Si tatuazh në asfalt

Shqiptarët, si edhe gjithë popujt e kësaj bote, gjithmonë kanë ndërtuar rrugë. Ata e kanë ditur se rrugët janë damarët e tokës, se ato kalojnë nëpër qytete e fshatra, se ato ndërlidhin vendbanimet që janë si shumë zemra nga rrjedh gjaku që e freskon trupin gjeografik të një etnie. Por, nëse i shikoni vëmendshëm rrugët që gjatë shekujve kanë ndërtuar shqiptarët, do vëreni se ato kanë pikënisje, por nuk janë të ndërlidhura mes veti, fillojnë diku e keni bindjen se nuk të çojnë më larg se aty nga je nisur. Do vëreni pra se rrugët që dikur i kanë ndërtuar shqiptarët, janë si rrugë pa dalje, si rrugë që nuk shprehin paskajshmërinë e kësaj bote, por janë të mbyllura, nuk kanë vazhdimësi, sa më shumë u afrohen kufijve që Shqipërinë e ndajnë nga vetvetja, ato rrugë bëhen edhe më të ngushta dhe më të pakalueshme. Apo, do vëreni se rrugët që i kanë hapur shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë, gjithashtu përfundojnë si shtigje qorre, se janë si kaptinat e rrëfimit për pashpresën se kurdo qoftë ato rrugë do lidhen mes veti dhe do mbulojnë tërë trupin territorial të këtij kombi.

Nëse njeriu shëtit rrugëve që dikur kanë ndërtuar shqiptarët, do ndjehet sikur është duke ecur shtigjeve të së kaluarës së këtij populli, i cili nuk ka komunikuar mes veti nëpërmjet rrugëve të dukshme, por duke ecur shtigjeve që nuk është dashur t’i shohë askush. Që do të thotë se ky popull nuk ka mundur t’i përkushtohet ndërtimit të rrugëve të gjera, por hapjeve të shtigjeve të ngushta, rrugicave të padukshme që të çojnë të takohesh me të afërtit tu, por vetëm nëse ke fat mos të të vërejnë ata që donin vendbanimet shqiptare të mbeten si zemra me damarë të mbyllur, si zemra, të cilat nuk kanë si ta shpërndajnë gjakun nëpër trupin etnik. Pra, në të kaluarën, shqiptarët as që kanë mundur të hapin rrugë me shenja të dukshme që tregojnë nga duhet të shkosh, nëse nisesh nga Durrësi për në Morinë, që pastaj të vazhdosh drejtë Prizrenit e Gjakovës, apo ku duhet të kthehesh majtas në hyrje të Shkupit, që të mos e gabosh rrugën e në vend se në Prishtinë, të shkosh në Beograd, çka edhe shpesh u ka ndodhur shqiptarëve.

Në të kaluarën, shqiptarët e Shqipërisë dhe këta këndej kufirit, në vend të hartave rrugore që kishte çdo shtet dhe çdo popull, kishin topografinë e shtigjeve të fshehta, të regjistruar në mendjen e tyre si sekret që nuk duhej ta dinin të tjerët. Pra, rrjeti i shtigjeve të fshehta nga ecën me shekuj shqiptarët e shumë shteteve të Ballkanit që të takoheshin mes veti, ishte i shënuar në ëndrrën e tyre që të shëtisnin lirshëm nëpër gjitha trojet shqiptare. Andaj ato shtigje të fshehta që lidhnin shqiptarët matanë kufirit me këta këndej vijave të shumta shtetërore që ndanin këtë popull nga vetvetja, nuk kanë qenë kurrë të shënuar në hartat topografike, as kanë pas shenja rrugore që të tregojnë nga duhet të shkosh që të arrish lirshëm atje ku të presin me “mirëserdhe”. Nëpër ato rrugë shqiptarët kanë ecur të heshtur dhe e kanë përcaktuar drejtimin nga duhet të shkojnë duke e ndjekur erën e gjakut të fisit që i takojnë.

Pas shumë shekujsh dhe ndoshta për herë të parë, shqiptarët matanë kufirit dhe këta që jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërtojnë rrugë që janë të dukshme dhe aq të gjera, sa nëpër to të mund të shkosh drejt ardhmërisë. Pra, pas shumë shekujve, shqiptarët ndërtojnë rrugë, të cilave me të vërtetë shpejt u harxhohet asfalti - shkaku se ndonjë shtresë të tij e hanë politikanët - por që ndërlidhin zemrat shqiptare dhe të çojnë më tej, drejt botës së paskajshme. Andaj rrugët që filloi t’i ndërtojë Sali Berisha në Shqipëri dhe ato që i zgjeron Fatmir Limaj në Kosovë, nuk kanë vetëm simbolikën e damarëve të tokës që lidhin hapësirën gjeografike të një populli, por ato rrugë thurin edhe rrëfimin e ri të shqiptarisë, rrëfimin ku nuk do ketë vend për damarë të padukshëm mbitokësorë nga rrjedh gjaku i një populli.

Rrugët që ndërton qeveria e Berishës dhe ato që i ndërton qeveria, në të cilën është ministër Limaj, janë vepra me të cilat mburren edhe shqiptarët e Maqedonisë, edhe pse rrugët e shtetit ku ata jetojnë, ende janë më të ngushta në vendkalimet kufitare me Shqipërinë dhe Kosovën. Pra, rrugët që zgjerohen në Kosovë dhe autostrada Durrës-Morinë, janë shenjë me të cilën identifikohen dhe krenohen edhe shqiptarët e këtushëm. Dhe ata kanë nevojë për këtë identifikim dhe mburrje, shkaku se e sotmja e tyre është si portet pa fizionomi të qartë, si kalendar i zbrazur, si dosje ku e sotmja e tyre mbetet diku mes shpresave dhe premtimeve të kota të partive të këtushme shqiptare.

Pra, vlerat që krijojnë Shqipëria e Kosova janë shenjë me të cilën identifikohen edhe shqiptarët kudo që janë. Andaj shqiptarët e Maqedonisë me interes të veçantë i përcjellin edhe debatet publike rreth ndërtimit të autostradës Durrës-Morinë dhe shpeshherë mbeten të habitur nga debatuesit, të cilët, sa nuk i hyjnë njëri tjetrit në gojë për të dëshmuar se a është kjo rrugë ngjyrë “blu” apo “rozë”. Me çka lënë përshtypje se nuk e dinë se asfalti ka ngjyrë të zezë dhe si i tillë ai mirë duket pranë së kuqes sonë kombëtare. Pra, shqiptarët e Maqedonisë duan të identifikohen me Shqipërinë e Kosovën që ka rrugë pa gropa, ku asfalti nuk harxhohet brenda një mandati qeveritar. Si të tillë, shqiptarët e Maqedonisë, jo se nuk kanë mirëkuptim për ata që kritikojnë ndërtuesit e rrugës Durrës-Morinë, jo se nuk e dinë se ka të atillë që të shpallin tradhtar vetëm që të mos marrësh guximin e të pyesësh mos janë bërë keqpërdorime gjatë ndërtimit të kësaj rrugë. Por shqiptarët e Maqedonisë e dinë se ka kritikues të ndërtimit të rrugës Durrës-Morinë, të cilët, duke shtruar pyetje për kinse keqpërdorimet që janë bërë gjatë ndërtimit të kësaj rruge, duan të realizojnë atë që nuk guxojnë ta bëjnë hapur: të pengojnë ndërtimin e rrugës që është mburrja e gjithë shqiptarëve.

Nuk ka dyshim se shumë nga rrugët që shqiptarët i ndërtuan në të kaluarën, ishin projektuar nga të tjerët. Andaj edhe ngjanin si shtigje që kanë drejtim të gabuar, që nuk të çonin më larg se aty nga je nisur. Sot, mbase për herë të parë, shqiptarët vetë i projektojnë rrugët e tyre. Dhe i ndërtojnë ashtu që ato të jenë damarë nga do rrjedhë gjaku i një populli. Ku ta dish, ndoshta mes nesh ka edhe shumë nga ata që dyshojnë në aftësitë e këtij populli që vetë t’i projektojë, vetë t’i ndërtojë dhe vetë t’ua caktojë drejtimin rrugëve që i nevojiten. Andaj, shumë nga akuzat që u drejtohen atyre që iniciuan ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, jehojnë si britma të pakuptimta, të duken si orvatje për të bërë tatuazh mbi asfalt. Nuk ka dyshim se mbi asfaltin e rrugës Durrës-Morinë do mbetet një tatuazh i pashlyeshëm. Edhe atë, o si nënshkrimi i atyre që janë nismëtarë të ndërtimit të kësaj rruge që bashkon një popull, o si portret i atyre që kritikojnë ndërtuesit e sotëm të rrugëve mbarëshqiptare.

1 Komente

Po më pëlqente deri andej nga fundi smiley

Por sikur e prishi pak "dorën", sepse, siç ëahtë i informuar për gojët e liga që flasin, duhet ta dinte që edhe ndërtimin po e bëjnë të tjerë smiley

Ku ta dish, ndoshta mes nesh ka edhe shumë nga ata që dyshojnë në aftësitë e këtij populli vetë t’i projektojë, vetë t’i ndërtojë dhe vetë t’ua caktojë drejtimin rrugëve që i nevojiten. Andaj, shumë nga akuzat që u drejtohen atyre që iniciuan ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, jehojnë si britma të pakuptimta,

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).