeguan se të gjithë ishin në punë. E papritura shqiptarëve u ndodhi në orën tetë të mbrëmjes, ndërsa po shëtitnin nëpër qytet dhe ato kohë gjendeshin para një qiellgërvishtësi, i njohur si grataçieli i katërt më i madh në botë. Dëgjuan një tingull sirene dhe brenda vetëm një tufe sekondash nga të gjitha ndërtesat shpërtheu një lumë i madh njerëzish.

Ndërkohë, si të mbirë nga dheu, qenë shfaqur trena, autobusë dhe tramvaje. Batica e kinezëve ishte aq e madhe dhe e vrullshme, sa grupi i shqiptarëve, për të mos i marrë e vënë përpara ajo dallgë, u tërhoqën dhe mbështetën shpinat pas një muri. Trenat, autobusët dhe tramvajet u mbushën plot dhe sa hap e mbyll sytë u nisën. Pas dhjetë minutash e gjithë batica njerëzore u tret pas dyerve të shtëpive dhe qyteti sërish ra në qetësi të plotë. Gjatë gjithë javës së qëndrimit në Nanxhing, grupi i ardhur nga Tirana pa edhe shumë gjëra të tjera që nuk ngjanin fare me jetën në vendin e tyre. Qyteti i madh industrial kinez në brendësi të vendit ishte përherë gri, me një qiell që nuk dukej. Kur një ditë filloi të binte borë, ajo la përshtypjen sikur niste prej asaj mase të paformë, që me sa duket një përzierje lagështie, mjegulle dhe smogu e mbyllte nga sipër qytetin si një kapak. Ushqimin nëpër restorante shqiptarët nuk e pëlqyen, sepse mbi të gjitha qe edhe pa kripë. Askund nuk kishte bare apo kafene. Vendasit ushqeheshin në mensa apo në restorante. Siç tre kinezët në ditët e qëndrimit në Shqipëri ua shpjeguan, ata nuk e kishin zakon të humbnin kohë. Kështu, vetëm me një veprim, pra restorantin apo mensën, kryenin dy gjërat e nevojshme: ushqeheshin dhe bisedonin. Kurse ju, u thanë, këtë punë e kryeni me dy veprime. Në restorant apo në shtëpi ju hani, pra nuk ushqeheni, sepse i shijoni deri në fund dhe me ngadalë pjatat, pastaj pa u ngutur pini kafe, duke shkuar në një lokal tjetër, në një bar. Këtu ju kryeni punën e dytë, bisedoni. Ne flasim për punën, kurse ju për gjëra të tjera.

Kur në Tiranë dy shqiptarët shoqërues menduan se prej zakonit të tyre për të ngrënë ushqim pa kripë, tre kinezëve do t‘u ndodhte po e njëjta gjë, ata iu turrën qofteve. "Lëpinin gishtat" pas ushqimeve me kripë të bollshme. Dëshminë më të fortë se qenë të joshur nga mënyra shqiptare e jetës, tre kinezët e dhanë ditën e tretë. Duke qenë se atë ditë menaxheri shqiptar dhe kolegu i tij jurist për shkak të një pune të ngutshme në firmë nuk mundën dot t‘i shoqëronin, në mbrëmje, kur u ritakuan, miqtë u raportuan me gëzim: "Sot kemi jetuar si shqiptarë" dhe qeshnin me të madhe, shumë të gëzuar e të kënaqur. Pa u vonuar edhe u shpjeguan. Paradite patën shkuar në katër lokale, ku patën shijuar kafe, pije, pasta dhe akullore, pastaj në një restorant kishin ngrënë drekën. Më vonë ritin e të jetuarit si shqiptarë e pasuan me dy orë gjumë. Thanë se, edhe pse vetëm, askush nuk i pati trazuar. Tashmë qenë gati të provonin edhe ca jetë nate.

Por ditën e nesërme, tre kinezët u nisën për në Kalimash dhe pas një jave e kishin kryer me saktësi profesionistësh ansamblimin e dy transformatorëve për rrugën e madhe të shqiptarëve, atë Durrës-Kukës. Me shpejtësi dhe korrektësi të madhe ata kishin sjellë edhe transformatorët. Kur i gjithë procesi në vende afër nesh mund të zgjaste deri nëntë muaj, i lëvruan brenda tre të tillëve që nga dita e porositjes. Në këtë afat të rrufeshëm, përfshirë edhe njëzetë e pesë ditë transporti oqeanik.

Kur u ndanë në Aeroportin e Rinasit, tre kinezët tundnin pa pushim duart dhe përsëritnin në shqip fjalën "Faleminderit".

Ndërkohë edhe ne mund t‘u jemi mirënjohës. Bënë diçka të dobishme për boshtin kombëtar të shqiptarëve, autostradën Durrës-Kukës. Ranë në dashuri edhe me Tiranën.

 

4 Komente

Rrofte miqesia Shqiptaro-Kineze. Ata jane vellezerit tane. Lavdi qofte kujtimit te shokut Mao Ce Dung. 

spaske kuptu gjo. duhet tthoshe: Ja, keta jane shqiptaret!!!

Nje jete na ka dhene Zoti keshtuqe me mire ta kalosh si shqiptaret se duke e kalu jeten ne pune si rrobot.

C'fare shkrimi bajat, shpresoj vetem qe  Kinezve mos t'ju kete pelqyer Shqiperia aq shume sa rradhen tjeter te kthehen bashke me 3 mije Kineze te tjere se na mori lumi pastaj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).