Skandali, OSSH u shit 28 milionë euro

Mashtrimi me privatizimin: Si ndryshoi modeli i tregut një muaj para kontratës. Vendimet e qeverisë dhe manovra që "rrëzoi" çmimin 102 milionë euro.

Për privatizimin e OSSH, qeveria ka fituar 28 milionë euro dhe jo 102, sikurse thotë publikisht. Pas faljes së borxheve, me vlerë rreth 57 milionë euro, qeveria shqiptare, një muaj para firmosjes së kontratës me CEZ, bën një tjetër lëshim, duke e ulur akoma e më shumë vlerën reale të ofruar nga çekët në tenderin e shtatorit. Me një VKM, që mban datën 11 shkurt 2009, qeveria detyron KESH-in, që energjinë elektrike t‘ia shesë OSSH-së me çmim 12 euro për megavat, kur në tregun e lirë, kushtonte mesatarisht 45 euro. Sipas modelit të tregut mbi energjinë, miratuar në vitin 2008 nga Enti Rregullator, OSSH është e detyruar që energjinë elektrike të munguar nga humbjet në rrjet, ta blejë në treg të lirë përmes një tenderi. Pra, KESH e furnizon OSSH-në me çmime të përcaktuara nga ERE, që është 12 euro për megavat (1.61 lekë për kilovat/or&eumlsmiley, kurse për ato sasi shtesë që i nevojiten Shpërndarjes, si efekt i humbjes në rrjet, ia shet me çmim tregu. Por duke i blerë me çmimin e tregut rajonal edhe sasitë shtesë, rëndonte më shumë financat e OSSH, e cila për vitin 2008, rezultoi me një humbje katastrofike prej gati 60 milionë eurosh. CEZ nuk do ta pranonte një fakt të tillë, duke detyruar edhe një herë qeverinë që të lëshonte pe. Kryeministri Sali Berisha me një vendim të posaçëm, pasi e pastroi nga borxhet OSSH-në, duke ia kaluar KESH-it, pranon dhe kushtin tjetër, i cili rëndoi akoma e më shumë Korporatën Elektroenergjetike dhe favorizoi Shpërndarjen, e cila një muaj më pas, kaloi zyrtarisht në pronë të CEZ. Falja e dytë kushtoi rreth 17 milionë euro, duke e çuar në total 72 milionë euro (përfshi 57 milionë euro borxhe të falura). Pra, CEZ bleu një kompani të pastër nga borxhet dhe me treg e çmime të garantuara, falë KESH-it.

Manovra

CEZ mund të ketë dhënë 102 milionë euro, por 74 milionë prej tyre janë siguruar falë lëshimeve që ka bërë pala shqiptare. Po të flasësh në gjuhën e bilancit, çekët kanë nxjerrë nga xhepi 28 milionë euro, pasi të tjerat ia ka dhënë qeveria shqiptare, thjesht e vetëm për të krijuar në opinion bindjen e suksesit dhe se nga privatizimi u fituan 102 milionë euro. Rreth 430 mijë megavat energji elektrike, që OSSH do t‘i blinte në tregun e lirë me çmim mesatar 40 euro në janar-prill, i mori nga KESH për 12 euro, kur vetë Korporata i kishte të garantuar se do t‘i shiste në Kosovë dhe Greqi. Modeli i tregut të energjisë, miratuar nga qeveria si mundësia për ta futur Shqipërinë në tregun rajonal, përmban disa parime të qarta të lirisë ekonomike. Për të zbutur efektin mbi konsumatorin, çmimi i energjisë për sasitë e shitura nga KESH tek OSSH caktohen nga ERE. Siç dihet, jo e gjithë sasia që OSSH merr nga KESH shkon për konsumatorin, pasi një pjesë vidhet, ndërsa tjetra humbet në rrjet. Në total janë 32 për qind energji e humbur, që OSSH duhet ta zëvendësojë, por kësaj here duke mos ia blerë sërish KESH-it me çmimin e ERE-s, por me tender dhe në treg të lirë. Në këtë pikë, KESH, ka të drejtë që tepricën ta shesë në rajon me çmim më të lartë se 12 euro, duke garantuar fitim dhe përmirësim të performancës financiare.

Sasia

Rreth 430 mijë megavat energji elektrike, që OSSH do t‘i blinte në tregun e lirë me çmim mesatar 40 euro në janar-prill, i mori nga KESH për 12 euro, kur vetë Korporata i kishte të garantuar se do t‘i shiste në Rajon

VKM e parë

Më 11 shkurt 2009, qeveria merr vendimin, që detyron KESH-in t‘ia shesë energjinë elektrike OSSH-së me çmimin e përcaktuar nga ERE, rreth 12 euro për megavat. "Sa kohë që OSSH është shoqëri shtetërore, energjia elektrike, që prodhohet nga KESH, mbi kërkesën e furnizuesit publik me pakicë, i shitet OSSH, për mbulimin e humbjeve, në sasinë që kërkohet prej saj. Çmimi i shitjes do të jetë ai i miratuar nga ERE", thuhet në VKM-në, duke shtuar se, efekti i zbatimit të vendimit shtrihet më 1 janar

 

VKM e dytë

Më 30 prill, pasi qëllimi u arrit, qeveria merr vendimin e dytë, duke ndryshuar sërish modelin e tregut. "Sa kohë që OSSH është shoqëri shtetërore, energjia elektrike, që prodhohet nga KESH, mbi kërkesën e furnizuesit publik me pakicë, i shitet OSSH, për mbulimin e humbjeve, në sasinë që kërkohet prej saj. Çmimi i shitjes, duke filluar nga 1 maji, do të jetë në bazë të tregut", thotë VKM-ja, miratimi i të cilës u bë pak kohë, para se marrëveshja e privatizimit të OSSH të hynte në fuqi

 

Fazat

12 shtator 2008

Qeveria deklaron se ka vendosur shtyrjen e afatit për zhvillimin e tenderit për privatizimin e OSSH-së

17 shtator 2008

Në mënyrë të papritur, qeveria ndryshon modelin e privatizimit për shitjen e 76 për qind të aksioneve

29 shtator 2008

Shpallet fituese oferta e kompaninë CEZ, me vlerë 102 milionë euro dhe plan investimi 200 milionë

1-2 tetor 2008

Berisha deklaroi i befasuar se priste një ofertë 20 milionë euro, kurse IFC tha se OSSH vlente më pak

20 tetor 2008

Qeveria aprovon shitjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke njohur vendimin e komisionit në tender

19 nëntor 2008

Pas privatizimit, Ruli deklaron për herë të parë se rritja e çmimit të dritave ishte e pashmangshme

21 dhjetor 2008

Vijojnë negociatat për finalizimin e kontratës, ndërsa ministri i Energjetikës pranon se janë hasur vështirësi

15 janar 2009

ERE miraton Deklaratën Rregullatore, duke shmangur rritjen e dritave në mars dhe shtyrjen për në 2010

3 mars 2009

Negociatat vijojnë ende, pas 5 muajsh nga tenderi, ndërsa mësohet se shqetësim për CEZ mbetet roli i ERE

11 mars 2009

Firmoset marrëveshja për shitjen e 76 për qind të aksioneve, por ende mbeten të paqarta detajet e privatizimit

14-15 mars 2009

Qeveria hesht, por mësohet nga CEZ se negociatat për marrjen plotësisht të OSSH do të vijojnë për 3 muaj

23 prill 2009

Kuvendi i Shqipërisë miraton përfundimisht privatizimin e OSSH me vlerë 102 milionë euro nga kompania CEZ

16 maj 2009

Autoriteti i Konkurrencës i jep dorën e fundit procesit të privatizimit, duke aprovuar marrëveshjen

29 maj 2009

Hyn në fuqi marrëveshja. Zyrtarisht dhe në të gjitha format, CEZ merr kontrollin e 76% të aksioneve të OSSH

 

 

Procesi

Vendimi i qeverisë "pastroi" OSSH-në në kurriz të KESH-it

Kontrata, si u falën 57 milionë euro borxhe

 

Bëhet fjalë për rreth 7.7 miliardë lekë borxhe të falura që OSSH kishte ndaj bankave me qëllim investimi. Vendimi u mor në fillim të muajit mars, shumë pak para nënshkrimit të kontratës me çekët e CEZ për shitjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH. Vlera e konvertuar në valutë del rreth 57 milionë euro, duke e ulur ndjeshëm ofertën e 102 milionë eurove.

Sipas VKM nr.862, datë 20.12.2006, "Për krijimin e Shoqërisë ‘Operatori i Sistemit të Shpërndarjes‘ sh.a.", KESH duhej të ndante divizionin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe të krijonte shoqërinë "Operatori i Sistemit të Shpërndarjes" (OSSH) sh.a. Me një Vendim të dytë, nr.436, datë 8.4.2008, qeveria bëri shtesa e ndryshime në VKM-në e parë, ku, më e rëndësishmja ishte se, në fund të pikës 5 shtoheshin këto fjalë: "… me përjashtim të pjesës së detyrimeve, që lidhen me huatë/kreditë afatgjata nga donatorët e huaj, që janë disbursuar dhe materializuar, dhe që do të materializohen në të ardhmen si pjesë e aseteve të OSSH sh.a-së, në kuadër dhe në zbatim të projekteve e të marrëveshjeve përkatëse me kreditorët e huaj, sipas të cilave KESH sh.a.-ja do të mbetet në rolin e kredimarrësit ose të nënkredimarrësit, kur kredimarrëse është qeveria".

Negociatat kishin nxjerrë në pah disa problemeve në aspektin financiar të OSSH, duke e detyruar qeverinë të bindë CEZ se privatizimi ia vlente, nëse i falte borxhet. "Nga ky rregull bëjnë përjashtim kreditë, ndërmjet KESH, sh.a-së, dhe Bankës Evropiane të Investimit, në shumën 2,3 miliardë lekë, dhe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në shumën 2,68 miliardë lekë, sipas specifikimeve, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, detyrimet e të cilave nuk do t‘i transferohen OSSH", thuhet në vendim, duke shtuar se "asetet e financuara nga kreditë afatgjata, të përfunduara gjatë vitit 2008, nga KESH, sh.a-ja, për OSSH, sh.a-në, në shumën 1,1 miliardë lekë, t‘i transferohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh.a-së, dhe të regjistrohen në pronësi të këtij operatori". Duke mos mjaftuar kjo, qeveria shton se, detyrimet afatshkurtra, për blerjen e energjisë elektrike dhe tarifën e transferimit, që OSSH ka, respektivisht, ndaj KESH dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), deri në shumën 1 miliard lekë, të shuhen dhe të pasqyrohen si rritje kapitali e OSSH, kurse shuma prej 0,53 miliardë lekë, që i korrespondon pagimit të huave afatgjata, në vitin 2008, nga KESH, të pasqyrohet si rritje kapitali për OSSH. Pra, në total detyrimet e falura shkojnë në 57 milionë euro, gati 60 për qind ulje të çmimit të shitjes.
 

25 Komente

ja bravo, "privatizimi i suksesshem". jam kurioz te lexoj komentet e kacatorreve te doktorit per ceshtjen ne fjale

Kot me ju pyt juve ne Shqypni: privatizimet me vlere me te medha kane ndodhur para apo pas 2005? "Washington Consesus" detyron qeverite e tipit Al-banane te privatizojne masivisht sektoret strategjike duke i kthyer keshtu 'specialistet' ne ministrite perkates ne 'reverse investment bankers'. Dmth drejtorat ne keto ministri shperblehen po aq paq sa investment bankers ne Manhattan.

 

 

Sala, vetëm për të marrë premtimet e ish-presidentit të Komunitetit europian (atij çekut që e rrëzuan edhe nga qeveria e vet) ishte gati që të sakrifikonte jo 70 milionë, por edhe t'ju ofronte diçka nga xhepi... imagjinoni një Shqipëri të futur në Be (me matrapazlliqe) se si do të shfrytëzohej në këtë fushatë elektorale...

ky privatizim eshte deshtimi me famoz i qeverise, po e cuditshme eshte sesi opozita jone e corientuar dhe legene nuk ndjehet hic. a jeni gjalle or ju? apo jeni vetem per tu marre me praset e katunarve qe kalben se s'ka politika subvencionuese?

 

 Madre de Dios!!!!

 

Mos e lini ket teme te levizi nga faqja kryesore ju lutem. Jepini mundesine lukunise blu ta kqyre edhe kete teme, nese gjer tnai i ka shpetuar.

 chene, lukunia blu e ka pare, po sigurisht qe s'kane c'te thone. problemi eshte qe kjo ka dale ne gazete, dhe opozita as ndjehet fare.

Ke aq pash te drejte sa lukun kane zbrit ketu keto dite. smiley 

shiko, jane ca gjona qe ne thjeshtet si kapim dot.. kjo eshte tragjedi.. nje miku im, te cilit OSSH i detyrohet disa miljone euro per pune te kryer ne sherbim te tyre thote se sdi ku te perplas koken. Qeveriu as e fart fare...

 

swed1.

Po pate deshiren te me spiegosh se ç'fare ke kuptuar po te pergjigjem.

Me arethmitiko kete problem, qe ta pranoj se eshte e vertet.

Gazeta Shqip shkruan;

Rreth 430 mijë megavat energji elektrike, që OSSH do t‘i blinte në tregun e lirë me çmim mesatar 40 euro në janar-prill, i mori nga KESH për 12 euro, kur vetë Korporata i kishte të garantuar se do t‘i shiste në Kosovë dhe Greqi.

Sipas Shqipit, OSSH duhej te blinte nga KESH 430 mije megavat me çmimin 40 euro, ndryshe KESH ja shiste Greqis apo Kosoves po me te njejten çmim.

Nuk po zgjatem te lutem me spiego se si funksionon.

 Ok Lumidrin, sipas modelit te tregut (le ta quajme per kollajllik Kodi i Tragut te Energjise Elektrike) per perballimin e humbjeve OSSH (operatori i shperndjarjes) duhet ta bleje energjine ne treg te lire. Per furnizimin e konsumatoreve tarifore (kryesisht quhen te tille konsumatoret familjare etj) KESH (nepermjet kompanive te veta, po s'po zgjatem shume) duhet ta furnizoje OSSH me energji me nje cmim fiks. Pra, nese OSSH do i blinte ne treg keto MWh qe i duheshin per te perballuar humbjet, do paguante x euro/MWh, nderkohe qe shteti ka detyruar KESH-in t'ja shesi me x/4 Euro per MWh. KESH-i ne kete rast sic thote artikulli "arketon" humbje, ose fitim te munguar sepse kete sasi mund ta shiste ne tregun rajonal me minimalisht 40 Euro/MWh (aq sa ja ka shitur Greqise para nja dy muajsh)

Para disa vitesh ne Itali, nje operator celulari (TIM) fitoi nje tender per sherbimin mobile  Ministrise te Brendshme. Ja kaloi operatoreve te tjere (vodafone, wind etj), sepse prapa kraheve kishte Telecom e cila premtoi faljen e borxheve qe Min. Brendshme i kishte operatorit te rrjetit fiks. Atehere askush nga aksioneret e Telecom nuk bertiti "madre de dios" apo "de puta madre".

 hunter, po gjete ngjashmeri te asaj qe thua, me ate qe ka ndodhur me OSSH-ne, te lutem na ljamero se po te presim me padurim.

 Ti me gjah merresh, nuk kam si te te ve faj..

Cfare borxhi i kish shteti CEZ? (thjesht sa per ta paralelizuar me shembullin tend qe ska lidhje fare me cfare ndodhi ne Shqiperi)

 

Besoj se ben vete, jo se je e/i tille.

Po te ndihmoj ak.

Keto rreshta, ç'fare lidhje kane me çmimin 28 milion, flitet per skandal?

Te lutem meqense me padurim prisje "lukuni blu", me sqaro lidhjen midis shitjes OSSH e KESH.

Kaq.

 Lumidrin, une e kuptoj qe ti s'e kupton, por ajo qe s'kuptoj eshte pse do detyrimisht te diskutosh per nje teme qe s'e kupton?

Turpi mund te hahet edhe me buke, mjafton te mbushim barkun.

Gazeta e dashur shqip, thote skandal me shitjen e OSSH , e sipas llogarive del se shteti ka perfituar nga kjo shitje, vetem 28 milion Euro.

Gazeta rren, kush e ka problem, si me siper turpi hahet me buken e perditshme.E rendesishme eshte se Shqiptaret nuk lodhen me teper, keshtu thote gazeta keshtu eshte.

Ne labirintin e llogarive, ne paraqitet nje operacion financiar me humbje per KESH-n.

E marrim per te vertet, nuk na prish pune, sepse kur eshte kryer operacioni i shitblerjes, OSSH nuk ishte e shitur, d.m.th., ne kete operacion nuk perfiton firma çeke, po kryhet nje veprim ekonomik midis dy subjekteve ku  akcionet i ka shteti.

Kjo jep te kuptoje meqense OSSH do shitej, te mos thellohej defiçiti qe kishte, nje operacion per te barazuar ne minimum numrat.

S'ka rendesi se çfare ka vendosur qeveria midis KESH e OSSH, nuk eshte lajmi ky, na intereson se kur eshte kryer ky operacion,  CEZ nuk kontrollonte kompanin e shperndarjes.

Ky eshte nje mashtrim, eshte nje gabim, eshte si eshte, gazeta nuk thote te verteten, artikulli eshte komplet nje shpifje.

 

 

 

 

40 - 12 = 28 Euro/MWh

28 * 430.000 = 12.040.000 Euro, qe jane per te rregulluar bilancin e OSSH-se para shitjes. Dhe qe meqenese dikush e konsideron operacion financiar normal, edhe une po e quaj po keshtu.

57 milione Euro te tjera, per INVESTIME (po dhe sikur te ishin per mjete qarkulluese nuk do ndryshonte shume) i falen me nje te rene te lapsit. Te arketueshmet jane ndare

Dhe meqe hajvanlleku nuk hahet me buke e me mish as kur e ke barkun bosh, kush ka oreks le te haje shifrat e investimeve, qe prej 1993 jane plot 120 milione Euro ne linja dhe nenstacione. Per te marre vesh cfare eshte shitur per 102 MEUR shkruaji nje leter Ministrise se Ekonomise, Tregetise dhe Energjitikes (se edhe ti lumidrin gezon te drejten per te kerkuar informacion si cdo njeri normal) dhe kerkoji Data Room-in. Per te marre vesh me teper, interesohu sa eshte shitur shperndarja ne Maqedoni, dhe per te marre vesh akoma me shume se sa i vlefshem eshte ky treg, shiko te faqja e vete CEZ per ritmet e rritjes se tregut shqiptar te energjise elektrike.

Stupidity is not a scarse resource

E pranoj se jam si te duash ti, po ne qofte se une blej nje objekt me vlere X dhe kur e marr ne zoterim duhet te paguaj nje borxh Y , me kaq sa e njoh arithmetiken, vlera qe shpenzoj nuk eshte X, po X+Y.

Te jemi te qarte, se kerkon te gjesh gabim, CEZ i ka dhene shtetit 102, sa eshte shuma qe eshte shpenzuar ne vite per OSSH, eshte tjeter, çfare tregu eshte, sa eshte paguar ne Maqedoni eshte tjeter.

Tenderi, ka afruar kete objekt, eshte pranuar oferta çeke, mire, keq, nuk jam i afte ta gjykoj.

Gazetari, kishte bere nje llogari, sikur CEZ ka paguar vetem 28 milion, sepse nuk e sqaron qe keto rregullime bilanci jane bere para se OSSH te shitet.

Ate thosha edhe une per gazetarin, tekstualisht si ti.

 

 o lumi, 

qe te jesh i qarte ti o djale, kur blen nje 'objekt' me vlere X, ai objekti ka asete pozitive dh negative(57 miljon euro borxh) dhe keto blihen te tera bashk.

Shitja e e Energjise nga shteti me cmim te subvencionuar eshte me e larte se vlera e aseteve negative qe mbarti CEZ me blerjen e OSSH. Me cte drejte i shitet nje kompanie private, pasuria e perbashket nen cmimin e tregut? kjo eshte shkelje ligji, dhe normalisht me kete duhet te merret prokuroria. 

Lumidrin, shiko si e fillon gazetari:

Për privatizimin e OSSH, qeveria ka fituar 28 milionë euro dhe jo 102, sikurse thotë publikisht.

dhe ka te drejte shume. Nuk merret me ate qe paguan CEZ, por me ate qe realisht arketon shteti shqiptar. Per te tjera, i ka thene chene.

Mos te keqkuptohemi.

Nuk jam ekspert, nuk njoh dokumentat e shitblerjes, nuk jam matuf qe te besoj se Pd-istet, nuk vjedhin.

U perqendrova tek shkrimi i A.Cola, i stilit mashtrim.

Persa i perket asaj qe thua se asetet mund te jene pozitive, apo negative blihen bashke, gazetari nuk spiegon se ç'fare marrveshje eshte arritur.

Sikur te ishte blere me borxhet, me te drejte qeveria do deklaronte se e ka shitur 102+ borxhin.

Nuk e ve ne dyshim se çdo shkelje apo dyshim per shkelje eshte akt hetimi.

Nuk mbroj qeverin apo Pd, e para,

- nuk kane nevojen time se jane te zot,

e dyta;

- kundrshtoj artikujt te stilit "mashtrim".

swed1

Kete thote gazetari;

 Po të flasësh në gjuhën e bilancit, çekët kanë nxjerrë nga xhepi 28 milionë euro, pasi të tjerat ia ka dhënë qeveria shqiptare, thjesht e vetëm për të krijuar në opinion bindjen e suksesit dhe se nga privatizimi u fituan 102 milionë euro.

Si eshte e verteta, çeket kane nxjerre 28 apo 102?

me vonese, por jo per faj timin...

o swed, ca ka per te mos kuptuar mes shembullit, qe permenda me siper

Para disa vitesh ne Itali, nje operator celulari (TIM) fitoi nje tender per sherbimin mobile  Ministrise te Brendshme. Ja kaloi operatoreve te tjere (vodafone, wind etj), sepse prapa kraheve kishte Telecom e cila premtoi faljen e borxheve qe Min. Brendshme i kishte operatorit te rrjetit fiks.

dhe rastit te shitjes te OSSH. Ec o swed te lutem. Mund ta pres nga ai tipi tjeter aty qe e ka cipen e trurit te atrofizuar e aq ja pret, por jo nga ti. 

Ne rastin e pare, kostoja reale e kontrates te Min. Brendshme italiane eshte fatura e sherbimit minus borxhi kundrejt Telecom qe ju fal. Nga ana tjeter te ardhurat reale e TIM nga kontrata e furnizimit jane vlera e kontrates specifike minus parate e munguara si rezultat i borxhit te falur. Ne te njejten menyre vlera e OSSH, mban parasysh borxhet e kompanise (102 - 57 - 17 = 28) Cfare ndryshimi ka nese kompania çeke paguan per OSSH 28 milion duke marre persiper borxhet apo ne rastin tjeter paguan 102 milion me borxhe te shlyera? Tenderi dhe kushtet ishin publike. Kishte ndonje oferte tjeter me te mire?

E njejta gje qe po ndodh me GM, Chrysler, Opel, Alitalia. Qeverite po paguajne per ti shpetuar. Rrjeti elektrik shqipar eshte barake gjysem e shkaterruar. OSSH eshte nderrmarje inefiçiente, perjetsisht ne humbje, perjetsisht e keqadministruar si pothuajse cdo nderrmarje shteterore. Te hiqej qafe nje ore e me pare. Ku leshin eshte SKANDALI ktu?

Edhe nje gje. Jam plotesisht dakort me pjesen e pare te postimit te 11 Qer 2009 - 12:38pm . Lutem qe admin ta mbaje ne faqen pare si shembull i bllofit te radhes, qe per ta çmontuar mjaftojne 5 minuta e 2 gram logjike.

 po hunter, e njejte eshte llogjika, ne irali ka fituar shteti, ne shqiperi ka fituar CEZ-i. Nejse.

E njejta gje qe po ndodh me GM, Chrysler, Opel, Alitalia

Kete e ke menduar apo e thua sa per ta thene?

Ndersa kjo flet vete:

Lutem qe admin ta mbaje ne faqen pare si shembull i bllofit te radhes, qe per ta çmontuar mjaftojne 5 minuta e 2 gram logjike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).