Tkurren bizneset e mëdha gjatë 2008-ës

Një në katër biznese manaxhohet nga një grua. Kafenetë dhe restorantet, bizneset më popullore

Në të gjithë vendin janë 104 mijë biznese aktive. Në rënie numri i bizneseve me mbi 10 punëtorë

Bizneset e vogla kanë shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2008, por ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha janë tkurrur ndjeshëm, duke shënuar shifrat më të ulëta në katër vitet e fundit. Regjistri i Ndërmarrjeve Aktive publikuar nga INSTAT për vitin 2008 tregon se në vendin tonë numri i bizneseve aktive është mbi 107 mijë, ku gjysma e tyre ushtrojnë aktivitet në qarqet e Tiranës dhe Durrësit.

Gjatë vitit të kaluar, janë regjistruar afro 20 mijë biznese, ku mbi 93% e tyre janë biznese të vogla me një deri në katër të punësuar. Krahasuar me vitin 2007, sipas këtij regjistri, numri i bizneseve të vogla, ku shumë prej tyre janë biznese familjare janë shtuar me rreth 7 mijë. Por bizneset e mesme dhe të mëdha gjatë vitit 2008 kanë pësuar rënie të konsiderueshme në krahasim me vitet e kaluar, madje viti 2008 mund të konsiderohet si viti më i keq për këto kategori ndërmarrjesh.

Numri i bizneseve të reja me pesë deri në nëntë punëtorë arriti në 196 gjatë 2008-ës, nga 502 që u regjistruan në vitin 2007. Bizneset e regjistruara me 10 deri në 49 punëtorë vitin e kaluar ishin 79 të tilla, nga 394 që u regjistruan një vit më parë. Në vend u regjistruan vetëm 15 biznese të mëdha me mbi 50 punëtorë, nga 42 të tillë që u hapën në 2007-ën. Megjithëse numri i tyre ndaj totalit është thuajse i pandjeshëm ato punësojnë më shumë se 37% të totalit të të punësuarve.

Aktiviteti

Një fakt interesant është numri grave që drejtojnë bizneset. Sipas të dhënave të Regjistrit të Ndërmarrjeve, 25% e bizneseve drejtohet nga gratë, e thënë ndryshe, një në çdo katër biznese drejtohet nga një femër. Biznesi i shërbimeve është më popullori në vend dhe numri i bizneseve që operojnë në këtë sektor zë 84.5% të totalit të të gjithë ndërmarrjeve. Brenda këtij sektori, tregtia, hoteleria, restorantet dhe kafenetë janë biznesi më i zakonshëm në Shqipëri, duke zënë 62% të numrit të bizneseve të regjistruara në të gjithë vendin, ose rreth 65 mijë njësi tregtare në mbarë vendin. Numri i bizneseve të klasifikuara si VIP ka arritur në 588, në fund të 2008-ës.

107,342 ndërmarrje rezultonin aktive në fund të vitit 2008

19,884 është numri i ndërmarrjeve të regjistruara në vitin 2008

88 mijë biznese shërbimi shënohen deri në fund të vitit 2008

16 mijë biznese prodhimi shënohen deri në fund të vitit 2008

93 për qind e ndërmarrjeve në të gjithë vendin kanë 1-4 të punësuar,
84.5 për qind e ndërmarrjeve deri në fund të 2008-ës janë prodhues shërbimesh

588 ndërmarrje janë klasifikuar si biznese VIP deri në fund të 2008-ës

24.7 për qind e ndërmarrjeve në të gjithë vendin manaxhohen nga femrat

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).