Të vërtetat e Topallit, në përballje me “koalicionet e partitë fantazma” në politikën shqiptare

Topalli në Shkodër, asnjë votë jashtë PD-së dhe Edi Rama në Fier, asnjë votë jashtë PS-së

Kur PD dhe PS, sajuan kodin dhe modelin e zgjedhjeve natyrisht që kishin parasysh krijimin e dy partitizmit ose anglosaksonizmit politik në Shqipëri. Me anën e këtij sistemi dhe kodi, partitë e vogla nuk do të mbijetonin dhe natyrisht “dushku” sipas dikujt do të merrte fund. Fenomeni i krijimit të partive të vogla gjithmonë nën hijen e të mëdhave, por edhe si dalje e tyre, ka sjellë në Shqipëri marrëdhënie të çuditshme deri në fantazmagori, dhe mos mbajtje përgjegjësie. Kuptohet se Rama dhe Berisha goditjen më të madhe me këtë kod dhe mënyrë zgjedhjesh nuk ja dhanë partive të vogla, por kryesisht LSI-së, e vetmja në fakt që ka një elektorat të vetin. Të tjerat pastaj kanë lëvizur në saj të numrave në parlament sa andej këtej në aleanca të ndryshme për të pasur pushtet. Sa do numra të ketë partia e Gjinushit ajo me këtë sistem është e mbaruar e po ashtu edhe Milo dhe po ashtu edhe Ceka nga ana tjetër duke ikur nga e majta, po kështu edhe Xhuveli dhe po kështu edhe shumë të vegjël të tjerë. Por edhe Demokristianët që janë ndarë akoma më keq se në Italinë e mbas viteve 90-të. Bile është dikush që i ndan në “katundarë dhe qytetarë” apo të sojshëm dhe jo, e të tjera si këto.

Mirëpo edhe ky kod, dhe kjo lloj mënyre e re e “proporcionalit të rajonalizuar” ka mundësitë hipotetike dhe reale për të shpëtuar sigla dhe kryetar partish. Për këtë janë edhe koalicionet e të vegjëlve dhe në drejtimin e anasjelltë, koalicionet e të mëdhenjve. Në koalicionet e të vegjëlve mund të dalin “të vegjlit nga thërrmijat që mbesin apo edhe nga mos dalja në votime të shqiptarëve”, por nga koalicionet e të mëdhenjve dalin “grimcat ose dromcat” që quhen në Shkodër dhe përsëri ju bëhet “keq” atyre që quhen të mëdhenj. Për më tepër në pushtet, ku sidomos PD-ja ka paguar haraçe të vegjlish edhe pse i ka pasur bashkëpunëtorë. Ka ndodhur ajo që quhet një “simbiozë” midis krokodilit dhe zogut të vogël në rastin e parë kur PD-ja ka dashur bashkëpunimin e saj me PR dhe PDK e Ndokës. Sa pa marrë pushtetin “zogjtë PR dhe PDK” kanë pastruar dhëmbët e PD-së duke i bërë ato të pastra dhe patjetër që ato nuk mbylleshin për ti shtypur. Në 2005-sën PD-ja i siguroi kaq shumë mandate PR-së sa të dilte “parti e parë djathtas”.
PDK-ja ujdisesh vetë me deputetë si majtas dhe djathtas e kështu me radhë... Në fakt Republikanët kanë qenë gjithmonë me PD-në, por kësaj radhe si Berisha në të djathtë dhe Rama në të majtë në fushatë, kërkojnë vota partie dhe jo kaq shumë.. koalicioni. Po, këto vota kërkojnë dhe në një farë mënyre kanë të drejtë. Rama kërkon dhe tregon ndonjëherë se “është në një koalicion”. Tani nuk mund të ketë fenomen “simbioze” dhe nuk ka nevojë të pastrohen dhëmbët. Më e drejtpërdrejtë se sa Topalli nuk ka politikan tjetër në Shqipëri. Në kulmin e fushatës elektorale zonja dhe sidomos në Shkodër, prej nga vijnë edhe goditjet politike, ajo kërkon votat vetëm te PD-ja, sepse natyrisht votat për PDK-në dhe PR-në është votë kundër PD-së dhe “duhet qeverisur vetëm mbasi të vegjlit dhe e midis tyre PDK dhe PR, o janë mafiozë ose spiunë ose kontrabandistë”.
Mirë se PDK-ja e Nardit praktikisht e dëmton dhe është kundërshtare, por PR-ja...!? Topalli edhe kur të tjerët votonin dikur kryeprokurorin Sollaku, megjithëse Berisha ishte dakord dhe të tjerët gjithashtu, ajo i thoshte “trumcak” që kërcen...! Po ashtu Biberajn e siluroi dhe ishte njësoj si të gjuante më lart drejt presidencës, por ka një të mirë në të drejtpërdrejtën e saj. Ajo mundohet të jetë një “konservatore e vërtetë”. Një grua e cila nuk bën pakte dhe koalicione që më vonë mund të pendohesh. Ose me sa ka mundësi, reagon në këtë drejtim. Në fakt miq apo aleatë, apo partizanë apo jo, të rrugës së PD-së, si PDK-ja me ministër Ndokën dhe PR-ja me ministër Mediun, kanë bërë nga një shpërthim të tyrin.

Është shpërthim i qeverisjes së PD-së, por që ju është ngecur të vegjëlve, apo është papërgjegjshmëri e të vegjëlve që haraçin e paguajnë të mëdhenjtë, kjo nuk është shumë e qartë, por Topalli shkon drejtpërdrejtë e në thelb dhe.... nuk do “pasha kallaballëk” thonë në Shkodër. Ajo me sa duket as që do tja dijë për koalicione (Neritan Alibali në Shkodër ka treguar edhe marrëveshjen PD-së dhe PR-së midis Berishës dhe Mediut) dhe kërkon vota vetëm për PD-në, e cila faktikisht do të përballet me PS-në dhe LSI-në, por edhe me Polin dhe LZHK-në. Edhe pse tregohet entuziaste, zonja Topalli e di shumë mirë se të majtat bashkë janë më shumë se partia e saj dhe Berishës, duke hequr edhe ndonjë votë djathtas që nuk është e Topallit. Po, janë më shumë, edhe pse në mitingje duket se Berisha e ka fitoren në xhep. Por është vetëm iluzion. Ky iluzion vjen pak nga entuziazmi i saj dhe Berishës dhe mekanizmave të shumtë të qeverisjes, por edhe të memecërisë disi në fushatë të socialistëve. Memecëri që me sa duket do të fillojë të “flasë” këto ditët e fundit. Por “28 Qershori” do të jetë ndryshe. Dikush thotë se në komunën e Postribës zonja Topalli ka bërë një lapsus.

As që bëhet fjalë!! Një farë lapsusi i saj është se Shkodra “do të bëhet si Vjena”  megjithëse i ka shkuar mëndja mirë, por jo për të votuar vetëm PD-në dhe asnjë votë të vegjëlve si PDK dhe PR, sepse pastaj termat “spiunë dhe mafiozë dhe të korruptuar” janë një kontorno që edhe kontrollohet dhe jo. Aty ajo e ka pasur shumë sinqerisht dhe vërtetësisht. Por.. ku ka të drejtë Topalli!! Ajo ka të drejtë jo të një farë tradhtie që po tregon ndaj bie fjala PR-së, por të vazhdimit të lejimit të partive të vogla të mbijetojnë në saj të fuqisë të madhe të PD-së në një anë dhe PS-së në anën tjetër. Si PD dhe PS, kanë sajuar dhe mbajtur për vite, individë që kanë “parti” pas, dhe shushunja të shkathta që kanë qeverisur në saj të të madhit, duke bërë sherr më tepër se sa ai, por dhe duke mos mbajtur përgjegjësi. Por ama këto parti janë krijime të PD-së dhe PS-së. PR-ja jo, por edhe Gërdeci...nuk mund të përtypet kollaj. Topalli tani nuk do më. Kurse si Berisha dhe Rama nuk prononcohen fare edhe pse nuk i përmendin  koalicionet shumë në ballë të turmës, sidomos Berisha. Gjithmonë koalicionet e sajuara kanë qenë “fantazma” dhe midis tyre dhe shushunjave që krijohen, e drejtpërdrejta e Topallit është më e mirë dhe më e shëndetshme....sëpaku në politikën jo elegante, por racionale. Sot ai tjetri të merr pushtetin për një votë dhe jo më për një deputet.
E Topalli nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë. Ajo i do të gjitha votat për vete. Këto vota për vete i duan edhe dy korifenjtë e lartë, por nuk i shpallin kështu mendimet  e tyre. Topalli po, e shpall, dhe me sa duket i qëndron pikërisht shpalljes. Ajo që dihet është se përveç atyre koalicioneve që janë jashtë PD-së dhe PS-së të gjithë të tjerët që janë në koalicion si me PD-në dhe PS-në janë bërë për të shpëtuar kryetarët e vjetër dhe të pa ndërrueshëm të partive. Vetëm ato dhe asgjë tjetër. Koncepti parti në të tilla fantazma politike është një “karton i animuar” që duhet parë kur nuk ke asgjë më mirë, ku të hedhësh shikimin. Pra edhe e drejtpërdrejta e Topallit nuk ka ndonjë hata të madhe. Në fund të fundit nuk është larg dhe jashtë kaq shumë realitetit, zonja Nënkryetare e PD-së dhe Kryetarja e Parlamentit Shqiptar.
Përsëri sot Topalli ju tha shkodranëve se “demokristianët e ndryshëm dihej se çfarë ishin dhe çdo votë aty apo në të ashtuquajtur të djathtë ishte për Edvin Ramën, por pothuaj njëkohësisht me të edhe Rama në Fier ka arritur më në fund të dalë në nota të larta dhe t’ju thotë turmës “asnjë votë jashtë PS-së” dhe se “nuk ka pushtet rrugaçësh dhe rrugaçë në pushtet” që sipas tij do të manipulonin votën. Tani fushata po bëhet më e sinqertë  dhe sidomos midis dy individëve që janë Topalli dhe Rama që kanë me sa duket një “bast” me sidomos Shkodrën dhe pastaj bastin lart “Berisha - Rama” për Shqipërinë.

Do të jetë shumë bukur me 28 qershor... po me sa duket, do të jetë vërtetë bukuuuur..!!

1 Komente

Berisha dhe Topalli jane ne nje gjatesi vale per kete pune. Jo Berisha, por asnje ne PD nuk i do ato partite e vogla, qofte edhe PR qe ka vite qe nuk ka levizur fare. Berisha i thote Topallit t'i bjeri kokes e te shkaktoje sa me shume dem. Ne fund, nese duhen numrat i rregullon punet Berisha... per kete e beri koalicionin qe para disa muajsh...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).