Sjellje e rrezikshme e buxhetit ?!

Duket se ajo që pritej, po ndodh. Ndikimi i krizës ekonomike globale po jep efektet e veta në reduktimin e të ardhurave nga zërat kryesorë që furnizojnë buxhetin si TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, akciza etj. Vetëm të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë rreth 3.5 miliard lekë më pak se plani.

Rezultatet në kahun e të ardhurave nuk janë aspak premtuese, nëse vërtetohen pritshmëritë se pasojat e krizës në vendin tonë nuk e kanë arritur ende pikën më të keqe. Për më tepër që një periudhë disa javore, para dhe pas zgjedhjeve mund të ketë një stepje psikologjike të administratës, me efekt në mbledhjen e të ardhurave.

Në kahun e shpenzimeve, në prag të zgjedhjeve qeveria nuk ka ngurruar të shpenzojë, sidomos në drejtim të shpenzimeve kapitale, duke çuar në këtë mënyrë në një rritje të ndjeshme të deficitit buxhetor në 4 muajt e parë të vitit (shiko shifrat në faqet e brendshme të revistës). Në këto kushte, duket e vështirë që të arrihet objektivi fillestar për një deficit buxhetor prej 4.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, të parashikuar në buxhetin e 2009-ës.

Ndodhemi para një thike me dy presa: nga njëra anë domosdoshmëria për të rritur shpenzimet, në mënyrë që të amortizohen efektet e krizës ekonomike globale. Një program i suksesshëm i shpenzimeve publike do të krijonte mundësi përfitimi që do të nxisnin biznesin privat, shumë prej të cilave përndryshe mund të mbylleshin; do të nxiste konsumin dhe do të ndihmonte në hapjen e vendeve të reja të punës, qoftë edhe të përkohshme.

Nga ana tjetër përballemi me rrezikun se shpenzimet e larta, në një kohë që të ardhurat nuk ndjekin të njëjtin ritëm do të sjellin rritjen e borxhit, që mund të cënojë qëndrueshmërinë makroekonomike në një afat më të gjatë.

Në fakt, shumë vende në botë, që përdorën rritjen e shpenzimeve buxhetore në kuadrin e paketave të tyre nxitëse për të përballuar krizën ekonomike, tashmë duken se po tërhiqen, teksa po përpiqen të mbajnë shpenzimet nën kontroll. Veçanërisht po veprojnë kështu vendet e Europës Qendrore e Lindore, qëndrueshmëria makroekonomike e të cilave është më e rrezikuar për shkak të deficiteve të larta të llogarive korente që po përjetojnë këto vende vitet e fundit (këtu nuk përjashtohet as Shqipëria, deficit korent i të cilës arriti në 15% të PBB-së në fund të vitit të kaluar). Këto vende, megjithëse kanë deficite buxhetore që shpesh nuk e kalojnë 3% të PBB-së, po tregohen mjaft të përmbajtura me shpenzimet.

Ndërsa qeveria shqiptare, vitet e fundit ka qenë gjithnjë e prirur të luajë me një deficit të lartë buxhetor, duke e parashikuar fillimisht në vitin 2008, në nivelin 7.8% të PBB-së, për ta rishikuar më pas në mes të vitit në 5.2%. Ndërsa këtë vit, ajo që po konstatohet është alokimi i shpenzimeve në pjesën e parë të vitit, ndryshe nga vitet e mëparshme, ku kishte shpenzime jo ritmike përgjatë gjithë vitit për t’u përqendruar në fund të vitit. Është gjithashtu e vështirë të parashikohet nëse pjesa e dytë e vitit do të sjellë një reduktim të shpenzimeve dhe përmirësim të mbledhjes së të ardhurave (që mund të reduktonte disi deficitin), teksa qeveria e re në pushtet do ta ketë të vështirë të krijojë një imazh të mirë në publik, duke ndërmarrë shkurtime drastike të buxhetit, që mund të preknin vendet e punës.

Në këto momente, pikëpyetja qëndron në faktin se a po përdoret rritja e shpenzimeve si një mjet i kërkesës që nxit rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike, apo thjesht si një element për të përmbushur qëllimet elektorale. Në rastin e parë, mund të thuhet se ia vlen të marrësh përsipër një rrezik të rritjes së përkohshme të deficiti të buxhetit. Por në rast se rritja e shpenzimeve buxhetore përdoret në mënyrë të paqëndrueshme, gjeneron inflacion, ndikon në zhvlerësimin e monedhës vendase, rrit interesat në treg dhe prish ekuilibrat makroekonomikë, atëhere ky është një rrezik që nuk ia vlen përsipër ta marrë asnjë qeveri.

6 Komente

Në këto momente, pikëpyetja qëndron në faktin se a po përdoret rritja e shpenzimeve si një mjet i kërkesës që nxit rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike, apo thjesht si një element për të përmbushur qëllimet elektorale.

E kishte seriozisht këtë pyetje gazetari?

Nuk dua të them që qeveria përdor rritjen e shpenzimeve për qëllime elektorale, por nuk ka as se si të ndërhyjë në një krizë për të cilën, sipas saj, nuk egziston smiley

Nuk dua të them që qeveria përdor rritjen e shpenzimeve për qëllime elektorale, por nuk ka as se si të ndërhyjë në një krizë për të cilën, sipas saj, nuk egziston

Sot me tha nje shoku im qe punon per nje agjensi ne varesi te METE, qe me 26 do i coje Sula ne Kalimash e do u paguaje edhe dietat.

nuk e mori askush mundimin te llogarite sa na ka shkuar borxhi?

I brendeshmi apo i jashtmi? smiley

pak rendesi ka llukan. borxh eshte ai i shkrete.

u be kohe qe nuk hap dot faqen e ministrise se financave. E kam vetem une kete problem apo eshte ceshtje fushate?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).